ILJASA SALIHU: ALI AHMETI DO TË TËRHIQET NGA POLITIKA, VETËM ATËHERË KUR ATDHEU I TIJ DO TË BËHET ANËTAR I NATO’s!

 Kumanovë, 28. 10. 2014 – Unë këtë nuk e thash. Vetëm se po përpiqem ta zbërthej një pohim, paraqitje dhe një mendim të atij që në këtë pohim, paraqitet me një mendim ndryshe prej asaj që jemi mësuar ta dëgjojmë, edhe pse shumë rrallë. Të rrallë, ngaqë prijësit politik duan që mundit të tyre t’ia lidhin vetë grykën, ashtu siç bëri z. Ahmeti me rastin e luftës dhe të pas luftës. Nuk lejoi që grurin e mbjellur prej kryengritësve shqiptar, ta korrnin në kohë paqeje ata që nuk kishin bërë luftë. Ali Ahmeti bëri luftë, por mori përsipër që vetë ta ndërtojë paqen. Ai qe mbjellës i grurit, njëherësh edhe përkujdesës, kombajner dhe mullis, pavarësisht kaplimit të urisë për bukë. Ky nuk pranoi të jetë shkronjë e alfabetit, por u bë vetë alfabeti. Ndërsa tani paraqitet ndryshe. Ky si një kalorës besnik i Maqedonisë, i cili ruajti Maqedoninë prej ndarjes, punoi me ngulm, madje duke bërë kompromise të dhembshme vetëm për hir të futjes së vendit në NATO, thotë se posa të hyjë Maqedonia në NATO, ai do t’i thotë lamtumirë politikës. Kjo është sikurse pas luftës së 2001-shit, z. Ahmeti ta kishte mohuar hyrjen e tij në politikë, edhe pse pikërisht atë kohë ai shijoi ngrohtësinë e kolltukut, ngrohtësi kjo që e molisi dhe kapiti shumë, madje atë e ndau në dysh; Abazin dhe Aliun. 

“Kur do ta anëtarësoj Maqedoninë në NATO do të dorëhiqem përfundimisht nga politika” – ka thënë Lideri i BDI-së Ali Ahmeti (më 23 tetor 2014), në emisionin “Opinion” të TV Klan që e drejton Blendi Fevziu.(sh.b)

Opinion – Ndarja e Maqedonise! (22 tetor 2014)

Pamundësia e hyrjes së Maqedonisë në NATO, po bëhet gjithnjë e më shumë tragjike, njëherësh edhe komike. Ali Ahmeti do të tërhiqet nga politika, vetëm atëherë kur atdheu i tij do të bëhet anëtar i NATO-s. Ky pohim nuk është shkel e shko, kuturisje dhe pohim i pamend. Ky pohim në vete ngërthen shumë, aq sa edhe pështjellon shumë!
Kështu që, për aq kohë sa është Ali Ahmeti në politikë, nuk do të futemi në NATO, ngaqë e kundërta do të thotë degdisje e tij prej politikës, duke qenë se prijësit tanë më shumë janë të lidhur me politikën, se sa me eshtrat e tyre. Qëndrimi i tij në politikë është i lidhur me anëtarësimin e vendit në NATO. Pavarësisht dështimeve, ky do të arsyetohet me qëllimin e tij madhor. Qëllimi arsyeton mjetin, kështu i thonë kësaj pune, mbase duhet thënë ndonjë gjë “madhore” për ta arsyetuar gjithë atë heshtje në prani të të gjithë atyre rasteve të zhurmshme dhe të dhembshme.
Prijësi i BDI-s, për të qëndruar sa më gjatë në politikë, ka mundësi të punojë për të kundërtën e integrimit të vendit, sepse po u fut Maqedonia në NATO, ai do të del prej politikës, kurse kjo gjë është gjëmë e madhe për një politikan të mësuar keq me pushtetin. Kjo do të thotë “heqje e dhëmbit pa anestezi”. Në këtë rast, kemi një hyrje-dalje, njëfarë gëzim-hidhërimi, si dhe një përjashtim të gjërave. Në anën tjetër, nëse dikush dëshiron që z. Ahmetin ta heq prej politikës, apo ta rrëzon prej pushtetit, kusht është që vendin ta anëtarëson në NATO. Megjithatë, si mund ta anëtarësosh vendin duke qenë jashtë pushtetit, kur dihet mirëfilli se çelësi për një gjë të tillë gjendet në sirtarin e pushtetit? Në mundshit kuptojeni këtë teh me shumë thika. Unë vetëm u përpoqa!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura