SALI ONUZI: DJE DHE SOT NË HISTORI*)

Pashtriku.org, 06. 02. 2014 – (1-Mesazhi i një gojëdhane) – Është shumë e njohur gojëdhëna sipas të cilës Isa Boletini iu përgjigj ngacmimit të ministrit të jashtëm britanik sër Eduart Grejit. Ky i fundit i paskësh thënë se heroin e shqiptarëve vetëm në Londër e çarmatosën, duke pasur parasysh dorëzimin e korbures në hyrje, të rojat. Ndërsa Isa Boletini, duke nxjerrë një kobure tjetër nga xhamadani, i paskësh thënë: “Qe besa, as në Londër jo”.
Një sociolog i yni, duke komentuar si fakt real personal hyrjen e Isa Boletinit me kobure në zyrën e ministrit të jashtëm britanik, ia zinte për të madhe heroit tonë si një sjellje e pakulturuar e jo diplomatike. Mirëpo, populli e ka thurur legjendën duke mbrujtur në të një thelb e një mesazh që ka të bëjë me rolin e kryengritjes së armatosur. Ishte “koburja” ajo që i kish detyruar Fuqitë e Mëdha të kohës më 1913, që t’i hapnin dyert e salloneve të diplomacisë për shqiptarët. Isa Boletini ishte përfaqësuesi i Kosovës dhe i luftëtarëve shqiptarë në delegacionin shqiptar. Mirëpo Evropa e atëhershme nuk desh ta mendonte e ta besonte se shqiptarët as shekulli nuk kishte për t’i mposhtur, e se koburja e Isa Boletinit do të kërciste në dorën e Azem Galicës dhe të Adem Jasharit.  Ja si e sjell historia. Evropa në fund të shekullit të XX të presë në Francë, Rambuje e Paris delegacionin e shqiptarëve të Kosovës në të cilin bënin pjesë, madje qenë zemra e tij, pesë përfaqësuesit e UҪK, pasardhësit dinjitozë të Isa Boletinit. Sociologu ynë modern, le të bëjë sa të dojë kërkime, nëse kishin apo jo kobure kur hynë në Rambuje Ram Buja me burra.

Robin Cook (1946 – 2005)

Rambuje, 23. 02. 1999:

– Robin Cook, Joseph Fischer, Madeleine Albright dhe Hubert Vedrine –

2 – Ramë Buja në Rambuje
Në opinion ka bërë përshtypje koicidenca interesante, madje e jashtëzakonshme e afërsisë së emrit të njërit prej përfaqësuesve të UҪK me atë të emrit të kështjellës presidenciale ku u zhvilluan bisedimet e delegacionit të shqiptarëve të Kosovës me përfaqësuesit e Komunitetit Ndërkombëtar. Emri “Ramë” dhe mbiemri “Buja” janë nga më të përdorurit në Shqipërinë e Veriut e ne Kosovë. Siç duket fati i Kosovës dhe rasti i historisë kish pritur që çështja e Kosovës të zgjidhej kur të shkonte Ramë Buja në Ram Buje.Tamam si në përralla, tamam si në legjendë. Në fakt Kosova dhe çështja e saj janë një legjendë shqiptare, ballkanike dhe europiane. Ramë Buja është një nga përfaqësuesit e sotëm të kreshnikëve të eposit tonë historik.
3 – Nga Eduart Greji te Robin Kuk
Konferenca e ambasadorëve në Londër më 1913 kryesohej nga sër Eduart Greji, ish ministër i jashtëm i Britanisë së Madhe. Vetë konferenca dhe emri i ministrit janë shqiptuar nga breza shqiptarësh me dhimbje (është pak) me urrejtje (është tamam). Kjo Konferencë e përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha të kohës i vuri gërshërët hartës dhe trupit të atdheut tonë, Shqipërisë dhe i shkëputi prej saj viset më të mira. Sa gjak, sa lotë, sa dhimbje, sa përpjekje mbinjerëzore, sa vrasje e varre ka shkaktuar ajo konferencë e zezë.
Më 1999, vërtetë konferenca nuk bëhej në Londër, por asaj i printe, krah francezit Vedrin, një britanik dhe ky ishte po ministër i jashtëm i Britanisë së Madhe. Veçse jo një tip “Eduart Greji”, po një Robin Kuk, o si të thuash një Robin Hud i diplomacisë për të mbrojtur të varfërit, të vegjëlit dhe të shtypurit. Dhe me të marrë në dorë atë punë, ai u tregua aq energjik e dashamirës për shqiptarët e Kosovës e çështjen e tyre të drejtë. Pati rastin t’i kthejë Londrës dhe Anglisë, më në fund, dashamirësinë e humbur të shqiptarëve dhe të ringjallë kujtimin e Bajronit dhe të mis Edith Durhamit. Po me një ndryshim. Robin Kuk nuk është më një zë i vetëm. Ministri i jashtëm i Britanisë së Madhe është vetëm zëdhënës i qeverisë së kryesuar nga i madhi Toni Bler që ka fituar nam tek shqiptarët kudo në Botë me qëndrimet e tij të vendosura përkrah çështjes së tyre.

– Kolonel Sali Onuzi, “Ushtria”, 07 prill 1999.

*) Botuar në gazetën “Ushtria”, 15 vjet më parë, për Konferencën e Rambujesë (06 – 23. 02. 1999)
____________
Shënim:
Më 6 shkurt 2014 – Robin Kuk nuk jeton më. Ai u nda nga jeta më 6 gusht 2005 në moshën 59 vjeçare. Le të shërbej ky shkrim si një homazh për atë burrë të shquar të Britanisë (të Skocisë, ku kishte lindur) dhe të Botës.

———————————–

– NGA ARKIVI IM –

Në Rambuje, Shkurt 1999

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura