FLAMUR PIREVA: NE I BËJMË THIRRJE PUSHTETIT DHE POLICISË SË KOSOVËS – NDAL SHANTAZHET NDAJ STUDENTËVE DHE QYTETARËVE PROTESTUES!

Pashtriku.org, 15. 02. 2014 – Tashmë kur studentët kanë shënuar fitoren e parë përballë pushtetit, ky i fundit po përdor hakmarrjen, shantazhin e kërcënimin individual ndaj studentëve si formë presioni psikologjik. Duke u munduar ta zbehin rëndësinë e angazhimit qytetarë e produktivitetin që shpërfaqi protesta, policia me diktatin e pushtetit po “i fton” shumë studentë e qytetarë pjesëmarrës në protesta, në biseda informative, njëjtë sikur në regjimet autoritare.
Ky pushtet është duke përdorur të gjithë potencialin përmes “resurseve” të tij, në mënyrë që ta fuqizoj shtypjen ndaj çdo lloj organizimi të drejtë. Kontrollin e fuqishëm që tashmë e ka mbi një numër të konsiderueshëm të mediave e një pjese të policisë është duke e dinamizuar me qëllim për ta mbajtur klinikisht ekzistencën e tij.
Mjeti me të cilin këta po bashkëpunojnë dhe funksionojnë ndërmjet vete, pra shantazhi, nuk ka për të ndaluar organizimin dhe rrugën tonë të drejtë. Për më tepër, ajo vetëm po na forcon e frymëzon në përmbushjen e qëllimeve e objektivave tona për rikthimin e Universitetit në një vend të dijes, jo të pushtetit.
Ne i bëjmë thirrje pushtetit, rrjedhimisht Policisë së Kosovës, që të ndal së provuari futjen e frikës dhe të ndal kërcënimin direkt e indirekt ndaj studentëve e qytetarëve protestues.

Çdo shantazh i llojit të tillë dëmton Policinë e Kosovës dhe konfirmon ndikimin e pushtetit në këtë institucion.
Ne u bëjmë thirrje institucioneve të rendit që të reflektojnë mbi dhunën e ditëve më parë ndaj nesh, e jo të vazhdojnë me këso lloj shantazhe. Nuk kërkojmë asgjë më shumë, veçse të bëni punën tuaj, e kjo nuk është puna juaj. Mos dëgjoni urdhrat e padrejtë të pushtetit të padrejtë, por arrestoni ata që padrejtësisht tentojnë të na shantazhojnë e të mbysin çdo lloj organizimi të drejtë e të domosdoshëm.
Emrat e të shantazhuarve shumë shpejt do të bëhen publik.

Studenti Flamur Pireva për Studentët e Bashkuar:
– Lëvizja Studentore për Barazi Studim Kritik Veprim,
– Klubi Politik i Studentëve,
– Grupi i Studentëve të Ulqinit.
Prishtinë, 12 shkurt 2014

(Kontakti me autorin: [email protected])

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura