Prishtinë, 31. 07. 2013 – EULEKS-i nuk është problemi kryesor pse po merret me krimet e shpifura të luftës, por pse nuk po merret me veprat kriminale të pas luftës në Kosovë. Qytetarëve të Kosovës, sigurisht që lufta u ka shkaktuar dëme të mëdha e të shumëfishta, të shërushme e të pa shërueshme, por liria e fituar ka qenë një satisfaksion i madh e shpresëdhënës me besimin për një të ardhme më të mirë. Ishte besimi për një jetë më të dinjitetshme në Kosovë që i bënte njerëzit të ktheheshin si lum në trojet e tyre të shkrumura e të shkatërruara nga soldateska piromaneske e politikave të Beogradit, e sidomos, të atyre të kohës së Millosheviçit.
Paslufta vit pas viti e zvetnoi shpresën, derisa e humbi besimin për një jetë më të dinjitetshme e prosperuese për popullin që kishte vuajtur të zitë e ullirit dhe kishte kaluar për dekada nëpër një golgotë të gjatë e jashtëzakonisht të vështirë. Fatkeqësia e shtetit të së drejtës, veç të tjerave ishin edhe rrahagjoksët e pasluftës edhe pse luftën nuk e fituam pa mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare, ata nuk hezituan që të thonë ligji jemi ne dhe ligjin e bëjmë ne për të tjerët, sipas vullnetit e mirësisë së muskujfortëve. Të tillët treguan një kapadaillëk të vrejtshëm nga të gjithë apo nga secili që dëshiron të shohin pa zyza. Ky, kapadaillëk për çështje sigurie e stabiliteti u heshtë nga ndërkombëtarët çka bëri që të heshtin edhe qytetarët. Këta të fundit me gjasë heshtën nga frika se mos po ia prishnin perspektivën shtetit të tyre – Republikës së Kosovës. Kjo politikë pashalliste (që edhe historikisht ia kemi parë sherrin), e ka ndihmuar krimin e organizuar politik, financiar dhe ekonomik që ta haj perspektivën e qytetarëve, ta zhbëj shpresën dhe besimin e qytetarëve deri edhe t’i detyroj ata që ta marrin rrugën e ikjes nga Kosova. Kjo praktikë politike duhet të ndërpritet, nëse vërtetë ia duam të mirën këtij vendi.
Shpresa dhe besimi duhet tu kthehet qytetarëve që sakrifikuan shumë dhe që e duan këtë vend më shumë se jetën e tyre. Çështja është: a mund t’ua kthejnë ata që qeverisën keq vendin gjatë këtyre viteve, apo e ndihmuan këtë formë të qeverisjes edhe duke ia mbajtur ison për interesa të ndryshme të liderëve politikë apo për qyqarllakun e pakuptimt që tregoj e po tregon përditë opozita në shumë procese, pas zgjedhjeve të fundit nacionale.
Kjo qeverisje e keqe në të dy nivelet e pushtetit, padyshim që është ndihmuar edhe nga EULEKS-i i cili gjithë kapacitetin e tij profesional e veprues e orientoi në të ashtuqujtura krime të luftës, duke ia lenë duart e lira krimit të organizuar financiar, kontrabandës, trafiqeve të ndaluara dhe korupsionit të pasluftës. Kjo trupë europiane në asnjë rast nuk u mor me ndonjë hetim serioz si për veprat kriminale të përmendura, por as me defektet e shumta të shfaqura në procesin e privatizimit. Ky proces jo vetëm nuk ka nxitur zhvillim, përkundrazi e ka penguar atë. Edhe pse privatizimin e kanë përcjellë dobësi të shumta (në privatizimin e ndërmarrjeve kapitale publike e shoqërore), me afera prej më të ndryshmeve, nuk i është bërë asnjë verifikim valid nga institucionet e shtetit. Pra, të gjitha format e krimit të organizuar të pas luftës kanë mbetur të pandëshkuara dhe si të tilla kanë mundësi të shumta veprimi edhe sot e kësaj dite. Ndërsa, me krimet e luftës të kryera në hapësirën e ish Federatës Jugosllave meritueshëm nuk është marr as Tribunali i Hagës për krimet e kryera në territorin e saj. Krimi i vërtetë i luftës dhe gjenocidi i kryer nga Serbia e Millosheviçit ka mbetur i pa ndëshkuar. Këto veprime e kanë trimëruar nacionalizmin e egër serb edhe sot.
EULEKS-si duke u marr shumë vetëm me “krimet” e luftës të kryera nga shqiptarët në Kosovë, ai është bërë aleat ose i ka lehtësuar kriminelët e pas luftës të cilët vazhdojnë të mbesin të pa ndëshkuar, mbase edhe të amnistuar edhe sot e gjithë ditën. Kështu si po veprojmë ne (institucionet tona) dhe si po na ndihmon EULEKS-i, as ndërtohet e as nuk ndihmohet në krijimin dhe në funksionimin e shtetit të së drejtës. Madje ai nuk u pa të vendoste një standard të dëshiruar në drejtësinë tonë të brishtë. Edhe sulmet që janë kryer dhe kryhen edhe këtyre ditëve, qoftë edhe vetëm kundër veturave të EULEKS-it, janë të trimëruar nga ngathtësia e tij, nga mos veprimi i tij dhe sigurisht edhe i sistemit tonë të drejtësisë, por që gjithësesi e dëmtojnë Kosovën dhe perspektivën e qytetarëve të saj në rrugën e integrimeve euroatlantike.