Prishtinë, 14 tetor 2019: GEORGE FRED WILLIAMS – ‘SHQIPTARËT/THE SHKYPETARS’ (Botoi: “Argeta-LMG”, Tiranë, 2003)
* Nuk ka përpjekje më fisnike për njeriun se ajo për lirinë kombëtare, prandaj shqiptarëve iu mbetet një kusht: të bëjnë bashkimin e brendshëm dhe organizimin kombëtar
* Që Europa e ka marrë më qafë Shqipërinë kjo as mund të vihet në diskutim, por që të ndreqen këto gabime duhet drejtësi
Është e gjatë lista e emrave dhe veprave të miqve amerikanë për Shqipërinë dhe shqiptarët që janë shfaqur në shekullin e kaluar deri në mbarim të Luftës së Parë Botërore, pa i përmendur edhe ata të shumtë të historisë më të re, të cilët ndihmuan çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës . Nga ata më të parët, duhet të veçojmë çiftet Kenedi dhe Erickson (1908), Xhorxh Fred Williams (1914), Margaret Williams, Presidenti Wodurow Wilson, Roza Wilder Lane, etj. Këtë shkrim ia kushtoj një miku të veçantë të shqiptarëve, të Shqipërisë dhe të kauzës shqiptare. Fjala është për diplomatin e karrierës,George Fred Williams (1852 – 1932). Williamsi ishte ambasador i ShBA-ve në Greqi dhe Mal të Zi, dhe vëzhgues i Komisionit Ndërkombëtar për caktimin e kufijve të Shqipërisë, në vitet e zeza për shqiptarët (1913-1914). Në Shqipëri kishe ardhur për herë të parë, në Vlorë (1914), ku kishte parë krime dhe masakra të llahtarshme mbi fëmijë, gra e pleqë të popullsisë shqiptare, që kishin kryer shovinistët grekë. Kishte parë me sytë e tij mbi 100 mijë refugjatë shqiptarë të ikur nga viset jugore të Shqipërisë, të cilët ishin mbledhur në Ullishtat e Vlorës, e që ishin në gjendje të mjeruar: të plagosur, të sëmurë, me epidemi, të uritur, deshë e dathë, pa pa ushqime, pa shtrojë e mbulojë. Gjendja që kishte parë në mesin e refugjatëve shqiptarë, e kishte trazuar shpirtin demokrat të Williamsit, i cili sapo u kthye në Athinë, protestoi te zyrtarët më të lartë grekë, e njoftoi qeverinë e tij në Amerikë dhe dha dorëheqje nga karriera diplomatike. Pas dorëheqjes kishte deklaruar: “Më dukej detyrë njerëzore, për të çjerrë haptazi maskën që mbulonte diplomacia europiane dhe për të ekspozuar fytyrën e saj të vërtetë, të lyer me gjak patriotësh dhe shikimin e saj të dobët mbi dëshirat e zjarrta për liri të një race të fortë. U ktheva në Athinë dhe mbasi qesh i shtrënguar, e tregova këtë panjerëzi dhe këtë padrejtësi të fuqive europiane dhe dhash dorëheqjen si ministër i Amerikës në Greqi e Mal të Zi, sikurse patjetër qesh i shtrënguar ta bëja. Drejtësia dhe e vërteta nuk mbrohen në sallat e diplomacisë. .. Ky veprim më hapi rrugën për t’iu lutur popullit të lirë të Amerikës, t’i ndihmojë shqiptarët që po mundohen me luftë e me vdekje për lirinë dhe pavarësinë e tyre…”.
Pas dorëheqjes nga karriera diplomatike, Williams iu përkushtua kauzës shqiptare, duke folur në radio dhe në tubime, duke shkruar e botuar në gazeta amerikane e të hueja, ndër të cilat edhe në ato shqiptare, për padrejtësitë që diplomacia europiane u ka bërë shqiptarëve. Në një fjalim të mbajtur në Boston, më 7 nëntor 1915, të organizuar për mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar, Williamsi thotë: “…Nuk vij të flas si mik i njerëzisë, por vij si mik dhe adhuronjës i racës shqiptare. Dashuroj Shqipërinë, dashuroj burrat e Shqipërisë, siç dashuroj Amerikën,siç dashuroj burrat që i kanë dhënë lirinë Amerikës. Shqipëria do të jetë e lirë. Shiqipëria i ka dhënë pesë imperatorë Romës dhe gjaku i shqipeve ka forcuar kombet e tjera. E lashë Shqipërinë në vuajtje dhe të mbytur në gjak nga faji i Europës, e cila tani po lanë gjynahet e saj (e ka fjalën për Luftën e Parë Botërore, v.j.). Unë protestova kundër paudhësisë së Europës kundrejt Shqipërisë, lash vendin tim zyrtar dhe ju siguroj që unë besoj se ajo ditë që protestova për Shqipërinë, ishte dita më e lumtur e jetës sime…Unë jam gati për çdo shërbim për lirinë dhe shpëtimin e Shqipërisë, edhe me jetën time”.
Çka mund të thuhet pas këtyre fjalëve të një diplomati që e braktisi karrierën zyrtare, nga brenga për gjendjen dhe nga vullneti, dëshira e gadishmëria për të ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët, përveçse një FALEMINDERIT të përjetshëm!
LIBRI “SHQIPTARËT/THE SHKYPETARS” I WILLIAMSON-IT
Fjalimet dhe shkrimet e botuara në gazea të ndryshme, autori i ka përmbledhur në librin e tij me titull “The Shkypetars”, të cilin e botoi në vitin 1918, në vigjilje të Konferencës së Paqes së Parisit, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Libri është me një vëllimi të vogël (origjinali 43 faqe), me artikuj të shkurtër, të ndarë e sistemuar në pesë kapituj: 1) Shqipëria dhe shqiptarët; 2) Punët e liga të Fuqive të mëdha; 3) Shembja e qeverisë së Vidit; 4) Përpjekjet për liri; dhe 5) Ç’mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara?
Në kuadër të këtyre kapitujve, autori i njohton lexuesit amerikanë dhe të tjerë me: Trojet dhe prejardhjen, fisnikërinë dhe zakonet e shqiptarëve, pozitën e grues shqiptare, dhe i lavdëron shqiptarët si racë e fortë. Jep një përshkrim gjeografisë së trojeve shqiptare, duke theksuar se kanë pozitën më të lakmueshme gjeografike në Europë; pasuritë ujore, tokësore e nëntokësore, të cilat mundësojnë që Shqipëria të jetë shteti më i zhvilluar i Ballkanit, por që Europa e ka lënë në mjerim dhe shkret. Thotë se në Epirin e sotëm ku jetojnë në mjerim 600 mijë njerëz, në kohën e paqes romake aty banonin 4 milionë veta dhe jetonin në begati. Nuk është natyra, por veprimet djallëzore që e kanë rrokullisur këtë vend nga lartësitë e lavdisë së lashtë, në një shkretëtirë të vajtueshme, thotë autori (fq.11-12).
Prejardhjen e shqiptarëve nga Pellazgët e lashtë dhe Ilirët, autori e shpjegon me argumente dhe thotë se ata ishin këtu kur grekët e Homerit ende nuk kishin ardhur në këtë jetë. Eposet e tyre grekët i kanë huazuar nga Pellazgët. Ç’pasuri e madhe dijesh e pret arkeologun kur toka shqiptare të hapë thesaret e historisë së Pellazgëve, thotë Williamsi. Shqipja ka qenë gjuha amtare e Aleksandrit të Madh dhe e Pirros së Epirit. Është tragjedi tej çdo përfytyrimi, që kjo racë e madhe dhe shumë e lashtë të katandisej në këtë gjendje, e cila e meriton të quhet skandali i qytetërimit europian (fq.14). Në vazhdim pasqyron gjendjen e shqiptarëve në pushtimn otoman, pranimin e fesë muhamedane, por si një fe e praktikuar ndryshe nga ajo e Stambollit. Gjatë pushtimit otoman, pa shkolla në gjuhën e tyre shqiptarët u edukuan në një atmosferë dhune dhe grabitje, por është popull fisnik, me shumë virtyte: besa është institucion i shenjtë, mikpritja, bujaria, trimëria e pa kufi, nuk durojnë turpin, shpifjen as fyerjen, nderimi për moshën është veçori e shqiptarëve. Në asnjë vend të botës gruaja nuk ndihet më e sigurt nga fyerja. Ajo mund të udhëtojë skaj më skaj Shqipërinë, pa frikë se e cenon kush, bile edhe burri në shoqërinë e gruas ka mbrojtje të sigurtë. Gjuhën e sharjeve nuk e njohin as edhe kur bëjnë shaka. Ndër zakonet e këqia e përmend gjakmarrjen, e cila ka shtrirje të gjërë, por për këtë e fajson sundimin e Turqisë, e cila nuk vendosi drejtësi, por nxiti armiqësi dhe ndasi në popull, për ta mbajtur nën zgjedhë. Duke i quajtur shqiptarët racë e fortë, autori thotë: kjo racë i ka dhënë Turiqisë shumë nga gjeneralët dhe vezirët më të mirë, ndërsa vëllezërit e tyre toskë në Itali hodhën themelet e Romës; pesë perandorë të saj kanë qenë djemë të ilirëve. Shqiptarët dhanë emrat më të shquar për lirinë e Greqisë. Përgjithësisht janë një racë e panënshtruar.
Në kapitullin Punët e liga të fuqive të mëdha (fq.20-27), Williamsi shpjegon ambicjet e Rusisë me satelitët e saj sllavë në Ballkan për të zotëruar tokat shqiptare dhe Adriatikun, si portë e depërtimit prej Perëndimit kah Lindja. Në këtë plan ekzistonte një rivalitet edhe midis Italisë dhe Austrisë, për zotërimin e porteve shqiptare. Prandaj, zotërimi i tokave shqiptare ka qenë strumbullari i luftës së kontinentit europian dhe i diplomacisë së fuqive të mëdha, qysh prej Shënstefanit, Kongresit të Berlinit, Konferencës së Londrës e deri te Konferenca e Paqes në Paris.
Pasi i bënë një vështrim kritik planit dhe dispozitave të marrëveshjes së Konferencs së Ambasadorëve në Londër për Shqipërinë, nxjerr përfundimin se me një plan e marrëveshje të tillë Shqipëria ishte bërë vetëm një arenë e ndikimeve heterogjene të gjashtë fuqive të mëdha, të cilat tërheqin sa nga njëri sa nga tjetri krah. Propaganda, intrigat dhe shpifjet mbulonin gjendjen e vërtetë. Me caktimin e princ Vidit dhe të Komisionit Mbikëqyrës për qeverisjen e Shqipërisë (1914), pa i dhënë atij një forcë ushtarake e financiare për ta zbatur programin, ishte një diplomaci e pa mend, që veçsa shkaktoi rrëmujë e gjakderdhje, nga e cila tokat shqiptare u ndanë copë-copë midis fqinjëve veriorë, jugorë e lindorë, ndërsa Shqipëria dergjej me kocka të dërmuara e plagë që kullonin gjak, dhe kjo ishte viktima më e madhe dhe më e pafajshme e diplomacisë së fuqive të mëdha. Në situatë të tillë, s’ka pasur gjasa funksionimi i shtetit, prandaj princ Vidi iku si një qyqar. Këtë situatë Williamsi e ka njohur me themel, sepse edhe vet ishte vëzhgues i Komisionit Mbikqyrës “të pushtetit të Vidit”. “E lash këtë skenë gabimesh, akuzash të ndërsjellta, uzurpimi dhe gjakderdhje, e cila më ngjallte krupën në zemër për krimet e Europës dhe simpatinë për popullin të cilin e detyronin të derdhte gjak për ta ruajtur shtypjen e tij, një nga padrejtësitë më skandaloze në historinë e Europës. Tre muaj pas kësaj, Princi, familja, oborri, kabineti i tij dhe komisionerët ua mbathën nga Durrësi duke e lënë Shqipërinë siç është tani, pa qeveri”, thotë autori (fq.35).
Dorëheqjen e tij nga detyra e ambasadorit në Greqi e Mal të Zi e shpjegon me dëshirën për të ngritur zërin ndaj padrejtësisë që po i bëhej Shqipërisë. “Më qëlloi fati ta ngritja unë perdën e kësaj farse të vogël, e cila shërbente si një hyrje në tragjedinë më të madhe të vënë në skenë nga dora e njeriut. Ishte ky akt i cili e justifikon thirrjen time drejtuar poullit të lirë amerikanë t’i ndihmojë shqiptarët që po përpiqen për liri e pavarësi…”. Më tutje, në përpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi, citon ish-kryeministrin britanik Goldstone, i cili (1880) në kohën e sundimit turk kishte thënë: ”Çdo popull i shtypur ka të drejtë ta shkundë zgjedhën e robërisë. Në qoftë se shqiptarët janë të lodhur nga qeverisja e keqe e Turqisë dhe duan të jenë të pavarur, dëshirat e mia më të mia janë pro tyre. Vërtetë që nuk mund të bëj gjë drejtërdrejtë për ta, por kur plani që ke bërë të dalë faqebardhë, flamuri turk të jetë hequr qafe dhe të shpallet pavarësia e Shqipërisë, atëherë le të shpallet zyrtrisht edhe qeveria e përkohshme dhe Anglia do të jetë fuqia e parë që njeh Shqipërinë e pavarur. Do të bë çmos të ndikoj tek të tjerët të ndjekin këtë shembëll” (fq.38).
Në vazhdim të librit të tij, autori përshkruan Shqipërinë si një vend të pasur me fuha, male, lumenjë, porte të bukura që janë nyje lidhëse me botën, të cilat po të shfrytëzohen mirë mund të mbajnë miliona banorë. Por këtë vend e kishin degraduar e rrënuar sundimi turk dhe pushtuesit e tjerë, duke shfrytëzuar vetëm për vete pasuritë dhe djemtë e Shqipërisë si burim kryesor i rekrutimit të djemëve trima për ushtritë e tyre. Europa i dënoi shqiptarët të mbeteshin në skllavërim dhe izolim të mallkuar, me shkatërrime të pasurisë, harrësë të industrisë, me rritjen e padijes, të besimeve të kota fetare e të varfërisë. Diplomacia europiane e mbajti Shqipërinë shekuj nën sundimin poshtërues të Turqisë, e qoi atë në varfëri. Kur më në fund Turqia u copëtua, Europa u vërsul mbi këtë popull heroik (shqiptar, v.j.), i shkëputi disa nga pjesët më të mira të territorit të tij dhe më tej mori përsipër t’i impononte një qeveri aq despotike nga natyra, si edhe vet Port e Lartë nuk do ta kishte parafyturuar. Në vend të kartës së lirisë, Europa solli një princ, një komision dhe një polici për qeverisjen e Shqipërisë, pa e vra mendjen se ky popull duhet ta ketë një zë në qeverinë e vet. Ishte kjo tirani e pastër, deri në palcë …, e Amerka heshtë, sepse populli amerikan akoma nuk i di faktet që sot e kam marrë penën për t’i shpalosur para tij për historinë e dhimbshme të shqiptarëve trima, të cilët luten për lirinë dhe pavarësinë për vete, për fëmijët e tyre dhe fëmijët e fëmijve… Që Europa e ka marrë më qafë mizorisht Shqipërinë kjo as që mund të vihet në diskutim, por që të ndreqen këto gabime duhet drejtësi. Shqiptarët mund të kërkojnë nga Europa jo vetëm drejtësi, por edhe reparacione. Europa e krishterë mban përgjegjëi për skllavërsimin dhe varfërimin e këtij populli të pafajshëm.
Duke kundërshtuar tezat shpifëse e dashakeqe të qarqeve të ndryshme për shqiptarët si racë e paaftë për të qeverisur vetveten, autori thotë askush nuk mund të thotë se shqiptarët nuk janë të aftë të vetëqeverisen, sepse fuqitë e mëdha nuk e kanë lejuar një provë të tillë për shekuj me radhë. Në këtë kontekst citon fjalët ministrit të jashtëm italian, markezit San Gjuliano i cili me penën e tij e ka theksuar trimërinë dhe aftësinë e këtij populli, dhe ka thënë se “është një forcë akoma e pa njohur për vete dhe për të tjerët”. Autori citon edhe fjalët e anëtarit të Bordit Amerikanë, Erikson, i cili për tridhjetë vjet të punës së tij si misionar në Shqipëri, punoi e veproi bashkë me vuajtjet e këtij populli, ka thënë: “Nuk ka popull më bujar dhe më fisnik në Europë. Tek ata i gjenë të ndërthurura aq bukur elementet e forcës, të energjisë dhe të kurajos, me përkushtimin më të madh”.
Me qenë se libri është botuar në vigjilje të Konferencës së Paqes në mbarim të Luftës së Parë Botërore, duke elaboruar të drejtat e një kombi, qoftë i madh apo i vogël, që të jetë i lirë, i pavarurtë ndërtojë formën e qeverisjes dhe të zhvillimit kombëtar të zgjedhur në liri të plotë, Williams thotë se “shqiptarëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të plotëslojnë një kusht: të bëjnë bashkimin e brendshëm dhe organizimin kombëtar…Në qoftë se dëshmojnë para Konferencës së Pasqes se dijnë ta drejtojnë vetë vendin e tyre, atëherë lutjet e Shqipërisë për integritet dhe liri do të dëgjohën me drejtësi dhe madje me përparësi. Opinioni publiki ShBA-ve do t’i mbështesë dukshëm përpjekjet e Shqipërisë, prandaj mund të themi se shqiptarëve u është hapur dera e lirisë. Mendimi im është se ata e kuptojnë rastin që u ka ardhur tek dera, por janë të varfër dhe kanë nevojë për ndihmë. Nuk do të ketë punë më fisnike për popullin amerikan se të ndihmojë shqiptarët të vendosin qetësinë dhe rendin në vend…(fq.51). Nuk mendoj se mund të ketë ndonjë vjend tjetër në botë me shanse më të mëdha se Shqipëria për ndërmrrjet fitimprurëse, kur pasuritë e saj të kenë ndjerë prekjen magjike të vetëqeverimit dhe dyert e qytetërimit të jenë hapur sa gjatë e gjërë, të cilat shtriga europiane i ka mbajtur mbyllur”, konkludon Williams në thirrjen e tij për “Shpëtimin e një kombi” (fq.56).
Nga prezantimi I një pjese të përmbajtjës së librit të Xhorxh George Williams ”Shqiptarët/The Shkypetars”, lexuesi mund të vërejë se me sa dashamirësi shprehet autori për shqiptarët dhe të drejtën e tyre për liri e pavarësi, zhvillim e përparim, dhe i bënë thirrje popullit amerikan që t’i ndihmojë shqiptarët në këtë drejtim. E vërteta e thënë në kohën dhe në vendin e duhur ka vlerë të madhe. Williamsi ishte një mik i ngushtë i Presidentit Willson, prandaj nuk ka fije dyshimi se do të ketë ndikuar tek presidenti i tij, i cili në Konferencën e Paqes në Paris e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi i mëtejshëm. Natyrisht, nuk duhet harruar se diplomati Williams, sikurse edhe të gjithë miqët e tjerë amerikanë, ka pasur një bashkëpunim të mirë me Mërgatën shqiptare në Amerikë, në përpjekjet e pareshtura për të ndihmuar Shqipërinë.
Temat e trajtuara në librin e Williamsit “Shqiptarët/The Shkypetars” janë trajtuar shkurt e qartë dhe thelbësisht. Përmes shkrimeve të tij, të cilat më përpara ishin botuar nëpër gazeta e revista të ndryshme, tregojnë personalitetin e njeriut me integritet, dinjitet e ndërgjegje liridashëse, për të cilët ka nevojë çdo popull dhe çdo kohë. Libri, sado me vëllim të vogël, është me vlerë të madhe dokumentuese dhe njohjeje për diplomacinë europiane të padrejtë kundrejt Shqipërisë dhe shqiptarëve. Koha, vitet, ngjarjet dhe situatat kalojnë e ndryshojnë, por miqët dhe dashamirët e sinçertë mbesin të paharruar në kujtimin e popullit, veçmas ata që u angazhuan me përkushtim, punuan, kontribuan dhe lan vepra, siç shte Xhorxh George Williams e të tjerë.
Përkthimi dhe botimi i parë në gjuhën shqipe i librit të Williamsit u bë në Tiranë (1934), nga përkthyesi Shaban Balla, i cili e ka bërë edhe një Parathënie të botimit shqip. Botimi i dytë: “Argeta-LMG”, Tiranë 2003, të përkthyer nga Akil Bubëri, me redakatim të prof.Xhevat Lloshit, u bë 70 vjet pas botimit të pare, dhe atë në një tirazhi të vogël, 500 copë, thuase nuk i intereson kujt, e unë them se është libër që ia vlenë ta lexojëçdo shqiptar.