ALISA HASANI: NGUJIMI I LOGJIKËS KRIMINALE NË INSTITUCIONET KOMUNALE TË PRIZRENIT

(Prizren, Dhjetor 2012) – Kur mendohet për asamblenë komunale fjalët që të asocojnë janë përfaqësuesit apo kuvendarët. Mjerisht, qysh nga termet bazike fillon kontradikta dualiste e konceptit se çka dhe kë e përfaqësojnë këta individë dhe çka në të vërtetë ngërthen nocioni në vetëvete.
Duke qenë se kohëve të fundit kam pasur fatin, thënë më mirë fatkeqësinë, t’i monitoroj seancat e asamblesë komunale, kam kapur fillet e asaj se çka realisht është telosi i politikëbërjes së këtyre individëve. Kur shkencat shoqërore janë pajtuar që defincioni për politikën është ruajtja, bërja dhe përmirësimi i rregullave të përgjithshme shoqërore, praktika e këtyre “kuvendarëve” po i kundërvihet edhe shkencave shoqërore, duke e formuar idenë se politika është ndryshimi i rregullave të përgjithshme për interesa materiale e vetjake.

T’u thuash këtyre individëve se janë përfaqësues të qytetarëve të Prizrenit është një gënjeshtër, që askush që e ka vrojtuar politikëbërjen e tyre nuk do ta besonte. Qytetarët e Prizrenit gjithmonë janë njohur për virtytet e tyra të mira. Mashtrimi dhe korrupsioni nuk janë virtyte kolektive, ato janë bartuar në nivele institucionale në mënyrë individuale, pikërisht nga po këta “përfaqësues”. Fatkeqësisht, prapa dyerve të këtyre institucioneve komunale janë të ngujuara këto virtyte që tentojnë ta përfaqësojnë qytetarin e Prizrenit. Prapa dyerve të këtyre institucioneve është ngujuar kriminalizimi, ku pesë zyrtarë komunalë janë nën hetime, ndër ta prin kryetari i komunës, i dyshuar për vepër penale. Pasi që këta qenkëshin zëri i qytetarëve, a do të thotë kjo që të gjithë qytetarët janë me premise kriminale? Këta përfaqësues të cilët kanë ardhur nga ta nuk mund të jetë një premisë e vërtetë, sepse vota e vjedhur ata i bën po aq kriminalë sa edhe jo të denjë e mashtrues përballë qytetarëve.
T’u thuash këtyre individëve kuvendarë, është një e pavërtetë tjetër e madhe. Dihet se kuvendet shqiptare janë shquar për trimërinë që është shfaqur aty dhe për organizim të përbashkët kundrejt planeve ogurzeza për fatin e kombit. Ndërsa sot realiteti takohet me diçka krejtësisht ndryshe nga kohët që i lamë prapa. Diskursi politik që është bartur sot në kuvendin tonë komunal, nga “kuvendarët” reflekton nivel regresiv dhe të degraduar dhe nuk përkon asgjë më vetë nocionin.
Përderisa brenda këtyre institucioneve do të ekziston një kryekriminel që udhëheq kriminelë të tjerë, këto nocione do të marrin konotacion negativ dhe do të mbesin si të tilla duke e varrosur një histori.
Vlen të potencohet që as pasiviteti si një fakt aktual, nuk është një virtyt i këtij qyteti dhe historia kolektive e tij. Përderisa mjerimi po thellohet çdo ditë, ky realitet duhet të ndryshohet me aktivizëm dhe organizim gjithandej ku duhet të ketë qytetari aktive.
– Autorja është anëtare e kryesisë së LËVIZJES VETËVENDOSJE!, qendra Prizren.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura