ADIL FETAHU: A PËRGJIGJET KUSH PËR MOSZBATIMIN E LIGJIT?!

Prishtinë, 13. 10. 2015: Pas shumë e shumë kërkesave të organizatave të pensionistëve të Kosovës, dhe premtimeve të partive politike në fushatat parazgjedhore, më në fund Kuvendi i Republikës së Kosovës më 6 maj 2014 miratoi Ligjin mbi Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Ligji u publikua në “Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës”, nr.35, dt. 5 qershor 2014. Me qenë se në dispozitën përfundimtare (neni 31) është paraparë se “Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës:, del se ligji ka hy në fuqi më 20 qershor 2014. Ligji përmbanë një dispozitë (neni 30), me të cilën është paraparë instituti “vacatio legis”, dmth, koha (afati) që duhet të kalojë prej ditës së shpalljes së ligjit, a dispozitës së caktuar, deri ditën kur hyn në fuqi, e që ka të bëjë me pensionet invalidore dhe ato familjare (neni 11 e 12), që për ato dy kategori është paraparë se ligji do të fillojë së zbatuari prej 1 janarit 2015. Kjo vetvetiu nënkupton se për kategoritë e tjera të “pensioneve”, ligji është dashur (dhe duhet) të zbatohet duke filluar prej 20 qershor 2014, tashmë retroaktivisht.
Lere se askush nga kategoritë e përfshira me këtë ligj nuk ka qenë as nuk është i kënaqur, por ajo që është më keq dhe e pajustifikueshme, është fakti se ligji nuk është zbatuar as nuk po zbatohet as sot e kësaj dite, edhepse është dashur të zbatohet qe afro një vit e gjysmë, prejse ka hy në fuqi. Në këtë mënyrë, kategorive të përfshira në ligj u janë shkelur të drejtat të cilat i ka përcaktuar ligji. Këtu e kemi fjalën kryesisht për dispozitën e nenit 8, paragrafi 2 dhe paragrafi 6, por ka edhe dispozita tjera që nuk zbatohen. Në paragrafin 2 të nenit 8, është përcaktuar kjo dispozitë: “Kategorizimi i shfrytëzuesve të pensionit kontributdhënës, sipas kohëzgjatjes së pagesës së kontributit, sipas strukturës kualifikuese dhe kritereve tjera, përcaktohet me akt nënligjor, të cilin do ta miratojë ministria përkatëse” (ministria përkatëse është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, a.f.). Në nenin 29 të ligjit, është përcaktuar se “Për zbatim të drejtë dhe të plotë të këtij ligji, në afat prej gjashtë (6) muajsh nga dita e hyrjes në fuqi Ministria nxjerrë aktet përkatëse nënligjore”. Do të thotë se afati i fundit për miratimin e akteve nënligjore për zbatimin e ligjit, ka qenë 20 dhjetori i vitit 2014. Por, me këtë neglizhencë e papërgjegjësi të ministrisë përkatëse, nuk e besoj se as më 20 dhjetor të vitit 2015 do të jenë miratuar aktet nënligjore. Dispozita tjetër që poashtu është dashur të fillojë të zbatohet prej ditës kur ligji ka hyrë në fuqi, është ajo e paragrafit 6 të nenit 8, ku është përcaktuar se: “Me këtë ligj u njihet stazhi i punës për pension kontributdhënës për vittet 1989-1999 punëtorëve të arsimit, të shëndetësisë dhe tjerëve që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës”. Deri më sot, askujt nuk i është njohur stazhi për atë periudhë, prandaj të gjithë ata që nuk kanë 15 vjet stazh pensional, nuk e marrin “pensionin” 65 euro, si kontributpagues, por marrin 75 euro, që u jepet të gjithë të moshuarve që kanë arritur moshën 65 vjeçare, pa marrë parasysh se kurrë nuk kanë qenë në marrëdhënie pune.

“Pensioni” 65 euro për të gjithë ata që kanë punuar e paguar kontribute 15 vjet, është tallje me pensionistët. Madje, këtë shumë e marrin si ata që kanë 15 vjet stazh pensional, si ata që kanë 45 vjet punë e stazh! Dhe këtë ta quash pension, është mosnjohje totale e sistemit pensional, dhe kjo nuk ndodhë askund në botë! Arsyetimi, se nuk ka mjete dhe se Banka Botërore e Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk po lejojnë rritjen e pensioneve, për kategorinë e atyre që kanë punuar e paguar kontribute dyzet vjet, është krejtësisht i paqëndrueshëm. Sepse, mjete po gjenden për paga e beneficione të majme, për luksin e paparë për zyret, veturat, udhëtimet, paushallet, mëditjet, shujtën ditore, shpenzimet e rrugëse, për deputetë e udhëheqës në pozita të ndryshme të organeve dhe institucioneve. Të krahasosh pensionin prej 65 eurove, me të ardhurat që realizojnë ata, është e pakuptimtë, del raporti 10:1. Bie fjala, kryetari i Kuvendit merr 34.000 euro në vit, kurse pensionisti, me 40 vjet stazh pune, merr 330 euro “pension”! Deputetët që Kuvendin e kanë shndërruar në cirk, e ministra të ndryshëm, poashtu marrin paga e beneficione tetë a nëntëfish më të mëdha se pensioni i kontributpaguesit.
T’iu njihet stazh për pension periudha 1989-1999 edhe të gjithë punëtorëve tjerë
Punëtorët shqiptarë i diskriminoi pushteti okupues i Serbisë, duke i përjashtuar prej pune në bazë të përkatësisë nacionale. Ky fakt është i ditur nga të gjithë, dhe ka me mija e mija prova materiale. Këtë e vërteton edhe një raport i Byrosë Ndërkombëtare të Punës, në Gjenevë, maj-qershor 1992 (GE.253/15/27, 253 rd Sesion), të cilin ajo Zyrë e ka hartuar në bazë të të dhënave që unë nga pozita e sekretarit të përgjithshëm të BSPK, ia kam dërguar asaj Byroje në vitin 1991, dhe raportit të Komisionit që erdhi dhe e verifikoi gjendjen, të cilën e gjeti akoma më keq, me kohën që kishte kaluar. Punëtorët e arsimit, pothuajse gjatë gjithë kohës sa kanë punuar, kanë marrë do paga në marka gjermane, të cilat për shkak të inflacionit, dikur ishin shumë më të larta se ato që pushteti serb ua paguante punonjësve të vet. Edhe punonjësit shëndetësor kanë marrë paga e të ardhura, qoftë nëse kanë punuar në institucionet paralele, qoftë në ambulanta a klinika private. Poashtu, kanë marrë paga edhe ata që ishin të angazhuar nëpër këshillat financiare në nivel të komunave dhe në nivel qendror. Ndërkaq, punëtorët e tjerë, të përjashtuar prej pune, qoftë nga ndërmarrjet ekonomike apo institucionet shtetërore (administratë, gjykata, prokurori, polici, etj.), nuk kanë marrë kurrëfar paga as ndihma. Këta janë përjashtuar edhe nga procesi i privatizimit, dhe diskriminimi i tyre është i shumëfishtë. Prandaj, gjithsesi këtyre duhet njohur stazhi pensional për periudhën 1989-1999, pa marrë parasysh se nuk kanë paguar kontribute, sepse as kategoritë që kanë marrë paga gjatë asaj periudhe, nuk kanë paguar kontribute, ngase nuk ka funksionuar sistemi pensional paralel. Kuvendi i Kosovës, duhet sa më parë të miratojë një ligj të veçantë, ose ta plotësojë dispozitën e nenit 8 par.6 të ligjit ekzistues mbi Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, ashtu që stazhi pensional t’iu njihet të gjithë punëtorëve të përjashtuar prej pune në periudhën 1989-1999. Përndryshe, sindikatat e punëtorëve dhe organizatat e pensionistëve, duhet të angazhohen vendosmërisht deri në realizimin e këtij qëllimi të drejtë.
Manipulimi me ndryshimin a plotësimin e Ligjit
Shkelja e të drejtave të pensionistëve përmes moszbatimit të ligjit, po tentohet të vazhdohet akoma, duke pretenduar gjoja për ndryshimin a plotësimin e tij. Kjo nuk është asgjë tjetër veçse manipulim me të drejtat e pensionistëve. Nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka dalë një tekst – projektpropozim për ndryshimin e ligjit ekzistues. Teksti i përpiluar për ndryshimet e pretenduara, dëshmon nivelin e mjerueshëm të kapacitetit profesional të hartuesit, gjegjësisht të institucionit prej nga ka dalur. Pretendohet të bëhet një plotësim i vogël i nenit 3 pika 4, ndërsa një ndryshim më i madh të bëhet në nenin 7. Emërtimi: pension bazik i moshës, të quhet: “Pensioni social i pleqërisë”.Ndryshimi kryesor që pretendohet, konsiston në atë që askush të mos mund të merr “pension social të pleqërisë”, nëse merr ndonjë pension sipas ndonjë baze tjetër nga buxheti i Republikës së Kosovës, apo nga Trusti i Pensioneve i Republikës së Kosovës, apo çfarëdo pensioni a ndihme sociale nga ndonjë vend tjetër..Përcaktohet se “Pensioni social i pleqërisë nuk mund të eksportohet (!) jashtë Kosovës”. Me këto plotësime, gjoja se pretendohet të pamundësohet marrja e dy pensioneve sociale nga një numër i personave, të cilët marrin ndonjë pension nga burime tjera. Por, hileja e ndryshimit qëndron në qëllimin për ta zvarritur kohën e zbatimit të ligjit ekzistues.
Pse nuk zbatohet, dhe kush përgjigjet për moszbatimin e ligjit?
Siç u tha më sipër, Ligji për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti ka hyrë në fuqi, dhe është dashur të zbatohet qysh prej 20 qershorit 2014, me përjashtim të dy dispozitave (neni 11 e 12) që kanë të bëjnë me pensionin invalidor të punës, dhe pensionin familjar, të cilat është dashur të fillojnë të zbatohen prej 1 janarit 2015 (“në përputhje me fondet buxhetore në dispozicion”). Prandaj, pa marrë parasysh se MPMS është vonuar për të miratuar aktet nënligjore përkatëse (atë për kategorizimin e pensionistëve kontributpagues (neni 8 par.2), kurdo që të bëhet ai kategorizim, pensionistëve duhet t’iu paguhen pensionet sipas kategorizimit, retroaktivisht prej 20 qershor 2014, ndërsa për pensionet invalidore të punës dhe pensionet familjare të zbatohet prej 1.01.2015, kur ligji ka hyrë në fuqi për këto kategori të pensionistëve. Çdo shmangëje dhe tentim që pensionet sipas kategorizimit të paguhen prej një kohe tjetër të mëvonshme, të caktuar eventualisht me akt nënligjor, apo me ndonjë vendim (arbitrar) të Ministrisë apo të Qeverisë, do të jetë shkelje e ligjit dhe e të drejtave të këtyre pensionistëve, dhe këtë pensionistët dhe organizatat e tyre nuk duhet ta lejojnë në asnjë mënyrë.
Po, Ligji nuk po zbatohet as në dispozitat tjera. Bie fjala, në dispozitat e neneve: 7:2; 8:1; 8:2; 8:4; 8:5; 10:2:1; 10:2:2, është përcaktuar se të drejtën e pensionit të caktuar mund ta realizojnë shtetasit e Republikës së Kosovës, të cilët kanë shtetësinë e Kosovës, dhe që këtë e dëshmojnë me dokumente valide të lëshuara nga organi kompetent i Republikës së Kosovës. Shfrytëzues të pensionit kontributpagues, etj., mund të jenë edhe shtetasit e huaj, me shtetin e të cilëve Republika e Kosovës lidhë marrëveshje bilaterale për sigurimet sociale.
Siç dihet, qytetarët serbë të Kosovës, qoftë se jetojnë në Kosovë ose në Serbi, asnjëherë dhe me asnjë kusht nuk e njohin as pranojnë shtetësinë e Kosovës, dhe asnjë nuk do të ofrojnë dokument valid nga organet kompetente se është shtetas i Kosovës. Nga ana tjetër, Kosova nuk ka kurrëfar marrëveshje me Serbinë për sigurimet sociale. Por, të gjithë ata që kanë moshën mbi 65 vjeçare marrin pension të pleqërisë ose edhe si kontributpagues nga buxheti i Kosovës, dhe njëkohësisht marrin edhe pension nga Fondi Pensional i Serbisë!
Dhe kush duhet të përgjigjet e çfarë pasoja do ketë për moszbatimin e ligjit?
Zbatimi dhe kontrolli i zbatimit të ligjit është detyrë e organeve të shtetit, secili nga fushëveprimi i vet. Këtu në rend të parë duhet të përgjigjet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por edhe tërë Qeveria e Kosovës. Nuk është pa përgjegjësi as Kuvendi, që nuk e përcjell zbatimin e ligjeve që miraton, përmes komisioneve e mekanizmave tjera kompetente. Secili duhet të mbajë përgjegjësi morale, politike e besa do duhej edhe sanksione tjera, për moszbatimin e ligjit. Sa për inspeksione, as të mos flasim, sepse ato sikur nuk ekzistojnë fare, ndërsa shoqëria civile dhe mediat bëhen të shurdhër ndaj fenomenit të moszbatimit të ligjit. Sindikatat e punëtorëve dhe organizatat e pensionistëve janë të pafuqishme. Këshilli Ekonomiko-Social heshtë. Punëtorët dhe pensionistët e kanë të vështirë luftën për realizimin e të drejtave të garantuara me ligj. Ata s’i mbron kush!
Moszbatimi i shumicës së ligjeve, është bërë dukuri normale dhe kulturë e sjelljes së individëve dhe e neglizhencës së organeve kompetente. Në shumë sfera kjo paraqet shkelje të të drejtave të njeriut, por sjell edhe pasoja ekonomike, politike e shoqërore të pariparueshme. Zbatimi i ligjit nuk është çështje e dëshirës, moralit ose edukatës demokratike të dikujt, por është detyrim, e ai që nuk e kryen detyrimin ligjor duhet të përgjigjet.
Kështu si është, Kosova nuk është shtet që miraton e zbaton ligje, veçse një shoqëri partiokratike, anarki, e papërgjegjshme ndaj qytetarëve të vet dhe ndaj shtetit që mëton të bëhet e të integrohet në përmasa ndërkombëtare.
Dhe përsëri e përsëri, askush nuk përgjigjet!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura