MYZEJEN MYFTARI: KOSOVA NË KUJTIMET E BREZIT TIM

Londër, 11. 03. 2014 – Brezi im, ai para dhe pas meje, kemi dhe njëkohësisht nuk kemi shumë për të treguar për Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare, jashtë kufijve të Shqipërisë. Megjithatë, unë do të mundohem të tregoj se si janë memorizuar Kosova dhe trevat e tjera shqiptare, në ndërgjegjen e shqiptarëve, brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Kujtimet e mia nuk kanë të bëjnë me politikën që ka ndjekur shteti, por me ndjenjat e bashkëkombësve të mi. Edhe pse kishim mësuar shumë për trimërinë dhe bëmat e shqiptarëve, për Lidhjen e Prizrenit, për Isa Boletinin e Azem Bejtën, shumë pak na ishte thënë për masakrat që serbët dhe malazezët kishin bërë, në vazhdimësi, në këto treva. Këto masakra përmendeshin shumë përciptazi dhe kujtoheshin, vetëm në ndonjë pjesë teatrale që vihej në skenë, kryesisht nga trupat e teatrove të qyteteve të ndryshme.
Për Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore, nuk flitej pothuajse fare. Thjeshtë, dihej se Kosova ishte tokë shqiptare dhe banohej nga shqiptarë, me të cilët kishim një gjak, një gjuhë dhe ishim një komb dhe… kaq. Kultura e shqiptarëve të Kosovës, në Shqipëri pasqyrohej vetëm nga një program javor 30-minutësh, përmes emisionit muzikor “Këngë Popullore të Kosovës”, që transmetohej çdo të shtunë, në TVSH. Këngëtarë si Nexhmije Pagarusha, Luan Hajra, Shpresa Berisha etj., ishin të preferuarit e shumë e shumë teleshikuesve, që e prisnin me ëndje këtë emision.

 U desh të vinte viti 1981, me demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës, që TVSH’ja të transmetonte, për herë të parë, realitetin e Kosovës dhe, si për ironi, ky realitet merrej nga pamjet që transmetonte RAI’1, apo kanale të tjera televizive italiane.
Tashmë që opinioni botëror po ngrinte zërin për dhunën që po ndodhte në Kosovë, vetëm atëherë shteti shqiptar po kujtohej se paska shqiptarë dhe jashtë kufijve shtetërorë dhe se, duhet të sensibilizohet opinioni i brendshëm, për vëllezërit e tyre, në këto vise.
Banorët e Shqipërisë së atyre viteve, kalonin një gjendje ekonomike tejet të mjerueshme. Edhe pse njerëzit ishin “të lumtur” në shtetin socialist, radhët e gjata e të pafundme para dyqaneve ushqimore, bulmetit apo bukës, pasqyronin në fytyrë lodhjen dhe dhimbjen e brendshme të këtyre njerëzve “të lumtur”. Televizioni ishte ende një mjet luksi në ato vite dhe mungonte në pjesën dërrmuese të popullsisë. Në këto kushte, njerëzit grupoheshin në disa shtëpi të lagjes apo fshatit, për të ndjekur bashkërisht emisionet e TVSH’së, kanali i vetëm televiziv në Shqipëri, i cili transmetonte nga ora 18:00 deri në orën 23:00, ndonjëherë deri në 23:30.
Nga këto vite më ka mbetur në kujtesë se si shtëpia jonë, e cila kishte një dhomë të vetme, nuk i nxinte të gjithë fqinjët që vinin për të ndjekur ndonjë edicion lajmesh, ndonjë film me Tarzanin apo ndonjë ndeshje futbolli. Në këto kushte, babai e vendoste televizorin në dritaren e dhomës, që shikonte nga oborri i shtëpisë dhe të gjithë uleshin në oborr, në karrigen që e merrte secili me vete. Problemi më i madh ishte në dimër, sepse bënte ftohtë dhe nuk mund të praktikohej ulja në oborr. Atëherë, dhoma jonë e gjumit, mbushej plot me njerëz, të cilët uleshin kudo dhe, ne na duhej të prisnim derisa të mbaronte programi i televizorit, për të ngrënë e për të fjetur.
Në këto kushte ishte Shqipëria, kur për herë të parë u dëgjua zëri i studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe greva e minatorëve të Trepçës. Ditët e këtyre ngjarjeve ishin të dhimbshme për të gjithë. Trysnia e fqinjëve, që shikonin lajmet, ishte shumë më e madhe. Kanë mbetur të skalitura në kujtesën time prej fëmije, dhimbja dhe trishtimi që shfaqej në fytyrat e njerëzve. Ishte vërtet e dhimbshme, teksa shikoje se si burrat qëndronin të tendosur, një hije e zezë u kishte rënë në fytyrat e tyre, hidhërimi kishte mbërthyer fytin dhe nuk i linte të flisnin apo komentonin gjatë. Pothuajse të gjithë përsëritnin fjalët “Qeni serb… E shoftë Zoti, e shoftë” dhe dukej se nuk i mbante vendi. Lotët që rridhnin nga sytë e grave dhe të fëmijëve, e rëndonin edhe më shumë momentin. Çdo shkop gome që binte mbi studentët, dukej se godiste ata të cilët qëndronin para ekranit, duke shikuar me dhimbje në shpirt, se si trajtoheshin vëllezërit e tyre në Kosovë. Ata studentë që qëndronin në spital të helmuar, dukej se ishin aty pranë nesh, siç i ndjenim para vetes kufomat e atyre djemve dhe vajzave, që nën dhunën e tankeve serbe, humbën jetën, në lule të rinisë. Nënat qanin me zë, thua se po numëronin ligjet, në një varrim të përbashkët. Zëri i brendshëm i thirrjes së gjakut të njëjtë, ishte më i fuqishëm se sa ndarja që i ishte imponuar shqiptarëve, nëpër vite. Ky zë nuk njihte kufij. Ai ngrihej me aq forcë, sa që kapërcente çdo pengesë dhe vinte e zinte vend aty, në pjesën tjetër të zemrës së shqiptarëve, brenda kufijve të shtetit amë.
Është vërtetë për të qarë e për të qeshur njëkohësisht, kur kujton se si në atë kohë, në programin mësimor të shkollave, në Shqipëri, u shtuan pesë orë mësimi, për tokat shqiptare jashtë kufijve. Këto pesë orë mësimi përfshinin gjeografinë dhe historinë e asaj pjese të shkëputur të trojeve shqiptare.
– Pesë orë mësimi?!
– A mjaftojnë pesë orë, për të mësuar historinë dhe gjeografinë e degës së shkëputur nga trungu amë?
A mjaftojnë pesë orë, për t’u mësuar shqiptarëve, se gjysma e zemrës së tyre që ndodhet jashtë kufijve, ka këtë apo atë histori?!
– A mjaftojnë pesë orë mësimi, për t’u mësuar shqiptarëve se gjysma e shqiponjës së flamurit të tyre, jeton në këto apo ato fusha e shkrepa?!
Askush nuk u kujdes të trashëgonte lidhjen e gjakut, të gjuhës dhe dashurinë ndërmjet vëllezërve. Ajo jetoi në zemrën e çdo shqiptari, e trashëguar nga lindja e tyre, si pjesë e qenies dhe jetës së tyre. Edhe pse lidhja ndërmjet shqiptarëve u masakrua në këtë mënyrë, ajo mbijetoi, ashtu si mbijetoi kombi ynë, ndaj çdo dhune e masakre. Edhe pse të huajt na vranë, na prenë e masakruan, edhe pse gjaku i bijve më të mirë shqiptarë njomi tokën mëmë, askush dhe asnjëherë nuk mundi ta vrasë kurrë shpirtin e lirisë, dashurisë dhe vëllazërisë së shqiptarëve, për njëri-tjetrin.
* * *
Vitet kaluan dhe historia shkroi faqe të shumta për shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Histori të ndryshme në dukje, por të njëjta në thelb. Kështu do të vinte viti 1998 dhe unë do të isha përsëri dëshmitare okulare, e lidhjes së gjakut të kombit tim. Masakrat e reja të serbëve në Kosovë do të më gjenin përsëri në qytetin tim të lindjes, në Tiranë, ku sapo isha kthyer nga studimet. Ngjarjet do të përsëriteshin, me të vetmin ndryshim, se kësaj radhe dhimbjen nuk do ta përjetoja më nëpërmjet ekranit të vogël të televizorit, por do të bëhesha edhe unë pjesë e saj. Karvanët e pafund të shqiptarëve që hynin nga Kosova, ditë e natë, të cilët, të detyruar nga dhuna dhe masakrat e papërshkruara serbe, lanë vatrat e tyre dhe lëvizën, kryesisht drejt tokave të tjera shqiptare, në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi, e gjetën Shqipërinë të papërgatitur për këtë dyndje. Shqipëria, që ende përjetonte krizën e rëndë ekonomike, të shkaktuar nga sistemi financiar piramidal, me vetëvrasjet e shumta apo krizat e rënda psikologjike, të atyre që patën humbur çdo pasuri, nuk ishte në gjendje të siguronte as bukën e përditshme. Familje të shumta binin e ngriheshin të uritura. Të rinjtë, në mënyrat nga më të ndryshmet, u drejtoheshin kufijve, për të siguruar bukën e gojës, jashtë vendit. Nënat shamizeza, ende nuk i kishin fshirë lotët e marsit të vitit 1997, apo atyre ngjarjeve që shkaktoi kaosi i mëvonshëm. Mungesat e gjata të dritave dhe të ujit, e bënin edhe më të rëndë jetën e përditshme.
Në këto kushte e gjetën shqiptarët e Kosovës, Shqipërinë, vendin aq shumë të ëndërruar prej tyre. Ai imazhi i “popullit të lumtur”, që TVSH’ja apo Radio Tirana, kishin propaganduar për vite e vite, u shemb para syve të tyre, ashtu siç shembet shtëpia e ngritur nga puplat, sapo frynë një puhizë e lehtë. Tashmë shqiptarët e Kosovës po shihnin të vërtetën lakuriq, pa ngjyrat e retushit socialist. Me gjithë këto kushte, tejet të vështira, shqiptarët edhe një herë i treguan botës se dashuria për vëllain, edhe pse larg dhe të ndarë, trashëgohet në gjen. Ajo lind, bashkë me njeriun. Edhe nëse nuk t’a mëkojnë që në fëmijëri, ajo prapë fle e heshtur brenda teje, për t’u zgjuar në një moment të caktuar, atëherë kur plaga që ka zënë cipë, gërvishtet dhe fillon të dhembë.
Nuk ka se si të mos emocionohesh, kur kujton ato mijëra e mijëra familje shqiptare që hapën zemrat dhe dyert e shtëpive për vëllezërit e tyre, të ardhur nga Kosova. Shqiptarët e Shqipërisë, jetonin në kushte shumë të mjerueshme, në një sipërfaqe të pamjaftueshme për vetë familjen e tyre, në shtëpi të përbëra nga një dhomë e një kuzhinë, e ndonjë që kishte fat, kishte dy dhoma. Edhe pse në ngushticë, këtë sipërfaqe të pakët e ndanë me vëllezërit dhe motrat e tyre të Kosovës. Shqiptarët e këtej kufirit nuk kishin bukë në shtëpi për fëmijët e tyre, por atë kafshatë të vetme që u ndodhej në magje, e ndanë përgjysmë. Njerëzit i shihje të preokupuar, ku secili dëshironte të afronte, qoftë dhe ndonjë ndihmë sado të vogël, për vëllezërit e Kosovës.
Në atë kohë punoja në KMSH, si nënkryetare e Departamentit të Gruas. Grupi ynë ishte ngarkuar të monitoronte gjendjen e të ardhurve që ishin vendosur në pronat vakëf, të komunitetit Mysliman, veçanërisht gjendjen e femrave, të cilat ishin bërë objekt i dhunës dhe përdhunimeve çnjerëzore nga serbët. Medreseja e Tiranës, ku edhe jepja mësim, e kishte humbur nocionin e të qenit shkollë. Ambientet e saj ishin mbushur plot me të ardhur. Orari i punës fillonte në mëngjes herët dhe nuk dihej se kur mbaronte. Mëngjesi na gjente në ambientet ku ishin vendosur të ardhurit, ndërsa mbrëmja në shtëpitë që kishin strehuar familje të shqiptarëve të Kosovës. Angazhimi më i madh ishte në përkujdesjen për gratë dhe fëmijët, për sigurimin e ushqimit dhe të ardhurve për të zotët e shtëpive që strehonin të ardhurit nga Kosova. Dihet mirë se, asnjë familje shqiptare, nuk mund të përballonte jetesën për vete e jo më të siguronte ushqim për ata që kishte strehuar. Lot, dhimbje, përkushtim dhe dashuri përcillte çdo zemër shqiptari. Kështu, krah për krah, të mbështetur tek njëri tjetri, ka mbijetuar shqiptari në shekuj.
Djemtë shqiptarë të këtej kufijve, ashtu si vëllezërit e tyre të Kosovës, një shekull më parë, nuk e kursyen gjakun, por u rreshtuan së bashku, krah përkrah, në mbrojtje të tokës arbërore dhe të nderit të shqiptarit. Gjaku i gjeneralit të tri luftërave, Tahir Sinanit, dhe shokëve të tij, i derdhur në mbrojtje të tokave shqiptare në Kosovë, tregoi edhe njëherë se e vërteta dhe historia janë më kryeneçe se të gjithë ata që kërkojnë ta mohojnë apo zbehin këtë realitet. Edhe një herë shqiptarët habitën botën, me vëllazërimin e tyre. Edhe një herë, gjaku shqiptar, tregoi se çfarëdo që të mundohen të na bëjnë armiqtë e kombit tonë, nuk do të mund ta ndajnë shqiponjën e flamurit. Edhe pse, tani së fundi, e kanë imponuar heqjen e këtij simboli të shqiptarisë nga flamuri i Kosovës, ajo jeton dhe do të jetojë në jetë të jetëve, në zemrën e çdo shqiptari.
* * *
Kombi nuk njeh kufij dhe politika. Popullit dhe ndjenjës së tij kombëtare, nuk mund t’i imponohesh. Këtë e tregoi qartë 17 shkurti i vitit 2008. Mbarë shqiptarët, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë, në mërgim e kudo ku u ndodhën nëpër botë, festuan të gjithë së bashku, si një trup i vetëm, ditën e ëndërruar prej shekujsh, Pavarësinë e Kosovës.
E gjithë Shqipëria u derdh në Tiranë, e cila, ashtu si Prishtina, u skuq nga flamujt kombëtarë dhe u ndriçua nga drita e fishekzjarrëve, në shenjë gëzimi dhe solidariteti. Vlora përjetoi Pavarësinë e saj të Dytë, atë që shqiptarët nuk mundën ta arrinin para një shekulli, më 28 Nëntor 1912. Në rrugën e Kukësit, kurrë më parë nuk kanë kaluar më shumë makina, në një ditë të vetme, si më 17 shkurt. Kurrë ndonjëherë më parë, shqiptarët e Shqipërisë nuk janë ngjitur maleve drejtë Prishtinës, si në këtë ditë. E gjithë Shqipëria, shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi dhe diasporës, me mendje dhe zemër kanë qenë atje, në Kosovë, ku festuan Ditën e Pavarësisë së përbashkët të shqiptarëve.
Edhe pse kemi jetuar të ndarë, kurrë nuk jemi ndier të tillë. E nuk ka se si të mos ndihesh krenar me këtë popull kaq të mrekullueshëm. Kështu, shqiptarët, edhe një herë, u bënë simboli i qëndresës dhe vëllazërisë kombëtare dhe i treguan botës se, lidhja e gjakut, është më e fortë se gjithçka tjetër.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura