BESIM CENGU: HANIFE S.REҪANI – KËNGËTARJA E HITEVE SHQIPTARE ME SHPIRTIN GJITHMONË TË RI

Tranë, 07. 04. 2016: 1. NË GOSTIVAR TE HANIFE SEJFULLA-REÇANI – Në atë ditë fillimpranvere me shi gjethi, si i thonë, udhëtimi në magjistralen Tetovë – Gostivar na u duk shumë i bukur. Shumë romantik madje. Si për të krijuar atmosferën që krijon kondicione shpirtërore në përputhje me synimin e udhëtimit tonë, dr. Nexhat Çoçaj, i cili në këtë rast ishte edhe vozitësi, në kasetofonin e makinës vuri një CD me këngët e një prej yjeve me të ndritshëm të muzikës tonë popullore, Hanife Sejfulla-Reçani. Po na përgadiste “terrenin” pak para se të ishim vizitorë në shtëpinë e saj. Tingujt e këngës “Dil aty ku dole mbram” sollën hare tek ne. Ja nisëm të këndojmë edhe ne bashkë me Hanifen. Nexhati, Besim Muhadri, Ymer Domi edhe unë këndonim duke bërë kështu të ngrinim atmosferën…

Besim Cengu dhe Hanife Sejfulla – Reçani.

Shumë interesante! Si është e mundur që një këngë e kënduar apo interpretuar para rreth gjysmë shekulli të jetë kaq e freskët e kaq e afërt!? Si është e mundur që të jetë kaq afër shijes, psikologjisë dhe konceptit të sotëm artistik, afër ritmit e timbrit!?

Pas këngës diskutuam me njëri tjetrin pikërisht për këtë sekret të artistit, sekretit që ka të bëjë me jetëgjatësinë e këngës, me ruajtjen e vlerave edhe përtej gjeneratës së vet. Ne po shkonim në Gostivar te Hanife Sejfulla-Reçani, pa qenë asnjëri i sigurt se ajo është në këtë jetë, apo shpirti i madh i është shpërndarë në repertorin e saj për të mbetur i përjetshëm.
Ymer Domi ia njihte historinë e jetës së saj. Ajo është edhe mbesë Ujmishti, fshat i krahinës së Lumës i njohur për burra të urtë e të mençur. Hanifja qe bija e Sahit Keçës nga fshati Kalisi. Për arsye mbijetese kishin lënë fshatin dhe Lumën, krahinën e tyre të dashur, këtë trevë që ishte dhe është shtrat ku janë kultivuar vlera kulmore edhe të bëmave tona atdhetare, edhe të vlerave tona shpirtërore. Beteja e Lumës kundër serbëve, apokaliptike dhe legjendare në përmasat dhe madhështinë e saj! Kryevepër atdhetarie e trimërie si rrallëkund tjetër. Luma ka një cilësi, ajo duron shumë, shumë deri në kufinjtë e pambarimit. Shumë vështirë është të marrë flakë, por kur merr, është shumë vështirë t’ia fikësh zjarrin. Në gjininë e artit, kryevlerat shpirtërore, këngët “Moj Fusha e Korabit”, “I hipa Vaporrit”, “Kënga e Çobanit”, “Qe di a tri ditë po të pres në udhë”, “Mos ço veç selame” etj., janë maja të paarritshme për fort kollaj nga ndonjë trevë tjetër. Kjo edhe për shkak të structures së ndërtimit të këngës dhe ritmit. Kënga popullore lumjane është shumë e vështirë se ka shtrirje të madhe vokale dhe kërkon zëra potentë e të kultivuar.
Eh, kjo është Luma e Kuqe!
Frymën e mbajtëm në Gostivar, një qytet i bukur i shtrirë në Fushën e Pollogut, aty ku në historinë shqiptare kanë zënë fill fatet tona si shqiptarë. Gostivari zemërmadh e bujar, por edhe Tetova, Kërçova, Shkupi e Kumanova, me kohë e me vakt qenë shndërruar në fole e stabilizimit të lumjanëve dhe trevave të tjera shqiptare. Një fat të tillë pati edhe fisi i Mal e Sahit Mirtës – Keçës, dy vëllezërve prej Kalisi. Ishte viti 1934 atëherë kur erdhën, ndërsa këngëtarja e shquar, Hanifja, bija e Sahitit, ende nuk kishte lindur. Toka shqiptare e bujaria e shqiptarëve në Gostivar do të priste të qarën e saj të parë, Edhe dy vëllezërit e saj Halimi dhe Bajrami do të kishin fatin të jetojnë dhe të japin kontributin e tyre atdhetar dhe artistik në këtë qytet.
Askush nuk e parashikonte se të qarat e para të Hanifes të sapoardhur në jetë do të shndërroheshin në tinguj kumbues dhe magjik mbrojtës të vlerave tona shpirtërore. Asnjë furi penguese kundër kulturës e traditës shqiptare nuk mundi ta ndalë uraganin që shkaktonte jehonakumbuese e zërit të saj. Jo vetëm të zërit të saj, por edhe e të vëllait, Halimit, i cili me aq forcë përcolli në Pollog shpirtin lumjan nëpërmjet këngëve kryevepra “Hajredin Pasha po na vjen Radikës”, “Prej zamanit”, “Këngë për Halil Gashin”.
2. DJEMTË E LUMËS NË GOSTIVAR
Pikërisht ky emërtim, Djemtë e Lumës, në këtë qytet më ka bërë që të njihem para disa kohësh me Bekim Keçën, njërin prej djemëve të Lumës në Gostivar. Bekimi është një pinjoll i denjë i asaj dere të lavdishme të Keçajve, e dalë prej Kalisit të Lumës 82 vjet më parë. Jo vetëm Bekimi, por edhe të gjithë pasardhësit e kësaj shtëpie me toprak të qëndrueshëm e burrëror ndjehet krenar për krahinën nga e kanë origjinën. Një fotografi të gjyshit të veshur me tirq e koperane lume e kanë si simbol të rrënjës së tyre.
Këtë ndjenjë e kanë edhe djemtë e tjerë të Lumës më të rinj, brezi tjetër që është shumuar me shpejtësi. Dhe ata nuk janë pak. Sot në Gostivar janë faktor i rëndësishëm. Kabili madje edhe vijon traditën e gjyshërve të tij dhe të hallës Hanife. Është një këngëtar i njohur. Bekimi me veprën e tij atdhetare si dhe Kabili në fushën e artit ne të gjithë Maqedoninë përcjellin mesazhin e një stafete që thirr me të madhe të mos harrohet kontributi i tyre si familje dhe i gjithë shqiptarëve në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe në zhvillimin e artit shqiptar.
Takimi i asaj dite me shi me Djemtë e Lumës në Gostivar ishte ngjarje e shënuar për ne, por edhe për ata sigurisht. Kurrë nuk do ta harrojmë përzemërsinë dhe respektin e tyre. Na e hapën zemrën krah e më krah, sikurse di vetëm shqiptari. Na pyetën për gurin e për drurin, si i thonë, ashtu siç pyesin njerëzit e mallzuar për krahinën e vet, për fshatin, për fisin…. Ajo çajtorja e vogël e tyre ishte shumë e madhe për mysafirin, shumë e ngrohtë dhe zemërgjerë.
Pas një copë here pyeta për Hanifen, për gjendjen e shëndetit të saj. Bekimi, i cili këngëtaren e ka hallë, na tha se ajo është e sëmurë dhe vështirë do ta ketë të komunikojë. – Pleqëria e ka bërë të veten, – është verbuar krejt dhe nuk mundet të ngrihet nga krevati, – na tha.
Ne e mirëkuptuam, por këmbënguljes tonë për ta takuar, qoftë vetëm për të të patur një fotografi të saj, Bekimi nuk mundi t’i rezistojë shumë gjatë. Për pak minuta me ndihmën e tij erdhi djali i këngëtares. Arbeni, i cili drejtonte një radio në qytet dhe na priu për në shtëpinë e tij.
3. ÇDO KËNGË E SAJ QE E MBETI HIT
Ashtu sikurse është mjaft e vështirë që një poet krijimet e tij t’i ketë të gjitha antologjike, edhe këngëtari pothuajse është e pamundur që të gjitha këngët e tij t’i ketë hite. Në rastin e Hanife Sejfulla-Reçanit pothuajse të gjitha këngët janë hite, vepra artistike që i kanë rezistuar kohës dhe që kanë frymëzuar breza këngëtarësh. I frymëzojnë edhe sot e kësaj dite, pa përfillur ndryshimet konceptuale artistike dhe trendet apo prirjet e kohës.
Janë një sërë faktorësh që i japin përgjigje kësaj jetëgjatësie e moszbehje vlerash: magjia vokale, emocioni dhe ndjenja e përcjelljes së mesazhit, çasti i duhur kur ka lindur e interpretuar kënga…pikërisht mbi bazën e këtij parimi kënga e Hanifes ka fituar aftësinë e pushtimit të shpirtërave shqiptarë. Kjo artiste e madhe, nëpërmjet veprimtarisë afro gjysmë shekullore, u shndërrua në emancipuese e madhe e popullit të vet. Përmes këngës edukoi ndjenjat e njerëzve, përhapi dritë shpirti e jete me rreze të gjatë shtrirjeje e ndikimi. Ajo i këndoi brengës së femrës shqiptare duke shkërmoqë pa mëshirë përmes forces së artit të saj errësirën orjentale mbetur në skutat e shpirtit të shqiptares së vuajtur, asnjëherë për faj të saj: “Moj shamijë e zezë”, “Qorapet me vija”, “Bien tri dajre”, “Piku molla e kuqe”, “Hanëm, hanëm…”, “Dil aty ku dole mbram” etj. I këndoi kurbetit, kësaj plage të përhershme të njeriut tonë dhe që e ka shpënë deri në prag të asimilimit dhe të shprishjes së strukturës së vetëdijes kolektive kombëtare: “Moj Fusha e Korabit”, “Pse je idhnu ti me mue”, “Vijnë vaporat”, “Qe ku vijnë ushtarët” etj. Si asnjë tjetër i këndoi gëzimit e haresë rinore që i thur himn bukurisë dhe jetës: “Flokët e gocës kurorë-kurorë”, “Fesi i çikës plot gjylpana”, “Këndojnë dy bilbilat” deri te baladat zemërdridhëse “Kënga e Hasimes”, kjo këngë lapidare lumjane, e cila sipas të gjitha gjasave mbyll siparin e karierës së saj.
Një karrierë plot dinjitet artistik, përmes së cilës kjo këngëtare talent, arriti të bëhet përfaqësuese dhe përçuese e vlerave më të mira shpirtërore kombëtare, frymëzuesja më jetëgjatë për këngëtarët e këngëtaret e mëpastajme. Pothuajse të gjithë këngët e saj interpretohen nga të rinjtë, sepse të gjitha këngët e saj janë hite.
4. HANIFE SEJFULLA-REÇANI NUK ISHTE E VETME
Në vitet 60-70 kur kishte kulmin e e vet, ky yll i ndritshëm në qiellin e artit shqiptar, nuk ishte e vetme. Sepse nuk mund të ketë kuptim një qiell vetëm me një yll sado I madh qoftë. Një plejadë e artë këngëtarësh lindi e veproi aktivisht në atë kohë të errët dhunuese diktatoriale. Për më tepër lindi edhe si një reagim kundër strategjive asimiluese sllavo-maqedonase të cilët sistematikisht merrnin dinjitetin e etnive të tjera nëpër këmbë, sidomos të shqiptarëve. Për të zhdukur gjithçka flitej, shkruhej e këndohej shqip, ai pushtet antishqiptar, nën të cilin mundoheshin të mbijetojnë shqiptarët e bashkë me ta edhe artistët thurte trurlifarë intrigash e planesh. U arrit deri aty sa tu ndryshonin edhe emrat e mbiemrat, duke u dhënë natyrë të mirëfilltë sllave. Por, sa më shumë që këngëtares së kultivuar, Gonxhe Manajt, bashkëkohëse e Hanifes, t’i thonin Gonxhe Manakovska apo Nafize Stojkut, Nafize Stojkoviç, aq me më shumë entuziazëm e pathos ata i rrisnin namin këngës e artit shqiptar në përgjithësi. Veç tyre plejadës së artë i shtohen Gani Grubi, e Ismet Veseli, Mustafë e Habib Shala, Ratib Reçica e Toni Antoni, e më vonë Xhejlane Gutaj, Enver Stafa, Haxhi Maçellara, Bashkim Paçuku, vëllezërit Dervishi e Sejdiu etj. Të gjithë se bashku, këta artistë, mbajtën gjallë shpirtin shqiptar e ngritën lart pavdekësinë e shpirt të madh.
5.NË JAM LUMJANE, PO, PO JAM LUMJANE” – GULFONTE SHPIRTI I SAJ
Dhe vjen një ditë e mosha e bën të veten. Hajdutja pleqëri vjen pa u marrë vesh si një “qen i qetë” siç thoshte mësuesi moral i popullit shqiptar Naim Frashëri. Pas një jete të bujshme, plot aktivitet e lavdi, befas gjithçka bie në shurdhëri deri në kufijtë e harresës. Hamendësimi ynë se a është gjallë apo jo ky yll i dikurshëm i këngës shqipe, i ve vulën këtij fakti. Tani në një moshë mbi 80 vjeçare Hanifja dergjet e sëmurë në shtëpinë e saj, nën kujdesin e burrit të vet dhe fëmijëve… por mjerisht assesi nën kujdesin e institucioneve shtetërore maqedone. Sepse sot popullsia shqiptare në Maqedoni është faktikisht jetime. Shqiptarët këty shikohen si qytetarë të dorës së dytë.
Prania jonë i solli entuziazëm e ripërtëritje. Shpirti i saj sikur u rilind. Kjo bëri që ajo të ngrihej e të bisedojë krejt normal me ne, duke harruar lëngimin e sëmundjen. E habitshme! Si mbante përmendësh të gjitha këngët, si mundohej t’i këndonte me gjithë shpirt! Nuk thonë kot se njeriut i mplaket trupi, por asnjë herë shpirti. Shpirti mbetet e ri. Shpirt plak nuk ka. “Tek njeriu përherë syri mbetet det e shpirti luan… mirëpo pleqëria vjen e duam apo nuk e duam ne”, – thoshte këngëtari i shquar po prej Lume, Maliq Cena, (tani i ndjerë).
Këngëtarja e hiteve shqiptare e kishte shpirtin e ri.
Përveç kësaj nga goja e saj rridhnin fjalët: “Unë jam lumjane, po, po jam lumjane”. Kështu gulfonte shpirti i saj. Dhe jehona e origjinës i ishte vulosur në repertorin e vet, në më shumë se 150 këngët që ajo i këndoi si rrallëkush për rreth 50 vjet rrjesht…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura