SABIT GECI: UÇK’ja DHE UNË SI PJESËTAR I ORËVE TË PARA, I RRESHTUAR PAS KOMANDANTIT LEGJENDAR ADEM JASHARI, ISHIM DHE DO TË MBESIM ҪLIRIMTARË TË TROJEVE TONA

Pashtriku.org, 02. 03. 2014 – Në një intervistë ekskluzive për ‘Lajm’, (të dhënë në qershor 2013), ish’ushtari i ditëve të para të luftës së UÇK’së dhe tani i dënuar për “krime lufte”, Sabit Geci flet për prokurorinë, gjykatën dhe burgun. Po ashtu, Geci rrëfen edhe për luftën, betejat dhe shokët e UÇK’së dhe për montimet pa fakte që i kanë ndodhur atij si luftëtarë i lirisë duke e akuzuar për veprime të sajuara përmes të cilave edhe gjykata e ka dënuar si shkelës të ligjit. Intervistën e ka zhvilluar Dibran Fylli, të cilën po e botojmë të plotë në portalin pashtriku.org, në 16 vjetorin e Betejës së Likoshanit (më 28 shkurt 1998) ku ai mori plagë të rënda. Kjo intervistë me Sabit Gecin, shumëkujt do t’i duket se është pjesë e ndonjë romani e dikujt ndoshta edhe skenar filmi. E vërteta është se mund të jetë edhe ashtu edhe kështu, por ama se është një skenar interesant që trajton ngjarje reale e në vazhdime të pafundme, kjo s’ka dilemë. Ai që nuk e beson, le të urdhërojë e të bisedojë vet me Sabitin. Ai është mikpritës edhe në këso rrethanash, i hapur që të bisedoi me këdo, përkundër të gjitha vuajtjeve, i fortë e i afërt me të gjithë ata që e çmojnë dhe e respektojnë gjakun e dëshmorëve dhe vlerën e Luftës së lavdishme çlirimtare. Gjatë një vikendi, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtin, jo rastësisht Dibran Fylli ka takuar shokun e hershëm, bashkëluftëtarin e invalidin e parë të UÇK’së, z. Sabit Geci, i cili tash e sa kohë po mbahet herë nëpër burgjet unmikiane e herë në ato euleksoviqiane. Sabiti, edhe pse i sëmur, me shumë diagnoza thuajse të pashërueshme, kohë pas kohe, edhe pse nën kontroll të rrepta, këta far tipat e “drejtësisë” po tregojnë kinse humanitet e po e sjellin për trajtim mjekësor në QKUK në Prishtinë. Sabiti, edhe pse në gjendje shumë të rënd shëndetësore, ndau kohë për ta zhvilluar një bisedë në formë interviste e që flet për vuajtjet e këtij njeriu të palëkundur nga udhët e tij të sakrificës.

Sabit Geci, ish’ushtari i ditëve të para të luftës së UÇK’së

D. Fylli: Z. Sabit, ju njiheni si invalidi i parë i UÇK-së, i plagosur rëndë në Betejën e Likoshanit, por edhe i arrestuari i parë pas lufte, kinse për “krime lufte” nga UNMIK-u, pastaj edhe EULEX-i po vazhdojnë të të mbajnë ende nëpër burgje. Përse mendoni se po ndodh e gjithë kjo?
S.GECI
: Unë mendoj se do të jem i fundit që do të lirohem nga këto marifetllëqe me të cilat po ngarkohem, por edhe jam më se i sigurt se kjo po ndodh vetëm për dy arsye: ose të më thyejnë moralisht e kombëtarisht, ose të më shkatërrojnë tërësisht nga shëndeti, por e kanë të kotë, sepse deri në frymën e fundit nuk do t’ua dhuroj atë kënaqësi as këtyre horrave as armiqve të mi.
D.Fylli: Ju një kohë të gjatë e keni kaluar nëpër hetuesi, u kanë mbajtur të paraburgosur gjatë kohë derisa e kanë kompletuar aktakuzën, kinse për krime. A keni kërkuar që të mbroheni në liri ose të paktën edhe në arrest shtëpiak?
S.GECI:
Jo që kam kërkuar, por as që më ka shkuar mendja, sepse kjo më është ofruar nga vet prokurorët ndërkombëtarë, por siç thonë “dardha ka bishtin pas”, ata kërkonin kushte nga unë e ato kushte ishin që unë të bëja ndonjë pisllëk dhe derisa unë nuk pranoja e as sot nuk do të pranoj për asnjë çmim, me lanë këtu e kështu si jam, bile prokurori Robert Din, më thoshte me një rast që të paktën të përgjigjesha në pyetjet e tij, as në atë mënyrë nuk kam pranuar dhe kjo është dashtë të ndodhë në mos për asgjë tjetër për shkak të gjendjes sime shëndetësore. Drejtësi nuk ekziston në Kosovë. Ata janë sjellë e po vazhdojnë të sillen në mënyrë shumë të padrejtë!
D. Fylli: Pse mendoni se “drejtësia” është sjellë dhe po vazhdon të sillet në mënyrë të padrejtë ndaj teje?
S.GECI:
Jo vetëm ndaj meje, por ndaj çdo çlirimtari, besa edhe ndaj atyre që nuk janë të arrestuar as nën hetime, sepse kur njolloset, ose të paktën tentohet të njolloset Lufta e Lavdishme e UÇK-së, bartësit e saj, komandantët e së fundi edhe Shtabi i Përgjithshëm, atëherë çka pritet t’i ndodhë më e keqe luftës së shenjtë dhe pjesëtarëve të saj?!
D. Fylli: Edhe kësaj here jeni akuzuar kinse për krime lufte. A mund të na thoni diçka më në detaje për akuzën e prokurorit?
S.GECI:
Akuza, mendimet, pohimet, seancat e të gjitha kanë qenë humbje kohe dhe shumë qesharake. Po si mund të akuzohen për krime ata të cilët kanë luftuar kundër kriminelëve, madje edhe me ndihmën e NATO-s? Kjo mund të ndodhë vetëm në ato vende që s’e njohin dhe s’e mbrojnë institucionalisht vlerën e luftës.
D. Fylli: Si dhe sa t’u shqiptua dënimi i fundit, dhe a mund të thuhet se ky është i fundit?
S.GECI:
Unë jam i sigurt se as më parë e as ky nuk është dashtë të ndodhin fare, por ja se në Kosovë ndodhin edhe këto gjera. Herën e parë më kanë dënuar pa asnjë fakt vetëm me thashetheme 6 vjet. Tash më kanë dënuar 15 vjet dhe si atëherë, si tash i njëjti nen, kinse për krime lufte. Kurse, a është ky i fundit nuk mund të thuhet, sepse këtu mund të pjellë edhe kali, derisa në vendet tjera normal pjell pela!
D. Fylli: Pse shokët e luftës dhe shteti që udhëhiqet nga ta nuk reagojnë në këso raste, në mos për asgjë për shëndetin tuaj?
S.GECI
: Shkurt e shqip vetëm pse nuk guxojnë, u mungon guximi! E thamë kështu, sepse vet heshtja e tyre ose deklarimi i pamjaftueshëm më bën të dyshoj se po frikësohen ose po i frikësojnë këto hijet e hienave të huaja.
D. Fylli: Tash jeni i shtrirë në spital, po trajtoheni për disa diagnoza dhe gjendja e juaj shëndetësore nuk është e mirë. Na thoni çfarë ju thonë mjekët?
S.GECI:
Se çka thonë mjekët dhe nga sa diagnoza vuaj, më së miri po ua tregoj këtë Memorandum-Raport i specialistit, nga Klinika e Kirurgjisë Vaskulare e lëshuar më 10.06.2013, nga prof. dr. Mehmet Maxhuni, drejtor i Klinikës së Kirurgjisë dhe dr. Daut Cejku, kirurg i përgjithshëm dhe vaskular, kirurg ordiner si dhe shumë specialistë tjerë. Përshkrimi i disa nga diagnozat e Sabit Gecit, nga raporti i specialistit: Pacienti Sabit Geci, i hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë, Kirurgji Vaskulare, Kirurgjia Plastike, Ortopedi, Cardiologji, Infektivë:
Gjendja e tanishme:
Dg. Microthrombembolla Pulmonum Recidivans. (Sulm i droçkave të gjakut në qarkullimin arterial të mushkërive). Dg. Phlebothrombosis Recidivans Cruris L.Dex. Incipiens. (Përsëritje e mbylljes të venave të thella të gjymtyrëve të poshtme të djathtë). St.Post Phlebothrombosis Vfc 1.dex et Vfs et vv.Crurales 1.sin.a.10. (Gjendja pas mbylljes të venave të thella të gjymtyrës së poshtme të djathtë dhe të venave të nëngjurit të majtë që e ka përjetuar para 10 viteve). Sy.Postphlebiticium Extremitas Inf.Bill. (Gjendja e pasojave në gjymtyrët e poshtme të venave të thella). Venectasia Compensata Venorum Parietis Abdominis Pars. Infraumbilicalis. (Gjendje kompenzuese e zgjerimit të venave të murit të abdomenit nën kërthiz). (Gjendje pas sulmit mbyllës të arterieve pulmonale të mushkërive-përseritës). Hyperlipidemia. (Gjendje e nivelit të rritur të yndyrës në gjak-trashëguese). Status Hypercoagulable. (Gjendje e rritur e ngjizjes të gjakut-kagulimi i shtuar). St.Post. Microthrombembolia Recidivans a.m.9. (Sulm i përsëritur i droçkave të gjakut në mushkëri). Pacienti akoma nuk e ka të implantuar Cava filterin, për arsye ekonomike. (Implantimi i zgjeruesit të lëkurës nga Kirurgjia Plastike). Echo-Abdominis: Steatosis Hepatis Cysta Renis 1.dex. (Dr.Hysni Gërguri). Dhjamosje e Mëlçisë-Cysta e Veshkës. Dg.Angioneuropathia Diabetica. (Gjendje e dëmtimit të fijeve nervore dhe enëve të vogla të gjakut-arteriolave si pasojë komplikuese e sëmundjes se sheqerit). Kirurgu plastik: St.Post Implantation Tissue Expander in reg.femoris 1.dex. (Dr.H.Arifi). Ortopedi: Abreviatio Extremitas Inferior L.Sin PP Fractura Aperta Femoris Et Osteosyntesis Hypotrophio Extremitas Inferior L.Sin. Coxarthrosis. Indikohet elengacioni sipas vange jashtë shtetit për të evituar faktorin prezent “Pllaka-trupi huaj”, të favorizimit të koagulimit – Thromboses. (Dr.A.Tolaj). Cardiologu: HTA. (Tensioni arterial). CMP chr. Hyperetensiva. (Pamjaftueshmëri e zemrës si pasoj e tensionit arterial). Angina Pectoris Instabilis. (Dhimbje të gjoksit jo stabile). St.Post Thrombembolia Pulmonum. (Gjendje pas sulmit embolik në mushkëri). Neurokirurgu: Hernia disi L3-L4-L4-L5. Scoliosis Thoraco-Lumbalis Spondylosis Lumbalis. ORL: Dg. TPL lat. Dex tip 1. Infektologu: Lesio Hepatis Susp.Cirrhosis Hapatis. Sipas sugjerimeve të ortopedit, për shërim jashtë vendit, për t’i shëruar vetëm një pjesë të këtyre sëmundjeve, Sabiti tregon një profaturë të lëshuar nga Spitali Amerikan më Nr. 188, dt.10.06.2013, e cila ka shumën hiq më pak se 13. 460. oo Euro.

Sabit Geci, gjatë trajtimit mjekësor 1998-1999 dhe pas luftës…

*  *  *

Për herë të parë publikohet fjala përfundimtare e Sabiti Gecit nga aktgjykimi i fundit, prill 2011.

KËTU PO SHKELET DREJTËSIA!

(Askush nuk duhej të ishte mbi ligjin)

“Fjala ime përfundimtare, në dëgjim të parë do t’u duket e pakuptimtë, pa lidhje dhe poetike, por për mua është e domosdoshme që të vërtetën ta them haptas para trupit gjykues e para krejt botës se: UÇK-ja dhe unë si pjesëtar i orëve të para, i rreshtuar pas Komandantit Legjendar Adem Jashari, kemi qenë, ishim dhe do të mbesim çlirimtarë të trojeve tona. Këtë ua garantoj unë në emër të gjakut të dëshmorëve që ranë për liri. Se kemi bërë luftë të drejtë e çlirimtare, këtë më së miri e dëshmon ndërhyrja ushtarake e Forcave të NATO-s kundër forcave serbe që po mundoheshin ta shuajnë një popull nga faqja e dheut, e ky ishte populli im shqiptar që edhe unë ja fala ca pika gjaku duke lënë gjymtyrët e mija nëpër vija të frontit për lirinë e atdheut dhe nëse është nevoja prapë do të sakrifikohem e do të bëj luftë për lirinë e popullit tim. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është themeluar formalisht, por formimi i saj ishte i domosdoshëm, e lufta e fundit na ishte imponuar nga dhuna e tepruar e okupatorit shekullor serbosllav që po udhëhiqej nga krimineli Millosheviq dhe gjeneralët e tij të shfrenuar. Lufta e fundit e UÇK-së nuk ishte as e para e si duket nuk do të mbetet as e fundit për ne shqiptarët. Unë e quaj luftë edhe këtë që po zhvillohet këtu e deri në Hagë dhe, nuk po i duket fundi i saj. Do ta quaja luftë speciale, në njërën anë për mbrojtjen e vlerave të luftës së shenjtë çlirimtare, e në anën tjetër do ta quaja sulmin më të rëndë mbi historinë e re për degradimin e këtyre vlerave që po insistohet nga misionet e huaja, herë UNMIK e herë EULEX. Kjo po ndodh për fat të keq me ndihmën e disa dëshmitarëve gënjeshtarë, shpirtzi e hiq shqiptar. Se ishim të okupuar me shekuj, të shtypur e të persekutuar, të nëpërkëmbur e pa të drejta, kjo s’do koment. Ishin kajlat e sulltanat që njëri pas tjetrit po i turreshin Kosovës me ligje e kanune të huaja, prandaj edhe lufta e shenjt e UCK-së, sikurse edhe luftërat tjera të shqiptarëve, ishin rezistenca kundër padrejtësive, dhunës, terrorit, përndjekjeve, burgosjeve, vrasjeve e çka jo tjetër që po ushtrohej mbi popullin e pambrojtur shqiptar të Kosovës. Me vite e me shekuj kishte mos pajtime,kundërshtime e luftë pas lufte, jo për të sunduar, por për liri, për gjuhë e për flamur, që sot, në këtë shekull të mbrapsht gati sa nuk po duken asnjëra e as tjetra. Këtë punë nuk mund ta kuptoj as zoti!?. Erdhi fundshekulli XX e bashkë me te edhe zgjimi nga gjumi i popullit, formimi i Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare, lufta e saj dhe liria e shumëpritur. Të gjitha këto bënë që Kosova sot të jetë e lirë, aq sa është e lirë!?. Pra lufta, gjaku i derdhur për liri, sakrifica e popullit të shumë vuajtur bënë që populli të frymojë lirshëm. Me luftë e sakrifica u largua një armik i përbetuar i Kosovës dhe na erdhën 30 tjerë nën maskën e miqësisë, me emrin UNMIK e EULEX. Edhe ashtu pak kanë ndryshim këta dy emra, kanë të njëjtin veprim. Tani vendi prapë ndodhet në riokupim me plane për ricopëtim, sundim e degradim të vlerave më sublimë, të Luftës Çlirimtare, por tani me një okupator modern me ligje të përtërirë nga ish sistemi i kaluar… Të mos e quash këtë vend të riokupuar dhe në tentim për ta bërë copë-copë nuk mund të thuash se ke thënë të vërtetën. Kjo nuk ka filluar rastësisht. Ka qenë dhe është e paramenduar edhe mirë bile. Të gjitha këto që po ndodhin janë procese të montuara e të motivuara politikisht. Janë procese të turpshme e të pakuptimta fare. Këto po bëhen për ta barazuar krimin serb me luftën e drejtë të UÇK-së. Po bëhen për ta injoruar vlerën më sublime të popullit shqiptar, edhe atë me skenarë të ndyra e me personazhe të paramenduara, duke e krahasuar çlirimtarin me kriminelin, duke i quajtur kriminel ata që e ndaluan dhe e luftuan krimin. Kjo filloi me kurdisjen e skenarit për ngritjen e aktakuzës për “Rastin e Merdares” pastaj vazhdoi me suspendimin e gjashtë komandantëve të UÇK-së, me rastin “Manaj”, rastin “Drini”, rastin “Raci”, arrestimin e komandantëve dhe ushtarëve të Zonës Operative të Dukagjinit, të Llapit e të zonave tjera, pastaj me rastin “Hajra” dhe po vazhdon me rastin herë “Shtëpia e verdhë” e herë “Shtëpia pa ngjyra” e Dikmartoviqit e herë rasti “Kleçka” dhe shumë raste tjera që janë vetëm imagjinata të pakuptimta të prokurorëve euleksian me ndihmën e dëshmitarëve të rrejshëm, por gjithsesi e vërteta ka filluar të dal në shesh dhe “drejtësia” ndërkombëtare po dështon për ditë e më shumë. Unë do pyesja: A ka drejtësi në Kosovë dhe nëse po, për kë punon ajo? Kur dihet fare mirë së ligji bashkë me forcën kanë mbetur në duart e okupatorit. Unë çuditërisht nuk po e kuptoi pse luftuam? E po kush thotë së nuk luftuam kundër ligjeve jugosllave!? Kështu po vërtetohet thënia e lartcekur “E larguam një armik të përbetuar e na erdhën 30 tjerë me emrin unmikoeuleksian”. Unë, që kohën më të madhe pas lufte e kalova pas grilave të ndryshkura herë unmikiane e herë euleksiane, mendoi dhe jam i sigurt se është koha që dëshmitarët e shitur ta braktisin të keqën nga mendja e t’i ndalojnë të shpifurat kundër çlirimtarëve Është koha që ta çmojnë vlerën e luftës së lavdishme çlirimtare. Unë besoi së këtë e dinë edhe ata vet. Kush janë ata unë s’mund ta di por koha do t’ua tregoi fytyrat e tyre të marrosura e pastaj edhe fëmijët e tyre do t’i quajnë argat të të huajve, kurse unë assesi s’mund t’i pranoi si shqiptar ata që vetëm dinë ta flasin gjuhën shqipe e atë ta shfrytëzojnë me shpifje e gënjeshtra. Për fat të keq kjo po vjen pikërisht nga ajo pjesë e popullit të cilin e mbrojtën çlirimtarët dhe ju gjenden pranë në momentet më të vështira, duke dhënë ndihmë në mënyra të ndryshme e me sakrifica të mëdha. Këto akuza e shpifje të turpshme një ditë do të përfundojnë së bashku me dëshmitarët shumëfytyrësh në zjarrin që po vazhdon të ndizet nga secili në mënyrën e vet. Të gjitha këto do të shkruhen si kapitull i turpit në histori. Nuk dua dhe nuk kam për qëllim të lëshohem në detalet e akuzës sime, sepse tashmë këto aktakuza janë bërë përditshmëri e jona prej të cilave nuk ka e as nuk do ketë asgjë serioze, veçse zhvillim i një loje të përkohshme të turpit unmikoeuleksian. E vërteta është se na luftuam ta mbrojmë popullin nga barbaria serbe, por jo që në liri të akuzohemi nga ajo pjesë e popullit e cila u është adoptuar menjëherë të huajve dhe për hatrin e tyre po vjellin zjarr mbi vlerat e luftës çlirimtare.! E gjitha kjo që u tha më lart,është vetëm një pjesë e turpshme e turpeve të një procesi të montuar që bie mbi ndërgjegjen e një trupi gjykues të udhëhequr nga gjyqtar ndërkombëtar. Sidoqoftë,e pa bëre mund të mëveshët por jo gjatë kohë. Të huajt gjithmonë mbesin të huaj dhe një ditë nuk do të jetë më këtu, kurse këtu, që po pretendojnë ta marrin identitetin e së drejtës, zor se do t’u eci puna mbar. Këta do t’i përcjell turpi derisa ta dorëzojnë shpirtin para djallit!… Unë sot edhe mund të dënohem nga kjo gjykatë,por,nuk e kam të qartë në emër të cilit popull jam duket u dënuar ?!. Qysh me fillimin e seancave u pa ky proces është i montuar,plot politikë,me njëmijë faqe te zeza,akuza e ndërtuar mbi gënjeshtra,pa fakte e prova,me dëshmitar te mbrojtur e të mbështetur mbi bazën shpifëse… Së dyti, prokurori publik është i njëanshëm dhe është përpjekur të rëndojë çështjen tine, dhe të mos e nxjerrë në pah të vërtetën, (sepse e vërteta është krime kanë bërë serbet e jo ne që e kemi mbrojtur popullin nga kriminelët). Ai e ka bërë këtë duket ushtruar presion mbi dëshmitarët,apo duke i blerë ata me pak para!?, por e pavërteta gjithmonë mbetet e pavërtetë. Asnjë nga dëshmitaret në këtë lëndë nuk kishin arsye për të mos e thënë të vërtetën. Përfundimisht,është krejt e papranueshme të paraqitet një ngjarje e re me plot të pa vërteta. Nuk është e vërtetë se unë kam marrë pjesë në ndonjë krim apo vepër kundërligjor, vetëm nëse i thonë krim luftës për liri ë bashkim kombëtar, ashtu siç jam i sigurt se as UÇK-ja, as komandantët e saj e as edhe një pjesëtar i saj nuk kanë marrë pjesë në akte kriminale, në të kundërtën, ne e kemi mbrojtur kombin, atdheun dhe popullin tonë, ashtu siç jemi të gatshëm ta mbrojmë edhe një milion herë nëse shtohet nevoja. Të sakrifikohesh për liri, drejtësi e demokraci, është nder dhe krenari. Të shkelet ligji dhe të mos respektohet drejtësia, siç po ndodh në Kosovë, është turp! “Unë shpresoj se drejtësia herë do kur do të triumfojë, prandaj trupi gjykues le të vendosë si të vendosë, por nëse këtu ka drejtësi, atëherë jo vetëm unë, por të gjithë çlirimtarët që po mbahen pas grilave, për akuza të ngjashme, duhen të lirohen që ta gëzojnë këtë copëz lirie që e fituan me mund e sakrifica të mëdha, me gjak e me jetën e mbi 2000 dëshmorëve”.
* * *
Sabiti, edhe pse i lodhur nga sëmundjet e rënda e nga mërzia e gjithë këtyre padrejtësive që po i përjeton nga “drejtësia”, ai vazhdoi rrëfimin e tij në mënyrën më njerëzore, duke mos ndjerë për asnjë moment as më të voglën nervozë. Për këtë njeri mund të thuhet e të shkruhet edhe më shumë se kaq. Ky burrë Drenice flet pa paragjykime, qetë, pa nervozë e gjithçka që i kujtohet për ditët e lavdisë. Mund të thuhet e të vërtetohet se vërtet është i fortë si guri dhe i palëkundur në qëndrimet e veta prej çlirimtari e që mund të quhet burrëgurgace. Për lexuesin është interesante dhe me interes ta kuptojnë se cili ishte “SHABANI” i UÇK-së. Ky njeri quhet Roland Bartecko, një i huaj me pseudonimin e luftës “Shabani”. Ishte pjesëmarrës i luftës në Kroaci, në Bosnjë dhe së fundi në Kosovë. Shabani i UÇK-së ishte i plagosur një herë në Bosnjë dhe dy herë në Kosovë. Ai, pasi kishte përfunduar lufta në Kroaci dhe në Bosnjë kishte mësuar se pushtuesi serb kishte filluar luftën shfarosëse edhe kundër popullit shqiptar, me vetëdije të plotë kishte marrë rrugën për t’i dalë në ndihmë këtij populli. Rolandi, pasi kishte arritur në Tiranë, kishte hasur në shumë vështirësi nga grupe të caktuara që i thoshin vetit Ushtri e Kosovës, (FARK), por ai me gjithë ato pengesa, një ditë kishte takuar Xhevahirin dhe së bashku me një grup çlirimtarësh ia kishte mësyrë fronteve të nxehta të luftës. Pas shumë ditë udhëtimi Rolandi kishte hyrë në zonën e luftës, pra në Drenicë. Sipas rrëfimeve të Sabit Gecit, Shabani i UÇK-së ndalon në këtë zonë, pikërisht në fshatin Qirez, ku takohet me Sabitin dhe me shumë shokë tjerë të pushkës çlirimtare. Kjo ka ndodhur në vitin 1998, pra perëndimorët vullnetarisht ndihmojnë luftën e lavdishme çlirimtare. Të flitet për Shabanin e UÇK-së, duhet shumë kohë, por kësaj radhe po i përmendim vetëm disa nga ndodhitë më interesante dhe qesharake të “drejtësisë” në tokën e Kosovës. Rolandi, pas përfundimit të luftës në Kosovë arrestohet nga “drejtësia” që funksiononte e po vazhdon të funksionojë e punojë sipas orekseve të Beogradit fashist. Ky njeri i mirë, urtak e trim i luftës çlirimtare ishte arrestuar për vrasjen e disa serbëve, në mesin e tyre edhe të një eprori ushtarak serb me gradën kolonel, fillimisht është mbajtur i mbyllur në Bonstill, pastaj është dërguar në veri të Mitrovicës dhe së fundi e vuan dënimin prej hiq më pak se 23 vite në Burgun famëkeq të Dubravës. Sabiti me keqardhje tregon për sjelljet e egra dhe çnjerëzore të disa gardianëve shqipfolës, ndaj Shabanit të UÇK-së, i cili ishte, është dhe do të mbetet pjesë e lirisë së Kosovës.
D. Fylli: Z. Sabit, kemi lexuar e kemi mësuar shumëçka për të gjitha padrejtësitë që ty dhe shumë çlirimtarëve po u bëhen pas lufte. A mund të na thoni me pak fjalë, kush ishte Sabit Geci dhe të parët e tij?
S.GECI:
Nuk jam i prirë të flas për vetveten. Kësaj pyetje më së miri do t’u përgjigjen veprat e mia dhe shokët e luftës e të idealit, por edhe vet fakti se jam invalidi i parë i UÇK-së që nuk i kurseva gjymtyrët e trupit për lirinë e atdheut.
D. Fylli: Për lexuesit do të ishte interesant të dinë më shumë për biografinë tënde dhe të trungut familjar. Na përshkruani me disa fjalë kush ishin të parët e Sabitit dhe sa dha kjo familje për çështjen kombëtare?
S.GECI:
Historia e familjes sime nuk fillon me mua, gjyshi im Beqir Geci, ka qenë bashkëluftëtar i Shaban Palluzhës dhe pjesëmarrës në të gjitha betejat që janë zhvilluar për lirinë e Kosovës në atë kohë, pastaj edhe i vëllai i gjyshit Isuf Geci, babai i mësuesit Halit, ka qenë zëvendës i Mehmet Gradicës, kurse vëllai tjetër i gjyshit Elezi, është i vrarë në Masakrën e Tivarit me shumë shqiptarë tjerë që edhe sot e asaj dite nuk u dihet as varri. Derisa në luftën e fundit, familja jonë ka dhënë dëshmorin. Në luftë me bandat kriminele serbe ka rënë vëllai im Nuhiu, unë jam invalid me plagë të rënda, pastaj edhe vëllai tjetër Vehbiu vdiq më vonë me lëndime të pasojave të luftës, kurse vëllai tjetër Hamdiu, ka qenë i plagosur, pastaj edhe dy nipa kanë rënë dëshmorë, Ilmi Shaqiri, i cili pas shërimit të dy plagëve ka rënë duke luftuar me armikun të Fusha e Mollës dhe Ramiz Raci, i cili ka rënë në Betejën e Rezallës. Më pas edhe tre dajat e mi nga Prellofci Brahim, Gani e Smajl Nura, kanë rënë dëshmorë për lirinë e këtij vendi si dhe të plagosur kanë qenë Jakup Nura, shok i ngushtë i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Avni Nura. Kjo ishte ajo çka dha familja dhe farefisi im…
D. Fylli: Si mund të na përshkruani Betejës e Rezallës së Re?
S.GECI:
Për Betejën e Rezallës së Re, mund të themi se edhe ju dini mjaft, sepse ishit dëshmitar i ngjarjes, por pasi që po e kërkoni nga unë, do të mundohem që t’ua përshkruaj përafërsisht atë ngjarje historike për ne të gjithë. Këtë betejë e ka planifikuar, organizuar e udhëhequr Komandanti Legjendar Adem Jashari me pëlqimin dhe me bekimin e shokëve. Dua ta cek se në një pozicion më mua ka qenë Ilaz Kodra, tash dëshmor dhe mund të themi lirshëm se trimëria e këtij burri ka qenë dhe ka mbetur e papërshkrueshme për mua. Te ky djalë Drenice, sypatrembur kam parë një qëndrim burrëror e trimëri të paparë. Pra, planin operativ e ka bërë dhe e ka udhëhequr Adem Jashari dhe ashtu siç e kishte planifikuar mirë, ky aksion përfundoi me sukses dhe doli fitimtar për ne të gjithë. Gjatë gjithë kësaj beteje, nga radhët tona nuk pati asnjë humbje, kurse në anën e forcave armike u shkaktuan humbje të mëdha si në njerëz ashtu edhe në makinerinë e tyre që s’u ndihmoi aspak, bile ne arritëm që t’u rrëmbejmë armatim dhe goxha municion.
D. Fylli: A mund të na i thoni me emra protagonistët e kësaj beteje?
S.GECI:
Fillimisht do të kërkoj falje nëse më shpëton ndonjë emër nga shokët që ishin atë ditë në Betejën e Rezallës së Re, kjo nuk do të thotë se nuk i përmendi qëllimisht, por duhet të më besoni së vërtet kanë kaluar shumë vite e unë nëpër këto kthina të errëta kam vuajtur shumë, prandaj ndodh harresa por jo e qëllimshme. Përpos Komandantit Legjendar Adem Jashari, që unë me plot meritë do ta quaja Prijatar të Luftës Çlirimtare kanë qenë edhe: Mujë Krasniqi, Abedin Rexha, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Jetullah Geci, unë, Tafë Tahiri, Miftar Qerimi, Rrahim Hoxha, Avni Haxha, Ilaz Derguti, Xhevahir Geci, Sejdi Geci, Nuhi Geci, Rushit Vojvoda, Hamit Vojniku, Brahim dhe Afrin Rexha.
D. Fylli: Çka mund të kujtosh rreth organizimit dhe pjesëmarrjes në betejën e radhës në Likoshan që ndodhi më 28 shkurt 1998?
S.GECI
: Në Betejën e Likoshanit kemi shkuar vullnetarisht, jo vetëm unë, por thuajse të gjithë. Unë me bashkëluftëtarët e mi, me vëllain tim Hamdiun, dajë Avni Nurën dhe me Halimin ishim duke u përgatitur për një aksion-sulm mbi postbllokun e policisë serbe në Klinë të Epërme, ky ishte urdhër që ta largojmë atë postbllok nga ai vend dhe posa u nisem me makinë na lajmëroi Jetullahu se në Likoshan po zhvillohen luftime të mëdha dhe se ka lajme se atje ka të vrarë dhe të plagosur, ne pasi që morëm këtë lajm, e thyem udhën dhe shkuam që t’u dalim shokëve në ndihmë.
D. Fylli: Na përshkruaj se si erdhi deri te plagosja juaj në këtë betejë?
S.GECI:
Pasi që ne mbërritëm në Likoshan, menjëherë filluam t’i tërhiqnim të plagosurit nga vija e frontit. Pas një kohe arritëm që t’i largojmë të plagosurit nga zona e luftimeve, pastaj Hamdiu me Halimin mbeten që t’u ndihmojnë të plagosurve, kurse unë me Musë Jasharin u nisem me makinë për ta dërguar Sabit Lladrofcin të mjeku, sepse ishte i plagosur rëndë. Posa e kemi marrë Sabitin dhe jemi nisur me makinë, policia serbe na kan vërejtur, kanë lajmëruar ekipin nga ajri dhe menjëherë kanë filluar gjuajtjen nga helikopteri. Prej Likoshani deri në Prellofc, nga helikopteri nuk janë ndalur të shtënat në drejtim tonin dhe ne tre u plagosem shumë rëndë. Me gjithë insistimin e policisë serbe që të na kapin të gjallë, falë ndihmës dhe pushkës së Komandantit Legjendar Adem Jashari, Nuredin Lushtakut, Rifat Mëziut e Ilir Lushtakut, të cilët pandërprerë gjuanin në drejtim të helikopterit, ai u detyrua të tërhiqet dhe ne shpëtuam pa rënë në dorë të armikut.
D. Fylli: Që nga fillimi i kësaj interviste e deri tash disa herë i keni falënderuar shokët e pushkës, në veçanti Komandantin Legjendar, pse e thua këtë kur shokët e tu pak janë kujdesur për ty? Në fakt cilët janë shokët tuaj?
S.GECI:
Thënë të drejtën për Komandantin Legjendar nuk mund të flas unë më mirë se historia që ka folur, po flet e do të vazhdojë të flasë për heroizmin e tij, kurse për shokët tjerë (të gjallët), nuk e kam humbur respektin dhe derisa të jam gjallë do t’i falënderoj për kohën e luftës së lavdishme çlirimtare, pavarësisht se ata nuk janë kujdesur sa duhet për mua. Kurse cilët ishin shokët e mi nuk dua t’i përmendi me emra, sepse mund t’i shkojnë në vesh ndonjë prokurori emrat e tyre e pastaj… Zoti e di se çfarë mund të ndodhë me ta, sepse unë e kam thënë edhe më herët se këtu në Kosovë nuk ka drejtësi. Aty ku nga “drejtësia” shkelet ligji, mund të ndodhë gjithçka, prandaj respekt për të gjithë ata që e morën armën në dorë për ta çliruar vendin nga okupatori serb.
Burgun e Dubravës e kujtojmë si shtëpi tmerri
E para, ajo që ndodhi brenda këtij burgu ishte masakra e vitit 1999 nga forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe, ku në mënyrën më çnjerëzore ua morën jetën afro 190 të burgosurve shqiptarë. Veprimet e tyre çnjerëzore shkuan deri aty sa shumicën e këtyre të burgosurve i patën lënë të plagosur e pa ndihmë mjekësore që të vdisnin nëpër puseta e nëpër qoshe të pavijoneve. Për këtë ngjarje të tmerrshme nuk dua të flas, sepse është folur e shkruar aq shumë sa që unë me këtë rast do të isha kopje e ndonjë shkrimi të deritanishëm, por ama nuk mund të mos i shtroj pyetje vetes dhe të tjerëve.
Çka ndodhi dhe çka po ngjet me fatin e veprimtarit të çështjes kombëtare Ukshin Hoti?!
E dyta, një tragjedi e tmerrshme ndodhi më 4 shtator 2003 në këtë shtëpi tmerri, por për ndryshim nga ajo e para, këtë ngjarje e nxiten disa të huaj të cilët nuk ishin dhe nuk janë hiq më të mirë se ata që ikën turpshëm nga ky vend. Ata ishin ndërkombëtarët e unmikistanit, të cilëve punën ua kryenin gardianet stupcaxhi që unë nuk mund t’i quaj shqiptar, por vetëm shqipfolës me gjak të përzier. Edhe kësaj radhe, si për inat ua morën jetën 5 të burgosurve dhe i lënduan rënd hiq më pak se 170 të tjerë. Këtë akt kriminal e kryen me mjete-stupca, të cilat ua kishte lënë amanet regjimi i kaluar serb. Për çudi, edhe kësaj radhe numri i të dëmtuarve po i afrohej atij që ishte bërë në vitin 1999 nga kriminelë serbë. Sa i përket çështjes së burgosjeve e shumë padrejtësive që po ndodhin tash e sa vite pas përfundimit të luftës, kemi biseduar e do të bisedojmë edhe më shumë se kaq, do të lexojmë e do të shkruajmë e nuk do të ndalemi duke nxjerr në shesh shumë fakte e argumente, të cilat do t’ua ulin kokën të gjithë atyre që po shkelin mbi ligjin, por në këtë vazhdim do të zhvendosim bisedën shumë kohë para fillimit të luftës, do të kalojmë nëpër kohën e luftës dhe prapë do të kthehemi të lufta për liri në liri.
D. Fylli: Qysh në fillim të luftës frontale me forcat serbe ishit plagosur rëndë, thuajse mbetet i palëvizshëm, a na thoni si dhe sa zgjati shërimi juaj gjatë kohës së luftës?
S.GECI:
Po, unë u plagosa më 28 shkurt 1998 në Betejën e Likoshanit. Si dhe qysh jam plagosur ua thash më herët. Edhe pse unë isha pa vetëdije, për shkak të plagëve të rënda, shokët me morën dhe me dërguan në Ticë, aty më është dhënë ndihmë mjekësore dhe trajtim adekuat, kuptohet me ato kushte që lejonin rrethanat e asaj kohe. Bashkë me mua ishin edhe Musë Jashari e Sabit Lladrofci, ku kemi qëndruar afro 45 ditë nën përkujdesjen e Dr. Fadil Bekës, i cili për asnjë moment nuk na u është ndarë. Ai ka dhënë maksimumin për shërimin tonë, prapë po e potencoj me ato kushte që ekzistonin në atë kohë.
D. Fylli: Pastaj nga Tica, gjegjësisht nga oda e dr. Fadilit, ku ju dërguan për trajtim mjekësor?
S.GECI:
Pasi që luftimet shtoheshin dita-ditës dhe nevoja shtrohej për një spital ku do të mund të kryheshin edhe operacione, atëherë u themelua Spitali i parë ushtarak në Likofc, ne na transferuan atje për trajtim të mëtutjeshëm. Aty në Spitalin e Likofcit, pas disa ditësh e sollën të plagosur rëndë edhe Komandant Mujë Krasniqin, i cili më mërziti tej mase kur e pashë të plagosur një trim siç ishte Kapuçi. Unë kam qëndruar në Spitalin Ushtarak të Likofcit 6 muaj. Aty më janë bërë dy operacione. Herën e parë më ka operuar dr. Sami Beqiri, kurse pas një kohe jo të gjatë, më kanë operuar për të dytën herë, operacioni ka zgjatur hiq më pak se 8 orë. Ekipi mjekësor që kanë marrë pjesë në operacion kanë qenë: Dr. Shpëtim Robaj, anesteziolog, dhe ortopedet dr. Cenë Bytyqi e dr. Arben Grazhdani, kurse motra Rabë Aliu së bashku me dr. Fadilin u kanë ndihmuar ekipit të mjekëve.
D. Fylli: Z. Sabit, a mund të na i thoni emrat e mjekëve që kanë shërbyer në Spitalin Ushtarak të Likofcit, apo të paktën ata që sipas nevoje kanë ardhur kohë pas kohe?
S.GECI:
Ti gjithherë po kërkon emra, unë edhe mund të mos i kujtoj të gjithë e pastaj më vjen keq prej tyre, por gjithsesi unë do t’i përmend emrat e atyre që më kujtohen, gjithmonë duke kërkuar falje nëse më shpëton ndonjë. Mjekët që nuk kursyen asgjë nga vetja për t’i dalë në ndihmë të plagosurve në Zonat e luftës ishin: Dr. Fadil Beka, i cili asnjëherë nuk është larguar nga të plagosurit, Dr. Hysen Hyseni, Dr. Bajram Rexhepi, i cili është përkujdesur për shërimin tim edhe në vitin 1989, Dr. Sami Gjoka, Dr. Ali Zatriqi, Dr. Faton Morina, Dr. Sebadin Jaha, Dr. Bajram koci, Dr. Nehat Baftiu, Dr. Ymer Aliu, i cili për një ditë i ka bërë 18 operacione, Dr. Arben Grazhdani, Dr. Cen Bytyqi, motra Rabe Aliu si dhe shumë Motra medicinave e teknik medicinal që sot e gjithmonë shprehi respekt e konsideratë të thellë për ta dhe për kontributin e tyre.
D. Fylli: Sa zgjati shërimi juaj në atë kohë?
S.GECI:
Shërimi im po zgjat edhe sot e asaj dite, bile edhe nuk po i duket fundi. Këtë po e them, sepse kështu po tregojnë mjekët.
D. Fylli: Realisht sa plagë keni?
S.GECI:
Pak e shumë këto plagë më lanë që nga ajo kohë nëpër spitale e nëpër burgje. Së pari kam tre plumba në mushkëri, plagë në këmbën e majtë e cila më mbeti më e shkurtër për 5 cm. Një tentativë e kam të këputur fare, tetë bri i kam të thyera, e shumë lëndime tjera që nuk do t’i numëroj, që të gjitha këto plagë i kam marrë nëpër beteja.
D. Fylli: Ju edhe pse në gjendje jo të mirë shëndetësore, nuk u ndaluat dot që të merrni pjesë nëpër beteja. A mund të na i thoni disa prej tyre?
S.GECI:
Thënë të drejtën nuk kishte më vështir se sa me i pa shokët që niseshin për në front e unë i shtrirë në spital, disa herë, kur e ndjeja veten më mirë shkoja edhe unë. Më kujtohet Beteja në Bardh të Madh, ku isha me Xhevahirin, me Bekim Berishën, me Komandant Fehmi Lladrofcin e me disa shokë tjerë. Aty edhe pse me plagë të pashëruara, mora plagë të reja. Pastaj kam marrë pjesë edhe në beteja tjera si në Rahovec, në Llapushnik, në Rezallë e në disa vende tjera, që për mua kanë mbetur të paharruara për jetë e mot.
D. Fylli: Tash po duket qartë se ende nuk jeni i shëruar nga plagët që i keni marr nëpër beteja. Ҫka mund të na thoni për përkujdesjen mjekësore dhe për mjekët që u përkujdesen për shëndetin tënd pas lufte?
S.GECI:
Po, është e vërtet se ende po vuaj nga plagët e marra gjatë luftës dhe si po duket as nuk do të kanë të ndalur këto vuajtje. Unë do t’i falënderoja të gjithë mjekët që janë përkujdesur për shëndetin tim tash e sa vite pas lufte, duke filluar nga ata që shërbejnë në burgun e Dubravës e deri të këta që sot janë në QKUK.
D. Fylli: Unë po e kuptoj sinqeritetin tënd, por unë kur filluam këtë intervistë të pyeta drejt dhe të thash se do të flasim shul shqip, prandaj edhe dua të dëgjoj nga ti, kush janë ata mjekë që po përkujdeseshin e po vazhdojnë të përkujdesen për shëndetin tënd?
S.GECI:
Unë nuk është që nuk dua t’i përmendi, por ata mund të ma shohin sherrin, sepse do të jenë pastaj në shënjestër të euleksianëve, ashtu siç ishin në shënjestër të unmikianëve.
D. Fylli: Kësaj nuk i thonë shul shqip!
S.GECI:
Pasi po insiston do t’i them. Në Burgun e Dubravës janë përkujdesur për mua dhe vazhdojnë këtë përkujdesje ndaj meje e plagëve të mija ende të pa shëruara janë dhe vlen të falënderohen dr. Milazim Gjoci, dr. Nexhip Shatri, dr. Nusret Pepa dhe i gjithë stafi mjekësor që treguan kujdes të jashtëzakonshëm për shëndetin tim.
D. Fylli: Unë po i vërej edhe këtu në Qendrën Klinike në Prishtinë shqetësimet e mjekëve. Çka mund të na thoni për këta doktorë, si po sillen me ty?
S.GECI:
Këta jo që janë të shqetësuar, por po më duket se po i ndjejnë dhimbjet e mia. Këtu duhet falënderuar të gjithë me rend, por unë do t’i përmendi disa nga mjekët që për mua kanë konsideratë të veçantë. Unë shpreh mirënjohje për dr. Bujar Kastratin, dr. Nehat Halilajn, dr. Nehat Baftiun, i cili me shikon me sy të maleve, dr. Armend Gërveshi, dr. Bedri Zaiti, Kardiologun Dr. Irfan Daullxhiun, Një respekt të veçantë për të gjithë doktorët e Kirurgjisë Vaskulare, të cilët ma shpëtuan këmbën pa amputim si: Dr. Daut Cejku, Dr. Valbona Gashi, Dr. Hajriz Rudari, Eshref Osmani, Dr. Hysni Arifi, si dhe ortopedët; Dr. Cenë Bytyqi, Dr. Arben Tolaj, Dr. Faton Morina, Dr. Arben Grazhdani e shumë të tjerë që janë në mendjen time e nuk do t’ua harroj këtë për jetë e mot.
* * *
Bisedën me Sabitin na ndërprenë thirrjet e një ekipi euleksian, që e donin Sabit Gecin në dhomën e tij për disa pyetje. Ai mori një dozë nervozizmi dhe shkoi për t’ua parë fytyrat e tyre, e unë mbeta duke shikuar pas se si një invalid i luftës keqtrajtohet në këso forma të pakuptimta. Shpresoj që kësaj radhe të mos ndodhë të pjellë ndonjë kalë shale. Eh, këtu në Kosovë, siç e thotë edhe vet Sabiti ndodhin edhe këto lloj gjërash. Kështu nuk është dashtë të ishte, por ja që ndodhin edhe këso gjërash që as kanë fillim e as nuk u duket fundi i fillimit, por gjithsesi janë gjera të turpit unmikianoeuleksian me argatët e tyre shqipfolës hiq më pak se me një milion fytyra.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura