KMDLNJ: PËRPJEKJET PËR NGULFATJE DHE KONTROLLË MBI MEDIET!

Prishtinë, 30. 09. 2013 – (Reagim i KMDLNj-së) – Vendimi i Gjykatës së datës 27 shtator 2013 në Prishtinë që portali Indeksonline.net të largojë plotësisht artikullin “Ups Presidente” dhe njëkohësisht të ndalojë të njëjtin të shpërndahet në mediumet tjera për KMDLNj është sulmi i radhës ndaj medieve të lira, ngulfatje e lirisë së shprehjes si dhe përpjekje që të pengohen gazetarët në përmbushjen e misionit të tyre që është informimi objektiv, i pavarur dhe i pandikueshëm politikisht apo nga ndonjë interes tjetër.
Vendimi i Gjykatës është bërë pasi Presidentja përmes përfaqësuesit ligjor ka kërkuar nga Gjykata të cenzurojë artikullin e portalit në fjalë me 26 shtator 2013 në ndërkohë që Gjykata ka marrë vendimin me 27 shtator 2013 që nënkupton se kjo është bërë me një procedurë të përshpejtuar gjë që është, aq sa e pazakontë po aq edhe më e pabesueshme kur kemi të bëjmë me efikasitetin e Gjykatave.
Ky vendim është krejtësisht i motivuar politikisht sepse, nëse portali Indeksonline.net e ka montuar foton dhe për rrjedhojë edhe komentin e këtij portali atëherë kjo çështje duhet të zgjidhet me procedurë të rregullt gjyqësore. Nëse portali Indeksonline.net e ka shpërndarë informatën e vërtetë atëherë parashtruesi i kërkesës duhet të përgjigjet për mashtrim dhe fyerje i cili ka rezultuar me një vendim të gjykatës që e dëmton në rastin konkret këtë portal ndërsa në përgjithësi lirinë e medieve.
Nga aspekti i të drejtave të njeriut të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë të barabartë para ligjit dhe të mos diskriminohen. Publikimi i fakteve dhe artikullit në asnjë mënyrë nuk e rrezikon privatësinë e Presidentes dhe nuk e cenon integritetin moral dhe dinjitetin e saj. E as të institucionit që e drejton. Privatësia nuk preket sepse nuk është bërë në mjedise familjare apo private por gjatë një aktiviteti publik.
Për KMDLNj-në është nonsens i llojit të vet që në disa medie persona të caktuar shprehimisht janë pushkatuar duke ua cenuar rënd privatësinë dhe familjen, por nuk ka pasur as vendim të gjykatave për ndalim e as reagim të OJQ-ve si dhe vet medieve.
Në fund të fundit Presidentja e Kosovës, në radhë të parë është qytetare e Kosovës me të drejtat dhe përgjegjësitë si gjithë të tjerët, ndërkaq posti i Presidentes si post publik vetëm se duhet ta bëjë më të përgjegjshme për paraqitjet, sjelljet publike dhe qëndrimet para qytetarëve.
Për KMDLNj-në është i papranueshëm presioni që i bëhet portalit Indeksonline.net dhe kërkon që gazetarët të jenë të lirë të ushtrojnë punën e tyre në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut të KB -ra si dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Prishtinë, 30 shtator 2013
Shërbimi për informim i KMDLNJ-së

========================
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG


Artikullin “Ups Presidente” e ka botuar më 24. 09. 2013,

edhe portali “kosovarja.co”.
Lexoni këtu: UPS, PRSIDENTE!!!
http://kosovarja.co/lajme/933/ups-presidente/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura