Prishtinë, 18. 03. 2014 – (Reagim i KMDLNJ’së) – Më 17 mars 2014 u mbushën 10 vjet nga ngjarjet e 17 marsit 2004 e cila për pasojë kishte 21 të vrarë dhe të mbytur, dhjetra të plagosur rëndë dhe lehtë dhe qindra të lënduar, shumë shtëpi (të serbëve dhe romëve) të djegura dhe të plaçkitura, objekte fetare (kryesisht serbe) të shkatërruara si pasojë e vënies së zjarrit, të plaçkitura dhe të dëmtuara si dhe mijëra qytetarë të Kosovës (kryesisht serbë dhe romë) u detyruan të shpërngulen nga pronat e tyre si pasojë e dhunës dhe pasigurisë. Dhunës i parapriu një gjendje e rëndë ekonomike, pasiguri fizike për qytetarët, moszgjidhja e statusit politik të Kosovës, ndërhyrja e Serbisë në Kosovë e papenguar nga askush dhe oportunizmi si dhe arbitrariteti i misionit ndërkombëtar të instaluar në Kosovë i quajtur UNMIK.
Ngjarjeve i parapriu mbytje e dhunshme e tre fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër të fshatit Çabër pas së cilës sjelljet e dhunshme u përshkallëzuan që prodhuan pasoja të rënda për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Prej të vrarëve 8-të (tetë) ishin serbë ndërsa të tjerët 13 (trembëdhjetë) ishin shqiptarë. Dy shqiptarë, një fëmijë me të meta mentale është shkelur me autoblind në Ferizaj nga ushtarët e KFOR’it grek ndërsa një shqiptar ishte ekzekutuar nga një police e UNMIK’ut në Pejë nga një afërsi prej 2-3 metrash.
– Nga ngjarjet e 17 marsit 2004, në Kosovë –
Pas këtyre ngjarjeve hetimet u zhvilluan vetëm ndaj shqiptarëve që akuzoheshin për vrasjen e serbëve. Disa prej tyre edhe u dënuan me burgim afatgjatë. Ndërkaq, nuk është zhvilluar edhe një hetim i vetëm për vrasjen e shqiptarëve dhe askush nuk është arrestuar apo dënuar për vrasjen e tyre. Ndërkaq, për mbytjen e dhunshme, të 3 (tre) fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër hetimet nga UNMIK’u kanë përfunduar me arsyetimin më fyes dhe më idiotesk të mundur se nuk kanë arritur të gjejnë qenin i cili paska shkaktuar panik te fëmijët që pastaj janë mbytur në këtë lumë.
Paskal Fieski, atëherë ambasador i OSBE’së në Kosovë pati kërcënuar RTK’në me Gjyq për Krime Lufte sikur në Ruanda për shkak se kinse me informim të manipuluar po e nxitë dhunën ndëretnike.
KMDLNj ishte goditur rëndë duke u akuzuar si nxitëse e dhunës për shkak të deklaratave të Halit Baranit nga QR e Mitrovicës i cili pastaj u burgos dhe u mbajtë peng tre ditë nga KFOR’i francez, pasi i ishin marrë materialet e filmuara dhe të tjera. Politika e atëhershme ishte krejtësisht e hutuar dhe e nënshtruar. Duke i vlerësuar këto ngjarje si terroriste dhe kundër paqes dhe stabilitetit si dhe dhunë ekskluzivisht etnike përkatësisht një etnie, asaj serbe.
Që nuk ishte e vërtetë!
Askush nuk pati guxim, as qytetar e as intelektual e lëre më institucional të kërkojë hetime të drejta, të pavarura dhe të pandikuara politikisht për hetimin e të gjitha rasteve dhe për të gjitha viktimat, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare, gjinore, moshore, politike etj., duke mos e paragjykuar fajësinë për këto ngjarje dhe krime pa përfunduar ende hetimet. Fajësia ishte paragjykuar!
Hetimet mbetën të përgjysmuara dhe të motivuara ekskluzivisht në baza etnike. Hetimet u zhvilluan vetëm ndaj shqiptarëve. Që nga aspekti njerëzor, moral, ligjor e sidomos nga aspekti i të drejtave të njeriut ishte dhe mbetet i papranueshëm.
Me rastin e 17 marsit 2004 në të gjitha shkollat serbe në Kosovë me datën 17 mars 2014 u mbajt ora e historisë për nxënësit e të gjitha moshave të përkatësisë serbe ku u shfaq filmi dokumentar “Pogrom” me një përmbajtje e një gjuhë urrejtjeje kundër shqiptarëve të cilëve u adresohej përgjegjësia për vrasjen e serbëve dhe dëmet materiale që iu shkaktuan, ndërsa nuk u tha as edhe një fjalë e vetme për tre fëmijë shqiptarë të mbytur në lumin Ibër si dhe 10 shqiptarë të vrarë nga forcat ndërkombëtare dhe serbët e armatosur. Kjo është gjuhë e urrejtjes e cila nuk kontribuon në qetësimin e situatës dhe afrimin e dy popujve. Kjo është gjuhë e urrejtjes e cila duhet të hetohet nga prokuroria menjëherë.
Për KMDLNj’në është shqetësues fakti se institucionet e Kosovës nuk reaguan fare për këtë film “dokumentar” plot urrejtje si dhe për 1000 fletë të shkruara nga Qeveria e Serbisë të cilin e përdor si material që nxitë urrejtje ndaj shqiptarëve. Nga kjo gjuhë e urrejtjes nuk u distancuan as liderë politikë serbë të Kosovës , as partitë politike serbe e as shoqëria civile e komunitetit serb. Kjo ditë nuk u shënua nga askush në kuptimin e tejkalimit të situatës. Kjo ditë nuk u shënua as nga ndërkombëtarët që monitorojnë marëdhëniet ndëretnike dhe mediat si, OSBE psh. të cilat bëhen shumë të zëshme dhe të zhurshme edhe për incidentet më të vogla ndaj serbëve, ndërsa heshtin kur shpërndarja e urrejtjes nacionale bëhet pjesë e programit mësimor!
KMDLNj kërkon hetime të paanshme, të pavarura dhe të pandikuara politikisht në mënyrë që të hetohen të gjitha rastet kur në mënyrë arbitrare janë vrarë qytetarë të Kosovës, duke mos i ndarë viktimat sipas përkatësisë etnike por duke i trajtuar si viktima. Gjithashtu kërkon përgjegjësi për ata që që kanë urdhëruar krimin, nuk e kanë parandaluar ate apo e kanë ndihmuar. Pavarësisht nga përkatësia kombëtare e tyr dhe postit që e kanë pasur apo që e kanë tash. Nga hetimi nuk duhet të përjashtohen as ndërkombëtarët, sepse ata janë përgjegjës për vrasjen e atyre që kanë protestuar qoftë edhe dhunshëm. Amnistia nga përgjegjësia për krimet të 17 marsit 2004 krijon precedan për krijimin e kushteve për përsëritje, shkaku se mosndëshkueshmëria është leje për vrasje të radhës dhe shkelje të drejtës elementare të njeriut, të drejtës për jetë! Krejt në fund, nëse formohet Tribunali i Dik Martit pse mos të merret edhe me krimet e bëra me 17 mars 2004 apo krimet e bëra në shkurt të vitit 2000!
Behxhet Sh. SHALA, Drejtor Ekzekutiv i KMDLNJ’së
Prishtinë, 18 mars 2014
*******************************
FILMIME ARKIVORE