ABDULLA MEHMETI: ÇKA DUHET T’U SHKRUAJNË HISTORIANËT POLITIKANËVE SHQIPTARË?

Tetovë, 08. 04. 2016: (Një histori e dhembshme e qytetit të Shkupit dhe banorëve të tij shqiptarë) – Historianët shqiptarë kohën e fundit e kanë alarmuar opinionin për Shkupin dhe banorët e tij, me të dhëna nga burime të vendit dhe të huaja, sidomos gjatë shekullit njëzet.
Është tepër e dobishme për opinionin lexues dhe sidomos gjeneratat e reja, që të njihen me këto të dhëna, dokumente, dëshmi dhe fakte, por pa harruar se detyrë e historianëve nuk është vetëm kjo, por edhe analiza e periudhave të mëvonshme, në të cilat kanë kaluar shqiptarët e qytetit të Shkupit. Historianët shqiptarë dhe jo vetëm ata, duhet t’i analizojnë këto rrethana me kompetencë shkencore dhe t’u shkruajnë sidomos politikanëve shqiptarë:
1. Si ndodhi që qyteti i Shkupit, i dominuar përgjatë shekujve nga shqiptarët, të boshatiset dukshëm nga elementi etnik shqiptar dhe vetëm brenda një shekulli të dominohet në mënyrë të dhunshme nga banorë të tjerë joshqiptarë, sidomos gjatë regjimit komunist dhe pas krijimit të shtetit të pavarur të Maqedonisë?
2. Të analizohet në hollësi dhe të shkruhet se, në cilat periudha kohore u dëmtua më tepër ky qytet dhe banorët shqiptarë të tij?
3. Cilat ishin arsyet e sjelljes së kolonëve serbë, bullgarë dhe të tjerë në këtë qytet dhe cili ishte synimi i pushtuesve që ta dominojnë këtë qytet me banorë joshqiptarë?

4. Cila ishte strategjia e regjimit komunist që pas tërmetit të vitit 1963, me ndihmat humanitare të botës të ndërtojnë lagje të tëra të këtij qyteti dhe t’i mbushin ato kryesisht me banorë joshqiptarë, duke i shpërngulur qindra fshatra nga pjesë të ndryshme të Maqedonisë dhe sidomos nga rajoni i Mariovës?
5. Cila ka qenë strategjia e regjimit komunist me sjelljen e dhjetëra mijë ,,maqedonasve të Egjeut”, nga Rusia, Ukraina, Polonia, Rumania, Çekia, Sllovakia dhe shtete të tjera, që pas Luftës së Dytë Botërore ishin dëbuar me dhunë nga Greqia, të cilët kryesisht u vendosën në qytetin e Shkupit, Tetovës dhe qytete e vendbanime të tjera të banuara kryesisht nga shqiptarët?
6. Cili ka qenë roli i partive shqiptare në periudhën pas vitit 1990 dhe sidomos nga viti 2001, që Shkupi të shndërrohet në qytet më të pasigurt për jetën dhe perspektivën e shqiptarëve, ose, çfarë kanë ndërmarrë politikanët shqiptarë që të mos ndodhë kjo?
7. Cili ka qenë roli dhe ndikimi i shërbimeve të huaja, sidomos të shteteve sllave, që me ndihmën e partive politike shqiptare dhe një pjese të shoqërisë civile, pas vitit 1990, në përhapjen e drogës, prostitucionit, degradimit moral, përdhosjes së vlerave fetare, përhapjes dhe rrjetëzimit të ekstremizmit fetar, varfërimit shpirtëror dhe material të shqiptarëve në këtë qytet?
8. Cili ka qenë çmimi i heshtjes së faktorit politik shqiptar për degradimin e jetës dhe mirëqenies së banorëve shqiptarë të këtij qyteti?
9. Pse kanë heshtur intelektualët dhe studiuesit shqiptarë karshi kësaj katandisje të qenies shqiptare në këtë qytet, për disa dekada me radhë?
10. Pse kanë heshtur vazhdimisht diplomacia shqiptare dhe institucionet akademike të shtetit amë, kur haptas është kërcënuar jeta e banorëve shqiptarë dhe ardhmëria e tyre në qytetin e Shkupit?
11. Kush ka manipuluar dhe vazhdon të manipulojë me pronat dhe tapitë e banorëve shqiptarë në këtë qytet?
12. Kush ka manipuluar dhe manipulon edhe sot, me numrin e banorëve shqiptarë të këtij qyteti?
13. Pse nuk investohet në mirëmbajtjen, restaurimin autentik të Çarshisë së vjetër të Shkupit, por përdhoset autenticiteti i kësaj pjese të vetme, si dëshmi nga e kaluara historike shqiptare e këtij qyteti?
14. Pse u nxit nga organizatat joqeveritare shqiptare mbrojtja e hapësirave të Kalasë antike, Burmali Xhamisë, shtëpisë së Nënë Terezës etj., që më pas të njëjtat u lejua të ,,pushtohen” dhe tjetërsohen nga institucionet e shtetit dhe biznesmenë të huaj? Në shërbim të cilës strategji antishqiptare, për çfarë interesi dhe me çfarë çmimi u lejua fshirja e këtyre gjurmëve nga e kaluara e shqiptarëve të këtij qyteti?
15. Pse nuk shkruhet dhe nuk mbrohen kishat shqiptare të këtij qyteti, ato katolike dhe ortodokse, por heshtet ky fakt dhe mohohet prania e elementit shqiptar katolik dhe ortodoks, si dhe kontributi i shqiptarëve të këtyre besimeve fetare në zhvillimin e qytetit të Shkupit gjatë historisë?
16. Pse u lejua që edhe gjatë këtij shekulli, të shpallur nga vetë politikanët dhe inteligjencia jonë si ,,shekulli i shqiptarëve”, që shqiptarët e Shkupit ta përjetojnë dhunën më të tmerrshme shpirtërore dhe fizike; duke i frikësuar dhe dëbuar dhunshëm nga shtëpitë dhe pronat e tyre; duke ua dëmtuar pronat bujqësore me gjithë prodhime dhe lokalet afariste, në rrethinën dhe lagjet e Shkupit, si i vetmi burim i ekzistencës së tyre; duke i dënuar përmes proceseve të montuara politike, nën akuza nga më absurdet; duke i rrahur e përgjakur përditë, në rrugë, shkolla, vende publike edhe brenda pragut të shtëpisë; duke ua shkelur pa mëshirë nderin dhe dinjitetin e tyre dhe të familjeve?
17. Kush është fajtor dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi për dhunën shpirtërore që ua shkakton qytetarëve shqiptarë të këtij qyteti, përmendorja e sunduesit më gjakpirës ndaj shqiptarëve gjatë historisë, Car Dushanit, si dhe përmendoret e pushtuesve të tjerë, të cilët u sollën vetëm dëme këtij qyteti dhe banorëve të tij përgjatë historisë?
18. Kush duhet të kujdeset për monumentet kulturore dhe historike të shqiptarëve në këtë qytet, për vlerat historike, arkeologjike, etnografike dhe të traditës shqiptare?
19. Kush duhet t’i mbrojë shqiptarët e këtij qyteti nga bandat që i kërcënojnë çdo ditë, ua rrahin dhe vrasin fëmijët në rrugë, në shkolla dhe kudo; nga ata që ua shesin të huajve, të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e banorëve shqiptarë të Shkupit?
20. Kush duhet t’ua mësojë gjeneratave të reja se qyteti i Shkupit deri para disa dekadave ka qenë qyteti me numër më të madh të shqiptarëve në botë?
21. Kush duhet t’ua shpjegojë brezave të ardhshëm, pse Shkupi, kryeqyteti i dikurshëm e Dardanisë Antike, i Vilajetit të Kosovës, kryeqendra e dikurshme politike dhe kulturore e shqiptare gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, me ndihmën edhe të politikanëve shqiptarë të djeshëm dhe të sotëm, në një të ardhme të afërt nuk do të frymojë më shqip, nëse vazhdon të qeveriset dhe sundohet nga soji i politikanë të këtillë?
22. Kush duhet t’u kërkojë llogari udhëheqësve të politikës shqiptare, pse nuk lejohet të investojnë shqiptarët në projekte kapitale në këtë qytet, ndërsa kjo u lejohet biznesmenëve serbë, bullgarë, rusë, turq dhe të tjerë?
23. Kush duhet të mbajë përgjegjësi për ndarjen e këtij qyteti, në Shkupin shqiptar të prapambetur, të mbuluar nga frika, skamja dhe krimi, dhe pjesën tjetër të Shkupit, të zhvilluar, me institucione dhe godina grandioze, me barok dhe luks, të ndërtuara edhe me paratë e qytetarëve shqiptarë të këtij shteti?
24. Pse përmendoret e heronjve shqiptarë vendosen në pjesët e qytetit të Shkupit ku shqiptarët jetojnë në geto, ose në periferi të këtij qyteti, ndërsa përmendoret e ,,heronjve” joshqiptarë, disa prej tyre pushtues dhe shkatërrues të këtij qyteti gjatë historisë, janë ngritur në sheshin qendror të Shkupit?
25. Pse nuk lejohet vendosja e përmendoreve të personaliteteve historike shqiptare në sheshin qendror të Shkupit, sipas meritës së tyre, por vazhdimisht gjenden arsye për prolongimin dhe heshtjen e kësaj çështje?
26. Pse nuk kanë kërkuar përfaqësuesit shqiptarë ngritjen e përmendores së Dervish Carës në Shkup, si çlirimtar i këtij qyteti nga sundimi Osman, në fillim të shekullit nëntëmbëdhjetë?
27. Pse nuk lejohet ndryshimi i emrave ose emërtimi i shkollave me mësim në gjuhën shqipe në qytetin e Shkupit, me emra të personaliteteve dhe datave të rëndësishme nga e kaluara historike e shqiptarëve të këtij qyteti?
28. Kush duhet t’ua përkujtojë politikanëve shqiptarë, të djeshëm dhe të sotëm, se dëmet e shkaktuara dhe pasojat që kanë lënë ata me veprimet e tyre sot, do t’u kushtojnë shumë shtrenjtë gjeneratave të ardhshme, dhe jo vetëm të këtij qyteti?
29. Kush duhet t’ua bëjë me dije politikanëve të sotëm shqiptarë, se nacionalisti serb, Jovan Cvijiç, frymëzuesi kryesor i politikës serbe për shfarosjen, shpërnguljen dhe asimilimin e shqiptarëve, një shekull më parë ka thënë se, kush do ta dominojë Luginën e Moravës (Preshevës) dhe qytetin e Shkupit, do ta dominojë tërë Ballkanin (lexo: Gadishullin Ilirik)?!
Politika pushtuese dhe asimiluese sllave ndaj shqiptarëve ka shkuar shumë përpara në këtë drejtim, por çfarë kemi bërë dje dhe vazhdojmë të bëjmë sot ne shqiptarët? Nëse nuk kemi ditur dhe nuk dimë t’i kthejnë territoret e pushtuara me dhunë e hekur nga të huajt, së paku të mos i shesim këto pak territore dhe këto pak të drejta dhe liri që u kanë mbetur shqiptarëve të Shkupit dhe të qyteteve të tjera shqiptare në Maqedoni!

Tetovë, 8 prill 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura