XHABIR MORINA JEP DORËHEQJE NGA POZITA E ZËVENDËS’MINISTRIT NË MINISTRINË E BUJQËSISË SI DHE NGA ANËTARËSIA E FUNKSIONET TJERA NË PDK!

Pashtriku.org, 29. 03. 2014 – Vetëm disa orë pasi kishte dhënë dorëheqje Lumnije Morina nga Partia Demokratike e Kosovës, rrjedhimisht edhe nga grupi parlamentar i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, (për të kaluar pastaj në Lëvizjen Vetëvendosje, dhe në grupin e saj Parlamentar), më 28 mars edhe bashkëshorti i saj, Xhabir Morina (*), jep dorëheqje nga posti i zëvendësministrit në Ministrinë e Bujqësisë, si dhe nga anëtarësia e funksionet në Partinë Demokratike të Kosovës.
Xhabir Morina, në një shkresë zyrtare Nr.847/1 – datë 28. 03. 2014, drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavilecit dhe Sekretarit të Përgjithshëm në këtë ministri, Kapllan Halimit, ka njoftuar për dorëheqjen e parevokueshme si Zv’Ministër i Bujqësisë…

– Xhabir dhe Lumnije Morina –

* * *

Në këtë njoftim ai shkruan:
“Z.Kryeministër,
Z.Ministër,
z.Sekretar,
Ju njoftojë se jap dorëheqje të parevokueshme nga posti i zëvendësministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, sepse, duke filluar nga dita e sotme nuk jam anëtar i Partisë Demokratike të Kosovë.
Me respekt,
Xhabir Morina”

– LEXONI DOKUMENTIN –


* * *
Ndërkaq, në një deklaratë për media, Xhabir Morina – ka njoftuar opinionin publik lidhur me arsyet e dorëheqjes së tij nga pozita e Zëvendësministrit, nga anëtarësia e funksionet tjera në Partinë Demokratike të Kosovës dhe aderimin në Lëvizjen VETËVENDOSJE!
Në deklaratë z.Morina shkruan:
“Më 28 mars 2014, unë Xhabir Morina, Zëvendësministër i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kam dhënë dorëheqje nga pozita e Zëvendësministrit, si dhe nga anëtarësia e funksionet në Partinë Demokratike të Kosovës, dhe i jam bashkuar Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Për të marrë këtë vendim më kanë shtyrë disa arsye, ndër të cilat janë, degradimi i vazhdueshëm i qeverisjes lokale dhe qendrore të PDK, e përcjellë me skandale e afera të shumta korruptive dhe ligjore dhe pa asnjë përpjekje serioze për ta ndryshuar këtë gjendje.
Po ashtu përkushtimi i pamjaftueshëm i kësaj partie për zhvillimin ekonomik të vendit, vendosjes së rendit dhe ligjit, vendimmarrja autoritare e antidemokratike, jashtë organeve të partisë, në rrethe të ngushta individësh dhe grupe e klane individësh, në kundërshtim me të gjitha rregullat dhe normat statutore e programore.
E po aq problematike sa u përmend më lart ka qenë dhe ndërrimi në mënyrë joserioze i profilizimit politik të partisë, veç me një deklaratë në kongresin e fundit në 2013, pa asnjë diskutim të brendshëm paraprak.
Këto janë njëkohësisht, edhe arsyet që më bënë t’i bashkohem një Lëvizje siç është Lëvizja VETËVENDOSJE!, duke qenë se aty i shoh mundësitë më të mira për realizimin e pikëpamjeve, qëndrimeve dhe koncepteve të mia politike e qeverisëse për të ardhmen e vendit, e qytetarëve dhe të kombit tonë.
Me respekt,
Xhabir Morina”

________________
(*) Kush është Xhabir Morina

Xhabir Morina, ka lindur më 3 qershor 1959 në Gjilan, është ish i burgosur politik, ka kryer Fakultetin Filozofik të UP’së – Departamenti i Shkencave Politike dhe Administratës Publike, me notë mesatare 9.51 dhe i ka përfunduar provimet e nivelit Master me notë mesatare 10.00. Ka kryer edhe një kurs Pasunieversitar 3 Mujor intensiv për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Akademinë Diplomatike Shqiptare.
Ka qenë:
– Sekretar i Degës së PDK’së në Ferizaj, një mandat e më tepër,
– Anëtar i Kryesisë së Degës së PDK’së që nga viti 2001,
– Anëtar i Këshillit Drejtues të PDK’së në dy mandate,
– Drejtor i Drejtorisë së Administratës dhe Personelit në Komunën e Ferizajt, mars 2008 – qershor 2010,
– Anëtar i Komisionit për Emërime të Larta dhe Disiplinë në Polici, nga 24 shtatori i vitit 2008.
Është autor i monografisë ,”Shembull qëndrese dhe pathyeshmërie”, kushtuar Rexhep Bislimit (1966-1998), komandantit të parë të UÇK’së për Ferizaj e rrethinë. Ka shkrime të botuara në gazetat e përditshme të Kosovës dhe në tre numra të revistës periodike POLITICUM të Asociacionit Kosovar të Studentëve të Shkencave Politike…

===========================
(Përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, Sheradin Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura