Tiranë, 03. 12. 2013 – Rovena Vata i takon brezit të ri të studiuesve që në fushën e studimeve letrare dita-ditës po dëshmohet si kërkuese e thellë, e cila teoritë letrare i shkrin në interpretimin e mitit si fenomen brenda letërsisë shqipe. Duke qenë se ky studim është edhe punim i doktoraturës, së mbrojtur në QSA, (Tiranë), ku punon, por edhe si pedagoge në dy universitete të Tiranës, ajo me akribi prej studiueseje të përkushtuar, ia ka arritur që t’i realizojë objektivat e një kërkimi kaq kompleks dhe të rrallë njëkohësisht.
Miti i malit në antropologji e letërsi (gojore ose të shkruar) vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen e studiuesve, qofshin këta të huaj ose vendës. Edhe më parë janë bërë studime në fusha të veçanta për praninë e këtij miti në veprën letrare ose në ndonjë tregim, novelë, poemë a roman të ndonjë autori, por në studimet mitologjike, teorike e historike letrare shqiptare kanë munguar studime të mirëfillta shkencore me një shtrirje kaq të gjerë të lëndës dhe me një hulumtim të rrëmuar kaq shumë në thellësi. Ndaj studimi i Dr. Rovena Vatës me përmasa të kësaj gjerësie e thellësie mbetet prijatar dhe shembull i mirë për t’u ndjekur nga të tjerët.
Në këtë monografi vihet në qendër elementi më dominant e përfaqësues i Shqipërisë nga pikëpamja gjeografike, – mali e që është njëherësh trualli prej nga lindin besimet, mitet, zakonet, por edhe krijimtaria artistike e mjaft autorëve. Pikërisht këtë tërësi ka pasur parasysh autorja e këtij studimi, e cila ka synuar lidhjen e brendshme që ekziston mes këtyre tri shtyllave: besimit, tipareve-zakonore e letërsisë. Një ndërmarrje e tillë në radhë të parë duhet përgëzuar sepse kërkon informacion e dije më të gjera në disa fusha.
Hyrja e punimit është realizuar në parametrat e duhur shkencorë, ku elementet thelbësore – objekti i studimit, metodologjia, ndërthurja e trajtimit letrar me atë antropologjik të mitit, janë vënë në dukje e theksuar në mënyrë të thukët e me vend. Në këtë aspekt është ndër punimet më të sakta, e kjo qartësi shprehet dhe në “Përfundimet”, të cilat të alternuara me “Hyrjen” e krijojnë të saktë e të plotë idenë e shtyllave e bazës shkencore mbi të cilën është ndërtuar i gjithë punimi.
Struktura e punimit paraqitet mjaft efikase për të realizuar qëllimin e synimin e shprehur. Niset me Tokën dhe detin si kulturë, si gjedhe universale, duke i parë të dy elementët në eposin e kreshnikëve e në kultin e vertikalitetit e të bjeshkës. Shihet Miti i malit në Kanunin e Lekë Dukagjinit, e më pas në letërsi: Mali si traditë në letërsinë e vjetër: Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi. Miti i malit në letërsinë romantike, duke u përqendruar në vijim tek 4 autorë: Fishta, Koliqi, Migjeni e Camaj si dhe në vija të përgjithshme në letërsinë e Realizmit Socialist.
Brenda punimit gjejmë vështrime të shkurtra të karakterit historik: historik i pranisë së mitit të malit në letërsinë shqipe, duke nisur nga autorët e vjetër, letërsia romantike e pastaj kalohet në shek.XX, historik i shkurtër i pikëtakimeve të letërsisë gojore me letërsinë e shkruar (Meshari, Budi, Bogdani, Nikollë Brankati, Filja e Keta, Variboba e autorët e tjerë arbëreshë). Gjithashtu përqasen shkurtimisht e në mënyrë koncize autorët që janë vënë më në fokus. Autorja është munduar të jetë sa më domethënëse, duke kapur thelbin e krijimtarisë së secilit prej autorëve, në aspektin e çështjes që trajton.
Do të përqendrohem më shumë në kapitujt që lidhen me trajtimin e mitit të malit në krijimtarinë e autorëve të përzgjedhur. Vizioni origjinal i secilit shkrimtar del në aspektin e marrëdhënieve po origjinale që secili prej tyre ka me malin.
Në kapitullin mbi Fishtën si nënçështje më të rëndësishme mund të përmendim: Miti i malit dhe romantizmi i shek. 20-të, Mali dhe kodi, Raporti letërsi gojore-letërsi e kultivuar, Letërsia e Fishtës si letërsi etnografike, Karakteri romantik i veprës dhe gërshetimi i besimeve. Ndryshe nga mendimi që e sheh lidhjen e poezisë së Fishtës me krijimtarinë popullore, si aspekt që ia ul vlerën krijimtarisë së tij.
“Marrëdhënia e fuqishme e veprës së Fishtës me folklorin, për autoren ka një ndikim pozitiv, si për nga karakterizimi psikologjik i situatave, ashtu dhe nga natyrshmëria e komunikimit me receptuesin hipotetik.”
Koliqin autorja e sheh mes kodit kanunor dhe kodit civil. Në veprën e tij me të drejtë shihet mali në aspektin e besimit pagan, normave zakonore, mënyrës se si aspektet që lidhen me gjeografinë, besimin, kanunin, kthehen në elemente bazë të krijimit të botës artistike. Po ashtu mbledhja e studimi i këngëve popullore me të drejtë vihet në dukje si një tjetër aspekt i veçantë i marrëdhënies që Koliqi ka me malin.
Ikja prej mitit të malit: Migjeni, fundi i romantizmit është kapitulli vijues, me nënçështje Mali si mit i refuzuar në krijimin migjenian, Kthimi i letërsisë në qytet.
Marrëdhënia e Migjenit me malin është në vetvete një aspekt mjaft interesant e i rëndësishëm i krijimtarisë së tij. Ikja prej mitit të malit, grushti që ai i drejton malit, në një tërësi aspektesh me të drejtë shihet si dëshmi e emancipimit të letërsisë, e kalimit të saj në një tjetër stad, në të cilin idealja qëndron në mungesën e idealizimit e te njëjtësimi i shkrimtarit me heronjtë e tij.
Interesante është përqasja e Migjenit me Bodlerin. Duke qenë një autor që shënoi kalimin nga një periudhë letrare në një tjetër në Francë, gjatë krijimtarisë së tij ai unifikon aspekte të cilat në letërsinë tonë shprehen te autorë shumë të ndryshëm si Lasgushi e Migjeni.
“Mali pa kod” në veprën e Camajt është kapitulli i tetë i punimit.
Marrëdhëniet e Camajt me traditën duke qenë komplekse sipas autores janë të tilla që largimi prej saj bëhet ngadalë, shkallë-shkallë, me hap të matur e të barazpeshuar, pa e fyer atë. ‘‘Mali është për Camajn shembje traditash, dokesh dhe zakonesh, por në një formë metafizike, jo me grusht të fuqishëm revolucionar si Migjeni, por me delikatesë artistike, me një dhimbje të bukur të mishëruar estetikisht.’’
Me shumë të drejtë kur përqaset Camaj me Koliqin, të cilët kanë pasur dhe një marrëdhënie të afërt njerëzore shprehet mendimi se ‘‘Camaj nuk është njeriu i shprehjes së dilemave filozofike si Koliqi, ku peshorja e krijimtarisë kalon herë nga mali e herë nga deti, por në fund zgjedh detin duke i mbetur koka nga hija e malit. Camaj nuk është mbartës artistik i një dyzimi të tillë, ai nuk donte që brezat e rinj të mbesin nën traditat e moçme zakonore që mbanin malet tona të stërlashta.
”Mes dy autorëve ka një marrëdhënie shumë interesante dhe në planin artistik, duke qenë se Camaj në sytë e Koliqit në një farë mënyre ka përfaqësuar një shkrimtar ideal, që lidhjen me malin, për vetë origjinën e jetën e tij e ka shumë më intime se ai vetë.
Rikthimi i mitit të malit në letërsinë e realizmit socialist është kapitulli përmbyllës i punimit, ku bëhet një përshkrim konciz i pranisë së këtij miti në letërsinë e pas Luftës së Dytë, në autorët më përfaqësues.
Bibliografia është tepër e gjerë e dëshmon punën serioze të autores, gjë që vihet në dukje dhe nga citimet e shumta, të cilat dëshmojnë njohje shumë të mirë të literaturës shkencore e krijimtarisë artistike të marrë në shqyrtim.
KUSH ËSHTË DR.ROVENA VATA
Dr. Rovena VATA ka kryer studimet për Gjuhë-Letërsi shqipe pranë Universitetit të Tiranës, në fakultetin Histori-Filologji, ku realizoi edhe studimet e Masterit Shkencor në degën e Shkencave Letrare në specialitetin “Letërsi e Përgjithshme dhe Letërsi e Krahasuar” me mikrotezën me temë: “Frymët, demonët dhe besëtytnitë në rrëfenjat e Kutelit, Gogolit dhe Turgenievit”, (Aspekte të demonologjisë krahasuese). Me datë 17 qershor 2013 mori gradën shkencore “Doktor” në fushën e Studimeve Letrare, në specialitetin “Letërsia dhe mitologjia”, pranë Qendrës Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjikë në Tiranë, ku edhe punon aktualisht. Rovena Vata jep mësim si pedagoge e ftuar pranë Universitetit të Arteve (Akademia e Arteve) si dhe pedagoge e jashtme pranë Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës. Struktura e studimit paraqitet mjaft efikase për të realizuar qëllimin e synimin e shprehur. Niset me Mitin e malit në Kanunin e Lekë Dukagjinit, e më pas në letërsi: Mali si traditë në letërsinë e vjetër: Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi. Miti i malit në letërsinë romantike, duke u përqendruar në vijim tek 4 autorë: Fishta, Koliqi, Migjeni e Camaj si dhe në vija të përgjithshme në letërsinë e Realizmit Socialist.
Prof. dr. Laura Smaqi – Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.
* * *
Miti i malit në antropologji e letërsi (gojore ose të shkruar) vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen e studiuesve, qofshin këta të huaj ose vendës. Edhe më parë janë bërë studime në fusha të veçanta për praninë e këtij miti në veprën letrare ose në ndonjë tregim, novelë, poemë a roman të ndonjë autori, por në studimet mitologjike, teorike e historike letrare shqiptare kanë munguar studime të mirëfillta shkencore me një shtrirje kaq të gjerë të lëndës dhe me një hulumtim të rrëmuar kaq shumë në thellësi. Ndaj studimi i Dr. Rovena Vatës me përmasa të kësaj gjerësie e thellësie mbetet prijatar dhe shembull i mirë për t’u ndjekur nga të tjerët.
Prof. dr. Zeqirja Neziri – Universiteti “Shën Cirili dhe Metodi”, Shkup-Maqedoni.
* * *
Rovena Vata është anëtare e Këshillit Botues të Revistës “Kuvendi”. Disa prej studimeve të paraqitura në këtë libër janë botuar edhe në Revisten “Kuvendi”.