SHERADIN BERISHA: GJYKIMI I PARISË SË PRIZRENIT(I)

Pashtriku.org, 28. 10. 2013 – Në vendet demokratike perëndimore, madje edhe në shtetet afrikane, kur një politikan keqpërdor pozitën zyrtare dhe ndaj tij hapet një procedur hetimore nga prokurori i shtetit, menjëherë jep dorëhqeje, ndërsa në Kosovë edhe pse kemi shumë raste të hetimeve dhe gjykimeve ndaj politikanëve – të niveleve të ndryshme pushtetore, një akt i tillë nuk ka ndodhur deri më sot.
Tanimë opinioni publikë është i informuar, se në Gjykatën Themelore në Prizren, nga 13 gushti 2013 ka nisur një proces gjyqësor për keqpërdorimin e pozitës zyrtare, kundër: Kryetarit të Komunës së Prizrenit – Ramadan Muja, i cili aktualisht po garon për herë të tretë, si kandidat i PDK-së, për kryetar të komunës, në zgjedhjet e 3 nëntorit; Minir Krasniqit, Drejtor i Administratës Komunale dhe Kryetar i Degës së PDK-së në Prizren; Sadik Paçarizit, Drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor; Avni Ademajt, ish’U.D i Drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrës; Kadri Ukimerit, ish’Drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës dhe Abdullah Tejecit, Drejtor aktual i Gjeodezisë dhe Kadastrës.

Te “musketarët” e Prizrenit, Ramadan Muja, Minir Krasniqi dhe Nijazi Kryeziu!

Gjatë procesit hetimor nga Prokuroria e Qarkut në Prizren dhe ajo e EULEX’it, është hetuar edhe Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Njazi Kryeziu, i cili aktualisht ka pozitën e Sekretarit të Degës së PDK-së në Prizren dhe është kryesues i Listës së PDK-së për zgjedhjet e 3 nëntorit 2013. Për opinionin publikë është i paqartë largimi nga hetimi dhe gjykimi i z.Kryeziu, duke e zavendësuar atë me Minir Krasniqin! Në një kërkesë zyrtare të Prokurorit të EULEX’it në Prizren, Cezary Michalezuk (datë 23.11.2011), drejtuar Kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX’it në Prishtinë, për caktimin e një Gjyqtari të EULEX’it për procedurë penale (PP.nr. 147/2011) ndaj kreut të komunës në Prizren, emri i Nijazi Kryeziut radhitet i dyti – pas Ramadan Mujës! 

*   *   *

Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e hetimeve dhe mundësinë e ndërhyrjes në këtë proces nga politika, gjegjësisht nga Partia Demokratike e Kosovës dhe segmentet e pushtetit siç është Qeveria etj., në tetor 2011, Prokurori i EULEX’it ka marrë përsipër këtë rast që po hetohej nga Prokuroria e Qarkut të Prizrenit. Pas shqyrtimit të kësaj lënde penale, më 23. 11. 2011 Prokurori i EULEX’it në Prizren, Cezary Michalezuk, i ka bërë një kërkesë Kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX’it, për caktimin e një Gjyqtari të EULEX’it për procedurë penale (PP.nr. 147/2011) kundër gjashtë zyrtarëve të Komunës së Prizrenit: Ramadan Muja, Nijazi Kryeziu, Sadik Paçarizi, Avni Ademaj, Kadri Ukimeri dhe Abdullah Tejeci.
Në vijim sjellë një fragment të kërkesës së Prokurorit të EULEX’it në Prizren, Cezary Michalezuk, drejtuar Kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, për caktimin e Gjyqtarit të EULEX-it për të finalizuar këtë procedurë penale.

* * *

OFFICE OFF EULEX PROSECUTORS IN PRIZREN
PROKURORIA E EULEX – it PRIZREN

PP.nr. 147/2011
Prizren, 23. 11. 2011
Prej: Cezary Michalezuk – Prokurori i EULEX-it
Për: Kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it
Lënda: Kërkesë për caktimin e Gjyqtarit të EULEX-it për procedurë penale
* * *
Unë, Prokurori i EULEX-it, i nënshkruar më poshtë, sipas nenit 3.5 (b) në lidhje me nenin 3.3 (p) të Ligjit nr. 03/L-053 kompetencat për zgjedhjen dhe caktimin e lëndëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it në Kosovë, paraqes këtë:
KËRKESË PËR CAKTIMIN E GJYQTARIT
TË EULEX-IT PËR PROCEDURË PENALE
PRETENDIMET:
Prokurori i EULEX-it pranë kësaj zyre është duke kryer hetime penale ndaj individëve në vijim:
1. Ramadan Muja, emri i babait Rizan, i lindur më 08. 02. 1939, në fshatin Zhur, mashkull, të nacionalitetit Shqiptar – Kosovar, me banim në Prizren, rr. “Kolonel Ahmet Krasniqi” nr.18, Kryetar i Komunës së Prizrenit;
2. Njazi Kryeziu, emri i babait Ibrahim, i lindur më 18. 08. 1977, në Prizren, të nacionalitetit Shqiptar – Kosovar, me banim në Komunën e Prizrenit, rr. “Bajram Curri” nr.57, Kryetar i Asamblesë Komunale të Prizrenit;
3. Sadik Paçarizi, emri i babait Istref, i lindur më 20. 04. 1965, në fshatin Dragobil, mashkull, të nacionalitetit Shqiptar – Kosovar, me banim në Prizren, rr.”11 Marsi”, 2B=7, Drejtor i Komunës së Prizrenit;
4. Avni Ademaj, emri i babait Ramadan, i lindur më 16. 07. 1961, në Zhur, mashkull, të nacionalitetit Shqiptar – Kosovar, me banim në Komunën e Prizrenit, fshati Zhur, anëtar i Bordit të Drejtorëve të Kadastrës së Komunës së Prizrenit;
5. Kadri Ukimeri, emri i babait Osman, i lindur më 25. 05. 1945, në fshatin Korishë, të nacionalitetit Shqiptar – Kosovar, me banim në Komunën e Prizrenit, fshati Korishë, anëtar – Bordit të Drejtorëve të Kadastrës së Komunës së Prizrenit;
6. Abdullah Tejeci, emri i babait Bilall, i lindur më 23. 10. 1961, në fshatin Gorozhup, mashkull, i nacionalitetit Shqiptar – Kosovar, me banim në Prizren, rr. “Enver Buqaj” nr.52, anëtar i Bordit të Drejtorëve të Kadastrës së Komunës së Prizrenit;
Dëshmitë të cilat janë grumbulluar gjatë hetimeve dëshmojnë se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit e lartëpërmendur kanë kryer vepra penale Shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit, të dënueshme sipas Nenit 339, paragrafi 3 lidhur me pargrafët 1 dhe 2 të Kodit Penal të Kosovës (KPK-së).

SA PËR ILUSTRIM:
KËRKESA E PROKURORIT TË EULEX’it CEZARY MICHALEZUK, PËR CAKTIMIN E NJË GJYQTARI TË EULEX’it, PËR PROCEDUR PENALE KUNDËR 6 ZYRTARËVE TË KOMUNËS SË PRIZRENIT:

SI KA NISUR PROCESI HETIMOR KUNDËR RAMADAN MUJËS, NIJAZI KRYEZIUT, MINIR KRASNIQIT DHE TË TJERËVE?!
Në fillim të korrikut 2011, Prokuroria e Qarkut në Prizren ka konfirmuar lajmin se, Drejtoria e Policisë kundër Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike ka nisur të hetojë shpenzimet buxhetore të vitit 2010 në Komunën e Prizrenit, për shkak të dyshimit se komunarët e Prizrenit në krye me Ramadan Mujën, Nijazi Kryeziun dhe Minir Krasniqin kanë keqpërdorur paratë e qytetarëve për dreka, darka etj. Ndërkohë, gjatë procesit të hetimeve prokuroria ka njoftuar opinionin publikë se Kryetari i Komunës së Prizrenit – Ramadan Muja, Kryesuesi i Kuvendit Komunal – Nijazi Kryeziu, Drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor – Sadik Paçarizi dhe disa zyrtarë tjerë të komunës janë duke u hetuar edhe për dyshimet e bazuara (me disa dëshmi) se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke tjetërsuar në mënyrë të paligjshme pronën publike etj. Prokuroria, pasi ka pranuar raportin zyrtar nga Policia, më datë 15 shtator 2011 ka zgjeruar gamën e hetimeve ndaj Kryetarit të Komunës – Ramadan Muja, Drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor – Sadik Paçarizi, ish’U.D i drejtorisë së Gjeodezisë dhe Kadastrës – Avni Ademaj, ndërkohë që hetimet janë zgjeruar edhe tek dy anëtarë të Bordit të Drejtorëve të Kadastrës së Komunës së Prizrenit, Kadri Ukimeri dhe Abdullah Tejeci. Pra, Aktvendimi për fillimin e hetimit kundër tyre është lëshuar më 15 shtator 2011 dhe i është dërguar Gjykatës së Qarkut në Prizren. Dhe këto vepra, sipas nenit 339 paragrafi 1 dhe 3 të Kodit Penal të Kosovës janë të dënueshme me burgim (prej një deri në tetë vjet)!
* * *

Me aktgjykimin e datës 25 maj 2006, Gjykata Supreme e Kosovës (Rev.nr.209/205), ka vendosur Komunën e Prizrenit si pronare legjitime të parcelave të tokës me numër 8617 (me sipërfaqe 0.20.65 ha) dhe 8619 (me sipërfaqe 0.06.22 ha), në vendin e quajtur “BUZAGILLËK” (fletë poseduese nr.8414 ZK Prizren) dhe të dyja këto parcela kapin vlerën rreth 50 mijë euro.

—————————-

Lexoni Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës (Rev.nr.209/205) i shpallur më 25 maj 2006 nga kolegji i gjyqtarëve në krye me Rifat Zylfiun.

Në prokurori është deponuar edhe një dëshmi tjetër që ka të bëjë me keqpërdorimin e disa lokaleve afariste në vendin e quajtur „Buzagillëk“, të cilat janë pronë e Komunës (me Aktgjykim të Gjykatës Supreme – datë 25 maj 2006) dhe qiraja e këtyre lokaleve në vend se të shkojë në Buxhetin e Komunës, atë e shfrytëzojnë individ të caktuar, dhe njëri prejt tyre është zyrtar i lartë komunal (ai është Minir Krasniqi, Shef i Administratës Komunale në Prizren)

Për ta sqaruar publikun:

Nga 1 korriku 2008 deri më 29 nëntor 2011, Ramadan Muja së bashku me Kadri Ukimerin, në cilësinë e Drejtorit të Gjeodezisë, nuk kanë ekzekutuar këtë aktgjykim, që këto dy parcela të kalojnë në pronësi të komunës. Edhe pse avokati publik i Komunës së Prizrenit (Eqrem Muçaj) përmes një memorandumi, e ka njoftuar Kryetarin e Komunës – Ramadan Muja, që vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës duhej të ekzekutohet, ai kishte urdhëruar Kadri Ukimerin të bënte të kundërtën.
Sipas aktakuzës, Ramadan Muja “ka urdhëruar Ukimerin që të mos bënte ndryshimet e duhura në shënimet kadastrale që do ta bënin Komunën e Prizrenit pronare të ligjshme të parcelave tokësore”.
Ndonëse Kadri Ukimeri ishte përgjegjës për zbatimin e këtij vendimi ai qëllimisht ka dështuar që të ndërmerrte veprime me të cilat komuna do të bëhej pronare e parcelave në fjalë, – thuhet në aktakuzë.
Meqenëse këto parcela nuk u kthyen në pronësi të komunës, nga veprimet e paligjshme të Ramadan Mujës dhe Kadri Ukimerit kanë përfituar Minir Krasniqi, Shefi i Adminstratës Komunale dhe Kryetar i Degës së PDK-së në Prizren, M.Q dhe J.A.

Minir Krasniqi, shef i administratës komunale

dhe kryetar i degës së PDK-së në Prizren.

Dy parcelat numër 8617 (me sipërfaqe 0.20.65 ha) dhe 8619 (me sipërfaqe 0.06.22 ha), në vendin e quajtur “BUZAGILLËK” (fletë poseduese nr.8414 ZK Prizren). Më 25 maj 2006, Gjykata Supreme e Kosovës, kishte vendosur Komunën e Prizrenit si pronare legjitime të parcelave, por këto i shfrytëzon Minir Krasniqi, Drejtori i Administratës dhe Kryetar i Degës së PDK-së në Prizren, J.A dhe H.Q. Këto objekte me rastin e zgjerimit të rrugës kryesore janë prishur dhe janë ndërtuar sërish! Objekti i parë nga VIVA është e J.A, objekti i dytë përballë shtyllës elektrike (me 3 lokale afariste) janë të Minir Krasniqit, ndërsa objekti i tretë (me qebaptoren dhe sigurimin SIGAL) janë të H.Q.

*  *  *

Në prokurori ëshët deponuar edhe një dëshmi kundër Kryetarit të Komunës Ramadan Muja, që ka të bëjë me shkëmbimin e paluajtshmërisë së KK’së me pronën e qytetarit Hasan Kabashi, në të cilën kontratë po ashtu Prokuroria ka evidentuar lëshime dhe i cili gjithashtu është dashur të nënshkruhej nga avokati publik i Komunës dhe jo nga kryetari Ramadan Muja. Në aktvendimin e procedurës penale PP-nr. 147/2011 datë 23. 11. 2011, të Prokurorit të EULEX’it Cezary Michalezuk, për këtë pikë të akuzës shkruan: “Më 21 janar 2009, në Prizren, Ramadan Muja, duke vepruar në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prizrenit, me qëllim të shkaktimit të dëmit për personin tjetër (pronarit të ngastrës kadastrale nr. 7141 në “Ortakoll” të sipërfaqes totale 8795 metër katrorë, fletë poseduese nr. 8414 ZK – Zona kadastrale Prizren) përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore që tejkalon shumën prej 5000 EUR për Komunën e Prizrenit – ka shëprdorur pozitën zyrtare dhe tejkaluar kompetencat e tij se më datën e lartëpërmendur ka lidhur kontratë në bazë të së cilës ka transferuar pronësinë e pjesës së ngastrës kadastrale nr. 7141 (në sipërfaqe prej 2307 metër katrorë) si kompensim për shpronësimin e tokës së individit tjetër, Hasan Kabashi (ngastër kadastrale nr. 6979/2 në vendin e quajtur „Atmejdan“ të sipërfaqes totale prej 1946 metër katrorë, (fletë poseduese nr. 10686 ZK Prizren). Kjo vepër është parashikuar në nenin 339 paragraf 1 dhe 3 të Kodit Penal të Kosovës dhe janë të dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet.”

( VIJON … )

=========================

– GJYKIMI I PARISË SË PRIZRENIT –
– LEXONI PJESËN E DYTË –
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2040
– LEXONI PJESËN E TRETË –
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2041

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura