AHMET SELMANI: MOIKOM ZEQO, RINGJALLJA DHE SFIDA E MITIT POETIK

Pashtriku.org, 25. 11. 2013 – (Moikom Zeqo: “Centauri i Ri” (Poezi 1993-2013), botoi “Helga’s Secrets”, Tiranë, 2013) – Siç e kemi të njohur edhe nga mitologjia, figura e Centaurit që lidhet me një qenie të dyzuar, pra gjysmë njeri dhe gjysmë kalë, mbetet një motiv i fuqishëm poetik për letërsinë në përgjithësi. Në këtë rast duket fare qartë se Moikom Zeqo bën identifikimin dhe rikuptimësimin e figurës mitike të Centaurit, rrjedhimisht, duke krijuar nëpërmjet tij metaforën qendrore të librit, ndaj edhe e quan në mënyrë ndajshtesore Centauri i Ri, e që drejtpërdrejt e orienton për t’u shfaqur si një ekuivalent simbolik i kohës sonë.
a) Antiparafjala
Në librin poetik që titullohet “Centauri i Ri” të Moikom Zeqos vërejmë një ecuri të ndërlikuar krijuese, për arsye se autori vazhdimisht ngulmon të arrijë deri te një transformim i vërtetë konceptual, në njerën anë duke u mbështetur në zanafillën poetike si formë arketipale e cila është e pazhdukshme dhe, në anën tjetër, duke pleksur brenda tërësisë edhe standardin postmodern si një arritje më kulmore, për të dëshmuar se poezia është e pranishme në të gjitha kohët linguistike. Duke ecejakur ndërmjet këtij segmenti ndërlidhës ose asimilues, ai sikur gjakon ta shpërfillë rutinën e definimit akademik të poezisë, përkatësisht duke synuar të ngrihet triumfalisht mbi çdo stereotip të zakonshëm që ka të bëjë me shpjegimin teorik të saj, thjesht poezinë duke e konsideruar sui generis për nga funksionaliteti i saj, ose një zhanër pa parafjalë, pra vetvetiu si strukturë të vetëmjaftueshme,si prijëtare të veçantë në kontekstin e gjerë kulturologjik, dhe, mbi të gjitha, si njëmatërie aktive në marrëdhëniet e rregullta me lexuesin. Fundja, duke mos patur kurrfarë nevoje për një monopol të këtillë, ose duke abstenuar nga çfarëdo determinimi paraprak, është afër mendsh se ajo nxit një shtegtim të lirë në rrugën e perceptimit të saj dhe të ballafaqon me një përmbajtje sintetizuese e ambiguitive në pikëpamje zhanrore e semantike.

– MOIKOM ZEQO –

 Në fakt, e gjithë finesa manovruese e autorit qëndron në shkrirjen elegante të elementit klasik dhe atij modern, në abstragimin dhe formësimin e njëkohshëm tërimës si një veçori formale për ta ruajtur edhe kuptimin substancial të mendimit poetik, me çka vërteton se ajo megjithatë mund të jetë kryekëput një esencë estetike që realizohet me mjeshtëri.
Me këtë lojë të kombinuar ia del të krijojë një zhanër mjaft të lakmuar, duke i shmangur të gjitha skajshmëritë e mundshme, qofshin ato të natyrës sipërfaqësore ose thelbësore. Me këtë logjikë ai ndërthur dhe përpunon një formë tipologjike krejt vetanake, me çka na shtyn të mendojmë se kjo është një dialektikë normale që ndodh në procesin e krijimit poetik. Kështu na bind se, poezia si e tillë, me të gjitha strukturat dhe konceptet e saj, aq sa është një lloj klasik, po aq është edhe një lloj modern.
Gjykuar nga ky kontekst, prirja njëjtësuese e autorit sillet përherë diku në mes tyre, si një sprovues ose si një bartës kaotik dhe kozmogonik, si një rrënues dhe krijues konceptual i poezisë. Gjëja kryesore është transformimi, risia krijuese.
Duke u përqëndruar në suaza të këtij rrafshi, na bën të kuptojmë se ai nuk mëton asnjëherë të jetë një sqarues i rëndomtë në aspektin e teorisë konceptuale të tij, por vazhdimisht mëton të dëshmohet si një shqiptues i natyrshëm i shqetësimit poetik. Prandaj, këndej mund të pohojmë me bindje të plotë se poezia në fjalë më së miri mund të përthekohet vetëm nga një antiparafjalë, nëse na lejohet të themi kështu, në kuptimin e distancimit nga një qëndrim i ngurtë, pra me qëllimin e vetëm që rruga e ekzistencës së tekstit të mbetet gjithmonë e hapur, grishëse, ftilluese, të shërbejë si një ngrehinë strehuese, sigurisht duke krijuar fare lirshëm variacione nënpoetikash të panumërta. Pra, qoftë edhe paraprakisht, ne e ndiejmë si një vepër të hapur, siç shprehet Umberto Eko, sepse në mënyrë të padiktueshme tekstin poetik ia dorëzon lexuesit për ta shndërruar në një pjesë të interpretimit, përjetimit dhe krijimit personal. Dhe me këtë akt të natyrshëm autori aspak nuk ndihet humbës, tjetërsues, injorues, por, gjithësesi, një fitues shumë i denjë. Këtu na e sugjeron njëjtësimin e krijuesit dhe të lexuesit, si dy qenie që komunikojnë në mënyrë të pavarur me të njëjtin tekst poetik. S’do mend, këtu fillon jetëgjatësia e poezisë, ose perspektiva reale e saj.
b) Identifikimi i Centaurit
Siç e kemi të njohur edhe nga mitologjia, figura e Centaurit që lidhet me një qenie të dyzuar, pra gjysmë njeri dhe gjysmë kalë, mbetet një motiv i fuqishëm poetik për letërsinë në përgjithësi. Në këtë rast duket fare qartë se Moikom Zeqo bën identifikimin dhe rikuptimësimin e figurës mitike të Centaurit, rrjedhimisht, duke krijuar nëpërmjet tij metaforën qendrore të librit, ndaj edhe e quan në mënyrë ndajshtesore Centauri i Ri, e që drejtpërdrejt e orienton për t’u shfaqur si një ekuivalent simbolik i kohës sonë. Jo rastësisht poezitë e tij i përkasin një periudhe të caktuar kohore, pra 1993-2013, kryekreje epokës digjitale e kibernetike, kur njeriu pa asnjë mëshirë është hedhur në margjinat e jetës dhe të ekzistencës duke u konsideruar si një qenie krejtësisht e tepërt dhe e pavlerë. Pikërisht këtu ringjallet në mënyrë figurative miti parak i Centaurit, thjesht jo vetëm si një metaforë e gjerë kontekstuale e cila brenda vetes ngërthen kuptimin e një realiteti të kanibalizuar, por edhe si një motërzim të ri me parametra të caktuar poetik. Këtu përfytyrimi mitologjik na shpie drejt realitetit konkret që e njohim, subjekti arketipal na ringjallet tek ai bashkëkohor ku jetojmë dhe kështuarrin të krijohet një mishërim tipik modern. Me vendosjen e kësaj figure brenda poezisë në fjalë, autori i shpall dyluftim të ashpër gjithëperiudhës së ashtuquajtur postmoderne, duke e bërë atë si mjet sociologjik dhe poetik, por gjithashtu edhe si ndjesi e mendim për ta dhënë kushtrimin e nevojshëm lidhur me atë që ndodh me zhvillimin tepër brutal të teknologjisë.
Kjo na mundëson të shohim se Moikom Zeqo paraqitet me një barrë shumë të rëndë shqetësimesh, të cilat përpiqet t’i përkufizojë me anë të gjuhës së ngjeshur metaforike, duke shtresuar kuptime të dendura lidhur me ankthet dhe dilemat njerëzore. Thjesht ai qëndron i habitur për atë që ngjet në rrethanat tona aktuale, ndaj si rezultat i kësaj thotë:
Shpura alienësh nisin flurudhat
E njerëzimi nuk e njeh vetveten.
Në terr Fati ka zbathur këpucët,
Fshehtas vjen të na vjedh Jetën!

Pra, shihet qartë droja fatale për ekzistencën njerëzore, ku autori zbret vertikalisht në thelbin e çështjes së saj, mu aty ku ia merr mendja se ta zbulojë shkakun dhe pasojën e çrregullimit të frikshëm, aty ku mund ta shpalosë dhembjen dhe pikëllimin e madh, aty ku mund ta përcaktojë me qartësizbimin dhe shfarosjen e qenies njerëzore. Përmes kësaj vije hulumtuese e poetizuese, ai nxjerr në sipërfaqe gjithëankthin e thellë apokaliptik të njerëzimit, me çka na e rikujton tezën për fundin e historisë të F. Fukujamës. Në këtë kontekst ai me plot të drejtë pandeh se qenia njerëzore po shkon drejt katandisjes dhe vetëzhdukjes së llahtarshme. Prandaj, si rezultat i kësaj pyet në mënyrë të përgjithësuar:
Projektin e Gjenezës kush po e prish?
S’do mend, kjo është e nënkuptueshme; autori vazhdimisht shtegton përmes kësaj bote që ne e quajmë qytetërim, ku nënvizon kufijtë e mundshëm dhe të pamundshëm, detekton me vëmendje gjithçka defunksionalizuese që shfaqet me egërsi para syve tanë. Dhe me këtë rast, teksa zbulon logjikën e gjërave dhe fenomeneve,brenda vargjeve të tij mbjell në vazhdimësi frymën e një proteste të ashpër. Për këtë arsye, me një gjuhë shumë të veçantë metaforike ai shprehet:
Mbi metropolet e mëdha kërleshet tmerri
Pikërisht në këtë katrahurë rrëqethëse e marramendëse, ku ndodh çdo gjë dhe asgjë, ose aty ku përzihen kufijtë e fantazisë dhe të realitetit, ai thur fabulën urbane, me ato përmasa shpirtërore të cilat janë të tmerrshme, shokuese. Ndaj për këtë arsye, thotë troç:
Shoh se si lind Centauri i Ri.
Mbase në suaza të kësaj kryemetafore përmblidhet gjithë kuptimi themelor i librit në fjalë; thjesht aty është koha dhe njeriu, zhvillimi dhe teknologjia, bota kibernetike dhe virtuale. Dhe kush mund t’i kundërvihet më fuqimisht kësaj masakre postmoderne, përveçse poeti që di tërebelohet, duke mbetur krejtësisht i vetmuar në luftën e tij verbale.
Poeti, ah Poeti është vetmi publike.
Duke qenë i ndërgjegjshëm se katë bëjë me një ballafaqim të vështirë, me një utopi tronditëse, ai gjithë kohën ndjen edhe dëshpërim dhe sfilitje. Për shkak të kësaj, është i afërmendshme dhe momenti kur detyrohet të klithë me dëshpërim të thellë:
Do të ik nga realiteti i ashpër
Si Jezusi i përndjekur nga Nazareti
Megjithatë, vërehet qartë se metafora
e Centaurit të Ri mbetet një semantikë e kushtrimit për ta mbrojtur gjenezën njerëzore. Aty e gjejmë tërë diagnozën ekzistenciale të njerëzimit të sotëm, sëmundjen kronike të epokës postmoderne, e cila na shpie drejt një lëngate të rëndë shpirtërore.
Sigurisht autori e ka të qartë shkakun e vërtetë të kësaj anomalie me shenja apokaliptike, prandaj përpiqet me çdo kusht që brenda poezisë ta ringjallë frymën e nevojshme përtë krijuar një arsye të shëndoshë, me ç’rast e përplas historinë dhe aktualitetin, thërret gjenezën dhe kaosin, gjithmonë me një qëllim madhor, qëta krijojë metaforën arketipale të homo sapiensit, pa dyshim si të vetmen qenie të natyrshme e racionale të njerëzimit. Pra nëpërmjet thirrjes lashtore, burimore, parake, që vjen nga një kumt i moçëm brenda kontekstit historik, zanafillor, adamik, ai e sfidon gjithë çmendurinë dhe kanibalizmine shkaktuar nga koha aq e përfolur postmoderne. Pikërisht nëpërmjet gjuhës së jashtëzakonshme metaforike, ai e sfidon drejtpërdrejt dhe tërthorazi edhe gjuhën kibernetike, e cila çdo ditë po e tjetërson dhe po e zhbën substancën natyrore, jetësore, ekzistenciale. Me anë të kësaj poezie të pazakontëautori na e ngjall ndjesinë e vërtetë për ta braktisur realitetin virtual të njeriut të robotizuar e të mekanizuar dhe për ta ruajtur fillesën organike të qenies së tij brenda kohës dhe hapësirës në pikëpamje historike dhe aktuale. Pikërisht me këtë tendencë kaq të fuqishme, poezia e Moikom Zeqos i tejkalon dimensionet artistike, duke marrë njëherësh edhe përmasa të gjera humaniste. Fundja, vetë poezia si e tillë është art që krijon ndjesi të shumëfishta.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura