ABDULLA MEHMETI: 11 MARSI 1981 – SHËNON FILLIMIN E LUFTËS SË HAPUR KUNDËR ROBËRISË DHE IDEOLOGJISË SË RREJSHME TË JUGOSLLAVIZMIT!

Tetovë, 12. 03. 2015 – Në përvjetorin e këtyre ngjarjeve, duhet të rikujtojmë se ishin dhjetëra djem dhe vajza edhe nga Maqedonia: nga Tetova, Gostivari, Dibra, Ohri, Struga, Kumanova, Shkupi, Kërçova dhe qytete të tjera, të cilët e përjetuan dhunën dhe terrorin e regjimit shovinist të regjimit sllavo-komunist, disa prej të cilëve ende i kanë të pashëruara plagët nga zinxhirët e taksave dhe rafalët e automatikëve nga forcat ushtarake dhe policore jugosllave.
Në ditën e sotme, më 11 mars, në Prishtinë filluan demonstratat e vitit 1981, të cilat shënojnë fillimin e luftës së hapur kundër robërisë dhe ideologjisë së rrejshme të jugosllavizimit, që manifestohej me politikën mashtruese të bashkim-vëllazërimit të shqiptarëve me popujt jugosllavë.
Këto demonstrata të lavdishme, të cilat u zhvilluan kundër padrejtësive, dhunës dhe brutalitetit të regjimit të atëhershëm komunist, më 1 dhe 2 prill të vitit 1981 morën përmasa të një kryengritje të përgjithshme popullore, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në qytete të tjera të Kosovës, me kërkesa të ligjshme për krijimin e Republikës së Kosovës, në të cilën më vonë do të përfshiheshin edhe viset tjera shqiptare, të cilat i mbante nën okupim Jugosllavia.
Në radhët e rinisë studentore të Universitetit të Prishtinës, i cili ishte epiqendra e kësaj lëvizje, ishin edhe qindra studentë nga viset tjera shqiptare, si nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, të cilët duke qenë jo vetëm pjesë e tyre, por edhe në ballë të demonstratave, bashkë me vëllezërit dhe motrat nga Kosova, këtë frymë revolucionare do ta bartin edhe në vendlindjet e tyre, qytetet tjera shqiptare, me dëshirë të realizimit të ëndrrës shekullore për një shtet të përbashkët.

Si në Kosovë dhe Maqedoni, ashtu edhe në viset tjera shqiptare, vala e terrorit filloi me vrasje, reprezalje dhe burgosje të dhjetëra studentëve pjesëmarrës në këto demonstrata. Në këtë lëvizje do të kalitet gjenerata, e cila në vitet e mëvonshme do të vihet në ballë të procesit të ndarjes përfundimtare të viseve etnike shqiptare nga Jugosllavia, deri në fitoren përfundimtare, me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur, ndërsa viset tjera shqiptare, si pjesë e pandarë e këtij procesi mbetet të synojnë realizimin e idealit të lirisë dhe pavarësisë së tyre kombëtare, përmes procesit të integrimeve euroatlantike.
Në përvjetorin e këtyre ngjarjeve, duhet të rikujtojmë se ishin dhjetëra djem dhe vajza edhe nga Maqedonia: nga Tetova, Gostivari, Dibra, Ohri, Struga, Kumanova, Shkupi, Kërçova dhe qytete të tjera, të cilët e përjetuan dhunën dhe terrorin e regjimit shovinist të regjimit sllavo-komunist, disa prej të cilëve ende i kanë të pashëruara plagët nga zinxhirët e taksave dhe rafalët e automatikëve nga forcat ushtarake dhe policore jugosllave. Dhjetëra djem dhe vajza shqiptare u dënuan me burgje dhe përjetuan tmerrin e jetës pa të drejta dhe liri qarkullimi, me të drejta të mohuara për jetë normale. Me dhjetëra pjesëmarrës në këto demonstrata u etiketuan si elemente armiqësore, si kundërrevolucionarë, nacionalistë, separatistë dhe irredentistë, pa të drejtë shkollimi të mëtejshëm, pa të drejtë punësimi dhe të drejta të tjera më elementare qytetare.
Atëherë dhe sot, për këto ngjarje të lavdishme të historisë sonë më të re janë thurur lavde të rrejshme, janë ngritur personalitete dhe figura pa meritë dhe janë nënvlerësuar organizatorët dhe pjesëmarrësi e vërtetë të këtyre demonstratave.
Janë cilësuar si ngjarje të kurdisura nga agjentura dhe shërbime të huaja dhe të nxitura ose kontrolluara sidomos nga UDB-ja jugosllave, por është një e vërtetë e pamohuar se, rinia studentore dhe populli liridashës shqiptar, veprimtarët e çështjes kombëtare dhe atdhetarët me përkushtim, kurrë nuk kanë stisur bëma të rrejshme dhe nuk kanë thurur lavde për veten e tyre.
Kjo detyrë e shenjtë, në interes të së vërtetës, të ruajtjes së personalitetit të tyre, të dinjitetit dhe nderit të familjeve që u sakrifikuan në flakën e kësaj përpjekje çlirimtare, duhet t’u jepet vendi i merituar, në bazë të dëshmive, fakteve dhe argumenteve shkencore, pa lënë hapësirë manipulimi dhe shtrembërimi të këtyre ngjarjeve të lavdishme.
Është koha kur duhet të shpaloset e vërteta. Ende nuk është thënë e tëra për demonstratat dhe lëvizjen studentore të vitit 1981. Lavdi të rënëve për liri dhe të drejta kombëtare!
– Autori është pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981 dhe ish i burgosur politik.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura