LAVDIM HAMIDI: ME LISTAT FALSË TË VETERANËVE – KREJT KOSOVA UÇK!

Prishtinë, 23. 04. 2015 – Numër rekord të pjesëtarëve ka shënuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) në vitin 2015, përkatësisht 16 vjet pas përfundimit të luftës në vend! Janë rreth 50 mijë veta që tashmë e kanë fituar statusin e veteranit, invalidit, pjesëmarrësit, apo pjesëtarit, …, të gjithë këta në mënyrë direkte ose indirekte, sipas Komisionit Qeveritar, e kanë ndihmuar UÇK-në në luftën kundër Serbisë gjatë viteve 98-99. Të kuptohemi se kurrfarë dëmi nuk po i bëhet vendit nga ata që kanë fituar statusin e pjesëmarrësit, apo pjesëtarit, sepse nuk do të marrin kurrfarë kompensimi financiar për kontributin e dhënë në luftë, ndërsa e keqja më e madhe vjen nga fryrja e listës së veteranëve, që do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës mbi 50 milionë euro në vit.
Se e vërteta herët a vonë del në shesh, kjo u dëshmua me listat e publikuara së fundi nga Komisioni Qeveritar, i cili pas një dekade e gjysmë vetëm se e konfirmoi moton më të famshme të kohës së luftës: Krejt Kosova UÇK.
Pakkush në Kosovë po del që nuk ka luftuar me Serbinë, identik me moton e sipërpërmendur, ndërsa ata që ikën për në kampet e Maqedonisë dhe Shqipërisë po rezultojnë se kanë qenë minoritet, ani pse krejt e kundërta dëshmohej nga imazhet që sillnin në atë kohë televizionet ndërkombëtare.
E me këtë numër të madh të pjesëtarëve nuk e kuptoj pse komandantët e UÇK-së para më shumë se një dekadë e gjysmë e kërkonin ndihmën e NATO-s për t’i dëbuar forcat ushtarake e paramilitare serbe nga Kosova?

Në fakt janë shumë nga këta ish-komandantë të UÇK-së, të cilët që nga paslufta po kontribuojnë në njollosjen e luftës çlirimtare dhe kulminacioni është arritur me këto lista.
Këta komandantë të luftës pa fije turpi i kanë dhënë status të veteranit shumë kujt që nuk kanë pasur lidhje me luftën, madje në disa raste po dëshmohet se status të veteranit të UÇK-së kanë marrë edhe disa bashkëpunëtorë të Serbisë, apo edhe komandantë të Bllacës, siç i pati quajtur disa komandantë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, të cilët i fishkëllonin derisa mbante fjalim në Stadiumin e Prishtinës gjatë kohës kur ishte kryeministër i vendit.
Nuk di se si njolloset më shumë lufta e pastër e UÇK-së, sa është njollosur që nga paslufta e deri tash së fundi me listat e veteranëve.
Mos qofsha në lëkurën e luftëtarëve të vërtetë të lirisë, mijëra djemve e vajzave të Kosovës, të cilët rrezikuan jetën apo edhe lanë gjymtyrët duke luftuar me armikun, kur në këto lista e shohin se status të njëjtë kanë me “ata që luftën e kanë parë vetëm në televizor”.
Me këto lista faktikisht është barazuar luftëtari i vërtetë me mashtruesin ordiner, përderisa liderët e pozitës dhe të opozitës, përkatësisht edhe ata që kanë qenë komandantë të luftës si: Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj nuk deklarohen për këto raste që e njollosin luftën e UÇK-së, ashtu siç po deklarohen këta dy të fundit kundër Gjykatës Speciale.
Edhe nëse thuhet se Kosovës po i bëhet padrejtësi me krijimin e një gjykate të tillë, nuk është nën mandatin e kësaj të fundit të gjykohet lufta e UÇK-së, ndërsa kur flitet për rastet individuale duhet ta kemi parasysh se as ata nuk mund të dënohen pa fakte.
Shembull konkret janë Haradinaj dhe Limaj, të cilët u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e Hagës.
Pa kontribuar në paragjykimet e shumta, Gjykata Speciale edhe mund ta vërtetojë pastërtinë e luftës së UÇK-së, ndërsa me futjen në listë të veteranëve “falsë” i është dhënë “vula e marres” kësaj lufte.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura