BLERIM ÇOÇAJ: TREGOMËNI BURIMIN E GAZETËS!

(Prizren, 08. 05. 2012) – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, do të duhej të marrë seriozisht reagimin dhe shqetësimin e gazetarëve të Kosovës, por edhe të organizatave ndërkombëtarë, që kanë ngritur për futjen e nenit 37-të dh 38-të në Kodin e ri Penal. Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për liri të shprehjes, dhe kurrsesi për mbytjen e saj. Demokracia e një vendi nuk mund të zhvillohet me anë të shantazheve dhe presioneve të ndryshme, dhe pa liri të shprehjes.
     Pak minuta pasi kishte filluar punën, një zyrtar i Komunës së Prizrenit, kishte shfletuar në shpejtësi gazetat ditore për t’u informuar për më të rejat e qytetit që përfaqësonte. Gjatë shfletimit, kishte parë një shkrim në të cilën pata trajtuar për mosqëndrimin në punë të punëtorëve të Administratës së Komunës, pjesë e së cilës ishte edhe ai vetë. Ish-kryeshefja e Komunës së Prizrenit, Mybera Mustafa, kishte formuar një komision ‘at-hoc’ për të vërtetuar se sa punëtorë të Administratës së Komunës, qëndrojnë në vendet e punës, dhe sa prej tyre kanë ikur para kohe. Komisioni ishte formuar pak kohë para përfundimit të orarit të punës. Pasi kanë hyrë në çdo zyrë, u doli se mbi gjysma e punëtorëve të Administratës e kanë lëshuar punën parakohe.

________________________________________

     Ish-kryeshefja Mustafa e revoltuar nga kjo mospërgjegjësi, kishte vendosur që të nesërmen t’i qortojë punëtorët, dhe të kërkojë nga ata që në të ardhmen të respektojnë orarin e tyre të punës. Por, publikimi i këtij rezultati në gazetë “pak parakohe” e kishte bërë fort nervoz njërin prej zyrtarëve të Komunës, i cili për formimin e këtij komisioni dhe mungesën e tij në punë e kishte kuptuar nga gazeta. Ai herët në mëngjes, më mori në telefon dhe kërkoi urgjentisht që të takohemi. Nuk pranoi të bisedojmë nëpërmjet telefonit për qëllimin e takimit, por premtoi se “do të flasim për një çështje shumë të rëndësishme për gazetë”. Në takimin e mbajtur në zyrën e tij të (mos)punës, fillimisht në mënyrë ‘miqësore’ kërkoi që t’ia tregojë burimin e gazetës për lajmin e dhënë. Pas refuzimit, ai filloi të kërcënojë se për këtë shkrim do të ketë përballje edhe në gjykatë! ”Vetëm burimi i gazetës po na duhet. Nuk kemi asgjë me ty, por nëse nuk e tregon sot burimin do ta tregosh në Gjykatë…”. Ai nuk e kontestonte shkrimin. Insistonte vetëm të zbulohej burimi i gazetës. Pavarësisht pozitës, ai nuk e kishte as idenë se zbulimi i burimit është në kundërshtim me etikën e gazetarisë. Përveç etikës profesionale të gazetarisë, mos zbulimi i burimit garantohej edhe me Kodin Penal të Kosovës. Por, për t’ia arritur qëllimit, ky zyrtar i Komunës së Prizrenit, kishte hyrë në çdo zyrë duke i kërcënuar të gjithë punëtorët që gjatë kontrollimit kanë qenë në vendet e tyre të punës, se njëri prej tyre ka folur për gazetë. Për kundër përpjekjeve dhe kërcënimeve , ai kurrë nuk kishte arrit të zbulojë burimin e gazetës.

* * *

     Kuvendi i Kosovës muajin e kaluar, votoi Kodin e ri Penal të Kosovës, bashkë me nenet 37 dhe 38. Këto dy nene përveç që sanksionojnë gazetarët dhe mediat, ia mohojnë edhe qytetarëve të drejtën e informimit. Të gjithë deputetët (përveç të Vetëvendosjes) u bënë bashkë për t’ia mbyllur burimet gazetarëve, duke i kërcënuar madje edhe me burg. Dy nenet e Kodit të ri Penal të Kosovës, 37 dhe 38, janë shumë të paqarta dhe në kundërshtim me praktikat e vendeve perëndimore. Në këto dy nene nuk specifikohet se cili publikim përbënë vepër penale, në mënyrë që gazetarët të kenë mundësi ta evitojnë një vepër të tillë. Këto dy nene mund të interpretohen në mënyra të ndryshme. S’ka aspak dilemë se këto dy nene të Kodit Penal, u votuan njëzëri nga të gjithë deputetët, pikërisht për t’ia mbyllur gojën lirisë së shprehjes. Me këtë votim, ata i dërguan “selam” mediave se pavarësisht papërgjegjshmërisë dhe keqpërdorimeve që mund t’i bëjnë gjatë mandatit të tyre nuk mund të merren lehtë me ta. Futja e nenit 38-të në Kodin Penal, ku detyron gazetarët dhe mediat, që të zbulojë informacionin, kam përshtypjen se më shumë do të përdoret për të shantazhuar burimin e informacionit se sa për të zbardhur të vërtetën e çështje apo temës së caktuar që është trajtuar në media. Deputetëve që e kanë votuar këtë nen, më së paku iu konvenon zbardhja e të vërtetës së (mos) punës së tyre, por edhe të partive të cilat i përfaqësojnë.

________________________________

     Ata janë plotësisht të vetëdijshëm se zbardhja e së vërtetës për (mos)punën e tyre, mund të jetë fatale për ta. Dy nenet e Kodit Penal, nësë nuk riformulohen, më shumë do të përdorën për t’i shantazhuar gazetarët dhe burimet e tyre se sa për të zbardhur të vërtetën e publikimit. Madje, neni 38-të do të ‘shfrytëzohet’ vetëm sa për të zbuluar burimin, por jo edhe për ta nxjerrë në pah të vërtetën e shkrimit. Gazetarët më së miri e dinë se cili është halli më i madh i njerëzve të institucioneve dhe partive politike në Kosovë, të cilëve u lakohet emri për të bëmat e (mos)punës së tyre. ”Tregoma vetëm burimin asgje tjetër nuk po kërkoj nga ju…”. Kjo është kërkesa e vetme e njerëzve të cilëve u lakohet emri për të bëmat e këqija të tyre. Me pak përjashtime, të gjithë janë të kategorisë së zyrtarit të Komunës së Prizrenit, i cili nuk kishte lënë formë pa përdorur vetëm që ta zbulojë burimin e lajmit “të keq”. Pra, atyre më shumë ju intereson zbulimi i burimit, se sa e vërteta e informacionit. Mobilizimi i gazetarëve për të kundërshtuar këto dy nene nuk do të duhej nënkuptuar si mënyrë për të krijuar kushte të mira që të shkruajnë çkado, por thjeshtë për të mbrojtur lirinë e shprehjes e cila është e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare. Reagimi i organizatave ndërkombëtare tregon qartë se nëpërmjet futjes së këtyre dy neneve në Kodin Penal, Kuvendi i Kosovës me vetëdije dhe qëllimisht ka bërë një gaf të favorshëm për vete, por shumë të dëmshëm për mediat dhe shoqërinë. Shpresa e vetme për t’i kthyer për riformulim këto dy nene, aktualisht ka mbetur në duart e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Presidentja, do të duhej të marrë seriozisht reagimin e gazetarëve të Kosovës, por edhe të organizatave ndërkombëtarë, që kanë ngritur për futjen e këtyre dy neneve në Kodin e ri Penal. Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për liri të shprehjes, dhe kurrsesi për mbyten e saj. Demokracia e një vendi nuk mund të zhvillohet me anë të shantazheve dhe presioneve të ndryshme, dhe pa liri të shprehjes. Mediat janë promotorë i zhvillimit të demokracisë së një vendi, prandaj, ato me të drejtë e presin një lajm të mirë për vete.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura