Oslo, 09. 02. 2014 – Për t’i ikur dhunës mediatike do të kishte qenë dashur që shteti të mos investojë aq shumë në “asfalt” dhe në “Çmimin Nobel”. Në vend të tyre, do të ishte mirë të investohej në arsim, më së shumti në gazetari, sepse ka shumë gazetarë që kanë vullnet e dëshirë të mësojnë më shumë mbi shkencat e medieve, retorikës, filmit dhe komunikimit.
Pse e them këtë?
Po luftohet gjithandej nëpër botë. Shohim se ka diçka të re në këto luftëra: lufta ka ndryshuar. Luftëtarët (dikush i quan edhe terroristë) tanimë nuk po pajisen vetëm me kallashnikovë, eksplozivë dhe granata. Këta, gjithmonë, me vete kanë edhe videokamerat dhe Iphona-t. Dhe, natyrisht, internetin! Po ashtu, këta luftëtarë vazhdimisht kujdesen që dukja e tyre, mjekrat dhe armët e tyre të jenë në plan të parë dhe të shkëlqejnë para kamerave.
Që të kuptohet sa më shumë dhe të shihet sa më bukur e sa më qartë, lufta “duhet” t’i përshtatet botës bashkëkohore mediatike sepse, siç e kam thënë edhe më parë, ne jetojmë në shoqëri vizuele e jodemokratike.
Ne mbajmë mënd aksionin terrorist në SHBA. Ikona e shekullit 21 është fotografia televizive që paraqet sulmin dhe rrënimin e kullave binjake në Nju Jork. A ishte rastësi që terroristët na e imponuan këtë fotografi? A kishin njohuri terroristët për fuqinë e televizionit dhe fotografisë?
Edhe xhirimet në Siri, që po i publikojnë mediet tona, janë trishtuese dhe panikëkrijuese. Janë frikë prodhuese sepse ne kemi përjetuar luftën. Dhe frikësohemi, se kjo e keqe mund t’u ndodhë edhe fëmijëve tanë. Por, kjo nuk është e tëra. Botës duhet treguar dhe servuar fotografitë dhe aksionet duhet të zgjasin shumë, saqë empatia ta ketë kohën e të përforcohet në mendjen e konsumuesit.
Videoxhirimet e shqiptarëve nga Siria dhe gazetaria shqipe
Gazetaria shqipe përsëri “ra në kurth” të strategjisë së vullnetarëve shqiptarë në Siri. Dhe jo vetëm të tyre, por gazetaria jonë “ra në gropë” edhe të agjentëve të sigurimit serb (UDB-së). E keni parë se si vullnetarët shqiptarë, qofshin këta nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia, përpos kallashnikovit në duar, me vete kanë edhe kamerat për të xhiruar e filmuar. Këta e dinë, se për të pasur sukses dhe ndikim në hapësirat shqiptare, duhen përdorur edhe mediet. Dhe këta edhe po ia dalin. Bile me shumë sukses: videoxhirimet e tyre prej disa sekondave, ku këta shkëlqejnë me kallashnikov dhe paraqiten duke mbajtur “fjalime” për opinionin shqiptar, (fjalime në gjuhën shqipe), po i lansojnë në “Youtube”. Dhe menjëherë plas sherri.
Përsëri shtrohet pyetja: A janë të sigurt gazetarët nëse burimi është i lirë?
A janë këta persona me poste të rëndësisë së veçantë në vendet nga këta vijnë, apo njerëz të rëndomtë?
Si duket, këta vullnetarë “i dinë” edhe dëshirat dhe etikën e gazetarisë shqipe si dhe nivelin e shkollimit të tyre.
Shumë nga këto xhirime e aksione, në realitet, janë tentime për t’u “shprehur”. Qëllimi i tyre është, para së gjithash, të depërtojnë tek unë dhe tek ti. Pra, në medie.
Shtrohet përsëri pyetja: nëse gazetaria jonë duhet të lejojë të publikojë fjalime, xhirime e “shprehje” të tilla?
Dhe përsëri këtu, pashmangshëm përsëri pyetja e madhe:
A ishte dhe a është joprofesionale të ftohen në studio agjentët e Serbisë në mediet shqipe, para se këta t’i ftojë prokuroria e shtetit?
Sepse duke u bazuar nga e kaluara e tyre e keqe, fundi i fundit, ne nuk e dimë nëse këta janë të detyruar të flasin nën dhunë e presion psikik.
Mediet duhet të dinë se nuk duhet lejuar transportimi i ideve të vullnetarëve dhe njerëzve të sigurimit serb. Duhet hulumtuar nëse këta njerëz funksionojnë si “stativë mikrofoni” e forcave të caktuara politike e ideologjike. Një debat i shëndoshë e i fuqishëm duhet të zhvillohet se si liria e shprehjes duhet të administrohet, duke mos qenë kjo në shërbim të infiltrimit të sigurimeve dhe ideologjive të huaja terroriste e ekspansioniste. Në Norvegji, vend i prekur nga dukuri të tilla, ka kohë që ky debat është duke u ankoruar dhe u fuqizuar. Le ta kujtojmë propozimin e vjetër të zonjës Thatcher: “T’u refuzohet dhe t’u ndalohet terroristëve oksigjeni publik”.
Edhe ish-kryeredaktori i “The Guardian”, P. Preston, pyet: nëse porosia e keqe është një armë histerike dhe potencial për shkatërrime masive, atëherë si mund të bëjmë këtë të parrezikshme?
Tani pyes:nëse ju kujtohet xhirimi nga Siria i një vullnetari shqiptar?
Mua po. Ai fliste me frikë, ulte sytë poshtë në tokë dhe “si me zor” fliste para kamerës. Shikojeni xhirimin tek gazetat shqipe online, aty e keni dhe do të bindeni. Unë mendoj se porosia e keqe e që përdoret si armë e mjet për të shkatërruar, duhet ndaluar. Dikush do ta quante censurë, por unë do ta quaja “mbrojtje” dhe “shëndet” për shoqërinë. Ne kemi një rregull që është në balancë me etikën tradicionale të gazetarisë; Nëse burimi nuk është i lirë, atëherë kjo edhe nuk guxon të publikohet e të duket se ai apo ajo flet me dëshirë.
Hapi i parë në drejtim të një qëndrimi të pavarur redaksional do të ishte një vendim që do të kristalizonte se “lajmi” është në kundërshtim me etikën e mirë gazetareske, sepse nuk është e shëndetshme dhe etike të publikojmë xhirime të fabrikuara. Redaksia mund ta përdorë materialin si “brumë” për gazetarinë vetjake, por ne nuk duhet lejuar që UDB-ashët dhe “ekstremistët” të jenë kameramanët dhe redaktorët tanë. Këta le të flasin e le t’i dërgojnë xhirimet dhe fotografitë familjes dhe miqve të tyre por, ju lutem, jo në hapësirën publike!
Gazetaria e mirë nuk duhet lejuar që mediet të na lëvizin atje ku destabilizuesit e shtetit dhe ekstremistët dëshirojnë dhe synojnë. Këtë porosi duhet ta kuptojnë edhe agjentët e Serbisë (UDB) dhe ekstremistët, të cilët, sa herë që “po u çohet”, po kanë mundësinë t’i imponojnë ideologjitë dhe politikat e tyre në agjendën e medieve shqipe.
____________
Gëzim Mekuli:
– M A in Media Science and Rhethoric, – University in Bergen
– Communication, – University in Agder
– Film, Media and Communication, – University in Oslo
– Political science, – University in Mainz, Germany
– English language and litteratur, – University in Prishtina
– German in communication, – Østfold University college (1)
– Education theory in a multicultural context, – Oslo University college (1)