AVZI MUSTAFA: KUSH ISHTE RAMAZAN DALIPI NGA ZAJAZI I KËRÇOVËS?

Shkup, 05. 11. 2013 – (Nga dosja e një antikomunisti nga fshati Zajaz) – Në këtë trajtesë do të jap një kuadër paraqitës biografik për të mbështetur, në vija të përgjithshme, aktivitetin patriotik të Ramazan Dalipit në vend dhe në emigracion. Ramazan Dalipi lindi më 05 gusht 1912 në Zajaz të Kërçovës. Ai lindi në muajin e Shenjtë të Ramazanit, andaj i ati Mehmedi e pagëzoi djalin me këtë emër. Mehmedi me lindjen e djalit nuk mund të mos kishte edhe gëzimin edhe besimin se kjo vatër familjare tani e arsyeton si lindjen, ashtu edhe vdekjen, meqë ka kush ta trashëgojë këtë familje.
Si çdo familje në Zajaz, ashtu edhe familja e Mehmedit nuk kishte shumë ditë të mira, sepse koha kur rritej Ramazani ishte një nyje kur shqiptarët në heshtje mezi jetonin e përjetonin varfërinë e disfatën.
Vitet e fëmijërisë dhe të rinisë së Ramazanit karakterizohen vetëm me ngulfatje e turbullira të kohës që lanë vulë në shpirtin e tij, as sa edhe qeshjen dhe shikimin t’ia ngulisin si të përmbajtur e të ndrojtur.
Bashkë me shokët e mëhallës, Ramazani ndjek shkollën okupatore serbe në Zajaz. Si nxënës tregonte aftësi dhe talent të pashoq, por shumë i mbyllur e i ndrojtur. Shumë gjëra edhe pse i dinte, nuk fliste, por vetëm vëzhgonte i heshtur. Ashtu si rritej, ashtu rriteshin edhe virtytet individuale të këtij djaloshi. Ai asnjëherë nuk i shikonte njerëzit nga lart, përveç se atëherë kur u shtrinte dorën atyre që ishin të ramë për toke për t’i ngritur. Këtë e shohin kur ai punonte edhe si bujk e punëtor krahu, në shërbim ushtarak nën komandën e Mbretërisë Jugosllave, që ishte një detyrim me shumë mundime për secilin shqiptar.

– Ramazan Dalipi nga Zajazi i Kërçovës –

Shekulli i njëzetë që ishte një shekull i luftërave, një shekull që shtyhen me të madhe gurët e kufijve ku më së tepërmi e preku shtetin Shqiptar, ku asaj ia copëtuan gjymtyrët nga shtetet fqinje të Ballkanit. Nuk do mend se të gjithë shqiptarët krahas varfërisë e vuajtjeve kishin në ideal se si të gjendet rruga dhe mundësitë që mos të shuhen vatrat në kullat e tyre. Por të huajt shqiptarëve ua kishin vjedhë lirinë dhe vatanin. Shqiptarët të molisur dhe të futur në greminën e skëterrës për 30 vjet nën Serbi, nuk kishte rrugë tjetër përveç pushkës për të dalë nga kjo gjendje.
Kur edhe në këtë copë territori ku shqiptarët i kishin copëtuar, hasmuar, pa bukë e shkollë, të detyruar që me trastet në krah të marrin rrugën e kurbetit e kur të mos çmallen me njerëzit e shtëpisë. Kjo jetë me shumë halle e brenga e priste edhe Ramazanin. Ramazani si një djalosh i gjatë e i shëndoshë, shumë shpejt e sidomos pas mbarimit të ushtrisë serbe ra në kontakt me shumë intelektualë e atdhetarë ku patën besim të madh te ky për të marrë ndonjë hap drejt zgjidhjes së çështjes shqiptare.
Me formimin organizatave politike, edhe shqiptarët e Maqedonisë të udhëhequr nga intelektualët dhe atdhedashësit e flaktë formuan organizatën e parë “Ballin Kombëtar”, ku më vonë do të formojnë edhe komitetete dhe nënkomitetete në të gjitha trojet shqiptare, që më vonë do të themelojnë njësi e aradha për t’i dalë zot tokës arbërore.
Menjëherë pas formimit të Ballit Kombëtar, më 1943 fushëveprim do të gjejë edhe Legaliteti që vepronte në shumë qytete të Maqedonisë. Ashtu siç thotë studiuesi Qerim Lita se Balli Kombëtarë dhe Legaliteti nuk kishin dallime të mëdha, por dallimi qëndronte se Balli angazhohej për shtet “republikan”, kurse Legaliteti për “monarki”, me qeveri demokratike.
Ramazani me zemër ishte për të dytën dhe kështu shumë shpejt hyri në radhët e Ballit që më vonë të jap kontributin për Legalitetin, duke bashkëpunuar ngushtë me Muharrem Bajraktarin. Me qenë se ishte trupgjatë, siç thoshin bashkëvendësit e tij “i kishte hije pushka”, ai hy në njësinë ushtarake dhe merr gradën kapiten. Bëhet dorë e djathtë e komandantit të vendit Mefail Zajazit.
Pas daljes në skenë të dy opsioneve politike: asaj të nacionalizmit progresiv dhe asaj të frontit Nacionalçlirimtar e udhëhequr ngas PKJ, Ramazani me bindje të plotë ishte për Bashkimin Kombëtar. Kështu ai bashkë me Mefailin e Vogël dhe me vëllanë e Mefail Zajazit, si dhe me pesë të tjerë nuk do të heqin dorë nga ideja e bashkimit. Edhe pse kishte fituar opsioni i Frontit Nacionalçlirimtar ku shumica e shqiptarëve kishin kaluar në taborin tjetër dhe se gjasat për të bërë diçka ishin shumë të vogla, Ramazani në krye me Mefailin e Vogël do të mendojë që të arratisej diku jashtë shteteve komuniste që të vazhdonin misionin. Por, partizanët iu kishin vënë në gjurmë. Pas disa jatakëve, herë në Gostivar e here në Zajaz, vendosën që dimrin ta kalonin në një shpellë mbi Zajaz, te vendi i quajtur “Prroi Vogël“ apo “Xheksina”; aty të qëndrojnë deri sa të dalë pranvera dhe më pas të dilnin në emigracion. Por, partizanët nëpërmjet të ndonjë spiuni, përkatësisht UDB-ja u kishte rënë në gjurmë.
Atë natë të zymtë të fillimit të marsit të vitit 1945, si për kob, kishin biseduar se në qoftë se i zbulojnë të mos bien të gjallë në dorë të pushtetit, nëse ka nevojë të qëllojnë njëri në tjetrin. Mefaili i “Vogël” po atë natë, si asnjë herë tjetër pati një gjumë të thellë dhe në atë mëngjes të kobshëm i thotë Ramazanit se ka parë një ëndërr shumë të keqe: “se si e ka parë veten duke u shqelmuar i vdekur nga një shqiptar i shitur”, pikërisht ashtu siç i kishte ndodhur edhe Mefalit të Madh, që kishte tentuar ta shkelmojë një bashkëvendës, që partizanët e kishin bërë si komisar.
Në kohën kur Mefaili i Vogël filloi të rruhet me brisk ende pa u shkumëzuar mirë, gjuajnë breshëri plumbash nga pushkët e mitrelezat dhe e plagosin Mefalin e Vogël, kurse të tjerët ikin. Derisa Mefalin e ashtu të plagosur e bartnin në saj për në gjykim, ai kërkon një pikë ujë dhe pas disa minutash ndërron jetë.
Ramazan Dalipin pas disa ditësh e kapin dhe me procedurë të shpejtë Gjyqi Ushtarak i rrethit të Manastirit më datë 25. 04. 1945 me aktakuzën nr. 555 e dënojnë me 5 vjet burg të rëndë i akuzuar si anëtar i formacionit kuisling – ballist që “ka marrë pjesë në të gjitha betejat që janë bërë në Kërçovë”.
Burgu i Idrizovës (që gjendet në Shkup) ishte plot e përplot me shqiptarë. Vuajtjet e burgut nuk mund të përshkruhen me fjalë, e sidomos torturat që i bëheshin të gjithë shqiptarëve, veçmas Ramazanit. Për pasojë një grup me 14 të burgosurish shqiptarë, bashkë me Ramazan Dalipin, në qershor të vitit 1946 u përpoqën të iknin nga burgu. Ikjes ia dalin vetëm 8 vetë, përfshirë edhe Ramazanin, kurse të tjerët u kapën dhe u likuiduan.
Ramazani së pari emigron në Greqi ku jetoi tri vjet dhe pas shumë kërkesash nëpërmjet IRO-së, transferohet në Bari të Italisë ku qëndroi vetëm një vit. Nga Italia shkon në Gjermani dhe strehohet në bazën amerikane “Kompanija 4000” në afërsi të Mynihut. Sipas dokumentacionit që posedojmë, për Ramazanin thuhet se ai pranoi nga CIA që të shkojë në Shqipëri si diversant për të rrëzuar sistemin komunist të cilën ai e quante “murtajë e shekullit”, kurse udhëheqësit njerëz të “kamxhikut” ku dëshironin që njerëzit t’i bëjnë të dëgjueshëm të sistemit. Pas disa muajsh stërvitje intensive, ai bashkë me katër shokë: Hajrullah Tërpezën, Abdullah Gashin, Isen Salihun dhe Isen Bajramin emigrant nga Shqipëria me parashutë nga avioni në lëvizje hedhen në vitin 1951 në territorin e Shqipërisë. Por, për fat të keq, të spiunuar nga shërbimet sekrete sovjetike: Isen Bajramin dhe Isen Salihun i kapin të gjallë dhe i likuidojnë. Fatmirësisht Ramazanin, Hajrullah Tërpezën dhe Abdullah Gashin parashuta i hedh diku më larg, kështu që organet sekrete dhe policore shqiptare nuk mundën t’i zbulojnë. Duke kapërcyer malet e Shqipërisë, disi arrijnë të kalonin kufirin e atëhershëm Shqiptaro-Jugosllav dhe fshehtazi arrijnë në Zajaz, ku 4-5 ditë qëndrojnë nëpër kasollet e Zajazit dhe me ndihmën e vëllait të Ramazanit, përsëri kalojnë në Greqi. Nga Greqia shkojnë në Gjermani. Pas tri vitesh Ramazan Dalipit i mundësohet të shkojë në SHBA.
Edhe pas shkuarjes së Ramazanit në SHBA, atë nuk do ta lënë të qetë. Organet jugosllave-maqedonase do ta përndjekin, duke e kategorizuar si: bashkëpunëtor i shërbimeve huaja zbuluese, si bartës i veprimtarive subversive dhe diversant, si organizator dhe udhëheqës i “Legalitetit” të emigracionit shqiptar, si ballist, si nacionalist shovinist, separatist dhe hegjemonist, si njeri i dënuar. Ramazan Dalipi do të ndiqet nga organet Jugosllave me pseudonimin “MAHATAN” që nga viti 1975. Nga organet e ndjekjes në dosjen e tij do të shkruhet “Ramazani bën pjesë në “Lidhjen e Prizrenit” në Nju Jork dhe si i tillë ka marrë pjesë në shumë demonstrata armiqësore, gjegjësisht antijugosllave”.
Ramazan Dalipi ishte një njeri serioz, i fjalës dhe i besës e mbi të gjitha human. Ai nuk ishte i qetë kur dëgjonte se rrugëve të trafikimit kanë ardhur shqiptarë nga vendet amë e sidomos nga Kërçova. Merrte avokatin dhe shkonte që t’i dërgonte në shtetet e Amerikës. Në biseda përherë theksonte se “unë e di se çfarë është sistemi komunist, por vendi është më i dashur, kjo më dhimbset”. Të gjithë emigrantet i vendoste disa ditë në shtëpinë e tij, u gjente punë. Kishte shumë miq, sepse ai ishte edhe pronar i një restoranti.
Organet e ndiqnin këmba këmbës. Policia sekrete nëpërmjet bashkëpunëtorëve Ramazanit i kishin caktuar dhjetë veta ta ndiqnin e përcillnin çfarë bën, me kë kontakton etj. Ata mbanin nofkat: “Obllak”, “Oran”, “Orion”, “Treska”, “Shej”,”Baftir”, “Nazmija”, “Kluç”, “Dobre Mitrevski”, “Moris”. Të gjithë këta bashkëpunëtorë kishin detyra të caktuara që të ndiqnin aktivitetin e Ramazanit dhe të emigrantëve të tjerë shqiptarë.
Xha Ramazani, ashtu siç e thirrnin, nuk trembej nga përndjekjet, atij nuk i bëhej vonë, kishte qëndrimet e veta dhe atë që e bënte nuk i binte pishman, por revoltohej nga gjërat e pavërteta që ia mvishnin. Këtë mund ta shohin në dosjen e tij “Vështrim mbi gjendjen e bartësit të OO “Mahatan” me nr. 390/2 G.03-5393/111 të 15 qershorit 1980 ku mund të shihen të gjitha burimet me pseudonime kush çka thotë e shkruan raporte për xha Ramazanin.
Xha Ramazanin e mundonte brenga dhe malli për atdheun, me dëshirë e shpresë që të shihte edhe një herë Zajazin. Sa e zinte gjymi, ëndrrat e shpinin në vendlindje, në Zajaz. Kjo dëshirë iu plotësua më vitin 1991, kur ai erdhi që ta shohë për herë të fundit vendlindjen, Zajazin që aq fort e donte.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura