Tetovë, 05. 10. 2015: (Rrëfim për të kaluarën dhe të sotmen e lojërave të fshehta politike) – Në shpatet e malit mbi katundin Vellgozhdë të Ohrit, ndër shekuj qëndron madhështor manastiri i Shën Premtes, e cila nga besimtarët ortodoksë njihet si mbrojtëse e grave, të sëmurëve dhe të varfërve.
Mes pyllit të dendur ku është ndërtuar ky manastir, bukurinë ia shton edhe pamja impozante e shkëmbit në shpatullat e të cilit janë ngritur muret e tij, ku dominojnë guri dhe druri, sidomos çardaku i madh me pamje nga qyteti dhe liqeni i Ohrit, që i jep pamje, një pamje tepër mahnitëse. Ky manastir ka edhe një histori të veçantë edhe për nga ngjarjet që lidhen me atë dhe të kaluarën e popullit të kësaj ane, sidomos me historinë e bujshme dhe bëmat e sunduesve të këtij qyteti.
Do të mjaftonte vetëm një pjesë nga e kaluara e Ohrit, ndodhitë e bujshme rreth këtij manastiri, që copëzat e kësaj historie të gërshetohen me të djeshmen dhe të sotmen që vazhdon të frymojë përmes mistereve nga thellësitë e shekujve.
Nga fillimi i shekullit nëntëmbëdhjetë, regjione të tëra në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane kishin filluar të heqin nga qafa një pjesë të detyrimeve ndaj Portës së Lartë, të qeverisura nga pashallarë dhe bejlerë vendës, të cilët gjenin rrugë dhe mundësi për ta bindur popullin se do të ketë ardhmëri më të mirë, liri dhe barazi për të gjithë që ishin nën vartësinë e tyre.
Qyteti i Ohrit atëkohë sundohej nga Xheladin beu, ndërsa anembanë kishin marrë flakë kryengritjet çlirimtare kundër këtij sundimi shekullor. Ky qytet kishte përjetuar ndërkohë një zhvillim të hovshëm, si në tregti, zanate të ndryshme, ngritjen arsimore dhe përkushtimin fetar të qytetarëve, të përkatësisë islame dhe të asaj ortodokse.
Xheladin beu kishte arritur ta ndërtojë besimin dhe ruaj qetësinë mes banorëve të këtij qyteti dhe njëherësh ta sigurojë edhe mirëqenien e vet dhe të familjes, jo si bejlerët tjerë, por si një pasha i madh që kishte krijuar famë dhe gëzonte respekt nga të gjithë, pa dallim kombi dhe feje. Askush nga banorët e qytetit nuk ishte në dijeni se ku mbështetej forca e tij. Në kohën kur shumë pashallarë të krahinave përreth kishin shpallur padëgjueshmëri ndaj Sulltanit dhe kudo kishin shpërthyer kryengritje të përgjakshme për çlirimin e territoreve, qyteteve dhe krahinave të tëra, secili në llogari të kombit të vet, për krijimin e shteteve të tyre mbi gërmadhat e Perandorisë që në agimin e shekullit nëntëmbëdhjetë dalëngadalë po jepte gërhimat e fundit.
Askujt nuk i kishte shkuar ndërmend se Xheladin beu kishte trashëguar nga të parët e tij ushtrimin e mimikrisë, zhdërvjelltësinë për paraqitje të rrejshme, e cilat buronte nga traditat e lashta të këtij qyteti.
Beu sundonte qetë, sepse e kishte zëvendësuar kërbaçin me mjeshtërinë e mashtrimit dhe joshjen e kundërshtarëve të tij. Sejmenët dhe bashkëpunëtorët e tij besnik hulumtonin në terren me sy vigjilentë në mos e prishte dikush rehatinë e sundimit të tij dhe qetësinë e banorëve të qytetit.
Një ditë u hyri në vesh se një çetë komitësh sillej maleve përreth dhe populli priste ditën kur do të zbrisnin në qytet dhe do të shkarkonin hata mbi sarajet e beut. Por kjo ëndërr u shua sakaq. Kot pritën me muaj e vite, por çeta e komitëve kurrë nuk arriti të zbres deri te sarajet e beut, as ujë të pinte në njërin nga krojet e ftohta rrëzë malit të dendur, në thellësinë e të cilit strehoheshin ditën, ndërsa natën vetëm një dreq e dinte se ku e kishin siguruar strofullin e tyre, për t’u fshehur nga syri i hafijeve të beut. Vetëm Xheladin beu e dinte këtë punë. Pa zhurmë e pa gjurmë, një mbrëmje ishte ulur këmbëkryq me udhëheqësit e kësaj çete, kishin lidhur marrëveshje larg syrit dhe veshëve të qytetarëve dhe përtej fantazisë së tyre. Beu dhe kryekomitët kishin lidhur paqe dhe e kishin siguruar rehatinë, begatinë dhe mirëqenien e tyre.
Populli i vuajtur jetonte në ëndrra dhe me punët e mundimshme, me hallet dhe vuajtjet e veta. Gjatë verës përcëllohej nga vapa, ndërsa gjatë dimrit mërdhinte nga skamja dhe frika, se një ditë do të zbriste çeta kryengritëse e komitëve nëpër rrugët e qytetit dhe sarajet e Xheladin beut do të gdhinin në flakë, ndërsa liqeni do të skuqej i tëri nga pellgu i gjakut.
Mbi këtë qytet, Dielli vazhdonte të lind si përherë nga lindja dhe të perëndonte në mbrëmje pas kodrave. Sapo binte terri mbi malin që mbante nën sqetulla konakët madhështorë të manastirit të Shën Premtes, fillonin të bien kambanat dhe të ndizen qirinjtë, për të filluar lutjet e mbrëmjes ndaj perëndisë që secili i besonte në mënyrën e vet, ndërsa përmes oborrit të tij vinte troku i atit të Xheladin beut, me duqit e mbushur me florinj, kurse nga dyert e prapme hynin si hije nga mali komitët flokëgjatë dhe mjekërdendur. Uleshin këmbëkryq në çardakun nga shihej qyteti si në pëllëmbë të dorës dhe vazhdonin këmbëkryq të kuvendonin me beun, sundimtarin e qytetit. Pastaj e kaplonte gjithçka përreth një heshtje e zymtë, të cilën e prishte vetëm zëri i kambanave që e çirrnin qiellin tejpërtej liqenit të Ohrit, kurse valët e tij e nanurisin qytetin për në gjumë.
Xheladin beut i bëhej nder i veçantë. Komitët dhe priftërinjtë e manastirit ia puthnin dorën, i bënin temena dhe i luteshin zotit për shëndetin e tij, ndërsa ai qetas, pasi ua jepte lajmet më të reja nga qyteti dhe ua shpërndante dhuratat, hynte në xhaminë e tij, të ndërtuar në njërin skaj të këtij manastiri për nder të tij, me të gjitha nishanet dhe orenditë që i takonin një tempulli për lutje nga besimtarët islamë. I merrte tespihet prej qelibari në duar dhe drejtohej nga kibleja për t’iu lutur zotit për shëndetin e vet dhe të komitëve që ia siguronin jetën, pasurinë dhe pushtetin, ndërsa qytetin e mbronin nga të katër anët e tij prej rrezikut nga jashtë.
Xhealdin beu plaçkiste pasurinë e popullit që t’u sjellë komitëve flori, ndërsa ata rrëmbenin vashat më të bukura për robëresha në sarajet e tij. Beu, bile kishte shprehur dëshirë që pas vdekjes ta varrosin aty afër manastirit, ku toka nuk i tretet kufomat asnjëherë, që të vazhdojnë kënaqësitë e tij edhe pas vdekjes, për të cilën lutej ai në xhaminë e vogël mes manastirit, por edhe komitët i luteshin zotit në gjuhën e tyre, bashkë me kambanat që binin fuqishëm çdo mëngjes për shëndetin e beut.
Kjo lojë vazhdonte me ditë, me muaj dhe vite, por askush nuk kuptonte se nga vjen kjo qetësi dhe paqe gati qiellore. Kambanat e dhjetëra kishave vazhdonin të binin si përherë, kurse nga dhjetëra minaret e xhamive të qytetit pesë herë në ditë thirrej ezani për lutje. Xheladin beu, hante e pinte me vashat më të bukura që ia sillnin komitët si peshqesh dhe bënte aheng nën hije dhe fllad, në çardakët e drurit nga shihej qyteti si në pëllëmbë të dorës. Edhe komitët vazhdonin të hanin e të pinin, bënin aheng dhe kënaqeshin me florinjtë e beut kur u rrëshqisnin mes gishtërinjve të duarve, kurse përmes lajmëtarëve vazhdonin popullin ta mashtrojnë se një ditë qyteti do të zgjohej në ankth e trishtim, i mbuluar me gjak e trishtim, se sarajeve të beut do t’u shkonte flaka deri në qiell, ndërsa populli do ta festonte me krisma e daulle fitoren e madhe dhe çlirimin nga kanxhat e sundimtarit të sertë Xhaeladin beu.
Një mëngjes, kur kishte hyrë prifti në oltarin e kishës në anën e poshtme të manastirit, që nga xhamia e vogël e Xheladin beut i ndante vetëm një shesh i ngushtë me kalldrëme, në sytë e ikonës së Shën Parashqevisë kishte vërejtur dy njolla të njoma nga kishin zbritur lot nëpër fytyrën e saj, por këtë nuk ia kishte treguar askujt deri në ditën kur gjithçka në këtë qytet ishte përmbysur si monedha me të cilën hidhnin zare fallxheshat e qytetit. Nga goja në gojë përhapej lajmi se në malet afër qytetit ishin shtuar lëvizjet e çetave të komitëve, të cilat lëviznin natën në dy kodrat e maleve karshi-karshi dhe ku natën deri vonë ishin dëgjuar krisma. Nga veshi në vesh pëshpëritej se shumë prej tyre ishin vrarë mes vete për ndarjen e plaçkave dhe florinjve të beut. Të nesërmen në mëngjes qytetarët u gdhinë me një lajm tjetër që përhapej prej dere në derë si mortaja. Gratë dilnin nëpër deriçka ose nxirrnin kryet me frikë mes qepenave të dritareve për ta dëgjuar lajmin më të ri, se njëra nga hanëmet e Xheladin beut kishte bërë hata në sarajet e beut, që nuk ishte dëgjuar ndonjëherë në këtë qytet. Në të katër anët ishte përhapur lajmi se Tashulla, njëra nga gratë e Xheladin beut, dikur vasha më e bukur e këtyre anëve, bukurinë e së cilës beu ia kishte peshuar me florinj kryekomitit të këtyre anëve, i cili endej ditë e natë me shokë maleve rreth liqenit të Ohrit, nga Manastiri deri në Pogradec. Flitej se gruaja e beut i kishte përshkuar bijtë e saj në tehun e shpatës, bile atë më të voglin e kishin gjetur të mbuluar në djep nga pellgu i gjakut të njomë, para se t’ia jepte ta pijë gjirin e ngrohtë amnor të mëngjesit, ndërsa vetë ishte hedhur nga ballkoni mes valëve të turbullta të liqenit dhe e kishte përpirë nata që i polli gjithë këto lajme të ogurzeza. Zanatçinjtë e çarshisë, mjeshtrit e argjendarive e filigranit i ulnin qepenat e dyqaneve dhe në heshtje bisedonin për ndodhitë e fundit, të cilat nuk paralajmëronin ditë të mira për të ardhmen e këtij qyteti. Askush nuk e dinte se si kishte përfunduar beu. Atë natë nuk ishte ndezur asnjë qiri në konakët e manastirit dhe i tërë qyteti ishte përhumbur nëpër terrin e zi.