ABDULLAH PRAPASHTICA DHE OSMAN OSMANI FALSIFIKUESIT E DOKUMENTIT TË BASHKIMIT (LNÇKVSHJ + PKMLSHJ = LRSHJ) MË 17 SHKURT 1982 (5)

Nga arkivi i facebookut tim, më 26 prill 2023

ABDULLAH PRAPASHTICA DHE OSMAN OSMANI FALSIFIKUESIT E DOKUMENTIT TË BASHKIMIT (LNÇKVSHJ + PKMLSHJ = LRSHJ) MË 17 SHKURT 1982 (5)

Nga Sheradin Berisha – Pashtriku, Maj 2024

Osman Osmani

Sheradin Berisha për çfarë falsifikimi e ke fjalën? Komunikata e marrë nga ZiK Nr. 1, si organi LRSSHJ nuk mund të cilësohet falsifikim. Përshkrimi mbi dokumentin është një lëshim imi, për te cilin edhe të falënderova. Edhe Komunikata tjetër e publikuar në librin tim, edhe pse jo e publikuar si e tërë, nuk është falsifikim. Andaj, të lutem të përmbahesh nga kualifikimet e tilla.

***

Sheradin Berisha

Osman Osmani

Fillimisht shkruan: “Sheradin Berisha i nderuar, për çfarer falsiufikimi e ke fjalën? Komuinikata e m,arrë nfhga Nr. 1 i ZiK si organi ik LRSSHJ nuk mund të cil”.

Kur e lexova këtë përgjigje paraprake sinqerisht nuk e kuptova plotësisht çka ke dasht me thënë!

Të lutem përgjigjet e mia mos i lexo me emocion, përpiqu t’i lexosh me qetësi duke pas parasysh edhe shenjat e pikësimit, sepse ato i strukturojnë mendimet e shkruara!

Edhe një herë lexoje dhe rilexoje çka kam shkruar:

Kam shkruar si vijon (citoj):

“Origjinali i Komunikatës së bashkimit të OMLK-së në LRSHJ më 15 majit 1982 e botuar si komunikatë e bashkimit të 17 shkurtit 1982, në librin e Osman Osmanit, kushtuar Skënder Ibishit, dhe e njejta komunikatë tashmë e falsifikuar e 15 majit 1982, por e botuar si komunikatë e bashkimit të 17 shkurtit 1982 në librin e bacit Nysret Hajdari, është botuar në numrin 1 të ZiK-ut, organ i LRSSHJ-së (qershor 1982), ndërsa e njejta bashkë me Kushtrimin për demonstratën e 26 qershorit 1982 në Bern është shpërndarë gjatë mbajtjes së kësaj Demonstrate:” përfundon citimi.

***

Tani më thuaj ku kam thënë që ti e ke falsifikuar komunikatën e 15 majit 1982?!

***

Osman Osmani

Sheradin Berisha, komentin tim të parë reagues e kam shkruar nga iPhoni, e me ç’rast më jane përvjedhur gabime. Gjatë përpjekjes sime për ti përmirësuar ato padashje e kam shtypur urdhërin e postimit. Andaj komentin e parë si të tillë e kam shlyer dhe me pas kam bëre komentin tjetër të korigjuar. Ti megjithatë në reagimin tënd e risjellë komentin tim te parë të papërfunduar dhe të pakorigjuar. Nuk është hera e parë dhe nuk e kuptoi përse ti gjen shkas dhe i risjell komentet e mija të pakorigjuara e te shlyera nga unë? Unë nuk kam frikë nga gabimet dhe edhe pse tanimë në moshë të shtyer jam i gatshëm që edhe më tej të mësojë dhe edhe të përmirësoj gabimet e përvjedhura.

***

Sheradin Berisha

Osman Osmani

Më vjen keq! Komentin nuk e ke shlyer, prandaj e komentova. Dhe e di që bëhen gabime të tilla, sepse edhe mua më ndodhë një gjë e tillë, por e shlyej.

Komenti yt edhe pas 14 orësh nga postimi nuk është i shlyer.

Më shumë se ky gabim teknik, kryegabimi është tek gabimet e rënda dhe që nuk shlyen kurrë, kur botohen (edhe në libra) dokumente arkivore që përshkruhen gabimisht dhe për më tepër që falsifikohen, dhe nuk është rasti i vetëm botimi i falsifikuar i Komunikatës së 15 majit 1982 në librin e bacit Nysret Hajdari (Fitim Fitimi).

***

Edhe një herë lidhur me “falsifikimin e komunikatës së 15 majit 1982” që gjoja kam thënë se e ke bë ti!

Më thuaj ku kam thënë që ti e ke falsifikuar komunikatën e 15 majit?!

***

Sa për ilustrim e sjellë këtu komentin e parë që ti thua e kam shlyer … 👇👇👇

***

Osman Osmani

Sheradin Berisha nuk e kam te qarte perse nuk eshte shlyer komenti im i paperfunduar dhe me gabime? Ndoshta nga se i perdori dy pajisje me te njejtin profil ne FB. Tani e gjeta dhe perseri e shlyva. Shpresoj te jete shlyer perfundimisht.

***

Sheradin Berisha

Osman Osmani, tashmë e ke shlyer! Klm

***

Sheradin Berisha

FALSIFIKIMI I DOKUMENTIT TË BASHKIMIT: LNÇKVSHJ – PKMLSHJ NË LRSHJ, MË 17 SHKURT 1982!

Abdullah Prapashtica Osman Osmani, Nuhi Sylejmani, Fitim Fitimi

E kam thënë edhe një herë tjetër dhe po e përsëris, se, historia përbëhet nga ngjarjet dhe datat. Ajo nuk është një pikturë e vjetër a një ikonë që mund t’i shtosh disa penelata zbukurimi apo ta restaurosh. Jo! Historia ka lidhje me kohën dhe me veprat. Koha nuk mund të kthehet pas dhe veprat nuk mund të ribëhen me zbukurime dhe falsifikime! Ndërkaq përgjegjësia e parë e dëshmitarit të një ngjarjeje historike është t’i shmanget gënjeshtrës, e dyta të mos e fshehë të vërtetën, dhe e treta të mos japë asnjë shkas që të dyshohet në të për anësi. Në këtë kuptim historiani dhe filozofi i Romës antike, Ciceroni (106 – 43 p.e.s) ka tënë: “Ligji i parë i historisë është të mos thuash kurrë asgjë të rreme dhe të mos kesh frikë të pohosh tërë të vërtetën”.

***

Në postimet e fundit solla, origjinalin e Komunikatës së bashkimit të OMLK-së në LRSHJ më 15 majit 1982, të cilën Osman Osmani, e boton në librin kushtuar veprimtarit Skënder Ibishi, duke e përshkruar si komunikatë e bashkimit të 17 shkurtit 1982!

Ndërsa në librin e Nusret Hajdarit: Kujtime të ndritura të kohëve të errëta“, Vëllimi i parë, vitet 1940 – 1989, Shtëpia botuese „PROINTEGRA“, (të cilën e drejton O.Osmani), Zürich, 2020, është botuar e njejta komunikatë, komunikata e 15 majit 1982 (kur është bashkuar OMLK në LRSHJ) si komunikatë e bashkimit të 17 shkurtit 1982 (ku u bë bashkimi i LNÇKVSHJ – PKMLSHJ në LRSHJ) në Turqi. Dhe për më tepër kjo Komunikatë është falsifikuar dhe si e tillë në këtë libër është botuar!

Por, më skandaloze është falsifikimi, ndryshimi dhe manipulimi i DOKUMENTIT të bashkimit (LNÇKVSHJ – PKMLSHJ = LRSHJ) më 17 shkurt 1982 në Turqi. Dhe ky dokument si i tillë është botuar në librin e Nuhi Sylejmanit “Vrasja e trefishtë (kujtime e fakte) në faqet 125 – 126.

________

Ilustrim: Kopertina e librit të Nuhi Sylejmanit – Vrasja e trefishtë (kujtime e fakte) Boton „KOMBI” (IKDFK) – Prishtinë 2010.

***

Sheradin Berisha

DOKUMENTI (PROCESVERBALI) I NDRYSHUAR, SHKURTUAR DHE I FALSFIKUAR I BASHKIMIT (LNÇKVSHJ – PKMLSHJ = LRSHJ) MË 17 SHKURTIT 1982, I BOTUAR NË LIBRIN “VRASJA E TREFISHTË” TË AUTORIT NUHI SYLEJMANI

Abdullah Prapashtica Osman Osmani Nuhi Sylejmani Fitim Fitimi

Në vijim sjellë një Fragment nga libri i Nuhi Sylejmanit – Vrasja e trefishtë (kujtime e fakte) Boton „KOMBI” (IKDFK) – Prishtinë 2010, faqe 124 – 126:

“Për mënyrën se si ishte arritur bashkimi, po japim më poshtë një pjesë nga kujtimet dhe arkivi personal i Osman Osmanit:

Dëshmi e bashkimit në LRSSHJ

Ftesat e para, (vjeshtë ’81) për bashkimin e organizatave, nga ana e PKMLSHJ-së u përpiluan dhe u nënshkruan nga Abdullah Prapashtica, Osman Osmani dhe Faton Topalli, pastaj, përmes Sabri Novosellës (i cili gjendej në Adapazar të Turqis) ju dërguan Jusuf Gërvallës (LNÇKVSHJ) dhe Kadri Zekës (OMLK). Bisedimet e mëhershme që u mbajtën gjithashtu në Turqi në mes të Kadri Zekës, Bardhosh Gërvallës dhe Sabri Novosellës për bashkimin e OMLK dhe LNÇKVSHJ, siç dihet nuk patën ndonjë rezultat konkret. Mirëpo, në bazë të Bisedimeve që pasuan një muaj pas atentatit kundër vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, bashkimi u arrit me 17 Shkurt 1982 në Ankara, ku ishte vendqëndrimin i përkohshëm i anëtarëve të Komisionit për bashkim të PKMLSHJ-së.

Me propozimin e Osman Osmanit bashkimi u emërtua Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi. Më 15 maj 1982, LRSSHJ-së përfundimisht ju bashkëngjit OMLK-ja. Më vonë LRSSHJ ju ndryshua emri në LPRK/LPK.

D O K U M E N T

Nga mbledhja e përbashkët në nivel të përfaqësuesve të KQ të LNÇKVSHJ dhe KQ të PKMLSHJ.

Në kryeqytetin e Turqisë, në Ankara, më 17 shkurt 1982 rreth orën 21.00 filluan bisedimet për bashkimin e organizatave simotra, LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ.

Organizatën e LNÇKVSHJ e përfaqësonin Sabri Novosella (Mërgimi) dhe Xhafer Durmishi (Shpendi).

Organizatën e PKMLSHJ e përfaqësonin Abdullah Prapashtica (Kushtrimi) dhe Osman Osmani (Halimi). Në këtë mbledhje merr pjesë edhe drejtuesi i Organizatës së Rinisë dhe njëherësh anëtar i KQ të PKMLSHJ Faton Topalli (Qemali) si përfaqësues i këtyre bisedimeve.

Në vrazhdën e këtyre bisedimeve delikate, përfaqësuesi i PKMLSHJ-së Osman Osmani (Halimi), doli me propozimin kompromis që dy organizatat të bashkohen në ”LËVIZJEN

PËR REPUBLIKËN SOCIALISTE SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI” (LRSSHJ);

– LRSSHJ të ketë një platformë, program e statut të vetëm, një Komitet si organ qendror, revistë apo gazetë.

– LRSSHJ të formoj organizatat e veta të brendshme; (ashtu siç i kanë Republikat tjera në Jugosllavi).

Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Xhafer Durmishi (Shpendi,) u pajtua me këtë propozim.

Pas tij fjalën e morri përfaqësuesi i PKMLSHJ Abdullah Prapashtica (Kushtrimi) i cili deklaroi:

– Pajtohem me propozimin e dhënë për bashkimin e organizatave tona dhe për mënyrën e organizimit të cilën e parasheh ky propozim. Gjithashtu jam i mendimit që organizata në fjalë (LRSSHJ) të ekzistoj deri te arritja e kërkesës së klasës punëtore dhe popullit shqiptar në Jugosllavi, për konstituimin e Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi.

Dhe së fundi, përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Sabri Novosella (Mërgimi)

deklaroi:

– Duke pasur parasysh që propozimi i bërë nga Osman Osmani (Halimi) i përkrahur edhe nga Xhafer Durmishi (Shpendi) dhe Abdullah Prapashtica (Kushtrimi), kam bindjen se emërtimi i plotëson kërkesat e forcave patriotike revolucionare të popullit shqiptar që jeton në Jugosllavi; pajtohem plotësisht me këtë propozim dhe shtoj; që të dy komitetet e organizatave të mëparshme të përbëjnë Komitetin e LRSSHJ-së.

Ai më tej propozoi:

– Të formohet një komision nga anëtarët e këtij Komiteti për përpilimin e programit dhe statutit të LRSSHJ-së.

– Organi i LRSSHJ-së të mbetët “Zëri i Kosovës” dhe puna të vazhdoj me teknikën e përsosur të Jusuf Gërvallës.

V E N D I M

1. Organizata e formuar nga dy organizatat e mëparshme LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ të quhet Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ).

2. Organizatat e brendshme do të organizohen sipas shembullit të republikave tjera të Federatës Jugosllave.

3. Të formohet komisioni nga anëtarët e Komitetit Drejtues për përpilimin e tezave të programit dhe statutit të LRSSHJ.

4. Në Komitetin Drejtues të hyjnë nga tre anëtarë të dy Komiteteve Qendrore të mëparshme, ndërsa dy KQ në përbërje të plotë, të hyjnë në Kuvendin e LRSSHJ.

5. Organi i LRSSHJ të jetë ”Zëri i Kosovës” kurse organi i Rinisë të quhet ”Republika”.

6. Procesi i bashkimit konsiderohet i përfunduar kur në LRSSHJ të bashkohet edhe OMLK!

Ankara, më 17 shkurt 1982

Qemajli (Faton Topalli)

Shpendi (Xhafer Durmishi)

Halimi (Osman Osmani)

Mërgimi (Sabri Novosella)

Kushtrimi (Abdullah Prapashtica)”

***

Burimi: Dokumenti i falsifikuar i botuar në librin e Nuhi Sylejmanit, Vrasja e trefishtë (kujtime e fakte) Boton „KOMBI” (IKDFK) – Prishtinë 2010, faqe 125 – 126)

Sheradin Berisha

DOKUMENTI ORIGJINAL I BASHKIMIT: LNÇKVSHJ + PKMLSHJ = LRSHJ, MË 17 SHKURT 1982 NË ANKARA TË TURQISË, I SHKRUAR ME DORË TË OSMAN OSMANIT

Osman Osmani

Autori i librit, Nuhi Sylejmani në kreun e këtij fragmenti ka shkruar:

“Për mënyrën se si ishte arritur bashkimi, po japim më poshtë një pjesë nga kujtimet dhe arkivi personal i Osman Osmanit”.

Kjo do të thotë se, autori i librit “Vrasja e trefishtë” të dhënat pasuese (në këtë fragment) për bashkimin e 17 shkurtit 1982 dhe veçanërisht DOKUMENTIN (e falsifikuar) të 17 shkurtit që e ka botuar në vijim, e ka marrë nga arkivi juaj personal!

Për të vërtetuar mirëfilli falsifikimin e Dokumenti të 17 shkurtit 1982, të cilin e ka botuar Baci Nuhi në faqen 125 – 126 të librit, duke u bazuar në arkivin tuaj personal, në vijim sjellë këtu:

DOKUMENTIN ORIGJINAL TË BASHKIMIT: LNÇKVSHJ – PKMLSHJ = LRSHJ) MË 17 SHKURT 1982 NË ANKARA TË TURQISË, TË SHKRUAR ME DORË TUAJ:

***

D O K U M E N T

Nga mbledhja e përbashkët në nivel të përfaqësuesve të KQ të LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ

Në orën 21.10 të datës 17 shkurt 1982 (në Ankara – shënim im) filluan bisedimet për bashkimin e organizatave motra, LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ, gjegjësisht për shkrirjen e këtyre dy organizatave në një të vetme.

Organizatën e LNÇKVSHJ e përfaqësojnë anëtarët e KQ Mërgimi dhe Shpendi.

Organizatën e PKMLSHJ e përfaqësojnë Kushtrimi dhe Halimi, anëtar të KQ. Në këtë mbledhje merr pjesë edhe anëtari i KQ të PKMLSHJ Qemajli si përcjellës i këtyre bisedimeve.

Pas afër tre muajsh bisedime dualëm me propozime konkrete.

Përfaqësuesi i PKMLSHJ Halimi doli me këtë propozim; të bëhet shkrirja e dy organizatave në një të vetme me emrin ”LËVIZJA PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI” (LRSHJ).

LRSHJ të ketë një platformë, program e statut të vetëm, një KQ, një organ qendror.

LRSHJ të i formoj organizatat e veta të brendshme; të gjitha organizatat që i ka një Republikë në Federatën Jugosllave.

Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Shpendi deklaron:

– Pajtohem që organizata në fjalë (LRSHJ) të ekzistoj si e tillë deri në momentin kur të realizohet kërkesa për formimin e Republikës.

Përfaqësuesi i PKMLSHJ Kushtrimi deklaron:

– Pajtohem me propozimin e dhënë për bashkimin e organizatave tona dhe për mënyrën e organizimit të cilën e parashef ky propozim. Gjithashtu jam i mendimit që organizata në fjalë (LRSHJ) të ekzistoj deri te arritja e kërkesës së klasës punëtore dhe popullit shqiptar në Jugosllavi, për konstituimin e Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi.

Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Mërgimi deklaron:

– Duke pasur parasysh që propozimi i bërë nga Halimi dhe i përkrahur nga Shpendi e Kushtrimi, kam bindjen se i plotëson kërkesat e forcave patriotike revolucionare dhe popullit shqiptar që jeton në Jugosllavi; pajtohem plotësisht me këtë propozim dhe shtoj; që të dy komitetet e organizatave të mëparshme të përbëjnë komitetin e LRSHJ kurse udhëheqësia e Komitetit Qendror të zgjidhet në një mbledhje të ardhshme.

Të formohet një komision nga anëtarët e këtij komiteti për përpilimin e programit dhe statutit të LRSHJ.

Pasi që deri në momentet e fundit të jetës së tij që ra nga plumbat e shovinistëve serbomëdhenj e redaktoi dhe udhëhoqi me plot sukses e edhe pas tashit do të punohet me atë teknikë të përsosur të Jusuf Gërvallës, propozoi që organi i LRSHJ të mbaj emrin ”ZËRI I KOSOVËS”, pasi ky emër shpreh Zërin e Kosovës, kurse organi i rinisë të LRSHJ të quhet “REPUBLIKA”.

Në lidhje me këtë propozim Halimi deklaron:

– Jam i mendimit që këto dy organe të ekzistojnë por me një renditje tjetër. Për arsye se qëllimi i LRSHJ është Republika edhe organi i LRSHJ të jetë me po këtë emër, kurse si organ i rinisë së LRSHJ, pasi rinia jonë ndjek Zërin e popullit të Kosovës (në kuptimin e gjerë) emri i organit të rinisë së LRSHJ të jetë “Zëri i Kosovës”, dhe shtoi: Në udhëheqësi të LRSHJ të hyjnë edhe udhëheqësitë e dy organizatave tjera të njohura OMLK (Organizata Marksiste – Leniniste e Kosovës – shën. im) dhe FKP (Fronti i Kuq Popullor – shën. im) me bashkimin e tyre në LRSHJ.

Përfaqësuesi i PKMLSHJ shton (Kushtrimi):

– Sa i përket emrit të organit qendror të LRSHJ jam i mendimit se mund të botohet me emrin “Zëri i Kosovës” apo “Republika”, pasi që jam i mendimit që edhe njëra edhe tjetra e kanë kuptimin e Zërit të popullit shqiptar në Jugosllavi.

Sa i përket organeve të organizatave tjera të LRSHJ ato vetë të caktojnë emrin e organeve të tyre.

Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ, Shpendi në lidhje me këtë problem deklaron:

– Duke patur parasysh se vet LRSHJ ka të bëjë me Republikë, ky titull të sintetizohet me kërkesën për Republikë. Mendoj se është e drejtë, kur të kihet parasysh se veç ekziston një organ për “Republikën e Kosovës” të cilën nesër mund ta kemi në radhët tona, organi qendror të quhet “Zëri i Kosovës”.

Përfaqësuesi i PKMLSHJ, Qemajli deklaron:

– Edhe pse në këtë mbledhje marrë pjesë si përcjellës i bisedimeve, jap mendimin tim në lidhje me çështjen e bashkimit. Pajtohem plotësisht që organizata e përbashkët të quhet LRSHJ dhe që brenda saj sipas mundësive të organizohen të gjitha organizatat që ka një republikë në federatën jugosllave. Në lidhje me organin e LRSHJ jam i mendimit që organi të quhet “Zëri i Kosovës”. Për emrin e organeve të organizatave tjera vendosin vet organizatat.

Mërgimi shton:

– Të lihet mundësia, gjegjësisht t’u bëhet thirrje edhe të gjitha organizatave, grupeve patriotike e revolucionare që veprojnë në tokat shqiptare në Jugosllavi të i bashkohen LRSHJ.

Me këtë propozim, d.m.th. për thirrje që t’i bashkohen LRSHJ të gjitha organizatat dhe grupet patriotike revolucionare pajtohen të gjithë përfaqësuesit.

V E N D I M

I mbledhjes së përbashkët të përfaqësuesve të dy organizatave motra patriotike revolucionare LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ

1. Organizata e re e formuar nga dy organizatat e mëparshme LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ të quhet Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ).

2. Organizatat e brendshme do të organizohen simbas shembullit të republikave tjera të Federatës Jugosllave.

3. Më vonë të formohet komisioni nga anëtarët e KQ për përpilimin e tezave të programit dhe statutit të LRSHJ.

4. Në KQ të hyjnë anëtarët e dy KQ të mëparshme në përbërje të plotë.

5. Udhëheqja e KQ të zgjidhet në mbledhjen e ardhshme të KQ.

6. Organi i LRSHJ të jetë ”Zëri i Kosovës”.

Qemajli

Shpendi

Halimi

Kushtrimi

Mërgimi

——–

Shënimi im P.S:

Qemajli (Faton Topalli)

Shpendi (Xhafer Durmishi)

Halimi (Osman Osmani)

Kushtrimi (Abdullah Prapashtica)

Mërgimi (Sabri Novosella)

………………..

Dëshmi arkivore nga arkivi i LRSHJ-së:

Tri faqet e Dokumentit të bashkimit LNÇKVSHJ + PKMLSHJ = LRSHJ, më 17 shkurt 1982, të shkruar nga Osman Osmani.

***

Sheradin Berisha

Faqja parë e dokumentit (origjinal) i shkruar me dorë të Osman Osmanit

***

Sheradin Berisha

Faqja dytë e dokumentit (origjinal) i shkruar me dorë të Osman Osmanit.

***

Sheradin Berisha

Faqja tretë e dokumentit (origjinal), i shkruar me dorë të Osman Osmanit

***

VIJON ….

© Pashtriku.org

______________________________

Nga arkivi i facebookut tim, më 26 prill 2023

ABDULLAH PRAPASHTICA DHE OSMAN OSMANI FALSIFIKUESIT E DOKUMENTIT TË BASHKIMIT (LNÇKVSHJ + PKMLSHJ = LRSHJ) MË 17 SHKURT 1982 (6)

Nga Sheradin Berisha – Pashtriku, Maj 2024

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura