ADIL FETAHU: BUKURESHTI I SHQIPTARËVE

Prishtinë, 24. 04. 2015 – (Adrian Majuru: ‘BUKURESHTI I SHQIPTARËVE’ Përktheu nga rumanishtja: Luan Topçiu, botoi ShB “55”, Tiranë, 2009; 172 faqe) – /”Kur të jenë bashkuar shqiptarët e krishterë dhe ata myslimanë, si vëllezër që janë, do të shpëtojë Shqipëria” – Nikolla Naço/ – Është mjeshtri e autorit, apo e redaktorit, që një libri a një shkrimi t’i jep titullin me të cilin simbolizon përmbajtjen dhe nxitë lexuesin për ta lexuar. Kemi lexuar libra a studime të ndryshme për shqiptarët në Rumani, me tituj të ndryshëm: “Shqiptarët e Bukureshtit”, “Shqiptarët e Rumanisë”, etj, por jo me këtë titull sikur përmban libri i historianit rumun Adrian Majuru: “Bukureshti i Shqiptarëve”. Këtë libër e kam lexuar në vitin 2010 (kur e pata blerë në Panairin e librit në Prishtinë), dhe me qenë se nuk është voluminoz, por ka përmbajtje interesante, këto ditë e rilexova për kënaqësinë time, dhe duke iu përmbajtur maksimës se “një lexues i mirë bënë të dëgjohet për librin e lexuar”, pa pretendime për të bërë “kritikë letrare”, vendosa ta bëj këtë vështrim, për t’ua prezantuar e rekomanduar edhe lexuesve tjerë. Sepse, besoj se në këtë libër do të gjeni informacione e të dhëna, të cilat nuk i keni lexuar gjetkë. Do të gjeni dashurinë e mallin ndër shqiptarët e emigruar në Rumani që nga shekulli XVI, e më vonë të koncentruar në Bukuresht, ku organizoheshin e vepronin në forma e mënyra të ndryshme për ta ruajtur e kultivuar identitetin kombëtar, gjuhën, kulturën, traditat dhe për të ndihmuar atdheut e kauzës kombëtare shqiptare. Do të gjeni emra e familje bujarësh e princash shqiptarë, të cilët sunduan në Vllahi, Moldavi e gjithë Rumaninë tre shekuj me radhë.
Libri është i strukturuar në shtatë kapituj. Kaptiulli i parë që mbanë titullin “Shqipëria magjepsëse”, duket se është shkrim i recensuesit të librit (Radu Negrescu-Sucu). “Shqipëria magjepsëse”, vend i vogël, por vend trimash, vendi i shqiponjave, i veshur që nga Skënderbeu e deri më tash, me një vello misteri për botën perëndimore, e cila nuk mund ta kuptojë…. Përpara kolonizimit, Shqipëria guximtare kishte njohur epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit… , i cili kthen armët kundra turqve dhe ia del mbanë të bashkojë princërit kryesorë të qendrës së vendit dhe për njëzetepesë vjet i bëri ballë hordhive të sulltan Muratit II dhe Mehmetit II, pushtuesit të Konstatinopojës…”. thotë “recensenti” Sucu (fq.3-4). * * *
Duke pasur parasysh shtrirjen gjeografike të Ilirisë, që paraardhësit tanë (Ilirët) ishin fqinjë me paraardhësit e rumunëve (Trakasit dhe Dakët), këta popuj fqinjë kishin krijuar marrëdhënie të mira sa që në histori është e njohur simbioza trako-ilire. Prandaj, nuk ka qenë i vështirë depërtimi reciprok i popullsisë fqinje. Ka të dhëna se qysh në fillim të shekullit të dytë, Roma kishte shpërngulur e vendosur në Daki minatorë të fortë nga Iliria, për të nxjerrë e përpunuar minerale të arit dhe argjendit (Prof.dr Ismet Dërmaku: “Nikolla Naço-Korça– apostull i shqiptarizmit”, fq.45).

Historiani rumun Adrian Majuru.

Në kohën e sundimit osman, tokat rumune kanë pasur një tretman më të favorshëm se provincat e tjera të Perandorisë. Kushtet më të mira të jetesës e të punës kanë joshur shumë shqiptarë të shpërngulën prej vendeve të tyre e të vendosën në Vllahi e Moldavi. Vala e shpërnguljes së shqiptarëve mori hov sidomos pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, kur shumë shqiptarë ortodoks e katolikë u vendosën në Sicili, Dalmaci, Bullgari e prej këtu edhe në Rumani. Në vitin 1595, me lejen e vojvodës rumun Mihal Viteazul, apo siç e quanin Mihal Trimi, i cili edhe vet ishte me origjinë epirote, e që sundoi në Vllahi në vitet 1593-1601,- pesëmbëdhjetëmijë shqiptarë (burra, gra e fëmijë) nga Cervena Voda, Dobruxha dhe fshatrat tjera fqinje, kaluan Danubin dhe u vendosën në tokën vllaho-rumune, në rrethinën e Prahovës. Mihal Trimi edhe para kësaj shpërngulje, kishte pasur një kontingjent shqiptarësh prej 500 vetash, të udhëhequr nga kapedani i tyre Aga Leka, të cilët shërbenin si roje dhe rrogëtarë e ushtarakë, por edhe tregtarë e mjeshtri tjera. Nga kontingjenti i sapoardhur, sundimtari vllah rekrutoi edhe 1500 ushtarë tjerë shqiptarë, të paguar me para (mercenarë) e të udhëhequr nga Deli Marku dhe Baba Novak (Adrian Majuru: “Bukureshti i Shqiptarëve”, fq.84-85).
Për shkaqe të njohura, shpërnguljet e shqiptarëve nga trojet e veta nuk u ndalën kurrë (madje edhe sivjet, 2015, u shpërngulën një numër i madh nga Kosova dhe këto ditë po shpërngulën edhe nga rrethina e Kukësit, por të gjitha gjasat janë se 99% e tyre do të kthehen me dhunë). Shqiptarët e shpërngulur në periudha të ndryshme, u shpërndanë në katër anët e botës: në Sicili, në Dalmaci, në Egjypt, Sudan e Siri, në Bullgari, Rumani, Odesë, Turqi, Amerikë e sa të tjerë nëpër Evropë e deri në Australi e Zelandë të Re! Kjo ka bërë që numri i shqiptarëve në trojet e veta sot është dhjetëfish më i vogël, se sa duhet të ishte sipas shtimit natyror të popullsisë.
Sipas historianit rumun Adrian Majuru, shqiptarët e Rumanisë i gjejmë në të gjitha strukturat shoqërore vllaho-moldave e të Bukureshtit, e sidomos në strukturat ushtarake, si ushtarë të paguar (mercenarë), dhe si tregtarë, në të cilat shqiptarët përbënin grupet kryesore (“Bukureshti i shqiptarëve”, fq.84). Sundimtarët dhe bojarët (pasanikët) vendor me dëshirë i pranonin shqiptarët për roje të tyre e të pasurisë së tyre, për faktin se këta ishin trima, besnik, të ndershëm, me moral. Ja një dëshmi që jep Nikollae Shucu për sa u tha më sipër: “Nga mesi i shkurtit 1821, mora udhën drejt kufirit të Transilvanisë me gjithë personelin dhe bagazhin tim, i shoqëruar nga 30 arnautë, roje të babait tim. Kjo trupë e vogël por besnike ndaj betimit të dhënë, do ta jepte jetën deri tek roja e fundit që të na nxirrnin nga rreziku. … Kur mbërritëm te kufiri austriak, donim t’u jepnim një shpërblim, të cilin ata e refuzuan kategorikisht, duke thënë: “Po të kishim menduar të nxirrnim ndonjë fitim, kjo varej vetëm nga ne, nëse donim t’ju kishim plaçkitur” (fq.9).
Numri dhe struktura sociale e shqiptarëve në Bukuresht
Statistika e parë komplete e Bukureshtit daton nga vitet 1898/99, kur janë regjistruar 3698 kryefamiljarë shqiptarë, që me familjet e tyre përbënin grupin më të madh të emigrantëve ballkanas. Ka të ngjarë që të ketë pasur edhe më shumë kryefamiljarë shqiptarë, ngase të gjithë ata që vinin nga Greqia apo kishin pasaporta greke, i regjistronin si grekë. Nga grupet e tjera të emigrantëve ishin 1358 kryefamiljarë grekë (edhe në mesin e tyre mund të ketë pasur shqiptarë), 938 bullgarë, 308 serbë dhe 245 turqë (fq.17). Kjo gjendje e numrit të grupeve etnike shpjegohet me faktin se pas pavarësimit të shteteve ballkanike, shumë emigrantë ishin kthyer në atdheun e tyre, siç kanë vepruar edhe shumë shqiptarë pas vitit 1913. Të dhënat statistikore të vitit 1899, japin këto shënime për profesionet (strukturën sociale) të shqiptarëve atje: 2 doktorë, 1 inxhiner, 2 profesorë, 1 piktor, 76 nëpunës privatë, 2 qiradhënës tokash, 1 bujk, 185 furraxhinj, 136 simitxhinj, 2 prodhues sallame, 27 shitës zarzavatesh, 32 pastiçerë, 239 bakallë, 15 hotelxhinj, 2 prodhues kafeje, 44 sipërmarrës kafeje, 2 prodhues konservash ushqimore, 1 mekanik, 5 teneqexhinj, 10 marangozë, 1 orëndreqës, 1 tipograf, 1 libërlidhës, 1 krijues mode, 5 sipërmarrës ndërtimi, 34 muratorë, 5 bojaxhi, 6 berberë, 9 opangaxhinj, 54 këpucëtarë, 2 lëkurëpunues, 1 tapacier, 12 rrobaqepës, 161 tregtarë të përgjithshëm, 141 punëtorë krahu, 475 shërbëtorë, 12 kuzhinierë, 4 karrocierë, 289 bozaxhinj dhe prodhues llokumesh, 15 të profesioneve tjera (fq.23).
Por mos mendoni se të gjithë shqiptarët e Bukureshtit u përkisnin vetëm kategorive më të ulëta sociale. Sepse, edhe shumë shqiptarë depërtuan në brendinë e aristokracisë, si bojarë, prijës e komandantë ushtarakë, bankierë, këshilltarë e sekretarë të sundimtarëve moldavo-vllahe. Përmendet një Bartolomeu Bruti, komandat dhe këshilltar i sundimtarit moldav Petru Shkiopu (Çalamani, vitet 1582-1591). Pastaj, Konstantin Drako ishte sekretar i dytë i sundimtarit Kontantin Brenkoveanut. Antonie Bunellis ishte mësues i fëmijëve të sundimtarit Konstantin Manrokordit. Nikolas Tortulis ishte drejtor i Akademisë së Jashit (1760-1773). Konstantin Karaianin ka qenë këshilltar për organizimin e shkollave në Moldavi në kohën e sundimit të Grigore Aleksandru Gjika (1763), që edhe ky sundimtar ishte me origjinë shqiptare. Kishin ardhur edhe shumë profesorë nga shkollat e Janinës, si Lambru Fitiade e Nikolas Verkosi,etj. “Arnautët” në përgjithësi, e “Arbënashët” (emigrantët nga Epiri) në veçanti ishin të kërkuar e të angazhuar në ushtri, të cilët shpejt fituan nderë e pasuri, duke arritur në funksione të larta në hierarki. Ata përbënin përqindjen më të madhe të ushtarëve. Gjatë pesëdhjetë vjetëve plot beteja, numri i ushtarëve shqiptarë ka pasur rritje konstante, të angazhuar në luftëra, në truproja të sundimtarëve e kudo që kishte nevojë për një mbrojtje të mirë. Sepse shqiptarët ishin ushtarë të disiplinuar, trima, të përgatitur mirë, të armatosur dhe u shërbenin me besnikëri të zotërve. Ishin të pranishëm në të gjitha suitat e sundimtarëve dhe kishin fituar përparësi përmes forcës ushtarake dhe unitetit si kategori shoqërore (fq.89). Kur organizohej marshimi i shpurës së sundimtarit apo i shpurës së kishtarëve, kavalerinë e “Arnautëve” e udhëheqte “Gençi-Aga” (që dmth.”shefi i trimave”), me rangun e kolonelit. “Ishte një luks i madh të kishe një albanais të veshur me kostumin e tij të kuq, qëndisur me fije ari, me çorapë të gjata dhe qeleshe, shpatë në brez, thikë e pistoletë”,- shkruante kalorësi francez Le Cler në vitin 1866, kur e kishte parë një “Arnaut” nëpër rrugët e Bukureshtit (fq.90). Autori Majuru shkruan edhe për veprimet jo të mira të “arnautëve” në situata trazirash e anarkish, si ato në vitin 1821, kur këta vidhnin e plaçkitnin çdogjë dhe bënin edhe krime tjera (96). Shumë sish ishin përfshirë në organizatën masonike (Eteria), ashtu që ishin betuar e lidhë për aktivitetin e saj.
Organizimi dhe veprimtaria patriotike e Shqiptarëve të Bukureshtit
Në pjesën e parë të shekullit të 19-të, migracioni shqiptar ka qenë i shpërndarë në tre kontinente. Elementi shqiptar i shpërndarë në të gjitha cepat e Perandorisë, nga Drini deri në Eufrat; si ushtarë ruajtës të kufirit, si vali, si pasha ose në gardën e sulltanëve ose të pashallarëve të Greqisë, në Azinë e Vogël, etj, si dhe në garnizonet e tyre nga Karpatet deri në Nil dhe deri në Adriatik, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm për vendosjen e rendit, konkludon autori Majuru, duke u thirrur në burime dhe autorë të ndryshëm (fq.58). Shqiptarët kanë marrë pjesë në të gjitha fushatat e ndërmarra nga Perandoria Osmane kundër fuqive të mëdha, sidomos kundër Rusisë. Këta luftuan për të mbytur revoltën greke, ku nëpër kampet e armikut takohej vëllau me vëlla, duke u masakruar me njeri-tjetrin (po aty). Shqiptarët kanë lehtësuar dhe përkrahur organizimin e shteteve të reja, por pa u çliruar vetë.
Një nga diasporat më dinamike ka qenë ajo e Vllahisë dhe Moldavisë, vërteton Majuru. Me kalimin e kohës dhe depërtimin e shumë shqiptarëve në sferat e larta të shoqërisë vllaho-rumune, u krijua një elitë intelektualësh të shkolluar, të cilëve iu bashkuan edhe tregtarë patriotë, të preokupuar me ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës e traditave kombëtare, dhe më tepër me fatet e Shqipërisë. Për të mund të veprojnë në mënyrë legale e të organizuar, formuan e regjistruan organizata, shoqëri e shoqata me emra të ndryshëm, ndër të cilat më të njohura dhe më aktive ishin “Drita” (N.Naço) dhe “Bashkimi” (P.Evangjeli), etj. Në gjashtë qytete të ndryshme të Rumanisë, në periudhën 1884 deri më 1911 u formuan dhe vepruan 18 organizata e shoqata shqiptare. Komuniteti shqiptar në Bukuresht dhe në qytetet e tjera rumune, kanë arritur për 75 vjet, të ndihmojnë në fushën kulturore (dhe arsimore) popullin shqiptar, i cili gjendej në një proces të dyfishtë të shkombëtarizimit: turqizimi dhe greqizimi. Aty botoheshin libra e gazeta në gjuhën shqipe, të cilat shpërndaheshin gjithandej ku kishte shqiptarë në Rumani, por edhe në Atdhe. Shqiptarët e Bukureshtit apo “Bukureshti i Shqiptarëve”, ndihmoi në hapjen e shkollave shqipe në Korçë e gjetkë, e ndihmoi Mësonjëtoren e parë shqipe të Korçës dhe Shkollën e parë shqipe për vajza, në Korçë. Hapën shkollën shqipe në Konstancë. Prej vitit 1892 deri më 1899, punoi Shkolla e parë Normale Shqipe-Vllahe e Bukureshtit, për të përgatitur mësues për shkollat shqipe. Në “Bukureshtin e Shqiptarëve” u formua edhe Kisha ortodokse shqiptare, në të cilën mesha mbahej në gjuhën shqipe, nga librat i që kishte përkthyer Noli. Në “Bukureshtin Shqiptar”, në një mbledhje të 17 patriotëve shqiptarë, të mbajtur në Hotelin “Interkontinental” më 5 nëntor 1912, të kryesuar nga Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, u nënshkrua Rezoluta e pavarësisë së Shqipërisë. Ishte një “galeri” e tëre e patriotëve aktivë shqiptarë, të cilët punuar, vepruan, investuan e rrezikuan për ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës, arsimit shqip dhe për çlirimin e Atdheut, ndër të cilët Nikolla Naço-Korça ishte më i përkushtuari dhe më aktivi, deri në vdekjen e tij, më 24 prill 1913.
Sundimtarët shqiptarë në trevat rumune
Shqiptarët e emigruar, me kohë arritën në strukturat dhe postet më të larta të hierarkisë së Vllahisë, Moldavisë e gjithë Rumanisë, dhe disa prej tyre përmendën për sukseset e arritura në zhvillimin ekonomik e kulturor të atyre vendeve. Periudha e sundimit të mërgimtarit shqiptar në Moldavi, Vasil Lupu (1634-1653) vlerësohet si koha e lulëzimit të përgjithshëm të Moldavisë. Prej vitit 1653, sundimin në Moldavi e mori i biri, Shtefanie Lupu. Më vonë si sundimtar i Moldavisë përmendet Vasil Koçi, e pas tyre vijnë me radhë sundimtarë tjerë me origjinë shqiptare, nga familjet e njohura Duka, Shucu, Balsha e sidomos nga familja më e njohur – Gjika. Autori Majuru (në fq.64) thotë, se 300 vjet (shekukullin XVII-XIX) ishin traditë sundimtarësh të familjeve bojare me origjine shqiptare, dhe në vazhdim jep emrat dhe kohën e sundimit të tyre. Në Moldavi e Vllah sunduan: Vasile Lupu (1634-1653); George Duka (1665-1666; 1668-1672; 1678-1683); Konstantin Duka-Dukleci (1693-1695; 1700-1703); George Gjika (1658-1659); Grigore II Gjika (1726-1733; 1735-1739; 1741; 1747-1748); Matei Gjika (1753-1756); Skarlat Gjika (1757-1758), Grigore III Gjika (1764-1767; 1774-1777); Grigore Alexandru Gjika (1849-1853; 1854-1856); Alexandru Shucu (1801-1802); Mihal Shucu (1819-1821); Theodor Balsh-a-Kajmekam (1856-1857). Në trojet tjera rumune (pos Vllahisë e Moldavisë), kanë sunduar: George Gjika (1659-1660); Grigore Gjika (1660-1664; 1672-1673); Grigore II Gjika (1733-1735; 1748-1752); Matej Gjika (1752-1753); Skarlat Gjika (1758-1761; 1765-1768); Alexandru Skarlat Gjika (1766-1768); Grigore III Gjika (1768-1769); Grigore IV Gjika (1822-1828); Alexandru Gjika (1834-1842, dhe kajmekam midis 1856-1858); Gjeorgje Duka (1673-1678); Mihal Shucu (1783-1786; 1791-1793; 1810-…); Alexandru Shucu ( gusht-qershor1806, dhe 1818-1821). Ndonjë nga këta sundimtarë përmendën edhe për tiraninë e tmerrshme, si bie fjala Alexandru Shucu e George Duka (fq.67-69). Siç shihet, nga familja Gjika (me origjinë nga Permeti), sunduan tre shekuj me radhë në Moldavi e Vllahi e më vonë në Rumaninë e bashkuar. Historia rumune përmendë 16 princa me prejardhje shqiptare që sunduan në trojet rumune, kurse Rumania e sotme as nuk e njeh shtetin e Kosovës, sigurisht nga problemi i saj i brendshëm që ka me hungarezët e Transilvanisë.
* * *
Një libër i vogël, por me përmbajtje të madhe, me shumë të dhëna për shqiptarët e emigruar në Rumani, për karakterin e tyre, organizimin dhe përpjekjet për ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës e traditës, kontributin për arsimin dhe për çlirimin e atdheut të tyre. Burimet dhe bibliografia, prej 160 njësi të regjistruara në fusnota, janë referenca prej nga autori ka vjelur të dhënat mbi të cilat e ka mbështetur tekstin për “Bukureshtin e shqiptarëve”. Në njërin nga kapitujt (“Nga elitat tregtare, tek elitat kulturore”), autori në secilën faqe jep nga një pasazh, në të cilat thekson ëndrrat e mërgimtarëve të profesioneve e shtresave të ndryshme sociale, si ëndrra e: një hajduti, një mullixhiu, një lypësi, një të burgosuri, një të arratisuri, një mercenari, një komandanti, një kleriku, një pelegrini, një detari, një leprozi, një murgu e një magjistari. Do t’i hynim në hak, por të mos e përmendim përkthimin (shqipërimin) e mirë të librit që ka bërë Luan Topçiu.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura