ADNAN ABRASHI: STRATEGJITË E MANIPULIMIT ME MASAT

(Prizren, 08. 10. 2012) – Si një vrojtues amator i rrethanave politike në Kosovë, gjithnjë kamë qenë ithtar dhe propagandues i fuqishëm i metodës indirekte të qasjes analitike ndaj të gjitha prezantimeve që neve si opinion na janë ofruar publikisht nga ana e krijuesve dhe bartësve të tyre në pushtet. I armatosur me dyshimin se përherë prapa asaj informate të treguar zyrtare gjithsesi fshihet ndonjë tendencë tjetër e kamufluar si synim i mëvonshëm konspirativ, vëmendjen time analitike të nxjerrjes së një përfundimi sa më të bazuar, gjithnjë e kam orientuar kah ana e kundërt dhe aty për aty e padukshme e të kuptuarit të saj. Me këtë rast, më duhet të pranoj se kjo përvojë, gati në të gjitha situatat e tilla, deri më sot është treguar si tejet e suksesshme.
Edvard Bernays, magnat dhe udhëheqës i rrjetit më të fuqishëm global informativ “CBS” në SHBA, përndryshe, nipi i themeluesit të famshëm botëror të psikanalizës Sigmund Frojd, në një fragment të veprës së vetë të titulluar “PROPAGANDA”, kishte shkruar: “Kur të arrijmë ta kuptojmë mekanizmin dhe motivet e vetëdijes grupore, tek atëherë është e mundur të kontrollojmë dhe të udhëheqim me masat ashtu sikur na konvenon neve, e, që, për këtë, ata fare të mos jenë në dije… Një manipulim i vetëdijshëm dhe inteligjent me shprehitë e organizuara dhe opinionin publik të masave, është element tejet i rëndësishëm në një shoqëri demokratike. Ata që manipulojnë me këtë element të padukshëm të shoqërisë, formojnë një qeveri të fshehtë e cila është fuqia që realisht sundon në pushtetin tonë… gati në të gjitha aspektet të jetës sonë të përditshme, pa marrë parasysh se a ka të bëj me sferat e politikës apo biznesit, me sjelljen tonë sociale apo të të menduarit etnik, ne dominohemi nga një numër relativisht i vogël njerëzish… të cilët i kuptojnë proceset mentale dhe sjelljet sociale të masave. Mu këta janë ata që tërheqin litarët e çdo gjëje që e kontrollon vetëdijen e opinionit”.

NOAM CHOMSKY 

………………………………………..

Tetë strategji të manipulimit me masat
Bazuar në rezultatet e arritura gjatë studimit empirik në fushën e marketingut politik, të bërë nga ana e linguistit të shquar amerikan, Noam Chomski, në vazhdim, në pika të shkurta, do të tentoj që t’ua shpalosi 8 metoda më të popullarizuara të strategjive të ndryshme aplikative të manipulimit me masat në praktikë, ku zakonisht si mjet më efikas i arritjes së qëllimit përfundimtar na shërbejnë mediet:
1. ORINETIMI I VËMENDJES – Besoj se tanimë, për shumicën prej nesh, kjo strategji është shumë mirë e njohur. Ajo ka të bëjë me orientimin e vëmendjes së opinionit, nga diçka aktuale dhe shumë e rëndësishme, kah diçka atraktive (të këndshme ose të pakëndshme) por të parëndësishme. Gjithnjë kur është në veprim ndonjë aktivitet politik si jo i popullarizuar për masat, paralelisht asaj ngjarje, nga politikëbërësit tanë në pushtet, qëllimisht lansohen dhe stimulohen informatat dhe ngjarjet e panevojshme ku në sytë e masave glorifikohet diçka krejtësisht sporadike dhe tejet e parëndësishme. Ta zëmë, në Kosovën sot, ku aktualisht si shqetësim i përgjithshëm popullor “thyhen shigjetat” rreth privatizimit të disa ndërmarrjeve publike, rreth bisedimeve të mundshme me Serbinë, rreth mundësisë së pranimit të një autonomie për veriun, etj, Qeveria e jonë merr vendim për rritjen e përqindjes së pagave të pensioneve. Në këtë klimë të tensionuar politike, nuk është çudi që më vonë si sensacion mediatik, nga EULEX-i të kemi burgosjen e ndonjë “peshkut të madh” për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare… të na ngjaj të na bien prej sistemi ndonjëra prej blloqeve të termocentraleve tona dhe gjysma e vendit të jetë ne terr…
2. ZMADHIMI I PROBLEMIT – Kjo strategji, në literaturën psiko-sociale ndryshe cilësohet si efekti: “problemi – reagimi – zgjidhja”. Përmes aplikimit të saj në praktikë, aq shumë propagandohet një situatë si e vështirë dhe e rëndë (edhe pse nuk është e tillë) saqë, sado e keqe të jetë zgjidhja e mëvonshme, ajo për masën bëhet më e kapshme dhe toleruese. Te ne, ta zëmë, aq na është prezantuar si e komplikuar dhe e vështirë zgjidhja e problemit të veriut, saqë, pas bisedimeve që do të mbahen së shpejti me Serbinë, sado i pakëndshëm të jetë kompromisi aty, aq më lehtë do të pranohet si e tillë nga shumica (në stilin: “shyqyr më ky problem na u hekë prej qafe”).
3. GRADUALITETI I NDRYSHIMEVE – Po të ndodhte menjëherë ndërmarrja e një veprimi të dëmshëm politik, ekonomik … për interesin e përgjithshëm nacional, nënkuptohet se ajo do të shkaktonte një reagim shpërthyes tek masat. Andaj, që shumica të pajtohen më një veprim jo aq të pëlqyer i cili detyrimisht do të vije në fund si zgjidhje e pakëndshme, parapërgatitja e opinionit shkon pak më gjatë në kohë dhe bëhet gradualisht (hap pas hapi). Në fillim ajo si ndodhje e papranueshme kategorikisht mohohet nga zyrtarët, pastaj fillon diçka si me kamuflim të pranohet … e kështu me radhë. Konkretisht te ne si shembull i aplikimit të kësaj strategjie manipuluese me masat e kemi tek problemi i veriut. Fillimisht, kjo garniturë në pushtet, ka qenë kategorikisht kundër strukturave ilegale serbe në veri, me kalimin e kohës, del një këshilltar i presidentes dhe thotë se ato struktura nuk janë ilegale dhe se kanë dal nga vota e lirë e qytetarëve të atij regjioni… dhe kështu do të vazhdohet deri tek momenti i uljes dhe mbajtjes së bisedimeve të drejtpërdrejta me ta.
4. SHTYRJA – Një tjetër mënyrë për ta parapërgatitur publikun për ndryshimet jopopullore që do të pasojnë më vonë, është kur bëhet shumë më herët shpallja e problemit. Kështu që, kur të vije ai moment i pakëndshëm i pranimit, njerëzit më nuk do ta ndjejnë peshën e plotë të këtij ndryshimi të papritur. Shembulli i aplikimit të kësaj strategjie konkrete për rastin e Kosovës është, ta zëmë, kur para disa kohe shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, në takime të ndara me kryeministrin kosovar Hashim Thaçin dhe me presidentin serb Tomisllav Nikolliq në Nju Jork, ua ka bërë të qartë se këto dy vende i presin “vendime të vështira”.
5. NGJALLJA E EMOCIONEVE – Keqpërdorimi i emocioneve është një teknikë tek strategjitë klasike e manipulimit me masat. Me këtë metodë manipulative tentohet që vetëdija kritike e njerëzve për situatën konkrete të zëvendësohet nga impulset kolektive të ndjenjës emocionale për diçka krejtësisht tjetër. Në rastin e Kosovës, për aplikimin e kësaj strategjie, ftohet, ta zëmë, ta vizitoj vendin tonë ndonjë burrështetas me nam, vjen nga ndonjë shtet njohja për Kosovën, mbahet samiti i grave në Prishtinë…
6. SHKAKTIMI I NDJENJËS SË FAJSISË – Me këtë metodë tentohet të bindet masa se për këtë situatë, ashtu sikur është sot, kinse “fajtor jemi ne vetë në përgjithësi si popull (e jo ata)”, “nuk kemi rrugëdalje tjetër”, “kotë është tashti të bëjmë çfarëdo reagimi”, “jemi plotësisht të pafuqishëm para atyre që na bëjnë presion”, “po e kërkon Amerika ashtu”, “ata na çliruan dhe ata na diktojnë politikat e tyre”, etj..
7. MADHËRIMI I MARRËZISË – Përmes kësaj strategjie manipuluese qytetari permanent duhet të inkurajohet për ta pranuar mediokritetin aktual shoqëror dhe politik si realitet. Pra, është e nevojshme për t’i bindur njerëzit që në këtë kohë është e dëshirueshme (është në modë) që të jesh budalla, vulgar, injorant, hajn…
8. PADITURIA (injoranca) – Përmes sistemit joefikas të arsimimit të përgjithshëm, qëllimisht krijohet dispropocioni i madh klasor ndërmjet atyre që qeverisin (pakicë) – si superior, dhe shtresave të gjëra popullore shumicë – si injorante. Sa më shumë në një shoqëri është i shprehur joinformimi (jotransparenca), padituria dhe mediokriteti i shtresave të gjera popullore, aq më shumë është e garantuar zgjatje e qëndrimit të atij regjimi të dështuar në pushtet. Bazuar në këtë strategji manipuluese me masat, unë aspak nuk befasohem se pse ne sot në Kosovë kemi një sistem aq të degraduar të arsimimit në përgjithësi.

……………………………………………..

10 STRATEGJITË E MANIPULIMIT TË NOAM CHOMSKY’t:

Noam Chomsky – 10 Strategien der Medien Manipulation an uns!

……………………………………………

Në fund, ka mundësi që shumica nga lexuesit e vëmendshëm të këtij artikulli të dyshojnë se pushtetarët tanë vendor nuk janë aq të mençur që të aplikojnë në praktikë këto strategji tejet të sofistikuara bashkëkohore të manipulimit me masat, por nuk duhet të harrojmë se, që nga kryeministri, e deri tek të tjerët në postet e ndryshme publike dhe partiake vendore, rreth vetit kanë të angazhuar këshilltarë të huaj, ekspertë të dëshmuar botëror të kësaj fushe, duke i paguar ata me rroga tejet të majme. 
Kretë në fund, filozofi Antik Grek Sokrati, dikur i ka mësuar nxënësit e vet se gjatë kërkimit të së vërtetës, rruga e vetme përmes së cilës duhet të shkohet, është, kur, së pari, duhet të analizojmë dhe para vetes të vejmë në pyetje çdo bindje që gjer në atë moment e kemi mbështetur fortë. Nëse një besim konkret i kalon të gjitha testet e evidencës, deduksionit dhe logjikës, atëherë, ajo ide mund të përqafohet si e vërtetë. Në të kundërtën, e njëjta duhet mohuar, ndërsa, më pas, bartësi i saj duhet ta pyes veten se çka e ka nxitur atë që gjer në atë moment të mendoj ashtu.
Fatkeqësisht, ky princip sokratian, te ne nuk aplikohet sa duhet as në nivele më të larta akademike, e lere më në bindjet dhe mënyrën e të menduarit të masave tona të gjëra popullore.

……………………………………………………

SI MANIPULOHEMI NGA PRAPASKENA POLITIKE…?!
FLET STUDIUESI ANGLEZ DAVID ICKE:
Na rubu znanosti – David Icke – Pozadina zbivanja (1 – 4)

……………………………………

………………………………………..

…………………………………….

_______________________________
(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura