PASHTRIKU: STUDENTET SHQIPTARË NË GJERMANI – SOLIDARIZOHEN ME STUDENTËT E UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS

Pashtriku.org, 02. 02. 2014 – “Organizata e studentëve shqiptarë në Gjermani po i përcjell me vëmendje zhvillimet e fundit ne Universitetin e Prishtines. Duke marrë parasysh që studentët janë motori i ndryshimeve pozitive në shoqëri, gjë që më mirë se gjithkush tjetër e kemi parë në të kaluarën jo shumë të largët të popullit tonë, ne e mbështesim të drejtën e studentëve për të protestuar për të drejtat e tyre, dhe njëkohësisht i bëjmë thirrje organeve të rendit që të distancohen nga veprimet e turpshme të sulmeve kundër studentëve.” – kështu thuhet në një kumtesë të dërguar (në adresë të pashtriku.org) nga Organizata e Studentëve Shqiptarë në Gjermani.
Në vijim kjo oranizatë studentore shkruan:
“Universiteti i Prishtinës është universiteti më i madh publik në Kosovë dhe ai duhet të funksionojë i pavarur nga ndërhyrjet politike. Përkundrazi, është Universiteti i Prishtinës ai që duhet të jetë shembull për politikën. Orientimi i Universitetit të Prishtinës në këtë kohë duhet të jetë ngritja e kapaciteteve hulumtuese, ngritja e cilësisë, demokratizimi dhe ndërkombëtarizimi i vërtetë, e jo lajthitja drejt niveleve të ulëta akademike. Ne besojmë që në Kosovë ka intelektualë të mirëfilltë, shkencëtarë të kalibrit ndërkombëtar, të cilët mund të bëjnë ndryshimet e duhura në frymën e udhëheqjes.

Studentët shqiptarë në Gjermani janë në mbështetje të plotë të kërkesave të kolegëve të tyre në Kosovë, të cilët i ftojmë që të jenë këmbëngulës në kërkesat e tyre deri në fund. Nga studentët e Universitetit të Prishtinës presim që të japin shembull se gjërat me të vërtetë duhet të ndryshojnë për të mirë, duke filluar nga universiteti, që është burimi i dijes dhe avancimit shoqëror në përgjithësi. Ne gëzohemi që ju jeni të vetëdijshëm për forcën tuaj, e më së shumti që jeni të gjithë të bashkuar në kauzën tuaj, e cila është dhe duhet të vazhdoni pa ngjyrime politike.
Shpresojmë që edhe organet udhëheqëse të Universitetit t’i marrin me seriozitet të duhur këto zhvillime, e të kenë guximin për marrjen e vendimeve të duhura.
Organizata e studentëve shqiptarë në Gjermani grumbullon rreth 500 studentë shqiptarë në nivele të ndryshme akademike, nga studimet bazike deri në doktorantë e asistentë në universitetet e ndryshme gjermane, ndër ta edhe ish studentë të Universitetit të Prishtinës. Është organizatë jopolitike dhe shërben si platformë e studentëve shqiptarë në Gjermani në organizimin e aktiviteteve të ndryshme me karakter kulturor-akademik dhe promovon bashkëpunimin ndërmjet studentëve në Gjermani e më gjerë.” – thuhet në fund të kumtesës. (Këtë solidarizim e ka dërguar studentja: Arbresha Hoti [email protected])

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura