DR.MOIKOM ZEQO: 200 VJETORI I LINDJES SË DE RADËS – AMSHIMI DHE INDIFERENCA JONË!

Tiranë, 03. 03. 2014 – Në 200 vjetorin e lindjes së De Radës ne përjetojmë ende kohët e politikës… ështe e çuditshme, gati e pakonceptueshme që në institucionet kulturore të Shqipërisë por edhe të Kosovës, në tërë trojet shqiptare ende nuk është programuar festimi i jubileut të plotë të 200 vjetorit të lindjes së De Radës. Çfarë bëjnë Akdemitë e Shkencve, Ministritë e Kulturës, institucionet albanologjike? 200 vjetori i De Radës është një rast reflektimi mbarëkombëtar, një mundësi e pakufishme për të vlerësuar një nga ikonat më të mëdha, më të patjetërsueshme të kombit shqiptar. Busti i mrekullueshëm në Bronx i De Radës i skulptorit të mrekullueshëm Odise Paskali, që ishte dikur në Tiranë ka 15 vjet që është grabitur dhe nuk dihet kush e ma marrë. Si ka mundësi? Po ja që paska mundësi në Shqipërinë, ku politika ka një raport negativ me kulturën. Pse kjo indinferencë idiote? …
Jeronim De Rada ka lindur në Makje në 1814, pra 200 vjet më parë. Ne pasardhësit e tij, rikthejmë përherë në kujtesë çastin e vdekjes së De Radës, i cili mbylli sytë në një varfëri të frikshme, i rrënuar dhe i drobitur si Jobi biblik. Plaku 89 vjeçar kaloi në jetën tjetër gati i harruar nga të gjithë me një cironkë të vetme në xhep. Derisa dha shpirt u mësonte gjuhën shqipe fëmijëve arbëreshë. Kur e hapën gropën e varrit aty pranë qe edhe një kumbull e lulëzuar.

 Ndërsa e futën arkmortin e De Radës në dhe, fryu era dhe poetin e mbuluan lulet e kumbullës.
Duket sikur funksionoi një skenar apo regjisurë transcedentale si për të imituar vargjet e vetë poetit në çastin e vdekjes së Milosaos:
Fryjti erë e detit
Dhe rrëzoi hijen e lisit
Por të gjithë ne jemi peng ndaj emrit të këtij poeti. Të gjithë i detyrohemi De Radës së pavdirë. Në nuk mund të jemi ata që jemi, ne nuk mund të bëhemi ata që duhet të bëhemi, pa De Radën. De Rada kështu është një mjeshtër i madh i konstruktimit të pambarimtë të identitetit tonë kombëtar.
Për De Radën janë shkruar shumë studime, libra, krijimtaria e tij studjohet, analizohet, ribotohet.
Por si mund ta klasifikojmë saktësisht figurën e De Radës?
Jeronim De Rada është një dukuri madhështore e intelektit shqiptar. Ai është emblema më përfaqësuese e arbëreshëve, emigruar në Itali që nga Shqipëria. I pajisur me një talent mahnitës ai pati ndërmend disa projekte shumë të mëdha.
* * *
Projekti i parë i De Radës lidhet me mbledhjen e baladave popullore dhe të folklorit arbëresh si dhe me idenë e tij se të gjitha këto fragmente të shkëlqyera kanë qenë të strukturuara në një epos popullor, oral, konceptual të kohës së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në këtë pikëpamje ai është një zbulues i madhështisë kulturore të popullit, dukuri kjo e romantizmit europian. Ky konceptim është shumë i vlefshëm dhe i dobishëm edhe për sot.
I mahnitur nga folklori arbëresh De Rada ka meritën e padiskutueshme të ruajtjes të korpusit popullor të arbëreshëve për të gjithë ne pasardhësit.
Sidomos të habitshme qenë strukturat e baladave arbëreshe, ndër më të bukurat në rrafshin europian.
* * *
Projekti i dytë i jetës së De Radës lidhet me gjuhën arbëreshe. Ai kërkon ta ringjallë arbërishten si një gjuhë arkaike e trashëguar që nga shekulli XV, gjuhë ndërlidhëse e komuniteteve arbëreshe në Itali. De Rada e bëri arbërishten nga një gjuhë orale në një gjuhë të shkruar. Kjo është një nga mrekullitë që bëri De Rada. Ideja e tij që arbërishtja të bëhej gjuhë letrare për të gjithë shqiptarët edhe në Shqipëri nuk funksionoi, sepse me të drejtë kryemjeshtri i gjuhës shqipe moderne madje dhe i gjuhës letrare shqipe u bë Naim Frashëri.
Arbërishtja e shkruar nga De Rada, por edhe nga Serembe, Gavril Dara i Riu, Zef Skiroi etj., është bërë kështu një enciklopedi gjuhësore e paçmuar për të gjithë studjuesit.

* * *
Projekti tjetër i jetës së De Radës është publicistika. Ai themeloi gazetën “Flamuri i Arbërit” dhe e lidhi gazetarinë me të ardhmen e kombit shqiptar. Kjo është një publicistikë politike, shkencore dhe kulturologjike.
* * *
Por projekti më i madh dhe më i pazëvësuar i De Radës është krijimtaria poetike. Romani i tij poek “Këngët e Milosaos” është një nga vepra më të shquara poetike të romantizmit europian. Kjo kryevepër u çmua lart nga Viktor Hygo, Lamartini dhe Gabriel Mistrali. Kjo vepër e pazakontë në llojin e vet kishte një lakonizëm të mahnitshëm dhe një imazhinizëm modern. Me këtë roman poetik De Rada u bë i denjë për të hyrë në panteonin e letërsisë botërore.
Roman tjetër poetik shumë i rëndësishëm i De Radës është “Serafina Topia”, për fat të keq jo i vlerësuar siç duhet.
Të gjitha poemat dhe veprat poetike të De Radës janë të projektuara si një bashkësi me raporte të ndërlidhura midis pjesëve, titujve, emrave dhe figuracioneve.
Në një farë mënyre ai ka vepruar si Balzaku, kur konstruktoi të ashtuquajturën “Komedia Njerëzore”.
* * *
Në 200 vjetorin e lindjes së De Radës ne përjetojmë ende kohët e politikës… ështe e çuditshme, gati e pakonceptueshme që në institucionet kulturore të Shqipërisë por edhe të Kosovës, në tërë trojet shqiptare ende nuk është programuar festimi i jubileut të plotë të 200 vjetorit të lindjes së De Radës.
Çfarë bëjnë Akdemitë e Shkencve, Ministritë e Kulturës, institucionet albanologjike?
200 vjetori i De Radës është një rast reflektimi mbarëkombëtar, një mundësi e pakufishme për të vlerësuar një nga ikonat më të mëdha, më të patjetërsueshme të kombit shqiptar. Busti i mrekullueshëm në Bronx i De Radës i skulptorit të mrekullueshëm Odise Paskali, që ishte dikur në Tiranë ka 15 vjet që është grabitur dhe nuk dihet kush e ma marrë.
Si ka mundësi?
Po ja që paska mundësi në Shqipërinë, ku politika ka një raport negativ me kulturën.
Pse kjo indinferencë idiote?

– Shtëpia Muze e Jeronim De Radës –

Në histori do të gjykohemi jo për ato që kanë ndodhur si dukuri shoqërore, se sa për ato që kemi vlerësuar dhe nderuar (ose jo) si kulturë. Për këtë gjë jam krej i sigurtë. De Rada meriton një vlerësim madhor, për ta kuptuar veten tonë si shqiptarë dhe qyetarë të botës.
Shpresojmë më në fund që të vijnë edhe kohët e poezisë, të ndryshme nga ato të politikës. Kohët e poezisë së De Radës lidhen me amëshimin e tij si një substancë e gjallë, përherë pllenuese, krijuese dhe humaniste.

******************************

==============================

(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura