Prishtinë, 26 mars 2018: “Serbët janë populli më i vjetër në botë, e kanë pushtuar Indinë dhe kanë krijuar atje dy perandori serbe; *Shën Pjetri, Apostoli Lluka, Aristoteli, Aleksandri i Madh, të gjithë perandorët romakë kanë qenë serbë; * Ushtria e faraonit Ramzesi II ishin serbë, kur fitoi luftën e Kadeshit; *Troja ishte qytet serb; * Trakasit, Skitët, Vendët, Tribalët dhe Ilirët ishin fise serbe”….
Këto janë margaritarët e zbulimeve më të reja të lashtësisë së popullit të tyre, nga një grup jo i vogël i historianëve e antropologëve sharlatanë serbë: Borisllav Vllajiq (Zemlaniçki), Jovan I.Deretiq, Dobrosllav Jevgjeviq, Ollga Llukoviq-Pjanoviq, Dushko Shçekiq, piktorët Milliq Stankoviq (“Milliq od Maçve”), Dragosh Kallajiq, etj. Lista e këtyre falsifikatorëve të historisë është më e gjatë, dhe atyre duhet shtuar edhe disa rusë, por këtu do të merremi më së tepërmi me kryefalsifikatorin Jovan I.Deretiq, me te cilin janë marrë edhe disa historianë serbë më realist.
Duke ripërtëri mitet e nacionalizmit romantik të shekullit të 19, dhe shtuar mbi to gënjeshtra e falsifikime të reja, falsifikatorët e historisë serbe e çojnë akoma më larg në kohë e në hapësirë lashtësinë dhe shtrirjen e serbëve, jo vetëm në Ballkan, por në gjithë Evropën, madje edhe në pjesën më të madhe të Azisë. Në zhvillimin e mitit për “popullin e zgjedhur hyjnor”, ata pajtohen mes vete në tezën se serbët janë populli më i lashtë në botë! Këtë tezë e hipoteza tjera i përhapën në kohë të krizave, përmes shkrimeve, tubimeve e librave të botuara, sidomos në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, në prag dhe gjatë luftërave në Jugosllavi, me qëllim të mobilizimit dhe krijimit të një “vetëdije nacionale” dhe homogjenizimit të popullit serb.
Një serbe e martuar me një krot, e më vonë e lëshuar prej tij, Ollga Llukoviq-Pjanoviq, në vitin 1990 kishte botuar librin “Serbët populli më i vjetër”. Sipas saj, para disa mileniumeve serbët kanë ekzistuar dhe janë përhapur nëpër botë. Këtë tezë e mbështetë në elementet linguistike (gjuhësore) të toponimeve, hidonimeve dhe oronimeve (emrave të vendeve, lumenjëve, deteve e maleve), dhe thotë se në të dy anët e lumit Gang, në Indinë Veriore, janë gjetur toponime e hidronime serbe (Sarbana – vend; Sarabi – lum, etj.), dhe se serbët e lashtë i kanë populluar gjithë territoret rreth Detit Mesdhe dhe Detit të Zi. E përmendë edhe Përmbytjen e Madhe dhe praninë e sllavëve në Babiloni kur “është bërë ndarja e gjuhëve”, e që atëherë sllavët e flisnin gjuhën e tyre.
Drashko Shçekiq në librin e tij “Sorabi: istoriopis” (1994), “vërteton” se shpërngulja e serbëve ka nisur 4500 vjet para lindjes së Krishtit. Shçekiq shton se në Indi, në djepin e parë të tyre, Sorabët (serbët), qysh 5000 vjet para lindjes së Krishtit i kishin dy shtete (perandori). Ky autor veçsa nuk thotë se serbët kanë ekzistuar para Adamit, para amebave, e ndoshta edhe para krijimit të botës!!!
Piktori i krisur, “Milliq od Maçve”, thotë se serbët janë paraardhësit e të gjithe evropianëve, dhe profetizon se pas një kataklizme që do të ndodhë, do të mbesin të gjallë vetëm serbët “si popull i zgjedhur”, dhe se gjuha serbe do të jetë gjuhë planetare me të cilën do të mund të merren vesh edhe me civilizimet e planeteve tjera! Me këto që thotë, Milliq dëshmon thënien e njohur se “vasiona mund te ketë diku kufi, ndërsa budallallëku nuk ka kufi”.
Deretiqi kryefaslifikatori i historisë serbe
Përkundër budallallëqeve të tjerëve, në falsifikimin e historisë së serbëve, me broçkullat e tij më së largu shkon historiani Jovan I.Deretiq, gjithnjë me pretendime se për këto që thotë ka argumente shkencore të pamohueshme. Në një intervistë të gjatë dhënë gazetës “Novosti” (24 qershor 2017), flet për lashtësinë e popullit serb. Ai thotë: “Nuk ka popull sllav (sllaven), por të gjithë ata që kështu e quajnë vetën, janë me prejardhje serbe, dhe se serbët janë autoktonë në Ballkan, por si populli më i madh i botës, shtriheshin në tërë Evropën dhe në Azi, deri në Indi. Qyteti Niniva në Mesopotami mbanë emrin e mbretit serb Nino Bellov, i cili prej Nishi i ka pri një ushtrie gjatë depërtimit prej Evrope nëpër Azi të Vogël, e okupuan rrafshnaltën e Iranit dhe u ndalën në Indi, në rajonet e lumenjëve Ind dhe Gang. Atje janë gjetur pllaka argjilli të vjetra 1900 vjet para Krishtit, me mbishkrimin në gjuhën sumere: “Ur Nina sar Serbula”, që do të thotë: Zotëri Nino, mbret i serbëve, apo i Serbisë. Ky ishte depërtimi i parë i Arianëve në Azi. Serbët ishin Arianë, e ky emër rrjedh sipas zotit Aron, nga trojet e Kosmetit të sotëm. Në Misir (Egjypt), garda e faraonit Ramzesi i Dytë ka qenë e përbërë prej serbëve dhe ajo ka mundësua fitoren e luftës së Kadeshit, kundër Hititëve. Për këtë ekzistojnë prova me shkrim dhe vizatime në Luksor, ndërsa këngëtari i atëhershëm Pantauri i Misirit këndonte atë luftë, duke thënë: “Sarbanisi srca borbenog”(Sarbanitët, zemra luftëtarësh).
Emri Serb gjendet edhe në shumë toponime, emra të qyteteve, të lumenjëve e liqejve. Herodoti fliste për Liqenin Sarbovik, një gji në Detin Mesdhe, në të cilin është fundosur kalorsëria serbe. Në Azinë e Vogël ekziston qyteti Strbina (të cilin grekët e quajnë Santos), në brigjet e lumit Srbica. Aty është gjetur kodi (ligji) komplet, që daton nga shekulli VIII para Krishtit, i shkruar në gjuhën serbe, me alfabetin e ngjajshëm me “azbukën” e sotme. Në tekst, veç tjerash shkruan: “Serbët do të derdhin gjak duke e mbrojtur këtë vend”. Grekët e vjetër, si dhe Aleksandri i Madh kanë qenë serbë. Gjuha maqedone është gjuhë serbe; nuk ka ekzistuar as fis as gjuhë maqedone. Maqedoni ka qenë emërtim i një territori serb, që quhej Pellagonia. Atje ka sunduar dinastia serbe Karanoviq nga rrethina e Krushevcit, prej së cilës e ka prejardhjen Aleksandri i Madh. Këtë e vërteton edhe Plutarku. Edhe Aristoteli ka prejadhjen serbe. Profesori Vinko Pribojeviq, nga Hvari, në fillim të shekullit 16 vërtetonte se Aristoteli është plotësisht serb. Nga hulumtimet e mia kam gjetur se ai ka lindur në Maqedoninë e Vjetër, se i ati ka qenë mjek në Stigar, dhe se Filipi e ka marrë Aristotelin për një nga 12 mësuesit në Shkollën e princërve në Nijaza, në bazë të rekomandimit të një princi serb nga Azia e Vogël. Aristoteli ka folur serbishtën perfekt, e ka përkthyer Teorinë atomike në gjuhën greke, dhe për herë të parë në shkrimet e tij ka përmendur emrin grekë, e jo Helenë. Përndryshe, grekët janë me prejardhje serbe nga Misiri, gjë që e përshkruan edhe Herodoti. Troja ka qenë plotësisht qytet serb. Atë e kanë ndërtuar pjesëtarët e fisit serb të Dardanëve, të cilët kanë jetuar në Dardani, territori i sotëm midis Shkupit, Prishtinës dhe Nishit. Një numër i madh i perandorëve romakë kanë qenë serbë, si bie fjala: Lucije Septima Sever, Maksim Traçani, Dekijusi, dhe të gjithë pas tij deri me rënien e Perandorisë Romake, prandaj ata kanë ndërtuar pallate në këto hapësira, si Diokleciani, Konstantini, Maksimiliani etj. Vendbanimi i parë serb ka qenë në Vinça, Lepenski Vir, në Ultësirën e Panonisë, rreth shtatë lumenjëve: Danubi, Drava, Sava, Drina, Morava, Tamishi dhe Tisa, ndërsa qendra ka qenë Beogradi. Arkeologët rusë kanë gjetur një pllakë argjili, në qytetin Teftarina në Rumuni, të vjetër 5700 vjet para Krishtit, në të cilin është shkruar me alfabetin arkaik serb dhe në gjuhën serbe: “Gjede, sin tvog sina hoqe drzavu” (Gjysh, djali i djalit tënd po don shtet,a.f.). Etruskët, Trakasit, Skitët, Vendët, Tribalët dhe Ilirët kanë qenë serbë. Shtatë apostuj kanë shërbyer në Serbi, ndërsa Shën Pjetri e ka organizuar kishën së pari në Serbi, e pastaj në Romë. Apostoli Lluka ka qenë serb”. Në pyetjen (shpotitëse, a.f.), Jezu Krishti a ishe serb apo hebre, Deretiq thotë: “Kjo akoma nuk është sqaruar. Parimi im është se asgjë nuk e publikoj pa gjetur fakte dhe rrjedhën logjike të tyre. Tash për tash mund të them vetëm se ai nuk ka qenë hebrait, por ka shkrime ku thuhet se hebraitët që e kanë sulmuar Krishtin, e kanë quajtur ‘Sardarsko kopile’ (kopil Sardar/serb,a.f.), ndërsa fjalët e fundit që ka folur kur ishte i gozhduar në kryq, i ka folur në gjuhën arameje, që është gjuhë arkaike serbe, duke thënë: ‘Ilija, Ilija sadvejnija milija’, që do të thotë: Ilija, Ilija a më paske harrua’. Ilija gromovnik ( zot i rrufeve,a.f.) ka qenë zoti suprem i serbëve, dhe Krishti pra i është dejtuar atij zoti”. Në pyetjen e gazetares intervistuese (Jasna Jojiq), nëse edhe Mojsie ka qenë serb, Deretiqi është përgjigjur: “Nuk mund të them, por në kohën e tij serbët për një kohë e kanë populluar Palestinën. Veç kësaj, Bibla e parë është shkruar në gjuhën arameje, dmth. në gjuhën arkaike serbe, e pastaj është përkthyer në hebraishte”.
Historianët serbë e demantojnë Deretiqin
Jovan I.Deretiq është një figurë kontraverze. Si i ri, 19 vjeçar, ka emigruar së pari në Francë, ku ka pasur shumë takime me mbretin e ikur serb, Karagjorgjen. Pastaj ka emigruar në Amerikë ku ka punuar dhe studjuar dhe ka arritur titullin e doktorit të hisorisë dhe antropologjisë, dhe njeh gjuhët e vjetra latine e greke. Një kohë ka qenë kryetar i Qeverisë serbe (të Karagjorgjes) në egzil (në Amerikë), por princi Aleksandar që ishte në Angli e ka injorua e sabotua dhe nuk ka mbajtur lidhje me te. Është kthye në Serbi në vitin 1997, me imixh të shkencëtarit dhe mision të “korrigjimit të historisë së popullit serb”, të cilën, siç thotë ai, e kanë falsifikuar Vatikani dhe historianët komunistë.
Por, tezat e tij, dhe të historianëve tjerë romantikë, i demantojnë disa nga historianët realistë serbë. Mr Millan Çellik e hedhë poshtë teorinë e Deretiqit, dhe e quan marri atë që Deretiqi mbi baza linguistike të emrave të vendeve nxjerrë konkluzione se ato vende ishin serbe dhe se serbët janë shtrirë në gjithë botën! Çellik merr shumë shembuj të fjalëve që dukën si fjalë apo emra të gjuhës serbe, por ato lexohen ndryshe dhe kanë domethënie e kuptime tjera në gjuhët përkatëse. Për këtë, Çellik nxjerr 54 fjalë ose emra nga gjuha angleze, të cilat të shkruara dukën si serbe, por nuk janë serbe, si psh: car, ban, brat, rat, gad, sad, ustra, mart, glad, gust, glib, bode, grebe, sir, stoke, mace, slab…etj. Sipas logjikës linguistike të Deretiqit, mali Fuxhi-Jama në Japoni, do të ishte tokë serbe, ngasa fjala “jama” në serbishte ka kuptimin e shpellës.
Radivoje Radiq, profesor-vizantolog në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit, në librin e tij, me titull shpotitës: “Serbët para Adamit dhe pas tij”, i hedhë poshtë tezat e romantikëve të ri të historisë serbe, të prirë nga Jovan Deretiqi dhe Ollga Llukoviq-Pjanoviq. Të pohosh se serbët janë populli më i vjetër dhe ta shtrembërosh kështu historinë, mundën vetëm enthusiastët më të prishur, thotë Radiq. Nuk meriton t’u jepet rëndësi këtyre, por librin e shkrova për ta mbrojtur zanatin e historianit nga vërsuljet e këtyre amaterëve të padijshëm e këtyre pseudohistorianëve qëllimkëqij, të cilët vërtitën në histori dhe orvatën të plasojnë idetë e tyre të pathemelta e me metoda obskurantiste. Nuk besoj se pas librit tim, ata do të ndalën, apo se do të zhdukën pseudohistorianët, sepse ata shfaqen në kohë krizash dhe teoritë e tyre janë tërheqëse për njerëzit të cilët dëshirojnë të dëgjojnë vetëm atë që ua ka ëndja, e jo atë që e ka vërtetua shkenca, përfundon Radiq, të cilin pala e kundërt e akuzojnë dhe quajnë marksist dhe urrejtës i serbëve.
Historinë reale nuk e do (as) shteti serb
Në Serbi gjithnjë janë më të pranueshëm pseudohistorianët, të cilët historinë e mbështesin dhe shpjegojnë në bazë të miteve, se sa të tjerët që mbështetën në të vërteta shkencore. Kështu, historiani më i njohur serb për Mesjetën, Rade Mihalçiq, autor i librit të historisë për klasën VI, ishte vu në thumb të kritikës së shumë pseudohistorianëve, madje edhe të pushtetit serb, vetëm pse në atë liber shkollor kishte shkruar se: “Sllavët e vjetër kur kanë ardhur në Siujdhesën Ballkanike i kanë pritur Ilirët, të cilët pastaj janë ndarë në disa fise, prej të cilëve njenin prej tyre që nga shekulli i 20 popujt e Evropës Perëndimore i quajnë Shqiptarë (Albanci). Vendorët (dmth.Ilirët) të cilët kanë jetuar në vendbanime të grupuara dhe në grupe më të mëdha, nuk janë sllovenizua. Shqiptarët i kanë rujtur doket, gjuhën dhe vetitë tjera popullore. Një pjesë e Sllavëve të ardhur kanë marrë gjuhën dhe doket e Shqiptarëve dhe janë shkrirë bashkë me ta”, thotë Mihalçiqi. Ky leksion për autoktoninë e Shqiptarëve dhe ardhjen e Serbëve, ka mjaftuar që Ministria e Arsimit, me një aktvendimi (dt. 7 gusht 2014), ta urdhërojë Entin e Botimeve të Teksteve, që tekstin e Historisë së klasës VI, ta revidojë e ribotojë, dhe këtë detyrë Enti e ka kryer, ashtu që në tekstin e ri është “relativizuar” pohimi për Shqiptarët si autoktonë në Gadishullin Ballkanik, dhe janë riformuluar emërtimet për sllavomaqedonasit dhe shtetin maqedon. Adil FETAHU