AHMET ÇOLLAKU: HOMAZH I VONUAR PËR METEORIN NIKOLIN LEKA

Tiranë, 11 Maj 22020: E para gjë që duhet bërë është të mos pengosh vetëveten. Senek
Ndjesia ime për fizikantin nga shkodra Nikolin Leka që punoi disa vite në sizmikën e Fierit, në naftë është shumë e madhe, pavarësisht se unë s’kisha të beja fare me të, ai nga Shkodra, kurse unë nga Rrajca…

Edhe tani përlotem kur kujtoj të shkuarën, pavarësisht se në atë kohë kisha armiq zyrtarë, drejtora dhe istruktorë partije deri lartë në KQ, të cilët me lanë pa shtëpi vite të tërë. Ata shkuan deri në gjimnaz, korigjuan notat e fëmijeve të mi…. Nuk është e lehtë të ruash karakterin, mund ta ruash, por do humbasish shumë, siç humba unë…
Po, le të kthehemi tek heroi im dhe i gjithë Shqipërisë meteori Shkodrës, Nikolin Leka, tek që nuk e bënë më nëna. Nikolini kishte mbaruar studimet e larta në Tiranë për fizikë, po e emeruan në naftë meqënëse nafta ato vite, kishte mungesë specialistësh, sidomos sizmika. Specialistët rus po bënin gati bagazhet. Ideollogjitë që merren me politikë janë shkencat shoqërore më të shëmtuara, sidomos ato që drejtohen nga individë të pa formuar plotësisht…

Nikolin Leka

Shokët e Nikolinit, Novruz Kodheli, Siasi Koçija, Engjell Saliu, Viron Papingji, Viktor Nushi, mund të tregonin shumë kujtime dhe të lëshonin lotë për Nikolinin… Pa dyshim edhe qindra të tjerë.
Nikolini gajasej deri në ekstazë kur kishte përballë Koço Plakun, Enriko Veizin, apo Novruz Kodhelin. Botën tonë e bashkon dashiria, jo arma… Pa dyshim Enrik Veizi dhe Koço Plaku, do të jenë pranë me të, edhe në atë botë…
Praktikën e parë mësimore të gjeofizikës e bëra në qytetin e Vlorës, ku, si vënd pronontimi, kisha hotelin ku më parë kishin jetuar rusët.
Nëpër koridoret kishte raporte të flakura. Si të sjellë nga përmbytje madhe. Nuk e di përse ndjeva një keqardhje të pa përcaktuar edhe për vete. Une me një grup shokësh sapo ishim kthyer nga jashtë, nga Rumania. Këtë tragjedi e kanë përshkruar si as një tjetër Kadare dhe Fuga.
Në Vlorë sikur isha në kufi të një lufte, por fitimtarët çuditërisht nuk dukeshin gjekundi. Specialistet rus sapo ishin larguar. Rusët ishin larguar, po materialet teknike sistemuar sipas stilit të tyre, ishin bërë lesh e li. Tani të huajit e larguar, ndiheshin si fundi i një parfum të shtrenjtë. Zaten kështu ndodh gjithmonë për dikë që largohet, qe e humbet.
Gjeologu Dhimitër Gjenerali do tu thotë se specialistët rus punonin, se ata kishin edukim dhe stil pune. Këtë gje ma patë thënë vite më parë edhe i ndjeri gjeologu Milto Gjikopulli.
Rusët ikën, po ata lanë shumë punë në mes, lanë raporte të pa mbrojtura, dhe… dashuri të këputura, buzë të hapura që nuk u bashkuan… Nga trishtimi disa gra u zbardhën brenda një nate, kurse ca naftëtarë luajtën mënç… Sizmografët, si viktima lufte, ishin shpërndarë andej-këtej, kurse gravimetrat diku në një shesh të vogël, ishin të rrëzuar. Qe fillimi luftës ashiqare kundër revizionizmit, luftë që oksidojë plotë uzina dhe fabrika.
Atëhere, sigurimi shtetit, skenoi çdo gjë ruse. S’u la sirtar pa hapur dhe vodkë ruse pa u provuar dhe distiluar. Të gjitha këto pasazhe i gjeje lehtë kudo në atë hotel komod ku qëndrova disa ditë. Në këtë situate u ndodh meteori Shkodrës, fizikanti Nikolin Leka.
Unë me Nikolinin u njoha në qytetin e Kavajës, në kohën që ekspedita sizmike bënte studime në zonën e Kryevidhit.Kavaja e vitit 1963 ishte moniste këmbë e kokë por me diell dhe entusiazëm.
Fizikisht Nikolini ishte i përsosur, se, Perëndija e kishte bërë me shumë kujdes. Ishte energjik dhe me shumë humor. Të gjithë tiparet e fytyrës së tij qeshnin. Kur Ai qeshte, sytë i ndrisnin. Se nga e merrte gjithë atë energji, një Zot e di. Nikolini qeshte fortë dhe me zë të lartë. Qeshjen e tij e kam akoma në veshë. I vëmëndshëm, i zgjuar dhe dashamirës, ai kishte magjinë të çarmatoste këdo që kishte përballë.
Nikolini e donte punën. Kur punonte ulur në karrige, ngjante si një ikonë e gjallë. Punonte dhe meditonte. Për të korelimi sizmogramave ishte kënaqesi dhe kohë meditimi, krijimi, sepse e konsideronte këtë si punë arti. Tavolina mbulohej me sizmogramat e stacionit gjashtëdhjetë kanalësh. Korelonte me një lapës të zi, kurse në dorën tjetër mbante një gomë fshirëse.
Të zgjuarit dhe të edukuarit, gjejnë kohë të mësojnë dhe të bëjnë gjithçka që duan. Nikolini brenda një kohe të shkurtër u bë specialisti sizmik më i mirë i ndërmarrjes. Ai e lexoi me kujdes librin e Akademikut Rus, Guviçit dhe atë të Puzierovit. Nisi të bëjë vetë projekte punimesh sizmike, të përpilojë raportet përfundimtare, përgjithësime, Ai ishte i pari specialist që bëri punime eksperimentale për grupimin e sizmogarfeve për të rritur sinjalin sizmik. Atëhere shkenca sizmika ishte në hapat e parë, sidomos sizmika shqiptare. Të gjitha këto do ti gjeni në fondin e ndërmerrjes sizmike të Fierit. Janë punime me shumë vlera shkencore megjithëse kanë kaluar më shumë se 60 vite. Dhe pa dyshim, miku dhe kolegu im i edukuar dhe i talentuar, Ing. Spiro Bonjako, do jua afrojë me shumë kënaqesi. Ai ma gjeti këtë fotografi të Nikolinit.
Ishte një kohë kur Menca e inxhinierave në qytetin e Patosit frekuentohej regullisht nga spacialistët e naftës, koha e guzhinier Andres, e atij burri të urtë që ta ndiente që së largu oreksin dhe… shqetësimin. Menca dy katëshe, ishte aty pranë rrugës kryesore. Aty në katin e parë, në anë, Nikolini kishte dhomën e fjetjes, shtratin, një dollap rrobash, një tavolinë të vogël, sipër saj një radio ruse orion dhe plotë libra për rreth. Radioja nuk pushonte. Aty shokët e tij dyndeshin në çdo kohë. Dhoma mbushej edhe me tym duhani, po ai nuk e prishte zemrën, qeshte, u gezohej të gjithëve. Në këtë situatë shoqërore, ai gjente kohë të lexonte, të dëgjonte muzikë, të meditonte, të qeshte fortë, sidomos me Rikon. Edhe Enriku jetonte aty, në atë kat, ca dhoma me tutje… Eh, ishim kohë të tjera!.. Diçka më cyt të thërras, ku je Enver Hoxha!
Nikolini u bë specialisti më i mirë përkrah specialisteve rus dhe atyre shqiptarë që kishin studjuar kryesisht në Rusi. Ai ka projektuar puse të thellë për kërkim nafte. Këtë copë Shqipëri, e mbajnë më këmbë kaloritë e atyre viteve.
Me kujtohet si tani kur Ai shkruante raportet e punës. Sikur pikturonte. Shkrimi elegant anonte majtas. Nikolini, megjithëse nuk qëndroi shumë në naftë, ka autorësi të parë në mjaftë projekte dhe raporte si me specialistin rus, A. Koblenc ashtu edhe me specialistët shqiptar si N. Kodheli, E.Vezi, S.Koçija, Th.Janila. Ai ka autorësi në punimet e kryera në rajonet Milot-Lezhë-Zadrimë, Deprsioni Myzeqesë, Ardenicën, Divjakën, Seman-Poro, Kryevidh-Kavajë, Seman-Cakran, Patos-Ardenicë, Milot-Divjakë, Dumre, të gjitha gjatë viteve 1960-1966.
Po pas vitit 1966 ai vendosi të largohet nga sizmika(!?) Unë nuk di arsyen përse ai u largua. Një fillozof thotë, nuk ka asnjë pengesë për atë që është i vendosur të arratiset. Natyra është roja jonë, por dera është e hapur katër-kanat. Ai që është në një gjëndje të dëshpëruar, ai duhet të përpiqet të gjejë një dalje të lehtë. Ai që ka në dorë mjete të ndryshme lirimi, duhet të zgjedh dhe të pyes veten se cila është mënyra më e mirë për t’u liruar…
Kështu, një ditë Ai u kthye në vënd lindje, në Shkodër. Liria paguhet. Në qoftë se për ty ajo është e shtrënjtë, të tjerat kanë pak vlerë, thotë një fillozof tjetër.
Nikolini donte muzikën dhe letërsinë artistike. Ky është Puçini, I thoshte dikujt, këta tingujë janë të Mozartit një tjetëri. Ai lexonte lirshëm në rusisht dhe italisht. Në rusisht komunikonte sepse kishte punuar me specialistët rus, kur po rrihej hekuri nxehtë, në kohën para revizioniste. Shpesh herë këndonte vetë arie të kompozitorëve italianë. Kur Ai këndonte, ne na bëhej sikur Nikolini ngjitej në qiell. Ai recitonte poezi te Eseninit, lexonte Dostojevkin, Shollohvin, Lermontovin, e të tjerë. Gjatë kohën që ishin në Kavajë, u botua në shqip një libër për Napolon Bonapartin nga një autor rus, një libër I trashë. Nikolini I doli në fund për tre ditë.
Nikolini kishte një trup të gjatë të zhdervjellët. Ishte shumë energjik. Sytë e tij të mëdhej dhe të ndritshëm, zhbironin gjithçka që kishte interes, që ishte njerzore. Ishte i vëmëndshëm, i zgjuar dhe i dashur. Ai kishte magjinë të çarmatoste këdo që kishte përballë. E qeshura e tij ishte vullkan, niste me një buzeqeshje të lehtë por shpejtë shpërthente, sa zëri i vibronte përtej ekspeditës, deri tek Poçeria e Kavajës. Jeni ajo që bëni, jo ajo që do të donit të bëni, jeni veprat tuaja dhe jo mendimet tuaja thote Carl Jung.
Kostumi i tij i bukur, pak i errët, rrinte varur, peshtellë në një cep të çadrës për ndonjë ngjarje solemne apo personale. Ishin raste të rralla këto kur ai vishte këtë kostum princi dhe thoshte se do të delte deri nga Durrësi.
Me shokët dhe kolegët e punës bënte shaka pa kufi, sidomos me gjeologum Enrik Veizi. Gajasej me karikaturat e tij, sidomos me ato që kishin si personazh gjeologun Koço Plaku. Këto karikatura qarkullonin në gjithë ekspeditat dhe ndërmarrjet e naftës, shpesh herë arrinin edhe në ministri… Atëhere ishte koha moniste por disa gjëra ishin të bukura.
Kavaja e vitit 1963 ishte moniste këmbë e kokë por me diell dhe entusiazëm. Atë vit unë njoha Nikolin Lekën. Nuk di si ta quaj, legjendë apo ikonë. Ai është në kujtimet e mia më të mira. Thonë se kujtimet e mira të trishtojnë ti kujtosh në kohët e këqija!… Këta ishin meterorët që i dhanë emër kësaj Shqiperie të cilën sot po e shqyejnë.
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura