NEHAS SOPAJ: POEZIA MODERNE E MOIKOM ZEQOS

Pashtriku.org, 03. 04. 2014 – Cikli poetik In memoriam i M. Zeqos përbëhet nga dy nëncikle me titujt Ëndërrime (pesë sonete) dhe Kohërat (pesë sonete), që për shumë arsye kanë një tërësi unike dhe i japin përgjigje kohës dhe hapësirës, si kategori estetike dhe aspekteve tjera ontologjike që mbruajnë ato më vete.
IN MEMORIAM
Kohërat
Empedokli s’rrëzohet dot nëpër hon,
Syri vullkanik i Etnas e shtang
Era, era si grafikë qëndron.
Akrepi i rëndë i palëvizur në orë
Hiroshimën tharmë në formulë e kthen mbrapsht
Nga sperma miser s’ngjizet fëmija Neron.
E kripëzuar rri një klithmë dinozauri
E para Robespierit gijotina ndalon,
Se mbreti Shiva, thonë, kohën e ndali,
Arriti te caku ku koha mungon.
Gjarpëri kurrë s’e helmon Kleopatrën
Koha e ngrirë s’e lë të lëvizë,
Tjegulla Pirros s’ja thyen çaçkën.
Bruti s’e vë dot dorën në thikë.

M. Zeqo edhe në poezitë e librave të tjera, prek temën tonë, ndër të cilat le t’i përmendim këtu Mos i vrisni fëmijët dhe Faik Konicës, për një arsye: poezia e parë në strofën e katërt, në vargun e dytë, krijon formulën ligjërime “vdes koha”, ndërkaq te poezia e dytë, në vargun e shtatë, ai bën fjalë për “Kohën Xero”.
Në ciklin In memoriam, në nëntitullin Kohërat, jo vetëm nocioni homonim, por edhe në tërësinë e këtyre pesë soneteve (eksperimentuese, N. S.), krahas Kohës Zero, që ripërsëritet, në thellësi të këtyre poezive, lexojmë formulimet si këto: ku koha mungon, koha e ngrirë, (son. II), e ardhmja, koha ngrihet e shpërthen pa përmasa (son. III), dhe koha e ardhshme e foljes “jam”.
Jo vetëm në pesë sonetet me titull Kohërat, por edhe në pesë sonetet të titulluar Ëndrra (që, sipas renditjes, janë të parat), koha si kategori estetike e të kënduarit poetik, përsërit lokucionet idiomake gjithnjë me të njëjtin kontekst.
Le t’i përmendim ato të drejtpërdrejtat: e ardhmja (son. I), e ke gëlltitur Kohën (son. IV) dhe të tërthortat: Itaka e humbur, Minotauri i Kretës (son. III), Millesh Kopili fluturon pa kokën (son. IV).
Figurat historike, biblike dhe mitike, secila me një varg aludimi të kategorisë kohë, fillojnë ta zgjerojnë dimensionimin e saj nëpër etapa të caktuara kohore, po kaq prandaj edhe ta rudimentojnë diskursin narrativ të këngës (mendimtari i Roderit, Drakulla, durimi elektrik, Shehrezadja, Adami, Ylli i Solomonit, Shagali, Jan Huri, Platoni, Onufri, Marsejeza Krishti etj.).
Të gjitha fjalët dhe figurat e ngjyrosura të narracionit të poetit, fillojnë të tingëllojnë dhe të frymojnë sipas kauzalitetit të dialektikës shkencore, që koha e ikur shtrihet në dy binarët, realë dhe metafizikë, në dy hapësirat e ndryshme, që para lexuesit e krijojnë përfytyrimin e sajuar të poetit që spostohet gjetiu, në një figurë që është qëndrorja në tërë këtë cikël.
I tërë hartimi letrar zgjon kureshtjen e lexuesit për dy arsye kryesore: e para, që poeti i shqipton lehtë si figura erudicioni, dhe e dyta, që zgjon kureshtjen për shkak të eksperimentimit formal të formësimit të sonetit.

– Dr.Moikom Zeqo –

 Ne tërë vëmendjen do ta përqendrojmë tek e para, që poetit i shpëton lehtë në vargun e tretë të sonetit të parë të nënciklit Kohërat dhe i cili thotë “Utopia e Platonit për qytetin ideal” po para se të flasim për këtë, le t’i themi disa fjalë për këtë të dytën, që për fillim duhet t’i themi disa mendime.
Në përgjithësi, në traditën tonë të kultivimit të sonetit, këtu në këtë cikël poetik, për herë të parë na bie të shohim se si akoma ka forma tjera të eksperimentimeve me sonetin, pas sprovave që nga Serembe e deri në ditët tona, kur në kultivuesit më të njohur të tij, N. Mjeda, E. Gjerqeku, T. Dervishi, B. Musliu etj. si ky i M. Zeqos.
Pas skemës tradicionale, sipas rregullave strikte se si duhet të shkruhet soneti, dy strofat e para katërvargëshe dhe dyvargëshe me rimë të alternuar e të puthitur, në vitet ’70 kur mua hov kultivimi i sonetit, dy poetët T. Dervishi, B. Musliu dhe M. Zeqo, gjatë eksperimentimeve tjera që bënin ata në puntoritë e tyre krijuese, eksperimentonin edhe me sonetin.
Si me koincidencë, që të tre këta poetë “luajnë” me format e mundshme të soneteve, njeri heq rimat, dy të tjerët ia alternojnë strofat dhe krijojnë skema të reja të stofëzimit etj.
POEZIA SI UTOPI
Sipas vargut Utopia e Platonit për qytetin ideal, rezulton tema gjenerale e këtij hartimi letrar dhe fshehtas dhe hapur flet për qytetin ideal, ëndrrës më të bukur të njerëzimit që më vete i lidh të gjitha predispozitat e preokupimit të poetit, synimin e tij që gjeneron një varg problemesh prej pamundësisë së bërjes së ëndrrës zhgjëndërr e deri te manovrimet thjesht gjuhësore e stilistike.
Në fakt, qyteti ideal i Platonit, me idealizimin që i bëjmë ne sot duke e çmuar si rrenë poetike (sipas A. Bretonit), është tema e përhershme e ëndërrimeve të të gjitha kohërave, dhe sidomos të pasionantëve të prekësve të parë me dorë të kulturës antike greko-romake pas Mesjetës, idealistët më të mëdhenj të kohës së humanizmit dhe renesancës, të cilët filluan t’i imitojnë shkrimtarët antikë, pasi kishin njohur demokracinë antike greke.
Qyteti ideal i Platonit, qyteti i diellit, është ëndrra e miliona ëndërrimtarëve prej të cilëve vetëm disa që muza poetike i zgjedh dhe i vendos në panteonin e të adhuruarve të Hyut, dhe për hir të ëndrrave të tyre kreative, syçelas frymon planeti ynë.
Ja që M. Zeqo, një i zgjedhur i këtillë i dritës së këtij qyteti, qoftë për shkak të hireve apo për shkak të ndonjë mallkimi të bukur, në hartimin e tij prej së largu “preku” disa nga himeret më të thella njerëzore nga ajo që është pjesë e ëndrrës së madhe të njeriut që quhen: paqe, mrekulli, magji.
ALKIMIA POETIKE
Në vargun e figurave të ndryshme, kryesisht metafora dhe simbole të farave të llojllojshme, në atë mal figurash një mbi një, pas leximit të këtij vargu, lexuesi e ka lehtë t’i gjuajë ngjyrat e vërteta të këtyre kuptimeve figurative.
Qyteti i diellit, ëndrra më e lumtur e njerëzimit, në platformën e mizesisit poetik të autorit, radhit figurat e ndryshme të godinës së quajtur cikël poetik dhe ato janë të natyrave: historike, biblike, mitike dhe të sajuara.
Të gjitha farët e fjalëve të përdorura nga poeti, figurat historike, biblike dhe mitike, edhe kur janë të një sajimi abstrakt, si në ciklin In memoriam, karakterizohen me denduri kuptimesh dhe lehtë kapen kur kanë strumbullarin që i lidh tema konkrete, siç është ëndrra e Platonit, bukuria e ëndrrës, që është njëkohësisht edhe e jona. Po le t’i përmendim disa nga fjalët dhe sintagmat më frekuentuese në këtë cikël poetik.
Që në strofën e parë të ciklit poetik, poeti radhit qytetin e yjeve, qytetin fluturues, qytetin e diellit, ndërkaq përballë tij qëndron shqota, antiteza e bukurisë, e në të, Drakulla.
Vargu cilësues unë jam drakulla që ju kafshoj të gjithëve/ t’ju bëj vampira të poezisë, na kthen në gjenezë, në tezën e kumtimit të parë, një përqafues i qytetit të ëndrrave njerëzore.
Kjo është hyrja në godinën e madhe të figurave që rrëmbejnë kohët dhe hapësirat e ndryshme që hap vjersha, që të gjitha me ngjyrat e tyre të veçanta.
I tërë sistemi retorik i narracionit poetik sillet në kohën e tanishme, e tërë rrotulla historike e të kaluarës vërtitet në të tanishmen e gjallë, që duke sjellur ngjyrat dhe aromat e ndryshme nga lashtësia, nga antika, nga ngjyrërat e Biblës (ungjijtë e mi apokrifë, kanonikët e shenjtë ortodoksë, sibila, veshjet “dalmatika” etj.), gjithçka sjell dhe mbështjell me një qëllim të vetëm që të derdhet në të ardhmen, në shkrimit elektrik; kjo kështu sepse: jeta e njeriut e kapërcen edhe moshën.
Poeti radhit gjithçka që sovrani kohë t’i flasë në vesh: flet nga kisha e zemrës, nga hekurishtet plot ndryshk të kujtesës/ në ar alkimist të artit i ktheva; vazhdojnë alfabetet në shi, Itaka e humbur. Kashta e Kumtrit, Dielli i jugut, Lulja e agavies, skeptri, tunika e dërrasës, Hiçi i Madh, goja e luleve, kalorësi të cilin e ha kali, aedët, Krishti që bën vetëvrasje, Empedokli, Etna, era si grafikë, akrepi i rëndë i palëvizur në orë, fëmija Neron, Robespieri, Giotina, ku koha mungon, koha e ngrirë, Pirro, Brut, Qyteti i diellit, Koha ngrihet e shpërthen, WC, publike, ekuacione ajrore me ju që s’keni ardhur në botë (futurizëm, N. X.), Jehovaj, Koha Xero, Kuajt apokaliptikë, konoklasti, katedralja e metaforës, bukuria në pranga, shkrimi, martirologu, peshku mistik, ëndrra e bardhë, koha e ardhme e foljes ‘jam’, etj.
SINTAGMA E FIGURAVE TË ÇUDITSHME
Edhe ato fjalë dhe sintagma që të gjitha figura që mbajnë ngjyrërat e kohërave reale dhe kohërave fiktive, si dhe fjalët dhe sintagmat e ngjyrosura sipas shijes dhe dijes së poetit, të gjitha ato copëza fjalësh që mbajnë timbrin e kohërave të ndryshme, që të gjitha të shpërndara, në dukje të parë, pa lidhje mes njëra tjetrës, që të gjitha gjer në një i dedikohen kohës së Qytetit të Diellit.
Dielli është metafora që i ngjiz me aromë paqenësie (ose nëse doni, gjithëqenësie), paqenësi në konotimin e kuptimit të Platonit, sipas M. Zeqos. Qyteti ideal i Platonit, ëndrra që, sipas Andre Bretonit, është simbiozë e ëndrrës dhe e zhgjëndrrës – një gjendje fantazmagorike.
Në Qytetin e Diellit, pra në analogjitë e ligjërimit poetik, në qytetin e ëndrrave nuk ekziston koha, sepse koha realisht nuk ka nevojë të ekzistojë.
Njerëzit duhet të jenë shpërfytyruar në qenie me formë tjetër, formë sipas dëshirave tona.
Prandaj, ëndrra është e bardhë.
Koha fiktive, retrospektiva e ëndrrës, të gjitha etapat e kohës gjer në një, që të gjitha ekzistojnë për shkak të daljes së tyre, jashtë, daljes në një gjendje tjetër ekzistencialiste. “Të jetosh dhe të ndërpresësh të jetosh, janë zgjidhje imagjinative. Ekzistimi është në një vend tjetër” (A. Breton Manifesti i parë i surealizmit). Ku?
Në pjesën e parë Ëndrrat, poeti që në sonetin e parë e shtrin temën si një utopi e bukur (rrenë e bukur, A. Breton), një futurizëm i pamundshëm: qyteti i yjeve i arqitektit i cili ndërton një qytet fluturues në të cilin: demat – lumenj në bregdet bulërojnë / me palcën hyjnore të fshehur etj., gjithçka që të fascinon me mosekzistim.
Diçka si ala P. B. Shell, Lui Aragon e Th. Eliot, në vizurën surrealiste të pamjes së qytetit të ëndrrave të Platonit, lexuesi shpejt përmbulohet me metaforat shpesh zbukuruese dhe stolisëse të gjuhës së poetit, jo se hapin ndonjë narracion.
Në vend të tyre, intonacioni i ngritur i zërit të poetit, radhit një varg figurash të kohës dhe të hapësirës, figura mitologjike, topose dhe heronj, artistë e piktorë, që me përzierjen e qëllimshme të bëra prej autorit, në amalgamin që ia dikton subkoshienca dhe erudicioni atij, ai krijon imazhin e vërtetë të Qytetit të Diellit: ai është në çdo kohë dhe në çdo hapësirë dhe ai nuk ekziston, është trill i arkitektit M. Zeqo.
Pra, ai është dhe s’është, atëherë ç’i mbetet lexuesit të kërkojë në këtë hartim letrar.
Mendoj se krahas metaforës Qyteti i Diellit dhe dyzinës së metaforave simotra që shpjegojnë, përplotësojnë dhe sidomos zbukurojnë fotografinë që bën poeti, lexuesi ka një varg fascinimesh dhe zgjidhjesh tjera që ofron labirinthi i quajtur kjo poezi.
Ajo që, megjithatë, ofron ky cikël dhe që lidhet me tërësinë e ormentalistikën e poezisë së autorit, është: pështjellimi i qëllimshëm i autorit i figurave të kohës dhe të hapësirës dhe sjellja e tyre në një rrafsh, jo i tanipërtanishëm siç ishte rasti me poezinë Muzikë kamertale të T. Dervishit, por në një rrafsh futurist.
Përzierja e formulave metaforike, përzierja e kohërave dhe e hapësirave me synim të daljes në rrafshin futurist, në metaforën Qyteti i Diellit është hapësira më e përshtatshme për ndërlidhjen e tyre më të mirë, kjo sepse vetëm në kohën e paqenë, inekzistente, ato mund të jenë të besueshme.
NJË FUTURIZËM SURREALIST
Sipas radhitjes kontinuele të figurave të kohës në mbarështrimin e tërësishëm të hartimit poetik, të figurave ku koha stigmatizohet drejtpërdrejt, del një paralele e saktë letrare në të cilën çuditërisht rezulton edhe me shpjegimin e metaforës së Qytetit të Diellit. Në sonetin e parë të nënciklit Ëndërrimet, në vargun e fundit, fjala e parë është: e Ardhmja (me gërmë të madhe), në sonetin katër, në vargun e parë të strofës së tretë, lexojmë: E ke gëlltitur Kohën (këtu koha është me gërmë të madhe), në nënciklin pagëzuar troç Kohërat, në pjesën e dytë të vargut, lexojmë: ku koha mungon, në sonetin e tretë, në strofën e parë, në vargun e tretë përsëritet: E ardhmja e Njeriut është vetë Njeriu, dhe sonetit të katërt, strofës së tretë, vargut të katërt në të cilën lexojmë Koha Xero (që të dy fjalët janë me gërmë të madhe), për të arritur në vargun e parafundit të hartimit letrar, që dmth në sonetin e pestë, në strofën e katërt, në vargun e tretë lexojmë: Koha e ardhshme e foljes “Jam”, një kompozitë që për shumë arsye do një koment.
Në tërë hartimin In memoriam të M. Zeqos, fjala kohë përsëritet në gjashtë pozita dhe sipas leximit horizontal të tyre del se ato janë radhitur kështu:
1. E ardhmja
2. E ke gëlltitur Kohën
3. Ku mungon Koha
4. E ardhmja e Njeriut është vetë Njeriu
5. Koha Xero, dhe
6. Koha e ardhshme e foljes “Jam”

Siç mund të lexohet, të gjitha fjalitë janë kumtuese, porse kumtimi i fundit është i dyfishtë.
Këtu lexuesi pos që mëson se koha është e ardhshme (në rastin e parë, në tabelë ishte fjala e parë, tani ajo është e fundit që dmth ajo rrumbullakëson kuptimet), mëson edhe se kjo kohë e ardhshme i referohet atij që e shqipton atë, që dmth unit të folësit të saj.
Pra, e ardhmja i takon poetit.
Por poeti, siç mund të shifet gjithandej në poezitë e tij, fare pak flet për veten e vet, prandaj uni i folësit shumë më tepër mund të jetë veta e parë shumës se sa njëjës, prandaj uni është ne.
Mendoj se shumë më mirë se sa në poezitë e tjera, poeti këtu ka dhënë shenjat dhe provat e vërteta të përcaktimit të tij për shkollën letrare që i takon.
Nëse ai është një poet postmodernist, atëherë këtu në këtë hartim letrar ai me tërë qenien është një futurist i mirëfilltë dhe këtë e dëshmon intenca e madhe për një kohë në të cilën interkalohet koha; koha mbetet xero, sepse e ardhmja e foljes “jam” presupozon një futurizëm i tanishëm.
ZEQO, FUTURIST I LLOJIT TË VEÇANTË
Mendoj se M. Zeqo shkruan sipas mënyrës si shkruan T. Dervishi dhe B. Musliu, edhe pse dallimi i shkrimeve të tyre është evident. Ajo që megjithatë i bën të njëjtë, është mënyra e shkrimit që është shkrim automatik, shkrim mbi bazë të intuitës krijuese, shkrim mbi bazë të analogjive dhe diktatit të intuitës e të erudicionit, shkrim mbi bazë të përvojës gnoseologjike, kulturës dhe ontologjisë së përgjithshme.
Shkrimi automatik i M. Zeqos dallon dukshëm nga shkrimi automatik i B. Musliut jo vetëm për shkak të burimësive prej nga mësojnë njëri tjetri, dallimi qëndron edhe në mënyrën e nxënies së dijes së përgjithshme, gnoseologjizmit të tyre, si dhe mënyrës së manifestimit së asaj kulture dhe atij erudicioni që secili posedojnë veç e veç dhe në mënyra origjinale të tyre.
Nuk dallojnë vetëm në mekanizmin e të shkruarit automatik, nuk dallojnë në automatizmin suigeneris të hedhjes në dritë të frymëzimit poetik: ata si edhe të gjithë poetët, synojnë të zbarkohen nga akumulimi kulturologjik në katarsiset e tyre.
Dallojnë shumë në mbathjen, rutinën, disiplinën e shkrimit, intonacionin zëror, gjerësinë, përmasat e atij erudicioni, nuk dallojnë por në derdhjen e lëndës së akumuluar të frymëzimit poetik, në zbrazjen e tërësishme të asaj lënde.
Diktati i brendshëm i mendimeve që rrjedhin pas fjalëve të para, që sipas analogjisë rrjedh me fjalët dhe mendimet e të njëjtave fara, janë të sakta dhe të njëllojta. Dallon T. Dervishi prej këtyre të dyve. Edhepse ai shkruan me të njëjtin tempo dhe dinamikë, por shkrimi i tij me gjithë erudicionin e fjalës dhe fjalisë dallon për shkak të tendencës së përmbledh brenda koncentrimit dhe ngjarjes tepër eklektike sipas tipit të palimpsestit.
Që të tretë, kanë koncentrimin figurativ brenda botës së tyre, por për shkak të dimensioneve dhe përmasave të ndryshme të këtij automatizmi shkrimor, natyrave tjera, për shkak të stileve dhe orientimeve fare të ndryshme nga njëri tjetri, që të tretë ngelin të mvetësishëm brenda botës së tyre:
T. Dervishi është shpërfytyrues demaskues gjatë tezës së ngritur të fushës së kriticizmit, prandaj edhe është më shumë shkrimtar i ngjyrosur nxehtë në shkrim.
B. Musliu është ngritës i fatave dhe figurave brenda një kështjelle, lëvrues i madh i simbolit dhe i metaforës abstrakte, shkrues shumë i qetë në lojërat me fjalë, përsosës i formave dhe zotues i fjalës dhe mendimit.
Ndërkaq M. Zeqo kultivues i erudicionit poetik, një futurist i llojit të veçantë që në kështjellat e tij prej metaforave të hapura, shetit mes kozmopolitizmit të fjalëve dhe ngjyrave të tyre, një kulturë e gjerë kozmopolite që shëtit dhe kërkon të prehet pasi është dehur. (2007)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura