Pashtriku.org, 24. 03. 2014 – Moikom Zeqo është një nga personalitetet më të mëdha të kulturës sonë kombëtare. Ai ka lindur më 3 qershor 1949, në qytetin e Durrësit. Më 1971 është diplomuar në Universitetin e Tiranës për filologji dhe letërsi, pastaj për histori dhe arkeologji si dhe ka bërë studime pasuniversitare në Romë, në Athinë, dhe në Washington D.C. Ka punuar si redaktor letrar në gazetën “Drita” dhe arkeolog dhe specialist i artit të lashtë pranë Akademisë së Shkencave. Është Doktor i Shkencave dhe mban Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh”. Është autor i rreth 70 librave me poezi, prozë, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numëri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, sërbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht… Është autor i disa ekspozitave vetiake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe. Në vitin 2007, Luljeta Dano, ka zhvilluar një interevistë me Moikom Zeqon, të cilën në vazhdim e sjellim këtu për lexuesit e pashtriku.org.
– Dr.MOIKOM ZEQO –L.DANO: Kryevargu i Poetit.
M.ZEQO: Një Emër Poeti ndaj piramidave poetike që ka ngritur në gjuhën dhe shpirtin e popullit të vet me sinjalin e parë rrufe del nga ndërgjegjja kombëtare me një kryevarg të tij!
Sa themi DE RADA, bie këmbana me kryevargun: Erdhi Dita e Arbrit!
BOGDANI si poeti shqiptar i kozmogonisë: Dheu qiellnë mbëlon, e zjarrminë Deti / Qiellja, Deti, ende Zjarrmi ishte ndë Det.
Sapo themi Naim FRASHËRI shungullima e lashtë dodonase bën hije në kryevargun: O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë!
Ndre MJEDA: Përmbi za që lshon bilbili/ gjuha shqipe më shungullon!
Fan NOLI: Pranë sofrës i pangrënë! / Pranë dijes i panxënë! (nga poemthi: Anës lumenjve)!
Lasgush PORADECI është bërë nositi: Me zjarr ju flas… me zjarr / Në gjirin tim kam hapur varrë / Që t’ju jap shpresë edhe t’ju marrë.
MIGJENI: Kafshatë që s’kapërdihet është o vlla, mjerimi!
Dritëro AGOLLI: O Toka ime! O Kënga ime! (si edhe poema: Nënë Shqipëri)!
Nga Ismail KADARE dy vargje të thjeshta të një poezie të vogël parakalojnë poemat e mëdha të tij dhe temat e tjera epokale: Jetojmë të dy në një qytet / Dhe rrallë shihemi sa rrallë.
Duke marrë në dorë tre përmbledhjet voluminoze poetike të autorit Moikom ZEQO Miscellanea I (poezi 1964-1989); Miscellanea II (poezi 1989-1995); miscellanea III (poezi 1995-2000); ndërsa Miscellanea IV (poezi 2000-2005) është në proces përgatitor botimi; dhe duke lexuar me të njëjtën ëndje si vjershëzat kuintesenca të tij me një apo dy radhë, qoftë poemat e gjithçka tjetër që jep pena e tij, nuk gjej dot fjalë më të saktë për fenomenin Moikom ZEQO në bibliotekën shqiptare, veç asaj që e ka qëlluar në shenjë shpirtndrituri Frederik RRESHPJA: TRAKTAT! Gjinia unike ku Moikom ZEQO sjell një vepër të madhe në jetën kulturore e shkencore të shqiptarëve është Traktati, gjinia e çmuar e foltoreve të iluminizmit dhe ringjalljes shpirtërore! Sa për kryevargun që po kërkoj në përzgjedhjen poetike të këtij personaliteti të gjithanshëm, ajo gjendet në tërë veprat e botuara nga Moikom ZEQO e në pjesëmarrjen e tij publicitare për temat e nxehta të ditës në mbrojtje të njerëzve dhe të pasurive shqiptare!
Në çdo kryefjalë mendimi shkruar nga Moikom ZEQO, (ndonëse thotë që është ateist, ose të paktën agnosticist), i drejtohet Zotit, madje nuk e ngop thirrorja një herë, por i drejtohet në trajtë të dyfishtë: Zotit, Zotit, ndërkohë që shkrimtaria e tij rrëfehet se hyn edhe në ato zona që nuk janë më për njerëzit, por për inteligjenca më superiore!
L.DANO: Moikom Zeqo pas Bogdanit, përtërin kujtesën kozmogonike në trajtë gjithëpërfshirëse
M.ZEQO: Kritikut të mirënjohur Josif Papagjoni, leximi nga autori Moikom ZEQO i shkakton tornado: Enciklopedi lëvizëse! Vështrimgjerë… Një monolog murgu mes librash në pergamenë! Një dekodues zodiakal!… Një Akil! Urtan! I quajtur edhe me disa emra nga kritika që kanë lidhje
me kështjellarin e fundit, me misionarin e fundit: Templari i fundit, I fundmi i Mohikanëve, Rilindasi i fundit! mesa duket ka ndodhur një përbetim i dashurisë universale në ndërgjegjen krijuese të poetit për t’i shkaktuar lexuesit një lexim tërëshqisor: Te shkëmbinjtë e puthitur vetëm një dëshirë titanike, universshpërthyese mund të hapet si dritare!
Si shije leximi them se, librat e këtij autori janë libra shëtitës nëpër vargun e madhërishëm të Migjenit: Rrotullohet rruzullimi dhe nëpër sfera të hapshë! Në veprën e botuar të Migjenit, ky varg është konsideruar i pazbërthyeshëm dhe është zëvendësuar me një të lehtë! Pse Shekspiri është njerëzimi që ka gëlltitur vetveten! një tjetër varg heliogramatik nga M.Z.! dhe sepse e pashmangshme është: Njeriu dhe Poezia përplasen si një hark elektrik./ Nga ky hark pikon gjaku i purpurt i planetit.
Zbërthimi estetik i poezisë së Moikomit është sekreti i tij i origjinalitetit. Poezi brenda poezisë. Piktura brenda pikturës.
Kritiku i njohur prof. Nehat Sopaj ka bërë një studim të parë në këtë rrafsh përcaktues. Moikomi si poet është i ndërlikuar. Në vështrim të parë duket se poezia e tij nuk ka lidhje me traditën vijuese shqiptare, por në optikën kozmopolitie ai modelon individualitetin e padyshimtë shqiptar dhe këtu kemi zbërthimin e një paradoksi. Kjo është një përpjekje e guximshme, por dhe e kushtueshme për të. Është ndoshta e vetmja atu integrimi në letërsinë globale. Të përthithësh arritjet më të fundit të poezisë botërore do të thotë njëkohësisht të lartësosh, jo pamundim statusin më të lartë të poezisë shqipe, në një shkrirje absolutisht të vështirë dhe gati të pamundur. Të mos harrojmë që sot flitet për krizën e poezisë dhe madje, edhe për vdekjen e saj në hiçkulturën e botës globaliste.
Paradoksi i natyrshëm i një potence të tillë krijuese si fenomeni Moikom e bën atë të shpërthejë një simfoni të titulluar Gjëmoni me pesë puntata: Gjëmoni ujëra të mëdha! Gjëmoni dete të mëdha! Gjëmoni pyje të mëdhenj! Gjëmoni lumenj të mëdhenj! Gjëmoni brigje të mëdha! Ata që dinë pak ia kalojnë mirë! Ata që dinë mjaftueshëm edhe më mirë! Frikë e dhembje kozmike për gjëra që nuk dinë, që nuk kanë prekur, që nuk kanë parë dhe që nuk kanë thënë, kanë vetëm personazhet tepër të rrallë borgesianë si Moikom ZEQO që ka ndërtuar me punën, njohjen dhe diturinë tunele teletransportesh tejendanë kulturave të globit, ku së fundi dorëzohet në një varg: Ylberi është tagër shkrimi për ato që nuk thashë asnjëherë! dhe pikëllimi i tij do të mbetet i llojit: Koka ime e paditur me Universin aureolë; Jam edhe kalëfolës, edhe mushkonjëfolës; Grifon i njeriut!
Unë jam një nga lexuesit më të mirë të veprës së botuar prej tij, por duket se në garën edhe me lexuesin më të mirë, më shpejt shkruan Moikom ZEQO një libër të ri, sesa ka mbaruar lexuesi librin e porsadalë nga shtypi. Dhe kjo është njera anë e medaljes, ana tjetër, duke iu referuar disa prej veprave esseistike, poetike, shkencore të dhjetëvjeçarit të fundit: Kështu foli Mona Liza, Grishja e Florimontit, Hieroglif i fluturave dragonj, Miscellanea 1, Miscellanea 2, Miscellanea 3, Shtatë ditë të rikrijimit të Amerikës, Syri i tretë, Himara pa eklips, Panteoni ilir, etj etj. mbi shtatëdhjetë libra të botuar, procesi shndërrohet në fenomenin MOIKOM ZEQO, Mjeshtër i ditës në Bibliotekën Shqiptare!
Lindur në Durrës dhe arkeolog i qytetit të tij, Moikim ZEQO u ka dhënë një gjë të munguar hulumtimeve në botën shkencore përkundruall librave të ftohtë të kolegëve akademikë, u ka dhënë shpejtësinë e sintezës që ushtrohet mjaft mirë kur njeh edhe mjeshtërinë e metaforave. Kurse librave poetikë u ka dhënë si një formulë të fshehtë gatimi kodet pindarike! Me një dëshirë të paepur që njerëzit ta njohin e ta duan Durrësin duke mësuar për këtë qytet shekspirian po aq sa Moikomi, ai e thërret Dyrrahun e vjetër, qytet të qyteteve e nuk ndalon duke shkruar për të në gjithë gjinitë e mendimit të cilat udhëhiqen nga shpirti i lirë i këngës. Ky
shkëmb në Currila më fal disa shekuj nga amëshimi i tij që ka rezervë, megjithatë ç’më duhen, ç’më duhen!… Detar i shkrimit mos i shfleto stuhitë e alfabetit!
Moikomi vizaton kujtesën vetiake: Kujtesë e pasosur, një kukuvajkë me sytë e saj bitnikë më heton tërë gjestet, padurimin, madje dhe analizën e urinës time! Kjo kujtesë vetëkozmogonisëse e bën Moikom Zeqon të shkruajë libra? Nuk duken si libra. Ngjajnë me meshën e të dielës, me rapsodinë, me anekdotën e gëzueshme në një darkë të pasur, me një enciklopedi voluminoze që je aq i kënaqur se e ke në bibliotekë, ndonëse ca pjesë të saj do të mbash mend dhe nuk do të arrish dot ta shfletosh faqe më faqe, por vepra do të bëjë jetën e vet prej enciklopedie në bibliotekë. Prej kësaj krijimtarie kupton se dituria, poetika nuk janë ilaç, por janë verë dhe ushqim.
L.DANO: Frederik Rreshpja për Moikom Zeqon
M.ZEQO: Rreshpja, poeti tjetër i filigramave rapsodike analizon më tej: Moikomi është një artist shkencëtar dhe ne të tillë nuk kemi pasur veç ndoshta, Naim Frashërin deri diku… Ka lindur mendimi i përgjithshëm se nga një poezi e Zeqos mund të nxjerrësh 100 vjersha… dhe Rreshpja kundërpyet se a mund të qortohet Moikomi pse nuk i shkroi këto 100 vjersha. Por Moikomi nuk i shkroi 100 poezitë që rrinë varur në një vjershë të vetme të tijën për ta bërë edhe lexuesin pjesëtar të krijimit të vet. Këtë gjë bëri dhe HOMERI. Edhe HESIODI. Dhe të gjithë ata që nuk harrohen më.
Në këtë esse të pazakontë nga F. Rreshpja, është shprehur për herë të parë veçantësia e madhe e origjinalitetit të Moikom Zeqos me po të njëjtin numër kultik: Në vrap e sipër Zeqo të ngjan me një skulptor, që bën punën e njëqind skulptorëve duke vrapuar nga njeri tors në tjetrin, duke hedhur një spatula argjil aty-këtu, duke daltuar diçka, duke bërë rrëmujë dhe duke lënë patjetër diçka përgjysëm në këtë atelie të çuditëshme.
L.DANO: Poeti si vijim i shpirtrave të mëdhenj e të pavdekshëm
M.ZEQO: Është mesi i shekullit XIX në Paris. Rrugëve të këtij kryeqyteti i cili ka një gjë që nuk e kanë kryeqytete të tjerë të botës si Londra, Nju-Jorku, Tokio, Berlini, ecën Viktor HYGO i plakur. Ecën edhe BODLERI i ri dhe e shikon. (Sot të dy këta francezë janë të pavdekshëm, pikërisht të pavdekshëm të tillë ka shumë Parisi që nuk i kanë kryeqytetet e forta të sipërthëna të botës)! I Riu e numëron plakun shtatë herë, si shtatë binjakë dhe ndalet duke u çuditur me veten pse nuk e numëron edhe për të tetën herë e më tej. BODLERI e shkroi poezinë e famshme “Shtatë pleqtë” në tri variante duke lënë një model të pakapërcyeshëm të normave poetike. I shkroi një letër Plakut: “Kam frikë se i kam tejkaluar kufijtë e caktuar për poezinë”! I Riu mori këtë përgjigje: “Ju keni shkuar shumë përpara. Ju i keni dhuruar qiellit të poezisë një rreze kushedi sesa makabre. Ju keni krijuar kështu një emocion të ri, një rrënqethje të re”.
Moikomi shkruan libra dhe mban rregullisht fletore me shënime të cilat në arkivin e tij personal janë një vepër e dytë. I ndërgjegjshëm për çfarë është duke bërë ai duhet të provojë frikën bodleriane si Moikom ZEQO dhe mahnitjen hygoase si Makabe ZAHARIA ndaj krijimit të tij!
Shpesh mjekët – shamanë për të mjekuar një sëmundje të rëndë këndojnë një këngë tepër të dhimbshme. Sëmundja e dhembja janë asosiacione të ngjashme tingëlluese me atë që është jeta e njeriut të kulturës në shoqërinë shqiptare. Kënga e tij Shamane në vitin 1979, është aq kuptimplote për çdo ditë të re që quhet sot:
Një mal ku nuk hipën kurrë njeriu,
Strallin e zbut ngadalë në baltë,
Shqiponjat i zvogëlon sa një trumcak,
Krojet i kthen në stalakmite.
Një det ku nuk qesh asnjë fëmijë i vogël,
Bëhet i pandjeshëm për syrin,
Humb thellësitë, delfinët, yjet,
Avullon i tëri krejt anonim.
Njeriu i prek sendet, u jep emrat,
Mali dyfishohet, deti puth hënën,…
Me një manifest moikomian e shoqëron ai “Kënga e Këngëve e Solomonit”: Në këtë kaos çuditërisht vetëm dashuria është forma e të protestuarit gati gjenetik, dashuria na tërheq drejt kuptimeve, na mbart në fluturim mbi humnerat… Shpesh Shën Grali është identifikuar me Mari Magdalenën që kinse qe martuar dhe kishte bërë fëmijë me Jezu Krishtin të mbijetuar pas kryqëzimit. Madje fëmijët e kësaj lidhjeje të pakanonizuar nga historia ishin ftillesat e familjeve mbretërore evropiane. Në peizazhet më mosbesuese britanike Shën Grali qe një provë drejt vdekjes për të kuptuar substancat e pavdekshme të botëve të tjera. Kabalistët dhe alkimistët shihnin te Shën Grali një projektim të gjetjes së gurit filozofal, apo të kapërcimit në atë gjendje ekstaze njësuese që disa teologë të ndikuar nga budizmi e krahasonin me Nirvanën. Gjithsesi koncepti i Martesës Mistike si një strukturë mesjetare prapë na çon tek Homonculusi i Paracelsit, pra, tek krijimi i një Njeriu Artificial si një qenie universale, pa kufizime… Klonimi do ta tjetërsonte, do ta copëzonte, ose do ta zhdukte fare arsyen e ekzistencës të Këngës së Këngëve. Në çdo libër të botuar nga arkeologu dhe poeti Moikom ZEQO radiografia e fabulës del me këtë moral: Ajo që ka ndodhur në planet qindra e mijëra vjet më parë, si mit a si histori, duke mbetur trashëgimni shpirtërore a materiale e njerëzimit të na shërbejë si mësimpësim, si një akt prometian që vodhi zjarrin për njerëzit te perënditë, bash në kulmin e tensionit kur “kryeperëndia” e gjykon (e kemi marrë të mirëqënë nga gjeologjia dhe fetë se ka ndodhur herëpashere) ta zhdukë këtë njerëzim të zhytur në vese duke e zëvendësuar me një të ri më të mirë, Moikom ZEQO dhe të tjerë shkruajnë. Bota është në krizë. Plasin bomba në Londër, aty ku bota mendon se ka trurin. Goditet Nju-Jorku dhe Uashingtoni me avionë kamikazë dhe në sentimentin ndërkombëtar bie epokë akullnaje. Body Count-i i përditshëm nga Bagdati. Helmimi i metrosë së Tokios. Metonia e të gjitha këtyre ndodh edhe në rutinën e jetës së përditshme të njeriut. Moikom ZEQO ndërton arkitekturën potencialisht superiore të veprës së vet dhe të paravolia e alkimisë ku shndërrohet çdo gjë në ar, sipas gjëzës mbi Syrin: Më një anë të peshores është gishti dhe në anën tjetër thesari që sa më shumë i shton ar aq më i pafund bëhet duke qënë gjithnjë i balancuar me gishtin, por sapo i hedh një grusht dheu thesari bëhet asgjë, hiç; Moikomi kërkon gishtin e lexuesit syhapur tek shfleton dituritë, jo thjesht për kulturë, por sepse kjo botë kaq në kriza ekologjike, shpirtërore, ekonomike, shtron çështje alarmante të ekzistencës e mbijetesës për gjeneratat e reja zëvendësuese duke filluar qysh sot, me ata që sot janë fëmijë.
Një punë kolosale e admirueshme që në kushte ideale do të duhej një grup autorësh të mirë për ta kryer, Moikom ZEQO e bën i vetëm dhe ç’është më e bukura duket se kjo gjë atë e çlodh! “Si frymën time në xham unë i fshij me gishta / njëqind qytetërime dhe utopi parahistorike”. Ai e
ka shumë përzemër historinë fabuloze të Konfucit me gruan që qante sepse tigrat i kishin ngrënë vjerrin, burrin dhe djalin e vetëm. Konfuci i tronditur i thotë se ç’të mban në këtë vend të dhembjes më të epërme, o grua! Rri këtu se në këtë vend nuk ka qeveri shtypëse, përgjigjet gruaja. Moikom ZEQO është akademiku dhe poeti i një vendi të vogël e të varfër, ku pavarësisht fuqive politike dhe rendeve shoqërore në fuqi, Ministria e Kulturës, siç e quan ai, është gjithmonë Hirushja e përrallës. Ajo vjen në shkëlqimin e ballos vetëm për pak dhe në këmbanën e mesnatës bëhet prapë E Përhitura dhe E Arnuara e punëve të shërbëtores. Moikom ZEQO kërkon me temat e shkrimtarisë së tij vëmendjen e duhur për marrjen në mbrojtje të njeriut dhe të pasurive natyrore.
L.DANO: Dy kryengritje poetike në Michellanea
M.ZEQO: Moikom Zeqo beson se poezia është një utopi, se poezia mund të zëvendësojë religjionin për t’i shpëtuar apokalipsit. Ai nuk beson vetëm për veten, ai beson edhe për të tjerët. Substancë e tij poetike është humanizmi i patjetërsuar, ose siç është shprehur poeti në një poezi të tij është ILUMINIZMI I RI. Kjo gjë nuk bëhet pa guxim dhe pa intuitë. Kultura e ka shumëfishuar atë, poetin dhe njëkohësisht e ka profilizuar.
Ai mund të përmendet për “dy kryengritje të tij poetike”.
“Kryengritja I” është poezia e viteve ’70 të shekullit të kaluar, kur Zeqo modeloi një poezi intime konceptuale kundër estradizmit politik dhe barokut të programuar të soc. Realizmit, (term i Oruellit). Nuk është e rastit që kjo poezi u botua tani në Amerikë, në një shtëpi të madhe botuese të Nju-Jorkut: “I don’t belive in the ghosts”. Kritikja amerikane Ingmar Bergman në revistën “New European Wring”, nr.8, 2007, New-Jork, shkruan se: Poezia sfiduese e Moikom Zeqos kundër realizmit socialist është një aksion kundërshtimi dhe mbijetese, si ajo e poetit polak Piott Sommer.
“Kryengritja II” poetike e Moikom Zeqos është kryengritja pas vitit ’91 e gjer më sot, kur liria e krijimit i jep përmasat e vërteta të personalitetit. Për të arritur në këtë pikë kulmore, Moikomi, i vetmi, ka shpikur një sistem figurativ krejt të veçantë të metaforave si palimpseste të ardhura nga kohëra të tjera ku njeriu tejkalon dijen e vetvetes. Nuk njoh deri më sot asnjë poet që të ketë një sistem të tillë figurativ, kaq origjinal e të veçantë. Mund të krahasosh poezitë e Moikom Zeqos se në prozë me ato të Saint- John Persit dhe mund të kuptosh ndryshimin real të sistemit figurativ të shqiptarit dhe atë të francezit. Dritëro Agolli ka thënë diçka të guximshme, kur është shprehur se poezia e Moikomit të kujton Migjenin dhe Traklin. Për mendimin e disa studiuesve seriozë dhe eruditë, guximi i përdorimit të kuptimeve më të holla dhe më të fshehta të fjalëve nga Moikom Zeqo të kujton më shumë Artur Rembonë, si dhe poetin më të madh dhe më modern të ditëve tona Wallace Stevens. Por në këtë kaleidoskop piramidal ku lëvrijnë pasqyrimet për ta krahasuar me të ngjashëm lavdiplotë, bukuria e krijimit moikomian është se buron dhe mbetet vetvetja, duke pasur aftësinë potenciale të lëndës më shumë për të dhënë sesa për të marrë.
Duke i rikthyer gjithkujt: Fjalëzës (E rrezikëshme, e rrezikëshme/ të kapësh nga bishti ylberin tigër/ se të kthehet/ e ta gllabërosh në çast), fjalës (Mishqëndisma e tatuazheve! Mos më braktisni kuptime!), strofës (Nën sqetulla statujash merimangat bëjnë cfak/ma thurrin abazhurin prej fijezash në vetmi./ Ç’të bëj do të flas me çdo merimangë/ si dikur Akili me kalin e tij), idesë (Një Murg jeshil vjen te unë me një pasqyrë të shndërruar në zog, më thotë plot mister: Për ty, për ty, e bëj prap zogun pasqyrë, por kuptoje, kuptoje, janë e njëjta gjë, se kështu ka qënë dhe kështu do të jetë!), personazhit, distilimit historik, essesë, tregimit, zbulimeve arkeologjike,
pikturës e vizatimit, pelegrinazheve në shpella e kuota majëmalesh e zhytjeve në nëndet, ngjarjeve të ditës – gjithçkaje pra, i rikthen eksplodimin zanafillor! Moikom ZEQO duket se e parapëlqen masën e poemës, epifaninë poemike që hapet e mbyllet me këtë Pin Cod: S’jetoj dhe s’vdes dot në vetvete/ dëshpërimisht ju dua!
Pavarësia e përfolur në tekstet e tij si nga Bibla, lexo ku të të hapet! në poemat Michellanea: Zbulesat e shpirtit; In Memoriam; Ëndrrat; Mbijetesat; Herezitë; O Frymëzimi im i mbramë; Quid mihit scribit Redonis? Mes amazonave meshkuj; Psalmi apokrif i Onufrit; Bota krijuar nga Onufri; Syri i Tretë me psalmin e Naim Frashërit; Hoëll; Zodiak; Dete të vjedhur nga harresa; S’jetoj dhe s’vdes dot në vetvete – Lidës; Shkruesi egjyptian; Tao; transfigurohet, dhe leximi bëhet njëkalimsh i detyruar, për çfarë është e aftë të shkaktojë gjinia e poemës në përmallimin njerëzor.
L.DANO: Dhjetë urdhëresat e poezisë nga Moikom Zeqo
M.ZEQO: Duke botuar njëmijë e shtatëqind faqe poetike Michellanea I, II, III, (Përzgjedhja), Moikom ZEQO e shoqëron me dhjetë urdhëresat, (t’i quajmë kalorsiake), të kodit të poezisë:
1. Poezia është makina më e ndërlikuar e intelektit njerëzor. Fuqia sinkronizuese e metaforës (dhe metonimisë) është e pafund, in infinitus.
2. Maksimalizmi është kur punon edhe me poezinë si formë të mbyllur edhe me poezinë si formë të hapur, asnjë teknikë nuk e përjashton apriori arritjen poetike, ashtu siç nuk ka asnjë që e garanton automatikisht… Por struktura simetrike nuk është gjithçka. Poezia është udhëtim i gjatë (edhe pas vdekjes), drejt vetëzbulimit.
3. Ta pajtosh botën me imagjinatën do të thotë se poezia është një botë e tretë më sipërane.
4. Poezia është prova dhe potenciali i intelektit njerëzor ashtu si edhe shkenca, por edhe ndryshe, shkenca dhe poezia nuk përbëjnë një simetri, por më shpesh një asimetri.
5. Ezra Paund ka thënë: Nëse poezia e një kombi pëson rënie, kombi atrofizohet. Edhe tërë planeti!
6. Poeti e çon gjuhën (leksikun, por edhe gramatikën), jo vetëm në skajet më të largëta të kuptimshmërisë, por shumë shpesh edhe përtej saj…
7. Përsëri Erza Paund: “Poezia përfaqëson trajtën më të përqendruar të shprehjes verbale”.
8. Kur përdoret një fjalë në poezi ka thënë Dana Gioja, ajo duhet të jetë shuma (sinteza) e gjithë historisë së saj të përgjithshme, të përshtatshme, potenciale, që është bërë konkrete dhe adekuate në kontekstin individual të autorit.
9. Poezia e shpërthen çdo korse parnasiane, e shkatërron dekorativitetin, qoftë edhe simbolik. Mineralizimi i shkrimit bën që të humbasë lëvizja e mendimit të gjallë. Midis stilit lapidaresk dhe stilit shpërthyes ripërtëritja është që në gjenezë vullkanore. Ambikuiteti i jetës është edhe ambikuiteti i poezisë, misteri është një marramendje kinetike, imazhpllenuese.
10. Çelësi i artë është origjinaliteti, çelësi i vetiaktë. Këtu është dilema dhe paradoksi kolosal tmerrues. Kaosi i pamëshirshëm na tjetërson. Kulti i parasë është një duel për jetë a vdekje me poezinë.
Poet i poemave të mëdha, poet i vjershave në modelet e përkryera parnasiane, poet i haikut, odes, kuintesencës si te fetishet e Azisë së Madhe, (ai beson: Proza madhështore është më afër poezisë), pasi e ka prodhuar poetikën në trajta shumëformëshe, Moikom Zeqo e quan këtë proces hyjnor transporti të Frymës: Meditimi poetik është një stilizim i vetëvrasjes”. Ndaj një opinioni të
krijuar gjerësisht se lexuesi i tij duhet të ketë kulturë të thellë, Moikomi i përgjigjet një gazetareje se ai nuk e shmang tendencën e të bërit një art referencash, se edhe i pari poet, Homeri, del i pakuptueshëm po të mos njohësh mitologjinë greke, por idetë që kam unë janë thellësisht popullore! Por nuk mbaron këtu. Është një reaksion zinxhir, ku Bodleri i mëshirshëm nuk do të ndalojë së numëruari prapë Hygoin 100 vjeç te hera e tetë, por vijon dhe vijon. “Në çastin e botimit libri nuk është më imi dhe jam krejtësisht i pambrojtur, gjer në pafundësi”, me këto fjalë e dorëzon Moikom Zeqo fjalën e tij poetike te njeriu. Veçanërisht te njeriu që ka fatin e madh të jetë bashkëkohës, teksa pranë tij, ndodh krijimi universalizues Moikom ZEQO.
Studiuesit mund të debatojnë, të pranojnë e të mos pranojnë shumë gjëra. Kjo është e natyrshme. Ftesa për një debat nuk e tremb poetin e vërtetë dhe nuk ka vlerësim real pa debat. Vështirësia më e skajshme është debati estetik i mirëfilltë, nëpërmjet tekstit që mbart dhe çliron enigmat në hapësirë e në kohë duke vendosur një komunikim ekuimenik, siç thotë Zhak Derrida. Por botimi i korpusit poetik të tij, (është projektuar të botohet në gjashtë vëllime), duket sikur i drejtohet më tepër lexuesit të ardhshëm, sesa atij të sotçëm. Kjo nuk është aspak shqetësuese, është më tepër intriguese. Në një poezi të tij Moikom Zeqo thotë, se poeti është si pirati i vjetër i vetmuar mes një oqeani pafund që sheh befas një mëngjes mbi kuvertën e anijes së tij, gjethet e një vjeshte kozmike, gjethet e profecive dodonase të pemëve të mëdha e të padukshme të dashurisë. Dhe kjo anije e magjepsur nuk ka spirancë për të hedhur se nuk di të ndalet.
L.DANO: Përshëndetja
M.ZEQO: Sot që shkrova këtë shkrim është 23 Tetor 2007. Sot është një ditë e madhe në familjen e Moikomit, se djali i tij i vetëm Epidamni, (emri tjetër i qytetit të Durrësit) mbush 20 vjeç! Për atë që Moikomi si mik është tepër i vëmendshëm ndaj halleve e problemeve të të përditshmes familjare për miqtë e tij, po e mbyll këtë përshëndetje dhe urim me një vjershëzë të hershme dashurie për gruan e jetës së tij dhe nënën e tre fëmijëve, Lidën:
Këtu ta kam puthur fytyrën tënde njerëzore,
çdo gjë ishte e thjeshtë e solemne,
s’kish nevojë për asnjë fjalë, kuptonim
gjithçka të njeri-tjetrit. Flokët e tu.
M’u shpupuritën në duart plot agim,
me aromën e dafinës e hijet e kaltra të zogjve.
Yllin e Afërditës ta gjeta në flokë,
ku ndriste dashuria e njeriut,
aty lexuam tërë fantazitë
pastaj seriozisht të dy
menduam për fëmijët.
Ndienim se ishim më shumë se dy vetë,
kuptonim forcën e gjallë të krijimit,
mrekullinë e pafund. Qeshëm të lumtur.
Kishim gjetur sekretin e pavdekësisë së njeriut.
Qemë pjesëtarë në të si gjithë të dashuruarit.
O, sikur mund të krijonim bashkë
Si fëmijë të jashtëzakonshëm
Vetë brigjet, detin
E Diellin e horizonteve!
Atë të të gjithë njerëzve!
Atë të të gjithë kohërave!
Gjërat e mëdha kanë gjithmonë dukë të bukur e të thjeshtë!
LULJETA DANO, 2007