ABDULLAH PRAPASHTICA:PËRSE PO HESHTIN KUVENDI DHE GJYKATA KUSHTETUESE PËR FUSNOT-ën SERBE?!

(23. 03. 2012) – Me cilëndo kushtetutë të cilitdo shtet në Botë nuk ka mundësi që qeveria, që del nga republika parlamentare, të miraton e zbaton marrëveshje me shtete armike, pa ratifikimin e tyre nga parlamenti dhe pa u verifikua nga Gjykata Kushtetuese. Kjo është e mundur vetëm në Republikën e Kosovës, për fatin e të cilës vendos sundimi diktatorial i Brukselit! Andaj, në vend se Kuvendi i Republikës së Kosovës të nxjerr Rezolutë kundër FUSNOT-ës SERBE, Kuvendi për të mashtruar opinionin, nxori një Rezolutë kundër zgjedhjeve të Serbisë në veri të Republikës të Kosovës, edhe pse me pranimin e FUSNOT-ës, juridikisht Serbisë ju dha e drejta të shtrinë sovranitetin mbi vendin tonë. Pra edhe të mbante zgjedhjet e veta në Kosovë (pa Republikë) duke konsideruar Kosovën krahinë të veten. Një nga detyrat kryesore të parlamentit (në cilindo shtet) është edhe shqyrtimi, refuzimi apo miratimi (ratifikimi) i marrëveshjeve bilaterale dhe multilaterale që i realizon qeveria në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Po shihet çart se me marrëveshjen e imponuar nga diktatura e Brukselit mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, që solli FUSNOT-ën serbe, me Rezolutën 1244 brenda dhe me emrin e Republikës së Kosovës jashtë, ishte në kundërshtim edhe me këtë Kushtetutë çfarë është Kushtetua e mjerë e Ahtisarit, e në të cilën bëjnë be e rrëfe qeveria dhe parlamenti i Republikës së Kosovës. Ky është çmimi i kolaboracionizmit që po quhet “partneritetit” me BE në sundimin kolonial e diktatorial të Brukselit mbi Republikën e Kosovës me të cilin janë pajtuar të gjitha partitë parlamentare pa përjashtim.

Miratimi i FUSNOT-ës serbe me 1244 brenda e me emrin e Republikës jashtë, juridikisht e kthen sovranitetin e Serbisë mbi Republikën e Kosovës. Me këtë faktikisht dhe juridikisht ju dha leja Serbisë që të mbaj edhe zgjedhjet e veta brenda Republikës së Kosovës. Kështu si u nxor pastaj REZOLUTA KUNDËR ZGJEDHEJVE NË VERI, jo vetëm se kjo është një farsë e mashtrim për opinionin, por dëshmon dhe për mos njohje elementare të rendit juridik dhe për paaftësi elementare për të udhëheq me shtetin.
Prandaj nëse është dashur të pengohet mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë brenda Republikës së Kosovës, atëherë është dashur të nxirret rezoluta mbi anulimin e të gjitha marrëveshjeve (duke e përfshirë edhe FUSNOT-en) mes Grupit për Negociata me Serbinë (GNS) dhe shtetit armik Serb nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës. Parlamenti i Republikës se Kosovës me aktin e shpalljes së pavarësisë me 17 shkurt 2008, do të duhej një herë e përgjithmonë t´a shfuqizonte vetë Rezolutën 1244 në territorin e Republikës se Kosovës, sepse pavarësia e as një shteti nuk vjen nga OKB por vetëm nga vet popujt e atyre vendeve që krijojnë shtetet e veta dhe që janë të aftë që vetë t´iu dalin Zot atyre.
Por, Qeveria e Republikës se Kosovës me diletantizmin e Edita Tahirit e riktheu vet Rezolutën 1244 e cila e njohu sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën. Parlamenti dhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në vend se të reagojnë energjikisht dhe që të hedhin poshtë në mënyrë kategorike këtë marrëveshje, ata i futën veshtë në lesh dhe tani merren me rezoluta për ndalimin e atyre zgjedhjeve që i kanë lejuar vetë me FUSNOT në Bruksel. Kjo nuk mund të arsyetohet me presion nga “miqtë ndërkombëtar”, sepse ata që juridikisht e kthejnë Republikën e Kosovës para 1999 nuk janë miq tanë, por janë miq të Serbisë. Po shihet çart se për Brukselin vendi ynë është koloni e BE ku ata munden të vendosin diktaturën e vetë ultra të djathtë dhe e cila nuk ka shumë dallim prej diktaturës ultra të majtë të ish Bashkimit Sovjetik.
SI FUNKSIONON SHTETI JURIDIK NË VENDET DEMOKRATIKE?
Kur Qeveria me mekanizmat e vetë nuk parandalon apo nuk anulon arritjen e marrëveshjeve të dëmshme për vendin tonë, nga ndonjë qeveri apo të ndonjë pjesëtari të qeverisë, atëherë reagon Parlamenti dhe anulon marrëveshjet e tilla të dëmshme. Nëse parlamenti nuk reagon, si ndodhi në këtë rast, menjëherë duhet të reagonte Gjykata Kushtetuese, sepse këtu është fjala për shkelje fundamentale të sovranitetit të vendit. Kur të dështojnë tërë këta mekanizma shtetëror, atëherë reagon opinioni. Ne pamë se si ndodhi me Marrëveshjen e Qeverisë të Salih Berishës me Greqinë në përcaktimin e kufijve detar mes të dy shteteve!
Opinioni reagon kështu si reagoi duke ju kundërvu në mënyrë masive kësaj Marrëveshje antikombëtare dhe antishtetërore, edhe përmes opinioneve publike edhe përmes të anketave të shumta, ku shihet se shumica absolute e popullatës është kundër kësaj marrëveshje me Serbinë. Në raste kur bëhet fjalë për interesa vitale të Vendit, pa tjetër duhet të organizohen Referendume. Kjo është rruga demokratike e vendosjes për fatin e vendit.
Nëse institucionet nuk i korrigjojnë qëndrimet e veta duke e respektuar demokracinë, atëherë fillojnë demonstratat me kërkesa për shkarkimin e Vendimeve të tilla dhe të këtyre Institucioneve diletante në rrugë demokratike, duke thirrur zgjedhje të reja, nga të cilat përjashtohet pjesëmarrja e atyre që kanë shkelur sovranitetin e vendit një herë dhe që kanë sjellë në zgjedhje të parakohshme. Ato subjekte që një herë shkelin sovranitetin e Republikës së Kosovës atyre u duhet ndaluar përgjithmonë pjesëmarrjen në zgjedhje, sepse ndryshe ndodh ajo që ata me vota të vjedhura sërish vazhdojnë të kthehen në pushtet dhe që serish ta rrezikojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Nëse as pas demonstratave paqësore këto institucione nuk organizojnë zgjedhje të reja, atëherë populli më nuk del në demonstrata dhe ai me këtë tregon se më nuk beson në zgjedhje demokratike të çështjes. Atëherë populli bëhet gati për mal. Keni kujdes pra, e mos e nxirrni popullin në mal, se atëherë më nuk ka zgjedhje paqësore të as një gabimi tuaj.
Kam droje se këto Institucione aktuale (Parlamenti, Qeveria dhe Gjykata Kushtetuese) nuk do ta kuptojnë këtë apel. Ky dyshim imi bazohet edhe në përvojën më të re me këto Institucione kur ato deklarojnë se nuk i lëshojnë pe Serbisë, dhe nuk kalon as java dhe ata i hanë fjalët e veta. Rasti konkret është embargoja e reciprocitetit me Serbinë, emri i Republikës e etj. Opinioni e dinë këtë ngjarje dhe nuk ka nevojë që t´a përshkruaj. Por, mund të konstatoj se ato u treguan se kanë qëndrime pro serbe, sepse vepruan sipas interesave të Serbisë dhe në dëmë të Republikës së Kosovës edhe me anulimin e reciprocitetit me një REZOLUTË PROSERBE të këtij kuvendi si dhe edhe me miratimin e FUSNOT-ës serbe.
HIPOKRIZIA E DIKTATURËS SË BASHKIMIT EVROPIAN NDAJ LIRISË SË LËVIZJES
Dihet se Qeveria as një herë nuk e përdori dhunën ndaj barrikadave çetnike serbe. Por kur populli me 14 janar 2012 e mbylli kufirin me Serbinë me demonstrata, qeveria u përgjigj me mbylljen e kufirit – me Shqipërinë dhe e hapën kufirin me Serbinë, duke përdorur dhunë brutale kundër popullit të vetë. Kjo dhunë u zbatua me urdhra nga Brukseli. Në vend se qeveria dhe policia të zbatojnë Reprocitetin, populli demonstrues e zbatoi Rezolutën e Parlamentit të Republikës së Kosovës mbi reciprocitetin, duke i mbyllur kufijtë me Serbinë për disa kohë. Por, Parlamenti në vend të shkarkon Qeverinë për grusht shtet, për shkelje të Kushtetutës dhe për shkeljen e Rezolutës mbi Reciprocitetin me Serbinë, ai shfuqizoi Rezolutën e vet dhe nxjerr një Rezolutë tjetër pro serbe të diktuar nga Brukseli. Po! KUVENDI I KOSOVËS E NXORRI NJË REZOLUTË PRO SERBE!
Me këtë rast vet Brukseli në mënyrë të orkestruar filloi të akuzon demonstruesit për “kufizimin e lirisë se lëvizjes” edhe pse Brukseli kufizimin e lirisë së lëvizjes për Republikën Kosovës, Kosovën e ka shndërrua ne Aushfic të vizave të tyre. Nuk ka vend në Botë të ketë liritë e lëvizjes më të kufizuara se sa Republika e Kosovës me anën e vizave të vendeve anëtare të BE. Andaj habit pafytyrësia e diplomatëve të BE në mbrojte të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave serbe në vendin tonë, kur ata vetë ia kanë kufizuar që 12 vite të drejtat në lëvizje të lirë qytetarëve dhe mallrave nga Republika e Kosovës për në vende e tyre. Ndërsa ata vinë edhe me tanke në vendin tonë pa i pyetur fare Institucionet e Republikës së Kosovës.
Këto Institucione vendore shpesh tregohen të pamëshirshëm brenda llojit të vetë (edhe mes partive të ndryshme edhe brenda vetë partive të tyre) duke mos i lëshuar pe njeri tjetrit në as një drejtim, por para ndërkombëtarëve sillen me përulje më të turpshme. Nga ana tjetër ndaj opozitarëve brenda e jashtë partive thurin gjithfarë intrigash e thashëethënash të pa vërteta vetëm pse ata ua zbulojnë e publikojnë gabimet, me paramendime pozitive që institucionet ato t’i korrigjojnë.
Me që Partitë politike janë të pafta me e qeverisë vendin në mënyrë sovrane e dinjitoze ato bëhen rob të mentalitetit autonomist dhe udhëhiqen me logjikën, se duhet të veprojnë sipas diktatit të diktaturës së Brukselit. Paaftësinë e vet në drejtim të qeverisjes e kompensojnë me aftësinë e shkathtësinë e vetë për komplote kundër personaliteteve opozitare dhe për krijimin e mjegullës politike me të cilën mbulohen dështimet e tyre. Këta burra i katandisën shqiptarët në këtë situatë pa rrugëdalje dhe ua dogjën idealin e rilindësve, gati në pa shpresë, për një shtet shqiptarë demokratik të bashkuar dhe të barabartë me shtete tjera.
SAJIMI I MJEGULLËS POLTIKE NGA SHËRBIMET INFORMATIVE PARTIAKE
Kohëve të fundit SHËRBIMET INFORMATIVE PARTIAKE (që nuk kanë pushuar së vepruari as një herë) i kanë vu në funksion edhe do traktor të vjetër që bëjnë shumë zhurmë dhe ndyjnë ambientin me gazrat e veta helmuese, për të tërhequr vërejtjen nga çështjet e hapura kryesore në gjera dytësore.
Shembulli konkret është zhurma e prodhuar përmes të dy-tre korbave të mërgatës së qyqeve të cilët duke e nëpërkëmbur emrin e Jusuf Gërvallës, mundohen të afirmohen vet personalisht, me që nuk kanë rrugë tjetër të afirmimit pos si keqbërës. Por, edhe me qëllime djallëzore që para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm të ulin vlerat reale të LPK’ës dhe të UÇK’ës, duke e prezantuar veten rrejshëm si themelues të tyre. Mu për shkak të nivelit të ultë moral të tyre, prezantimi i tyre i rrejshëm si themelues të LPK’ës e të UÇK’ës është ofendim për LPK’ën e UÇK’ën.
Vetë mbështetja e deklaratave të tyre të rrejshme nga Klan – Kosova dhe nga RTK dëshmon se ata po nxiten e po mbështeten nga shërbimet informative e partitë politike që i kanë në duart e veta këto televizione. Janë këto televizione ku janë dyert e mbyllura për të vërtetën dhe ku janë të hapura dyert për ata që janë në shërbim të klaneve të caktuara politike, që janë në shërbim të diktaturës së Brukselit.
Habisin përpjekjet e matrapazëve e gënjeshtarëve politikë për të ndryshuar datat historike dhe aktorët e themelimit të LPK’ës nga 17 shkurti 1982 në 17 janar 1982 duke i keqpërdorur edhe emrat e Dëshmorëve të Kombit të 17 janarit 1982. Habisin përpjekjet e matrapazëve e gënjeshtarëve politike për të keqpërdorë emrat e Dëshmorëve të Kombit, gjoja se demonstratat e 1981 me kërkesën për Republikën e Kosovës …ishte rezultat i punës së udhëhequr nga organizatat të drejtuara nga Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka…, gjë që nuk është e vërtet! Habisin përpjekjet për falsifikimin e historisë duke dalë me fantom organizata si një “Fronti për Republikën e Kosovës” që kurrë nuk kanë ekzistuar. Ka bile të tillë që demonstratat e 1968 e 1981 me kërkesën për Republikën e Kosovës ia veshin Fadil Hoxhës me kompaninë e titistëve të ish pushtetit jugosllavë edhe pse edhe të parët edhe të dytët ishin kundër kërkesës për Republikën e Kosovës.
Nuk ka as me të voglin dyshim se përhapja e këtyre gënjeshtrave dhe heshtja e të vërtetës bëhet me paramendim kriminal për falsifikimin e historisë kombëtare sikur ajo të ishte pronë e tyre private. Këto trillime po vinë 30 vite pas këtyre ngjarjeve, duke menduar se populli ynë është budalla dhe i hanë trillimet e këtyre vagabontave e mashtruesve politikë dhe të PAMFLETEVE të tyre TALLAVA që ata i quajnë “LIBRA e ROMANE”, e pas të cilave fshihen shërbimet e huaja të spiunazhit, të cilat synojnë që në tokat tona mos t’i lanë kund dy shqiptarë të bashkuar!
Ata që e duan me të vërtet Jusuf Gërvallën dhe heronjtë e dëshmorët tjerë të Kombit e vazhdojnë luftën kundër armiqve sllavë për realizimin e amaneteve të tyre, e jo ata që nxisin vëllavrasje brenda shqiptarëve me akuza të rreme se gjoja Jusuf Gërvallën e “paska vra” filan shqiptari. Pafytyrësia e këtyre idiotëve shkon deri aty sa për dezinformim e shpifje që i bëjnë ata vet i akuzojnë të tjerët, sepse e vërteta për ata është si rrezja e diellit për vampirët. A ka më idiotizëm të madh se kur do hiq, do kërkusha përbaltin emrat e heronjve që i vrau UDB-eja, si Enver Hadrin e Musa Hotin etj., që një jetë të tërë ia falën atdheut, duke i akuzuar ata për “spiuj të UDB-ës” pa as një fakt e motiv real, pos xhelozisë që kanë frikacakët e tradhtarët për trimat e besës e të atdheut. Keqpërdorimi i emrit të Jusuf Gërvalles, të rënë për liri, si maskë për goditjen e pengimin e luftës kundër armikut të luftëtarëve të gjallë të lirisë, është akti më i ulët që mund të bën njeriu sot, kur lëvizja ka nevojë për çdo njeri të vetin.
Për të arritur këtë, ata sulmojnë autoritetet kryesore të LPK e të UÇK dhe sidomos Komandantin e SHP të UÇK, duke fol mbi figurën e tij me fjalorin e vagabondëve. Është për keqardhje se si i qeshë nuri nga gëzimi edhe kryetarit të parlamentit që ishte ish shok i Komandantit të SHP të UÇK, kur Zvicra nga ai kërkon që Komandanti të shkarkohet nga detyra e Deputetit e ai të thirret në përgjegjësi për diçka që Zvicra ka marrë Vendime Ligjor me Komisione të veta Sociale Shëndetësore e Shtetërore dhe ku Komandanti i SHP të UÇK-ës nuk ka të mundur të ketë as një ndikim. Komandanti, tani vihet para një terrori të organizuar propagandistik – psikologjik për t´a thyer shpirtërisht dhe politikisht, që për mes të tij pastaj të goditet besimi i opinionit te e tërë UÇK-ja.
Pra, Komandanti nuk sulmohet vetëm për të degraduar atë personalisht, por për t´a degraduar LPK dhe UÇK, si formacione çlirimtare. Nuk ka dyshim se në prapavijë të këtyre veprimeve qëndrojnë aleatet serbo-grek brenda BE, sepse qëllimi i tyre është zhveshja e kombit shqiptar nga vlerat e veta historike. Këtu atyre ju përputhen interesat me veglat vendore të të gjitha regjimeve të huaja q| janë prezent në vendin tonë. Natyrisht se unë me këtë mbroj vlerat e UÇK dhe vlerat ushtarake të Komandantit të SHP të UÇK – të kohës së luftës, sepse më pas nuk e di se çka ka ndodhur, me që pas lufte u detyrova të kthehem sërish në mërgim.
Në përfundim të them edhe një herë se, janë këto 30 vite lufte të suksesshme politike e të armatosur të pa ndërprerë të LPK dhe UÇK, për arritjen e pavarësisë, për bashkimin e mëvetësinë sovrane kombëtare brenda një shteti. Ky proces që është në zhvillmë dhe kjo luftë nuk mund të ndalet as me FUSNOT-a serbe, as me REZOLUTA demagogjike dhe as me komplote të dështakëve që me zhurmën e FERGUSONAVE të Beogradit tymosin, mjegullojnë e ndyjnë ambientin ku ata aktualisht qarkullojnë, edhe një herë pas 30 viteve me po ato intriga të kuzhinave serbe që i kanë bërë më parë. Megjithatë, për armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të Republikës të Kosovës e kam edhe një lajm të keq dhe për atdhetarë të devotshëm një lajm të mirë: se nuk ka fuqi që mund t’i dalë përpara bashkimit kombëtar shqiptar në një shtet të vetëm.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura