Gjenevë, 16. 01. 2014 – Vendimi i sundimtarit të Kosovës për hapjen e Universitetit të Gjilanit, vendim që paraqet rrezikun më serioz për të ardhmen edhe ashtu të vështirë të Kosovës Lindore, ka kaluar në një heshtje absolute. Askush nuk e ka ngritur zërin për këtë akt të shëmtuar cubash, që u dëshmuan, sa herë që u erdhi rasti, se për një trohë pushtet janë në gjendje t’i përmjerrin edhe gurët e varreve. Askush nuk e hapi gojën për këtë diversion të rrezikshëm; as elita intelektuale, as mediet, as subjektet politike, as OJQ-te. Askush! Kjo dëshmon se në ç’përmasa janë braktisur shqiptarët e rrezikuar që jetojnë në trojet e tyre, në Kosovën Lindore. Në kulmin e kësaj braktisjeje që paraqet hapja e të ashtuquajturit Universitet i Gjilanit, është vështirë të shpjegohet se si personalitete me kredibilitet moral e intelektual, si Demaçi e Qosja merren me javë të tëra me shfrime tepër personale ndaj një personaliteti tashmë të vdekur, dhe harrojnë apo bëhen se harrojnë çështje esenciale si ajo e Kosovës Lindore apo e viseve të tjera shqiptare edhe sot e gjithë ditën të pushtuara e të rrezikuara.
1. Universitetet si pompa të benzinës
Arsimi në Kosovë, Universiteti në veçanti, ka qenë vazhdimisht në shënjesër të organeve serbe të pushtimit. Mu për këtë ai ka dalë nga lufta si institucioni më i dëmtuar në Kosovë. I dëmtuar në të gjitha pikëpamjet. Por megjithatë në sytë e popullit të Kosovës dhe jo vetëm të tij, Universiteti personifikonte moralin dhe qendresën tonë kolektive. Dinjiteti i tij dhe krenaria jonë për të kishin mbetur të pacënuar.
Por ajo që i solli paslufta Universitetit të Prishtinës është e pabesueshme. E kam fjalën për shkërmoqjen morale e institucionale të tij. Faktet janë të shumta dhe të dhimbshme. Pa folur për skandalet e njëpasnjëshëm, mjafton t’u hedhësh një sy tabelave të agjencive të specializuara ndërkombëtare për të parë renditjen dhe vendin që zë Universiteti ynë publik sot; ai zë vendin e 4000-të në botë, pra 3400 vende më posht se Universiteti i Beogradit. Dhe nuk është çudi, sepse vetëm 3% e stafit të UP i plotëson kriteret për mësimdhënie.
Politikanët cuba pa pikë idealizmi!
Paria e Kosovës, në vend që të forconte Universitetin, duke investuar në të gjitha fushat e veprimtarive të tij, e bëri krejt të kundërtën, e degradoi Universitetin duke korruptuar madje edhe çdo tullë të ngrehinave të tij. Dhe nuk u ndal me kaq. Sepse, pa as një plan të menduar mirë, qeveria pronto – pronto filloi të hapë universitete të reja gjithandej. Si të ishin pompa të benzinës. Deri tani Kosova, që ka më pak se 11’000 km katrorë dhe një buxhet prej me pak se 2 miliardë euro, ka hiç më pak se 6 universitete, përjashto Universitetin e Serbisë në Mitrovicë. I shtati, ai i Ferizajit, do të hapet në prag të zgjedhjeve të ardhshme nacionale.
Kjo është një tallje e pafalshme me popullin e Kosovës dhe me inteligjencën e tij, sepse këto nuk janë universitete, por fabrika që, kryesisht, prodhojnë analfabetë me diploma.
Për habi, kjo praktikë shkatërruese nuk po has në një kundërshtim të vendosur nga elita intelektuale e Kosovës. Dhe kjo nuk mund të shpjegohet ndryshe pos me konstatimin se edhe ajo duhet të jetë korruptuar e nënshtruar gjerësisht.
Zvicra, një ndër vendet më të pasura në botë, është e njohur edhe për universitetet qindravjeçarë të saj. Mirëpo paria zvicërane, përkundër mundësive financiare kolosale, nuk abuzon as me pushtetin e as me qytetarët e saj. Sepse, për shëmbull, tre kantone frankofone zvicërane; Gjeneva, Lozana (Vaud) dhe Vale-a (Valais), të cilat kanë një sipërfaqe diçka më të vogël se Kosova dhe një buxhet prej rreth 20 miliardë euro, i kanë vetëm 3 universitete, përfshi këtu edhe Politeknikun e Lozanës, njërin prej universiteteve më të mirë në botë.
2. I ashtuquajturi Universitet i Gjilanit, ogur i zi për Kosovën Lindore
Nga vendimet arbitrare për themelimin e universiteteve kryq e tërthuer Kosovës, më i rrezikshmi gjithsesi është vendimi dreqnor për themelimin e Universitetit të Gjilanit, sepse ky qytet, për shkak të pozitës gjeografike është një qendër rëndësore nëpër të cilin gravitojnë pjesa më e madhe shqiptarëve të Kosovës Lindore.
Hapja e këtij Universiteti do të përkthehet praktikisht me boshatisje masive të popullsisë shqiptare nga Kosova Lindore, konkretisht nga ajka e saj, sepse rinia e saj shkollore do të orientohet në këtë, i thënçin, Universitet. Ata të rinj e të reja së pari do të kenë një mësim posht nën mesatar. Diplomat e tyre, edhe ashtu pa ndonjë vlerë, nuk do të legalizohen kurrë nga auroritetet serbe të pushtimit. Kështu që shumë prej këtyre studentëve, do të përpiqen të integrohen në pjesën e çliruar të Kosovës, do të krijojnë familje dhe, për kënaqësinë e Beogradit, do t’i braktisin përgjithmonë vendlindjet e tyre. Pra, e keqja do të jetë e shumëfishtë.
Është e njëjta gjë sikur Prishtina, po qe se në vitet ’90-të do të kishte mundësi, ta hapte për shqiptarët nga Maqedonia një Universitet në Kaçanik ose në Prizren. Në këtë rast Tetova, e cila sot gëlon nga rinia studentore dhe është bërë një qendër arsimore me rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët, do të kthehej në një qytet fantazmë.
Pasojat e vendimeve të tilla arbitrare e hiçmirë të menduara apo thënë më mirë dreqnisht të menduara, mund t’i shohë cilido që jeton apo që shkon në Shkup. Sepse elita shqiptare në Maqedoni e braktisi Shkupin, deri vonë, qytetin më të madh të banuar me shqiptarë në botë. Sepe, selitë e partive politike u vendosën në Tetovë, Universiteti gjithashtu. E në fakt kjo shkaktoi humbjen më të madhe strategjike të shqiptarëve në gjysmëshekullin e fundit, për arsyen e thjeshtë se shqiptarët në Shkup janë rrudhur e margjinalizuar në të gjitha pikëpamjet. Diskriminimi i tyre sistematik dhe ditën për diell e pa asnjë lloj qëndrese është kthyer në një strategji afatgjatë të elitës politike e intelektuale maqedonase, të shprehur në një luftë të heshtur por intensive për territore.
3. Debatet e shpifura si mbulesë për vendime e veprime politike të dënueshme
Vendimi i sundimtarit të Kosovës për hapjen e Universitetit të Gjilanit, vendim që paraqet rrezikun më serioz për të ardhmen e vështirë të Kosovës Lindore, ka kaluar në një heshtje absolute. Askush nuk e ka ngritur zërin për këtë akt të shëmtuar cubash, që u dëshmuan sa herë që u erdhi rasti se për një trohë pushtet janë në gjendje t’i përmjerrin edhe gurët e varreve.
Askush nuk e hapi gojën për këtë diversion të rrezikshëm; as elita intelektuale, as mediet, as subjektet politike, as OJQ-te. Askush!
Kjo dëshmon se në ç’përmasa janë braktisur shqiptarët e rrezikuar që jetojnë në trojet e tyre, në Kosovën Lindore.
Në kulmin e kësaj braktisjeje që paraqet hapja e të ashtuquajturit Universitet i Gjilanit, është vështirë të shpjegohet se si personalitete me kredibilitet moral e intelektual, si Demaçi e Qosja merren me javë të tëra me shfrime tepër personale ndaj një personaliteti tashmë të vdekur, dhe harrojnë apo bëhen se harrojnë çështje esenciale si ajo e Kosovës Lindore apo e viseve të tjera shqiptare edhe sot e gjithë ditën të pushtuara e të rrezikuara.
Ibrahim Rugovën munden dhe do ta vlerësojnë parasëgjithash historianët, për të mirat dhe të metat e tij, për meritat dhe për fajet, sikundër që ata do ta japin mendimin e tyre shkencor edhe për këto që ka bërë e po vazhdon të bëjë beniamini i Qosjes dhe Demaçit, Hashim Thaçi:
– kriminalizimin absolut të të gjitha institucioneve shtetërore;
– krijimin e etnitetit serb në Kosovë, që do t’ia shohin sherrin edhe 200 breza shqiptarësh;
– kriminalizimin si askush tjetër të imazhit të shqiptarëve si komb dhe të Kosovës si shtet;
– defaktorizimin sistematik e konsekuent të shqiptarëve në viset e pushtuara;
– cytjen djallëzore të rrymave fundamentaliste në Kosovë që kanë një synim të vetëm e tashmë krejtësisht të hapur: libanizimin e Kosovës…, e tjera, e tjera.
Është për t’u habitur sidomos pse, ta zëmë, një subjekt politik serioz si:
– Lëvizja Vetëvendosje! merret me çështje djallëzisht të imponuara shamish dhe nuk denoncon me forcën që meriton rrezikun që paraqet për të ardhmen e Kosovës Lindore i ashququajturi Universitet i Gjilanit?
Pavarësisht vonesës, këtij projekti të rrezikshëm duhet me i dalë në udhë, dhe mos me leju në asnjë mënyrë realizimin e tij.
Reagimi duhet të jetë i fortë e i gjithanshëm, sepse burime të besueshme çojnë sinjale se sundimtari i Kosovës, duke dhunuar Kushtetutën, është lëshuar në pazarllëqe të fshehta territoriale me Serbinë. Në rast se kjo është e vërtetë, atëherë hapja e të ashtuquajturit Universitet në Gjilan duhet të jetë në funksion të këtyre pazarllëqeve të rrezikshme. Gjë që dëshmon këmbënguljen e vazhdueshme të mujsharëve politikë në Kosovë, për të dëshmuar me vepra se kanë hyrë në politikë pa pikë idealizmi, pa as një vizion, pa as një qëllim fisnik… Kanë hyrë si cuba, dhe, natyrisht, si të tillë do të dalin prej aty. Ndërkaq kostonë e veprimeve të tyre të liga do ta paguajë Kosova dhe do ta paguajë gjatë e shtrenjtë
Kundëreshtimi dhe trysnia duhet të jenë këmbëngulëse dhe të gjithanshme, në mënyrë që qeveria e Kosovës të detyrohet të heqë dorë nga një karagjozllëk elektroal siç është edhe Universiteti i Gjilanit dhe në, vend të tij, të ndajë një fond, ta zëmë, prej 5 milionë eurosh në vit, në mënyrë që në Preshevë, nëse nuk ka mundësi tjetër, të hapet një Universitet privat me degët më elementare. Por një Universitet që nuk do të prodhonte diploma fiktive, siç po bëjnë gjithandej universitetet në Kosovë, por që do të kishte kritere të forta pranimi e mësimi dhe i cili nesër do të nxjerrte kuadro të përgatitur për t’i dalë popullit e vendit të tyre zot.
Koha është me vepru, sa nuk është bërë tepër vonë.