BEHXHET SH.SHALA: SKENA POLITIKE KOSOVARE DHE SERENATAT KORÇARE!

Pashtriku.org, 01. 04. 20013 – Kalimet, dezertimet dhe bashkëdyzimet – Skena politike kosovare ka filluar të dinamizohet. Po dëgjojmë se filan politikani dhe fistek politikanja e kanë ndërruar partinë. Disa po i kthehen grigjës së mëparshme ndërsa të tjerët po ngrejnë fole të reja. Ka paralajmërime bombastike si: nëndega e XV e aktivit të V të AKR iu bashkangjit AAK e që nënkupton humbje të pariparueshme për AKR e cila pikërisht për këtë arsye e ka shumë të vështirë mos ta them të pamundur ta kalojë pragun zgjedhor në ndërkohë që AAK forcohet tej mase! Pastaj, dega e LDD në Ferizaj, parti kjo shumë e rëndësishme në skenën politike kosovare si edha ajo në Strellc po të njëjtës parti u kthyen në gjirin e ngrohtë të nënës parti përkatësisht LDK-së. Ky transfer definitivisht nuk prodhon ndonjë dëm për LDD sepse edhe ashtu ka shumë anëtarë. Edhe LDK nuk e besoj se ka vdekur për këta anëtarë.

PDK po mbanë sfilata krasitëse duke ua prerë disa degë dhe nëndegë partive tjera politike! Po realisht nuk po fiton shumë anëtarësi të hajrit! Sepse, ndërrimi i shpeshtë dhe pa kritere i partive politike i shndërron ata në mercenarë me çmim: ”çdo gjë 99 cent“! Sikur Te Cukat! Apo mallrave në shitoret me likuidim total: ”blej një artikull, i fiton dy të tjerë falas“! Përkthyer shqip te partitë politike i bie: ”blije kryetarin e partisë me një premtim të postit të deputetit, e ke tërë anëtarësinë e partisë!” I njohur si fenomeni Daci. Apo si olluja Çeku! E la Gjet Macollin me gishta në gojë pasi gjeti ngrohtësi në krahët e Thaçit!

Për inat të Çekut krejt po më shkon mendja të shkoj ne subjektin politik të nderuar dhe shumë të respektuar, me perspektivë e sidomos retrospektivë e cila udhëhiqet nga i papërsëritshimi, i pAKRahasueshmi, Presidenti i saj, zëvendëskryeminitri i parë i qeverisë së RK, dora e djathë e Hashim Thaçit , zotni Behgjet Pacolli. Unë e hudha ofertën time! Pres përgjigje nga padre padrino i AKR dhe KKR, mikut tim Behgjet Pacolli. Këqyre ti, miku im! Unë vërtet e kam mik e jo si presidentja Atifete Jahjaga që i caktoi një vend në bisht të trapazanit. Po a durohet kjo! Çka bre i ka bërë asaj gruaje! I tregova një miku tim për këtë angazhim politik të mundshëm por më tha se jam vonuar shumë dhe se kam mbetur nën hijen e yllit të këtij afati kalimtar që ka gjasa të shkëlqejë në qiellin politik kosovar! Yllit të quajtur Sejdë Tolaj! Edhe më herët pata dashur të kaloj në AAK por ma hodhi Danush Ademi dhe kushëriri im Zef Shala. Duke i ditur aftësitë e tyre politike, të kaluarën e tyre karizmatike dhe sidomos të ardhmën vezulluese, hoqa dorë prej angazhimit. Dhe bëra mirë! Në një tender të mbyllur për nënkryetarë të parë të AAK pata dërguar një ofertë të mbyllur vetëm me iniciale B.SH. I respektova të gjitha rregullat e prokurimit publik duke ditur se politika është përcaktuese për dhënien e çdo tenderi. Kur u hapën ofertat doli se këtë vend, apo ky tender vërtet ishte ndarë për personin me inicialet B.SH. Më uruan dhe më thanë për HAJRO mirëpo doli se Blerim Shala ishte fitues i tenderit. Në LDK nuk kam gjasa se Ismeti m’i nxjerr sytë për këtë post sikur që ka përpjekje t’i nxjerrin sytë Isës për postin e kryetarit! Në PDK kam gjasa të bëhem nënkryetar sepse ka aq shumë nënkryetarë! Sikur dikur në AAK! Vinte njeri prej Etiopisë, anëtarësohej në AAK dhe bëhej nënkryetar! E unë, si veteran i UÇK-së nga kampi i Bllacës nuk e uli prapanicën çdokund! Ose i pari ose bëhem opozitë! Për shkak të mjekrrës kisha mundësi të bëjë karrierë në Lëvizjen Islamiste “Bashkohu“. Fuad Ramiqin e kam mik dhe mjekrrat i kemi simotra! Të njëjta! Dhe më duket se në këtë lëvizje është i vetmi Fuati që e ka mjekrrën e krasitur! Deri më tani, kudo që ka shkuar ia kanë lëshuar mjekërr! Nëse nuk nxjerrim mësim nga historia ka gjasa që ajo të përsëritet! Sidomos për Fuadin! Në këtë lëvizje nuk kam gjasa të anëtarësohem sepse ideologu i kësaj lëvizjeje, Shefqet Krasniqi nuk do të pajtohej assesi! Ai ndaj meje ka respekt sikur Ajatollah Khomeini ndaj shkrimtarit Salman Ruzhdi! Partitë e dala nga Pakoja e Ahtisarit janë shumë rehat! I kanë vendet e rezervuara dhe të garantuara dhe po kërkojnë që këto vende të garantohen edhe së paku dy mandate! Nëse i kërkojnë edhe dhjetë mandate, ato do t’i kenë! Garantues; Marti Ahtisari, ndrikulla Ashton dhe Behxhet Sh.Bugari! Lëvizja “Vetëvendosje!” Po vendnumron sa i përket anëtarësisë. As nuk po jep e as nuk po merr! Duhet të kesh cilësi të veçanta të bëhesh anëtar i kësaj lëvizjeje! Unë botërisht e pranoj se nuk kam këto cilësi të nevojshme për anëtarësim në këtë lëvizje! Prandaj edhe jam ku jam! Kjo lëvizje i ka hedhur grepin kryeparlamentarit Jakup Krasniqi duke harruar se ky rruhet shumë para tyre!
Po të mbaheshin zgjedhjet këtë vit fitues do të ishin PDK, LDK, LDD, AAK, AKR. “Vetëvendosje!”, Lëvizja për Bashkim, PSDK, PSHDK, LIB, SLS etj. Së paku kështu kanë deklaruar këto subjekte politike. Kështu kanë dëshirë! Realisht, sipas mendimit tim me një politikë të mençur LDK do të rriste përqindjen në zgjedhje nëse lirohet apo minimizohet ndikimi i “dinosaurve politik” dhe nëse lihen anash përpjekjet që me varre të fitojnë zgjedhjet. Kur LDK të kuptojë se Ibrahim Rugova ka vdekur fizikisht dhe politikisht pashmangshëm do të ndahet mirë në zgjedhje! Mbi të vdekurin nuk mund të ndërtohet karizma apo lideri! Mbi të vdekurin mund të ngriten vetëm fantazmat!
PDK duhet të ndahej e kënaqur nëse e ruan këtë nivel apo nëse e ka një rënie të lehtë prej 3%. Por, edhe pas këtyre zgjedhjeve PDK do të mbetet partia e parë! PDK nuk do të ketë problem me elektorat por me piramidën udhëheqëse. Një pjesë e së cilës partinë e përdorë për nevoja personale.
Lëvizja “Vetëvendosje!” nuk do të mbetet as partia e tretë nëse nuk lirohet nga obsesioni dhe fobia Thaçi! Nëse politikën e ulë në nivel të qërimeve personale dhe tërë angazhimin e drejton në rrëzimin e Hashim Thaçit të cilin nuk kanë mundësi ta rrëzojnë! Sepse Hashim Thaçin mund ta rrëzojë vetëm Hashim Thaçi apo cunami nga Arbëria e shoqëruar me tërmet nga Brukseli!
AAK mund të rrisë numrin e votave por jo në masë aq të madhe. AAK është Ramushi me Davidin. Të tjerët janë shumica ushtarë për deminimin e terrenit dhe asnjëri prej tyre nuk ka gjasa të bëhet general në politikë! Madje as rreshterë! Sidomos jo disa llaskucër të cilët vetëm presin se çka do t’u bie në pjatë nga dora e Ramushit!
Nëse të gjitha këto parti do të bënin koalicion parazgjedhor do të kishin gjasa t’i fitonin zgjedhjet por kjo duket se është e pamundur! Dy atllarë nuk lidhen në një mullar e lëre më të gjithë këta atllarë!
Por, definitivisht rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë nuk do të përcaktohen nga vullneti i votuesve por nga EULESH-i, Prokuroria Speciale, Kodra e Dragodanit dhe vendi ku Napoleon Bonaparta e humbi betejën vendimtare. E ai vend është Belgjika me kryeqytet Brukselin.
Pikat e Banit dhe shyleveku i Baroneshës
Ban ki Muni u bë i famshëm me 6 pikat e tij. Baronesha Ashton ka gjasa të bëhet e famshme me 7 pikat e saj! Po, në eseeeencë nuk dallojnë fare! E kanë një qëllim. Përkufizimin në vija etnike dhe legalizimin e një entiteti politik. Në radhë të parë për veriun e pastaj edhe në jug, lindje dhe perëndim. Po ne në fakt ku jemi?! Askund! I jemi dorëzuar inercionit! Duket se edhe kësaj radhe shpëtimtari ynë mund të jetë vet Serbia. Me politikën e saj gllabëruese. Dhe e kemi një fat të madh se probleme territoriale kanë edhe shtetet përrreth. Sepse, po të ishte Kosova një problem i lokalizuar dhe i cili nuk do të prodhonte efektin domino në Maqedoni, Bosnje, Serbi, Mal të Zi, Serbi dhe Greqi, veriu i Kosovës do t’i shkëputej Kosovës fare pa problem. Po duket se definitivisht jemi me fat. Në të ardhmën do të jemi edhe më me fat. Sepse, duket se Serbia po bëhet katalizatore e bashkimit kombëtar! Ose, marrëveshja e 2 prillit ka gjasa të bëhet mosmarrëveshje e madhe!
Agim Çeku o t’u thaftë goja
Pse më nxorre nga loja
Më le pa status të veteranit
Mua, jaranit të Draganit
Që luftova si dragua
Deri sa në Zonën Operative të Bllacës mora në thua…..
Prishtinë, 29 mars 2013
– Behxhet Sh.SHALA, komandant i Zonës Operative të Bllacës i deklasuar nga Agim Çeku.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura