Prishtinë, 08. 02. 2014 – (“Asnjëri nuk është më tepër skllav,se sa ai që mendon se është i lirë, pa qenë i lirë.” – Johann Wolfgang von Goethe) – Për ne shqiptarët mund të thuhet pa hezitimin më të vogël, se jemi nder ata pak popuj, që as edhe një datë të vetme të kalendarit vjetor nuk e kemi të thjeshtë. Për ne, të gjitha datat janë ditë të dhembjes, vuajtjeve, qëndresës, të heroizmave, të lavdisë dhe të krenarisë kombëtare. E tillë është edhe 08 shkurti 2014, përvjetori i tridhjetë i rënies heroike, në lulen e rinisë, të Bajram Bahtirit-Besnikut, njërit prej lajmëtarëve të çlirimit dhe të ribashkimit të Shqipërisë Natyrale, të copëzuar pamëshirshëm nga mujsharët e Evropës Plakë, për t’u pushtuar dhe aneksuar më pas nga këlyshët e “Ariut të Sibirit”.
Truallit të shqiptarëve heronjtë nuk i kanë munguar dhe as që do t’i mungojnë ndonjëherë!
Përballë realitetit të sotëm, është shumë e vështirë të përgatitët një shkrim përkujtimor për dëshmorët dhe martirët, për ata që dhanë çka patën për çlirimin tonë nga thundra e huaj, kur nga disa sojsëz, para syve tanë shkelet mbi gjakun dhe amanetin e tyre. Duhet theksuar, se jo pak prej këtyre sojsëzëve thirren në “kontributet “ e tyre për kombin, e që në realitet për këtë farë të prishur, paraja, krimi dhe jeta e shthurur janë komb e atëmëmëdhe. Mjerisht, kështu po ndodh, jo edhe pa fajin tonë. Kur përballë këtyre paudhësive, shumica prej nesh bëjmë rolin e strucit, për mos me thënë po vazhdojmë t’i mbyllim sytë përballë këtyre dukurive shumë shqetësuese, për të sotmen dhe të ardhmen tonë.
Bajram Hajrush Bahtiri-Besniku u lind me 04 mars 1961 në një familje gallabase, ekonomikisht të varfër, por e njohur për bujari dhe fisnikëri, dera e së cilës priste dhe përcillte njerëz të besës dhe të nderit.
Në krahasim me veprimtarinë e tij, jeta fizike e Bajramit ishte e shkurtër, por do të mbetët shembull i ndritur, jo vetëm për bashkëluftëtarët, por edhe për brezat që vijnë.
Veprimet konkrete të Bajramit në shërbim të zgjidhjes së çështjes kombëtare, dëshmojnë se ishin kuptuar drejt orientimet e shëndosha, që kishte marrë nga babë Hajrushi, nënë Nailja, vëllai më i madh Rrahmani dhe ato nga pedagogët e tij në Shkollën tetëvjeçare “Zenel Hajdini”, në Prishtinë. Andaj, pa dyshimin më të vogël mund të thuhet, se nuk ishte rastësi, që në moshë fare të re, të përcaktohet drejt, duke u radhitur krah për krah me bashkëveprimtarë tjerë, në kuadër të FNÇK. Kur është fjala për Shkollën Zenel Hajdini, në Kodrën e Trimave në Prishtinë, është për t’u theksuar, edhe një e dhënë shumë e rëndësishme për historinë tonë të re, se u shfrytëzua atmosfera e shëndoshë kombëtare në këtë shkollë, për t’u themeluar FÇK, me 28 nëntor 1978, për t’u quajt më vonë FNÇK.
Gjatë demonstratave gjithë-popullore të njohura si Pranvera ’81, Bajrami iu bashkohet demonstruesve përkrah vëllait të madh Rrahmanit. I vendosur për çdo sakrificë, Bajrami, pa iu trembur syri, përballet me milicinë gjakatare. Ai me grushtet e shtrënguar dhe të ngritur lart, brohoriste si dhe demonstruesit tjerë: “Republikë, kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, Trepça punon, Beogradi ndërtohet”, “Trepça është jona”, “Poshtë pushtuesit jugosllavë”, “Liri ja Vdekje”…
Bajramin e burgosi dy herë armiku, e torturoi rëndë. Trupin e tij të njomë e lanë me gjak, por ai qëndroi i pathyer. Sapo dilte nga burgu, ende me plagë në trup, vazhdonte me punën patriotike.
Ashtu, siç ishte për Bajramin veprimtaria e vëllait më të madh, Rrahmanit, po ashtu ishte veprimtaria e tij model për motrën më të vogël, Zet’hanen, e cila edhe pse e mitur, sillej si një militante e moshës madhore. Për pasojë, edhe Ajo përjetoi tortura nga milicia serbo-çetnike dhe mercenarët e saj shqipfolës.
Aspirata e popullit tonë për të jetuar i lirë, dinjitozë në trojet e veta, me të drejtën e pa kontestueshme për t’u përcaktuar dhe për të vetëvendosur lirshëm për të ardhmen e tij, nuk u fashitë asnjëherë. Ky ishte frymëzimi dhe ushqimi kryesor shpirtëror edhe për dëshmorin, Bajram Bahtiri-Besnikun.
Tridhjetë vjet më parë, me 08 shkurt 1984, pa u mbushur as edhe një muaj i plotë nga rënia heroike e Dëshmorëve të Kombit, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, dy rrëfyesve të rrugës të vetme, por të sigurt, të cilën duhej ta ndiqnin shqiptarët deri në realizimin e plotë të aspiratës së tyre të ligjshme dhe shekullore, për t’u çliruar nga thundra e okupuesve, jo vetëm banorët e lagjes në “Kodrën e Trimave” të Prishtinës, serish tranden nga uturima e mjeteve luftarake të pushtuesve dhe breshëritë e armëve.
Shpejt u kuptua, se ishte kjo edhe një betejë e dështuar e kriminelëve serbë dhe mercenarëve të tyre shqipfolëse, për ta mposhtur edhe një luftëtar të vendosur për çlirimin dhe ribashkimin e Shqipërisë.
Pasi që e kishin vënë nën rrethim, jo vetëm shtëpinë e Bacë Hajrush Bahtirit, por edhe tërë lagjen, kriminelët tentuan të futeshin brenda dhe ta arrestonin edhe Bajramin, vëllanë e atëmëmëdhetarit Rrahman Bahtirit, i cili gjendej i prangosur dhe po u qëndronte me stoicizëm persekutimeve, të cilat ushtroheshin ndaj tij nga neo-mengelat serbo-çetnike dhe zagarët e tyre shqipfolës. Por, siç thotë populli, kriminelët edhe kësaj radhe i kishin bërë hesapet pa hanxhiun. Falë vigjilencës së tij prej luftëtarit të lirisë, Bajrami e kishte përcjellë situatën. Ai, nuk u hutua për asnjë moment, por në përputhje me rrethanat e krijuara planëzoi veprimet që duhej ndërmarrë.
Duke shfrytëzuar shkathtësitë bazike nga arti i luftës guerile, Bajrami hidhet në kundërveprim. Fillimisht palosë për tokë një zbulues të armikut, dhe me zjarrin e Stayer-it të vjetër (trashëgim nga babagjyshi), arrin të çajë rrethimin. Ai, duke taktizuar, arrin deri në vendin e quajtur “Majdeni i Sali Bullakut”( një mbetje nga një gurëthyes i vjetër e cila gjendet jo larg shtëpisë së familjes Bahtiri). Por, aty përballet me rrethin e dytë të forcave armike, të cilat pa paralajmërim hapin zjarr të kryqëzuar në drejtim të tij. I gjendur në terren të hapur dhe nën zjarrin e milicisë, Bajrami nuk hutohet, ai duke kombinuar shkathtësinë me shpejtësinë arrin të tërhiqet në një pozicion më të përshtatshëm, nga ku vazhdon rezistencën.
Kriminelët të bindur se nuk mund të përparojnë në drejtim të tij, pa e paguar me jetët e tyre, ndërpresin zjarrin. Me synim të fitimit të kohës së mjaftueshme për sjelljen dhe pozicionimin e snajperëve me përvojë. Ata, i referohen një taktike tjetër, nëpërmjet megafonit përpiqen që të bindin Bajramin, për t’u dorëzuar.
Ashtu, sikur Rexhepi dhe Nuhiu, edhe Bajrami duke brohoritë “Ja vdekje ja liri”, dhe me plumbat nga Stayer-i, në drejtim të pozicioneve të policëve, ishte kjo përgjigja drejtuar hasmit, deri në momentin kur goditet për vdekje nga plumbat e snajperëve të ardhur nga qendra e tyre në Hajvali.
Para se t’ia dorëzonin tokës nënë, përballë trupit të pa jetë të Dëshmorit, qëndronin me stoicizëm Babë Hajrushi, nënë Nailja, vëllai më i vogël, motrat dhe kunata.
Nënë Nailja e puthi në ballë dhe iu drejtua me këto fjalë:
“Biro,
Nëna ka pritur të të përcjellë dhëndër, por tani po të përcjelle në Përjetësi.
Bajram bir, lotët që po derdhim, janë lot të krenarisë, sepse Ti e nderove familjen dhe kombin që iu përkushtove.
Hallall të qoftë gjiri që të dhashë!”.
Nën rrethimin e hekurt të forcave të shumta të sigurimit të pushtuesit dhe mercenarëve të tij, trupi i Bajramit u varros nga familja e tij e ngushtë.
Ishim në qelitë e burgjeve, kur e morëm lajmin e hidhur për rënien e Bajram Bahtirit-Besnikut, njeriut të shtrenjtë të zemrave tona, bashkëluftëtarit tonë të dashur, pjesëtarit besnik të Frontit Nacional-Çlirimtar të Kosovës.
Gjaku i dëshmorëve Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri dhe Ismet Krasniqi, ndikuan që Vranjevci i dikurshëm të merrte emrin meritor Kodra e Trimave!
Nëpër shtigjet që hapi Bajrami me shokë, shkuan një rini e terë, një rini e shëndoshë dhe e pastër, për të marshuar me krenari në radhët e Famëmadhes Ushtria Çlirimtare e Kosovës…
Të na shërbejë ky përvjetor jubilar i përkujtimit dhe i respektit për dëshmorin e lirisë tonë kombëtare, si betim se do ta qojmë deri në fund Amanetin e gjakut të derdhur.
Përmbushja e këtij Amaneti është obligim për ne, nëse nuk duam të na mallkojë historia!
Vetëm atëherë kur t’i çlirojmë dhe t’i ribashkojmë Trojet tona, në një shtet të vetëm shqiptar, mund te themi se këtë Amanet e kemi përmbushë me besnikëri dhe në plotni!
Lavdi rënies heroike të dëshmorit, Bajram Bahtirit-Besnikut!
Lavdi jetës dhe veprës të dëshmorëve të lirisë !
Rroftë populli ynë i bashkuar përreth Flamurit tonë Kombëtar!
Prishtinë, 08 shkurt 2014
IDEALI I DËSHMORËVE ISHTE: