GLAUK KONJUFCA: EULEX’i – POLITIKA E JASHTME DHE E SIGURISË SË BE’së, QEVERIA THAҪI, MARRËVESHJA ME SERBINË, LIGJI I TMERRSHËM I AMNISTISË, KORRUPSIONI FLAGRANT NË KOSOVË… BASHKËJETOJNË PËR MREKULLI

Prishtinë, 25. 07. 2013 – (Fjala e Glauk Konjufcës në Debatin parlamentar lidhur me gjykimin e krimeve të luftës, roli i EULEX-it, Qeverisë së Kosovës dhe periudha e tranzicionit, 25. 07. 2013) – Të dështuarit më të mëdhenj politikë të periudhës pas pavarësisë në Republikën e Kosovës janë Qeveria dhe EULEX-i. Por, ajo që e dallon EULEX-in nga Qeveria, është fakti se, përderisa te Qeveria, populli i Kosovës nuk kishte kurrfarë shprese, sepse e pamë se si këta pushtetarë qeverisën nga viti 2007 deri më 2010, ardhja e EULEX-it në Kosovë u shoqërua me pritje të mëdha.
Pjesa dërrmuese e njerëzve mendonin se pas shpalljes së pavarësisë, UNMIK-u si një mision ndërkombëtar zhgënjyes, do të zëvendësohej nga një mision tjetër europian. Një pjesë e madhe e qytetarëve mendonin se ky mision do të vinte në Kosovë për ta luftuar korrupsionin e qeveritarëve, për ta vënë drejtësinë në vend, për ta vendosur sundimin e ligjit dhe për ta forcuar demokracinë në vendin tonë.
Pesë vjet më pas, mund të konkludohet me një siguri të plotë se rezultatet janë dëshpëruese nëse i krahasojmë me premtimet dhe pritjet e njerëzve.
Krejt çka po shohim sot është se EULEX-i për pesë vite me radhë e ka sakrifikuar drejtësinë për hir të stabilitetit të brendshëm të skenës politike, mirëmbajtjes së kryeministrit Thaçi në pushtet si dhe negociatave me Serbinë.

—————————————-

Glauk Konjufca: EULEX-i nuk është në funksion të drejtësisë në Kosovë – 25.07.2013

Cilat janë rezultatet e EULEX-it sa i përket luftës kundër korrupsionit?
Mund ta themi lirisht se rezultatet janë pothuajse të papërfillshme. Shumicën e super të pasurve të politikës të cilët janë bërë milionerë falë fatit që e kanë pasur për të qenë në pushtet, sot i keni në qeverisje. Sot ka dhjetëra njerëz të gatshëm të tregojnë se si dhe kujt i kanë dhënë ryshfet për ta marrë një tender publik, ka keqpërdorime marramendëse të parasë publikë, zhvatje të paimagjinueshme, humbin miliona nga buxheti i shtetit, sikur rasti i pasaportave biometrike, kurse EULEX-i përpëlitet pa efektivitet duke kalkuluar politikisht.
Ka një arsye shumë të thjeshtë pse EULEX-i ka dështuar në luftimin e korrupsionit, sepse është pikërisht korrupsioni sot që qeveris me Kosovës. Arsyeja është që EULEX-i si mision është kryesisht në shërbim të politikës së jashtme të BE-së dhe aspak në funksion të drejtësisë në Kosovë.
Shtrohet pyetja pse politika e jashtme e BE-së është në kundërthënie me drejtësinë në Kosovë?
– Është kështu sepse agjenda e jashtme e BE-së tash për tash është sidomos e përqendruar në stabilitetin rajonal. E stabiliteti aktual rajonal nuk ka dyshim se mirëmbahet në kurriz të shqiptarëve. Mjafton t’i krahasoni të drejtat e shqiptarëve në Serbi dhe Maqedoni me të drejtat e serbëve në Kosovë, dhe çdo gjë bëhet e qartë.
Thelbi i stabilitetit është rregullimi i të drejtave sipas raportit të forcave, dhe kjo është pikërisht mënyra sesi stabiliteti e kodifikon padrejtësinë dhe pabarazinë. Sepse stabilitet i vërtetë është vetëm barazia e popujve dhe barazia e pakicave. Ky stabilitet i padrejtësisë bën që Kosova të shërbejë vetëm si mjet për hyrjen e Serbisë në BE. Serbisë ia plotësuan pothuajse të gjitha ambiciet e saj në veri të Kosovës, kurse Kosova me gjithë ato koncesione Kosova mbetet shumë larg në procesin e integrimeve.
Prandaj, BE-ja e lavdëron aq shumë Qeverinë tonë për marrëveshjen që e bëri me Serbinë. Kjo Qeveri është e përkryer për këto punë, sepse nën tavolinën e negociatave janë të gatshme dosjet e korrupsionit. Shikuar nga ky aspekt, politika e jashtme e BE-së është saktësisht e kundërta e drejtësisë.
Drejtësi e vërtetë do të ishte ndjekja e korrupsionit, çrrënjosja e krimit të organizuar, pastrimi i politikës nga keqpërdoruesit dhe vendosja e praktikave strikte të përgjegjshmërisë, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit, e pastaj me politikët e përgjegjshëm të arrihej paqja rajonale që buron nga barazia e popujve.
Përkundrazi, ajo që po ndodh në Kosovë është saktësisht e kundërta, tolerimi i qëllimshëm i korrupsioni, ashtu që pushtetarët e shantazhuar të dërgohen nëpër procese negociatore ku lëshojnë pe për vendin e tyre dhe arrihen marrëveshje në kurriz të shqiptarëve sipas konceptit të stabilitetit rajonal që e ka BE-ja.
Pra, politika e jashtme dhe e sigurisë e BE-së, Qeveria Thaçi, marrëveshja me Serbinë, ligji i tmerrshëm i amnistisë, korrupsioni flagrant në Kosovë, dhe stabiliteti rajonal të cilin ma së shtrenjti e paguajnë shqiptarët, a e keni parë se si të gjitha këto bashkëjetojnë për mrekulli.
E kam dëgjuar me shumë vëmendje fjalimin e Stefan Fules në Kuvend. Ai foli gati 20 minuta dhe askund nuk e përmendi fjalën korrupsion, por me dhjetëra herë e përmendi Serbinë dhe marrëveshjen me Serbinë. Kjo është pra politika e jashtme e BE-së në Kosovë: me rëndësi është Serbia dhe marrëveshjet me të, me ç’rast ne jemi ata që e bartim barrën e koncesioneve, kurse korrupsioni, keqqeverisja, shkeljet e ligjeve, varfëria etj., as që përbëjnë temë me të cilat zyrtarët e Brukselit e çajnë kokën.
Kjo është me të vërtetë e pikëllueshme. Dhe aspak kompatibile me vlerat e vërteta të demokracive nacionale të vendeve evropiane.
Prishtinë, 25 korrik 2013
Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

…………………………………………………..


 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura