PROF.DR.SADRI FETIU: NEZIR GASHI, VEPRIMTAR QË PUNOI PËR INTERESA TË POPULLIT DHE TË ATDHEUT

Pashtriku.org, 12. 02. 2014 – Zonja dhe zotërinj, Ju përshëndes të gjithëve që keni ardhur të merrni pjesë në këtë akademi përkujktimore, me rastin e njëvjetorit të vdekjes së një njeriut të rrallë, një atdhetari të kulluar, Nezir Gashit nga Theranda (Suhareka). Njerëzit e moshuar e njohën dhe e respektuan që të gjithë Nezën nga familja fisnike e Brahimit të Rexhepit, me disa breza ishte njohur për ndershmëri, për punë të përkushtuar, për burrëri, e edhe për dashuri të pakufishme për atdheun. Brezi më i ri i Therandës, por edhe shumë nga të rinjtë e lagjeve Ulpiana dhe Taslixhja në Prishtinë e kanë njohur, e kanë respektuar dhe e kanë dashur Bacën Nezë, si një burrë që ishte i gatshëm për t’ia dhënë ndihmën e përkrahjen çdo njeriu që kishte nevojë për ta udhëzuar e ndihmuar. E kanë njohur që të gjithë këtë njeri që ishte krenar, ballëhapët dhe i sinqertë, që i ishte përballuar me shumë sukses të gjitha vështirësitë e jetës, që kishte krijuar një familje të shëndosh intelekualësh, duke i shkolluar të katër fëmijët e tij, këtë njeri përherë të buzëqeshur që gjithnjë ka rrezatuar optimizëm, besim dhe shpresë për një të ardhme më të mirë për popullin e tij. Baca Nezë ishte një nga ata atdhetarë që punoi me mençuri të rrallë për interesa të popullit dhe të atdheut të tij, duke qenë vetëmohues deri në skajshmëri. Edhe ai njësoj si Metush Krasniqi asnjëherë nuk fliste për veprat e tij, por gjithnjë vetëm për të tjerët, për shokët, që vepronin për të mirën e popullit dhe të atdheut. Ai me jetën e tij u bë shembull se si duhet të veprohet dhe të luftohet për ta përballuar dhunën, shtypjen diskriminimin, që e përjetuan shqiptarët e Kosovës në vazhdimësi deri të lufta e fundit, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

…………………………………………

Nezir Gashi u dënua me 6 vjet burg të rëndë,

katër nga të cilat i ka kaluar në burgun e Goli Otokut.

Që në moshë të re Nezir Gashi tregoi interesim të vazhdueshëm për dituri, dhe mbeti nxënës i mirë, i zgjeroj vazhdimisht njohuritë e tij për dituritë e ndryshme, e në mënyrë të veçantë ato për shkencat shoqërore. Për të ecur në rrugën e diturisë ai bashkë disa nga moshatarët e tij nga Suhareka pas kryerjes së Gjimnazit të ulët, ai i mësyu Shkollës Normale të Gjakovës, që të bëhet mësues për fëmijët e popullit të tij. Ishin shumë të vështira kushtet për shkollim, kur normalistëve u mungonte shpesh edhe buka e gojës që ndahej me gramë, ndërsa ata detyroheshin që të udhëtonin shpesh në këmbë nga Theranda e deri në Gjakovë.
Ai bashkë me shokët e tij të kësaj kohe i përballoi këto vështirësi dhe pasi që e kreu shkollën u emrua mësues në fshatin Bukosh. Mësuesit e kësaj kohe si: Nezir Gashi, Rifat Kabashi, Mustafa Shehu, Ukë Brahimi (Ukimeraj), Nuhi Veselaj, Rifat Kuçi, e të tjerë, krahas punës entuziaste me nxënësit e tyre, ishin të respektuar dhe të dashur edhe nga populli i këtyre fshatrave, prandaj në takimet e tyre të përditshme shpesh ia qanin hallet këtij populli dhe këmbenim mendime për gjendjen politike, për padrejtësistë e mëdha që i bëheshin, popullit, për shtypjen e tij sociale dhe nacionale, për dhunën në mbledhje të “tepricave”, për presionin që bëhej për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi dhe për shumë halle të tjera të popullit.
Puna e tyre arsimore dhe aktiviteti i tyre atdhetar përcillej nga organet e atëhershme të UDB-së, prandaj Nezir Gashi bashkë me shokët në vitin 1952 burgoset dhe kundër këtyre ngritet aktakuza nr. 22/53 me të cilën Nezir Gashi bashkë me 12 shokë të tjerë akuzohen si grup anmiqësor që ka vepruar kundër popullit dhe shtetit, që është organizuar dhe përgatitur edhe për kryengritje të armatosur për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe për sigurimin e kufijve etnikë të shtetit shqiptar. Brenda këti “grupi armiqësor” Nezir Gashi u dënua me 6 vjet burg të rëndë, katër nga të cilat i ka kaluar në burgun e Goli Otokut. Vetëm idealistët me bindje të pathyeshme atdhetare si Nezir Gashi me shokë: Rifat Kabashi, Mustafë Shehu, Ukë Ukimeraj, Rifat Kuçi kanë mundur ta përballojnë torturën e këtij burgu.
Pas kthimit nga burgu, Nezir Gashit nuk iu lejua kurrë më që ta ushtrojë detyrën e mësuesit. Punoi për një kohë nëpunës i thjeshtë, duke zbatuar për herë të parë administratën në gjuhen shqipe në Komunën së Suharekës, duke qenë krah i fort për të gjithë nevojtarët që duhej t’i siguronin dokumente të ndryshme dhe t’i realizonin të drejtat e veta tek organet komunale. Në këtë kohë Nezir Gashi është martuar me Shefkijen, të fejuarën e tij besnike, që e kishte pritur të kthej nga internimi i Goli Otokut. Bashkëshortja e tij ishte bijë e Berishëve të Suharekës që u viktimizuan kolektivisht gjatë luftës së fundit dhe mbesë e Nebih Kuçit, atdhetarit të dalluar, që ka vdekur i torturuar në burgun hetues të Mitrovicës.
Bashkëshortët e lumtur i lindën katër fëmijë, dy djem e dy vajza, që i rritën dhe i shkolluan me shumë mund dhe sakrifica. Pushteti e ndoqi në vazhdimësi Nezir Gashin, që kurrë nuk diti të lodhet dhe të ndalet së vepruari për të mirën e popullit të tij. Më vonë Nezir Gashi u punësua në Fabrikën e njohur “Ballkan” të Suharekës, ku kreu punë të dobishme në organizimin administratës. Ishte nga ata që u angazhua me tërë vullnetin e tij që të ndikonte që “Ballkani” të jepte bursa për të gjithë të rinjtë e kësaj ane që kishin dëshirë të shkollohen. Ishte mbështetje e fortë gjatë diskutimeve për ndryshimet e Kushtetutës dhe avancimin e pozitës së Kosovës në Federatën Jugosllave. Baca Nezë ishte bashkë me të rinjtë, shokë të Haxhi Bajraktarit, edhe në veprimet domonstrative të shpalosjes së Flamurit Kombëtar në Suharekë dhe në të gjitha manifestimet kombëtare që u mbajtën këtu gjatë kësaj kohe. Pas demonstratave të vitit 1968, ndonëse ishte kualifikuar si jurist, ai nuk shikohej me sy të mirë nga pushtetarët serbë, prandaj për t’u mbyllen dyert e “Ballkanit” dhe u detyrua që kërkonte punë në vende të tjera jashtë Suharekës dhe Prizrenit.
Pas disa peripetive, në shtator të vitit 1969 ai punësohet në Ndërmarrjen hoteliere “Slloga” në Prishtine, ku fillimisht e kreu detyrën e referentit për punë dhe marrëdhënie pune. Ardhja e Nezir Gashit në “Sllogën” e asaj kohe të mbytur nga shovenizmi, në të cilën në procesione nacional-shoveniste individët e caktuar kërkonin publikisht kokat e shqiptarëve, solli shumë risi. Në sajë të gjeturisë së tij dhe në përkrahje të shokëve që e kishin pranuar në punë, gjendja e ndërmarrjes, sidomos struktura kombëtare e të punësuarve kishte pësuar ndryshime të dukshme, sepse ishin pranuar kuadro të reja, ishin hapur paralelet e para në gjuhën shqipe për kualifikimin e hotelierëve, ishte përmirësuar gjendja e përdorimit të gjuhës shqipe etj.
Në ndërmarrjen më të madhe hoteliere të Prishtinës Nezir Gashi për një kohë ishte edhe sekretar e pastaj edhe referent për aktet normative, punë këto që i kishte kryer me një përpikëri të madhe. Edhe veprimtaria legale e këtij atdhetari, për sigurimin e barazisë kombëtare ishte halë në sy për organet policore të pushtetit, për udbashët serbë të asaj kohe dhe për veglat e tyre nga radhët e shqiptarëve. Për këtë arsye Nezir Gashi është burgosur për herë të dytë më 26 dhjetor të vitit 1973, i akuzuar për propagandë armiqësore nga neni 118/4, me arsyetimin absurd se në shtëpinë e tij policia kishte gjetur një fletore me vjersha dhe poema në gjuhën shqipe, midis të cilave ishte edhe poema e Pirro Floqit, “Kosova e robnueme”, botim i kohës së luftës së Dytë Botërore, e daktilografuar në dy kopje. Edhe pse libri nuk kishte të bënte fare me Jugosllavinë e ashtuquajtur socialiste, edhe pse vepra si e këtillë ishte amnestuar në bazë të Ligjit mbi amnestinë të kësaj kohe, edhe pse ai kishte kërkuar që të shtyhej ekzekutimi i dënimit për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore që dëshmohej nga spitali shtetëror i Prishtinës, organet gjyqësore të kohës, Gjykata e Qarkut dhe Gjykata Supreme e Kosovës nuk qenë në gjendje ta anulojnë vendimin e udbashëve serbë, që i hakmerreshin kështu Nezir Gashit për veprimtarinë e tij të ligjshme, sepse i kishte prekur “vendet e shenjta të saj”, lokalet hoteliere që kishin qenë çerdhe të përhershme të shfryrjeve shoviniste ndaj shqiptarëve.
Nezir Gashi e mbajti burgun prej një viti e gjysmë në vetmi të plotë ose “në shoqëri” të ndonjë shovenisti si profesori Boshkoviç, që ishte futur aty për ta provokuar dhe për t’ia nxirë edhe më shumë jetën e burgut. Edhe nga ky burg Nezir Gashi doli i pathyeshëm, me plot optimizëm se për popullin e tij po vinin ditët e mira.
Ai pastaj gjatë gjithë kohës ishte aktiv në jetën e përditshme dhe asnjëherë nuk hoqi dorë nga veprimtaria e tij dhe nga vizitat në Suharekë, ku ishte i pranishëm pothuajse vazhdimisht për raste të gëzimeve dhe hidhërimeve bashkë me Milaim Kryeziun, një suharekas gjithashtu i burgosur politik, me të cilin është shoqëruar më së shumti pas ardhjes në Prishtinë.
Nezir Gashi ishte pjesëmarrës aktiv edhe në të gjitha protestat e demonstratat që organizheshin në Prishtinë, prandaj qe izoluar në burg bashkë me shumë intelektualë pas demonstatës së 2 prillit të vitit 1981, kurse në demonstratat e mëvonshme të viteve të nëntëdhjeta ka marrë lëndime trupore dhe e ka përjetuar disa herë gazin lotësjellës.
Nezir Gashi ishte aktiv edhe në luftën e fundit në Kosovë. Shtëpia e tij në Tasligje ishte bazë e të rinjve që vepronin në UÇK – kurse Neziri qëndronte në atë kohë në Prishtinë, si gjithmonë optimist dhe i gatshëm për t’u ndihmuar te gjithëve qe kishin nevojë për të.
* * *
Duke përfunduar këtë jetëshkrim të shkurtër, të ardhetarit Nezir Gashi, mund të themi se ai ishte shembull për njerëzit e gjeneratës së tij, që duhet të kujtohet me respekt, jo për ndonjë arsye tjetër, por vetëm për t’u treguar gjenaratave të sotme dhe atyre që do të vijnë pas nesh se si duhet të veprohet dhe të punohet për të mirën e atdheut dhe të popullit, se si duhet t’i shërbehet ardhmërisë së sigurt në të cilën do të përmbushën idealet e të gjithë atyre që kanë punuar, janë sakrifikuar për lirinë dhe bashkimin kombëtar shqiptarëve.
Ju falëmnderit.
Sadri Fetiu – Prishtinë, 25. 11. 2013
– Autori këtë kumtesë e mbajti më 25 nëntor 2013 – në Akademinë përkujtimore, kushtuar atdhetarit Nezir Gashi (në një vjetorin e vdekjes së tij), të organizuar në Prishtinë nga Shoqata e të Burgosurëve Politikë të Kosovës.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura