UK LUSHI: NJË FOTOGRAFI E ZAKONSHME NË SHESHIN-SKËNDERBEU

Pashtriku.org, 27. 11. 2013 – Në shikim të parë kjo foto duket si një ndalje e zakonshme e kohës e shkrepur nga një person që është amator i fotografisë. Mungojnë kompozimi, struktura, simetria, këndi i perspektivës, linjat dhe gati asnjë element i mjeshtërisë fotografike nuk vërehet në syprinën e fotos. Por fotoja për arsye të mistershme nuk të lëshon pa ja lëshuar sytë përsëri dhe përsëri.
Me shikimin e tij të përqendruar në pafundësi djaloshi në foto të detyron ta rishikosh foton dhe të fiksohesh në subjektin e saj. Në të tridhjetat e hershme, ai duket të jetë në paqe të pastër me veten dhe botën. Megjithatë, përfundi qetësisë duket se regëtin një shqetësim i thellë. Djaloshi është duarkryq, porse ora në dorën e majtë e ekspozuar qëllimshëm tregon nxitim. Veshët gati nuk duken, ama ata janë të ngrehur sikur të ishte natë. Këmbët e djalit nuk janë në kornizë, mirëpo qendër-rëndesa e pjesës së epërme të trupit aty ku vizëllon ora miraton parafytyrimin se këmbët janë të lidhura me tokën si rrënjët e një lisi. Sytë e pamprehtë mund të shohin një djalë të shkujdesur, por djali është një fanatik i detajeve. Djaloshi ka zgjedhur të ketë flamurin në anën e majtë sepse ajo është ana e trupit ku e ka zemrën, siç ka zgjedhur të dali nga ana e armës së ngritur të statujës së kryeheroit sepse e do bekimin e shpatës. Në prapavijë të gurit të statujës është një dru i lartë i gjelbër. Përjetësia e gurit dhe harlisja e natyrës sintetizohen në gjallërinë e kontrolluar të djaloshit. Fotografia tregon qartazi që djali është njeri me karakter të formuar dhe nuk do të ketë fuqi që do të mund ta ndal ta bëjë atë që ëndërron dhe duhet ta bëjë. Djaloshi i ri ka pesëmbëdhjetë vjet që është vrarë, por ai duket si dikush që është gjallë ende.

Kjo fotografi është gjithçka, përpos se e zakonshme.

I pavdekshmi Zahir Pajaziti, në Sheshin “Skënderbeu” – Tiranë.

====================

SHIKONI DOKUMENTARIN”TROKITJE”…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura