MIMOZA DEMIRI: PORTRETI I ARTISTES ROZMARI JORGANXHI, DIRIGJENTES SË PARË SHQIPTARE DHE MEZZO-SOPRANO PËR 30-VJET NË TKOB

Pashtriku.org, 23. 02. 2014 – Të shkruash për një Artiste të vërtetë, ndjen emocionë, përgjegjësi por dhe krenari për çka ato na lanë si trashëgimi, si në muzikën klasike ashtu dhe në atë kombëtare, ku me pasionin, vullnetin dhe dashurinë e madhe për artin, i rezistuan kohërave më të vështira, si nga ana materiale ashtu dhe psikologjike, duke mos qenë plotësisht të lirë, por nën kontrollin e censurës dhe për lëvizjet më të vogla, të cilat duhet të ishin të programuara, ku për një artiste është shumë e vështirë për të dhënë dhe shprehur atë që ndjen plotësisht dhe të shkrihet me personazhin ashtu si do donte vet. Ishin pikërisht këta artistë që ja dolën mbanë duke sakrifikuar gjithçka me përkushtimin maksimal për këtë prefesionë kaq fisnikë, ku një nga këto artiste që ka shkëlqyer me kontributin e saj të jashtëzakonshëm e dinjitoz, është dirigjentja e parë shqiptare dhe mozzo-soprano për 30-vjet rreshtë në TKOB – Rozmari Jorganxhi.
* * *
Kur nis të bëj portretin e artistes Rozmari Jorganxhi, më del para syve një zonjë e bukur dhe me një elegancë të lindur, një grua fisnike, një këngëtare (mezzo-soprano) me zë të kadiftë, plot muzikalitet, e profesionalizëm, dirigjentja e parë shqiptare, që për 16 vjet rresht drejtoi plot pasione, kulturë dhe sukses korin e TKOB-it, një pedagoge e shkëlqyer, nga të parat në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve të Bukura) në degën e kantos dhe dirigjimit koral, një bashkëshorte e denjë dhe një nënë shëmbullore.

Rozmari Jorganxhi u lind në qytetin e bukur, artdashës të Korçës më 8 korrik 1937 në një familje artizanësh, me tradita patriotike dhe muzikore. Xhaxhai i saj Icë (Kristicë) Jorganxhi ishte flautist në “Bandës e Lirisë” në Korçë, qysh në vitin 1909. Po kështu xhaxhai tjetër Aleks Jorganxhi ishte pjestar i Bandës Muzikore “Vatra”, ku luante në benç dhe flikorno-bariton dhe në vitin 1920 erdhi nga Amerika me pjestarët e kësaj bande muzikore të drejtuar nga muzikanti patrioti Thoma Nasi, ku mori pjesë në Luftën e Vlorës.
Ati i saj Gaqo Jorganxhi “Artist i Merituar”, këndoi për 65 vjet si solist në koncerte të ndryshme nëpër gjithë Shqipërinë, në Radio “Korça” dhe në veçanti në grupin e mirënjohur të këngëve karakteristike korçare “Lira”.
E rritur në këtë mjedis muzikor Rozmaria trashëgoi një zë të bukur dhe një vesh muzikor të mrekullueshëm. Ajo qysh fëmijë u ngjit në skenë dhe u bë e njohur në qytetin e saj. Ende një vogëlushe pesëvjeçare ajo mori mësimet e para në fillim për kitarë e solfexh nga muzikanti poliglot Gaqo Tërpini dhe më vonë për piano nga pianisti i mirënjohur Boris Plumbi.
Pas çlirimit të vendit u aktivizua pranë Shtëpisë së Pionierit të Korçës dhe pas mbarimit të shkollës 7 vjeçare, në vitin 1951 shkon për studime në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë me pedagoge kantoje “Artisten e Popullit” Marie Kraja. Në shtator të vitit 1952 shkon për studime të larta në Rusi në Konservatorin “P.I. Çajkovski” (sot Akademia e Arteve) në Moskë, ku studioi për shtatë vjet në dy fakultetet, të kantos dhe dirigjimit koral, të cilat i mbaroi shkëlqyshëm në vitin 1959. Atë maj të vitit 1959 dy agjensitë telegrafike ajo TASS dhe ATSH do të jepnin lajmin nëpër gazetat qëndrore: ”Këngëtarja e re Rozmari Jorganxhi, mbaroi njëkohësisht dy fakultete”.

—————————–

Dirigjentja e Parë shqiptare – Rozmari Jorganxhi

Këto rezultate të shkëlqyera në studimet e saj, ajo i arriti me një punë të madhe dhe këmbëngulëse, për të përballuar me sukses gjithë atë studim të madh që kërkonin në të njëjtën kohë këto dy fakultete, ndaj pas mbarimit me sukses të tyre ajo ishte tashmë jo vetëm një këngëtare dhe dirigjente me diplomë, prej një nga akademitë më të njohura në botë, por edhe një artiste e formuar dhe e pajisur me një kulturë të madhe të përgjithshme dhe artistike.
* * *
Me kthimin në Atdhe, Rozmari Jorganxhi filloi punën si soliste, mezzo-soprano pranë Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Para saj tani shtrihej rruga e gjatë, por e vështirë e artit. Ajo interpreton në të gjitha rolet e para dhe të dyta për mezzo-soprano të operave të vëna në skenën nga TKOB për gati 30 vjet. Në karrierën e saj si këngëtare ajo ka të realizuara role nga operat e autorëve klasikë të huaj dhe atyre shqiptarë. Në të gjitha këto role ajo ka vënë jo vetëm zërin e saj të bukur e të ngrohtë të mezzo-sopranos, por mbi të gjitha shpirtin dhe zemrën e saj prej artisteje.
Rolet e realizuara prej saj janë një galeri e tërë personazhesh si
– Marta në operën “Jollanta” e Çajkovskit,
– Hata te “Nusja e shitur” e Smetanës,
– Mara në operën “Mrika” të P. Jakovës,
– Mirushi dhe nëna e Mirushit në operën “Pranvera” të T. Dajisë,
– Hanxhesha në “Boris Godunov” të Musorskit,
– Suzuki në “Madama Baterflaj e Puçinit,
– Sanda dhe nëna e Dhimitrit në “Lulja e Kujtimit” të K. Konos,
– kontesha Anastasia në operetën Princesha e Çardashit të Kalmarit,
– Madalena në operën “Rigoleto” të Verdit,
– Kerubini në “Dasma e Figaros” të Moxartit,,
– Ollga te “Heroina” e V. Novës,
– Jerina te “Skënderbeu” të P. Jakovës,
– Lina në operën “Zgjimi” të T. Harapit,
– Karmen në skena nga opera “Karmen” të Bizesë,
– Olga në “Eugjen Onjegini” të Çajkovskit,
– Lola në “Kavaleria Rustikana” të Maskanjit etj.etj.

* * *
Rozmari Jorganxhi ka dhënë me qindra koncerte, të cilat i ka filluar qyshse ishte studente në Moskë dhe në turne të ndryshme nëpër ish BRSS. Ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e muzikës së dhomës në vendin tonë. Janë me dhjetra romancat e kënduara prej saj, vepra këto të autorëve të huaj klasikë dhe shqiptarë. Repertori i saj ka qenë shumë i gjerë dhe i pasur, ku përmblidhen dhe këngë popullore të përpunuara dhe arie nga opera të ndryshme. Ajo ka treguar një mjeshtri të lartë artistike në interpretimin e romancave nga Moxart, Hendel, Shuman, Shubert, Grig, Rahmaninov, Çajkovski, De Falja, arie nga operat e shumënjohura si “Trovatore”,e Verdit (aria e Azuçenës), “Berberi i Seviljes” e Rosinit (kavatina e Rozinës), “Semiramide” e Rosinit “Samsoni e Dalila” e Rosinit (aria e Dalilës), “Hirushja e Rosinit, “Norma” e Belinit etj.

* * *
Ishte viti 1967, kur Rozmari Jorganxhi, krahas punës së saj si këngëtare lirike në TOB fillon punën edhe si dirigjente e korit pranë këtij tempulli të artit tonë skenik. Ajo është kështu e para dirigjente e korit në Shqipëri duke thyer kështu tabunë që këtë profesion mund ta kenë “privilegj” vetëm burrat. Ajo u ngjit në pultin e dirigjentit të korit, pas mjeshtrit të madh Kostandin Trako “Artist i Merituar”, për të cilin ajo edhe sot ruan një konsideratë të lartë si artist dhe njeri dhe dirigjentit Milto Vako “Artist i Merituar”. Por, nuk ishte e lehtë ky profesion për një grua të re. Gjithçka kishte mësuar për shtatë vjet tani do ta vinte në jetë. Gjeti një kolektiv kori me eksperiencë shumëvjeçare, me zëra të bukur, por paksa të lodhur nga vitet. Kërkoi të plotësohej ai kor me zëra të freskët nga studentët e posadiplomuar në kanto, por kjo kërkesë e saj nuk u plotësua nga Ministria e Kulturës e asaj kohe dhe ata studentë të posadiplomuar, artistë të rinj u dërguan nëpër rrethe ose vatra kulture, ku shumë prej tyre iu “shua” më kot talenti prej këngëtari. “Freskimin” ose “rinovimin” e korit, sipas urdhrave të partisë në pushtet e detyruan ta bënte nga “artistë” të ardhur nga “gjiri i kalsës punëtore”. Dirigjentes në këtë kohë i duhej të punonte edhe për ngritjen e tyre profesionale. Shumë prej tyre nuk njihnin as solfexhin(!). Mos të harrojmë pastaj edhe “kontrollin punëtor”, i cili arriti një ditë t’i thotë asaj, se si shumë njerëz mbante në atë kor!… Duhej të bëheshin “shkurtime”!
Me gjithë këto vështirë dhe shumë të tjera, Rozmari Jorganxhi arriti me punën e saj të palodhur dhe plot pasion, duke mos u ndarë asnjë çast dhe nga puna e saj si soliste, të verë në skenë opera premierë si nga autorë të huaj, ashtu dhe nga autorë shqiptarë, kantata, poema, koncerte të Majit të TOB dhe grupeve të ndryshme amatore, të Ansamblit të Ushtrisë etj. Në vitin 1980 ajo shkoi në Kosovë (sot Republika e Kosovës) për të ndihmuar në ngritjen e korit të RTP, ku dha me shumë sukses dhe një koncert, i cili u mirëprit nga artdashësit kosovarë. Në vitin 1992 merr pjesë në Ravena të Italisë si dirigjente dhe merr vlerësimin maksimal nga dirigjentët aty.

* * *
Rozmaria është nga pedagoget e para (të jashtme) të Konservatorit Shtetëror të Tiranës sot Akademia e Arteve, ku për shumë e shumë vjet me rradhë dha kontributin e saj në përgatitjen e artistëve të rinj si dirigjentet Zef Ҫoba, Pandi Bello, Naim Gjoshi, Oleg Arapi, Jetmir Barbullushi, Petrika Afezolli, këngëtaret Domenika Matja, Mimoza Demiri, Agim Hushi, Greta Marlocaj, Izet Salihi, Etleva Mata, Laura Hak.
Rozmari me një vullnet e dashuri të pa lodhur, nuk rreshti kurrë së punuari jo vetëm me studentët e saj, por me çdo artistë të ri që kërkonte ndihmën e saj për të marrë njohuritë e para si në kanto ashtu dhe në dirigjime. Me një mbingarkesë profesionale Rozmari luajti një rol të denjë si bashkëshorte dhe nëna e tre femijëve të shkëlqyer ku dy djemtë e saj, sot artistë të talentuar e të mirënjohur, si nga vendi i tyre i origjinës ashtu dhe nga vendi ku sot jetojnë Trieste-Itali. Gjergj Leka kantautore dhe Hektor Leka Bariton në teatrin Xhuzepe Verdi ne Triestë.

* * *
Pasi Rozmari në vitin 1992 transferohet familjarisht si e riatdhesuar në qytetin e Triestës, në vitin 1993, në moshën 56 vjeçare, fiton konkursin në Teatrin e Operës së Triestës “Xh.Verdi” dhe vendin e parë. Ajo kntribuoi për 10 vjet rresht aty. Rozmari Jorganxhi, dy herë u dekorua me URDHËRIN “NAIM FRASHËRI” të Klasit të II’të. Ajo ngelet gjithmonë një figurë e shquar e artit operistik Shqiptarë, por kemi dhe anën tjetër të medaljes, që të gjithë surprizohen dhe nuk besojnë që kësaj figure të shquar të artit operistik, akoma nuk i kannë dhënë një titull, në një kohë që e kanë marrë studentët e saj dhe të ashtuquajtur artistëe me blerje e biznes – art, ku fatkeqësisht është ajo çka e përfaqsonë në përgjithësi artin sot. Por kjo Grua – Artiste me dinjitetin e modestin që e karakterizonë, është krenare për atë kontributë që i ka dhënë vendit të vet, që për të… nuk do kishte asnjë ҪMIM.

***********************************

===============

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura