ALI MEHMETI: KUSH FITOI? SHPENDI APO LËVIZJA VETËVENDOSJE!?

Gjenevë, 12. 12. 2013 – Pa dashur të bëhem edhe një analist më shumë në vargun e gjatë të tyre, megjithatë ndiej nevojë të them disa fjalë në lidhje me zgjedhjet e fundit në Kosovë. Dhe posaçërisht në lidhje me fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje! në Prishtinë. Apo me fitoren e Shpend Ahmetit, siç kanë dëshirë të thonë disa.
Si dhe pse fitoi VV në Prishtinë, dhe pse nuk fitoi askund tjetër?

Shumica nga analistët japin përgjigje të ngjashme. Se në Prishtinë fitoi Shpend Ahmeti dhe jo VV; që VV pati programin më të mirë; që Shpendi nuk foli për tema të mëdha por për ato që janë plagë të përditshme për shumë kryeqytetas duke filluar nga uji, trafiku, ndërtimet pa leje…; qytetarët ishin të indinjuar nga qeverisja e stërzgjatur e LDK-së dhe sidomos nga Isa Mustafa si një njeri i lodhur, njeri i të gjitha sistemeve, nga Titoja gjer në ditët e sotshme; që votuesit votuan “kundër” dhe jo “për” kandidatët (apo partitë), respektivisht se vota e tyre ishte ndëshkuese; që Prishtina ka degraduar si një tërësi urbane gjatë viteve të pasluftës dhe disa arsye tjera. Por, të gjitha këto kanë qenë të njohura edhe para zgjedhjeve dhe sidomos pas xhiros së parë. Pse atëherë askush nuk parashikoi fitoren e VV-së? Madje as të Shpendit!

 Të kthehemi pak prapa. Nuk besoj se dikush i ka harruar epitetet me të cilat etiketohe(t)j Lëvizja VV. Fillimisht si anarkiste, pastaj marksiste-leniniste; kur nuk mjaftuan këto dy u bë Lëvizje antiamerikane, antievropiane, antiperëndimore dhe në fund u shpall edhe si Lëvizje fundamentaliste që ishte një hap larg shpalljes për organizatë terroriste. Miqtë tanë ndërkombëtar e quanin edhe Lëvizje ekstreme nacionaliste, që ishte shumë më e saktë sesa si e quanin partitë konkurruese si Lëvizje pseudonacionaliste, që nacionalizimin e kanë vetëm një kalë beteje që do i shpinte në pushtet. Falë zgjuarsisë së votuesve të Prishtinës, ky shkallëzim i etiketimeve mori fund. Nuk duhet hyrë në hak as ambasadores amerikane që u krenua me Shpendin, sepse qenka shkolluar në ShBA! A thua, kush e informoi për këtë detaj me kaq vonesë? Votuesit e Prishtinës!
Pra, në kushtet e një propagande të egër kundër Lëvizjes VV, pak kush nga votuesit besonte se ajo mund të shënonte fitore. Kurse “analistët” besonin se janë duke e kryer punën e tyre me profesionalizëm dhe efikasitet dhe se nuk mund të gabojnë, së paku kur është në pyetje Lëvizja VV. Kurse unë besoj se ata tani duhet të brengosen për vendet e tyre të punës, sepse nuk e kanë kryer punën mjaftueshëm mirë.
Mrekullia ndodhi në xhiron e parë, kur Lëvizja VV kaloi në balotazh. Në atë moment është kthyer besimi se “po, ne mundemi”. Është çliruar energjia e fshehur e votuesve që në xhiron e parë, as që kanë votuar. Shpjegimet e sotshme se VV ka fituar në xhiron e dytë me votat e PDK-së nuk qëndrojnë. Nga fakti i thjesht, se të gjitha votat e Agim Çekut nuk do i mjaftonin Shpendit për ta mposhtur Isën. Në xhiron e dytë fitoi kandidati i Lëvizjes VV Shpend Ahmeti falë besimit se “po, ne mundemi”. Për mungesë të po këtij besimi, Lëvizja VV nuk fitoj asnjë komunë tjetër në Kosovë. Këtu duhet shtuar, se ky besim është në përpjesëtim të drejtpërdrejt me nivelin e zhvillimit të përgjithshëm dhe me nivelin e arsimimit të votuesve, sidomos.
Tani e tutje, asgjë nuk do jetë si më parë. Pavarësisht se “analistët” kanë filluar ta bëjnë “diferencimin ideopolitik” ndërmjet Shpendit dhe Lëvizjes Vetëvendosje! Shpendi nuk është aq i ri të mos ketë dëgjuar për diferencime ideopolitike të viteve pas ’81-it dhe përçarjeve deri në lëçitje, që kanë shkaktuar ato.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura