REXHEP KASUMAJ: “KRYENGRITJA NË MORAL”!

Berlin, 17. 02. 2016:
1. Mizoritë duhet të bëhen përnjëherësh, kurse të mirat ngadalë – këshillonte Makiaveli Princin fiorentinas Mediçi. Interesi? Krejt pragmatik: që e Keqja të harrohej shpejt, kurse të mirat e pakta të derdheshin kursyeshëm, si balsam mashtrues ndër vite!
Natyrisht, një sundtar nuk do të duhej as të vinte e as ta mbante pushtetin me dhunë. Mirëpo, meqë kjo ngjan pak e vështirë, aherë një soj princësh mënçurakë dhe në fronësohen përgjakshëm – së paku i bëjnë të ligat njëherësh. Dhe ato, si ndodh shpesh me popujt kujtesëshkurtër, arkivohen harrueshëm në kronikën e kohës…
2.
Athua do ta kenë lexuar vulgokratët e Prishtinës këtë mësim? Sigurisht jo! Por dhe po t’kenë dëgjuar përshkit, mund të jenë dy arësye pse nuk kanë ndjekur fjalurtën e dijetarit të madh. E para, sepse, me gjasë, nuk e kanë marrë vesh, si shumë vegëza të tjera të holla shtetërore, ndërkohë që, së dyti, është pasioni marrok, verbtan, e kjo domethënë instinkti i ulët parasocial që i greminos përhumbshëm. Ndaj dhe, bëjnë vetëm keq dhe bëjnë vazhdimisht…

Vulgokratët e Prishtinës!

3.
Kjo është bota e tyre…Një botë që duhet të rroposet me mjetet që kanë fabrikuar vetë. Fundja çdogjë ka një kohë, si rrëfen Libri i vjetër… Veçse mënyra konciliante, e pra e kadifenjtë, e demokracisë nuk bën dot punë. Sepse, thjeshtë, tirania e shumicës vulgare, për ç’fliste qysh moti Aristoteli, ka kapërthyer gjithëçka. Madje dhe ëndrrat që bëhen copë e grimë për ti zbërthyer…
“Çifutët, ky popull i lindur me qenë skllav”, thoshte Taciti, por Niçe, ndonëse evokon historianin romak, thotë se ata janë të parët që nisën epokën e “kryengritjes së skllevërve në moral”!
Që këtej, kur mëndje të tilla farfuritëse tabelojnë popuj inferiorë, disi nuk më shqitet një ndjesi e pamirë. Një aluzion i trishtë… Por nëse teoritë e varieteteve racore, i rrëzoi dinamika e ecjes njerëzore, përse dhe shqiptarët, megjithë akomodimin e gjatë në strehën e ngrohtë robnore, të mos japin provën e “epokës hebraike” të kryengritjes morale e, në fill të saj, rebelimin rrafshues politik?
Kombet e mëdhenj kështu kanë bërë historinë… Dhe tani diktojnë shpirtin e saj!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura