Tiranë, 29. 11. 2013 – Në këtë periudhë nuk kam konstatuar ndonjë shkrimtar tjetër që të ketë krijuar një vepër polidimensionale e estetikisht polifonike si vepra e Moikom Zeqos: seria 7 vëllimesh madhorë “Miscellanea”, “Grishja e Florimontit”, “Njeriu jeshil”, “Ekuinoks”, “Himara pa eklips”, “Tre libra në një”, “Nostradami në 3 qershor”, “Kështu foli Mona Liza”, “Tregime mistike” etj. Në këtë bibliotekë mund të shikosh paradigmën postmoderniste, të përthithur intuitivisht dhe estetikisht në prirjen e M. Zeqos në poezi, në prozë dhe publicistikë për të braktisur shumë rregulla strikte të estetikës e të letërsisë anakronike, për të qenë më i lirë në krijimtari pa u bërë ekscentrik, për t’iu dorëzuar materialit jetësor, polifonisë së zërave të jetës, për ta rrokur këtë me gjithë dimensionet e kohës e të hapësirës.
* * *
Vite më parë, kur s’kish shumë kohë që ishim ndarë nga monizmi dhe kishim hyrë në periudhën e tranzicionit, ndiqja me kuriozitet të madh zhvillimet në fushën e kulturës artistike. Dhe them të vërtetën se atmosfera krijuese ishte tejet e turbullt; ca krijues bënin të ndaheshin nga shprehitë e “socrealizmit”, por ende nuk ishin në gjendje të zgjidhnin një rrugë të saktë drejt së ardhmes; të tjerë kolegë të tyre të hutuar nga ndryshimet e thella të përshpejtuara, zgjodhën heshtjen, kurse ca kolegë moshatarë me ta e lidhën talentin e tyre letrar pas qerres më fitimprurëse – politikës; atë kohë kur jo vetëm shumë njerëz të brezit të mesëm e më të rritur, por edhe studentë, që e quanin veten të vonuar e nguteshin se mendonin u kish ardhur çasti i shumëpritur t’i kushtoheshin politikës, kurse ca të paktë adoleshentë ngazëllenin se kish ardhur një kohë që i ftonte në liri drejt ëndrrave të tyre të brishta për t’iu përkushtuar poezisë.
Në këtë situatë të pasigurt e të ngatërruar nuk e kishte të lehtë edhe Moikom Zeqo, që u gjend papritur në udhëkryq, midis politikës dhe poezisë. Por u tregua mjaft i përvuajtur e i pjekur të mos bënte zgjedhje të përshpejtuara dhe pa pasur ngurrim e dyshime vazhdoi të mbetet në liri i barabartë me vetveten. Politika e dimë se është politikë e nuk ndryshon, por Moikomi nuk gaboj se pati besim të mjaftueshëm tek talenti e përvoja letrare që i dhanë siguri e besim të mos hallakatej këndej e andej. Dhe doli faqebardhë.
Këtë e kuptova pasi kish filluar vit pas viti të ecte i sigurt të përpjetat e skërkat e Parnasit. U binda përfundimisht në këtë ngjitje e arritje, kur pat botuar librin “Mes Laokoontit dhe Krishtit – Onufrit II”. Porsa mbylla faqen e fundit të librit të ri të tij m’u duk një libër i çuditshëm, duke i njohur traditat tona se si kish qenë deri atëherë fati i librit shqip. Dhe prandaj shkrova një artikull për këtë të çuditshëm me titullin “Onufri – klithmë e fuqishme e humanizmit universal arbëror”.
Nuk ishte një artikull nga ata të rëndomtët që kritika jonë i quan për “hosanna”. Them “libër i çuditshëm” se Moikomi nuk e kish libër të parë, por me të lexuar faqen e fundit të tij, m’u duk se ishte kurorëzim i një periudhe të re për autorin, madje një arritje e një kthesë e rëndësishme, një fenomen i ri cilësor brenda përpjekjeve të shumta që bëheshin aso kohe për të dalë nga udhëkryqet.
Titulli i librit më frikësoi se mu duk si një arratisje drejt të kaluarash të largëta historike, për më keq me një tematikë që e largonte nga modernia, bashkohësia, aktualja, që po e kërkonin shkrimtarët e rinj e të vjetër. Pata frikë mos ndonjë kritik do të shkonte më tej e do përdorte një shprehje të shpërdorur rëndë ato ditë: – E paska dredhur edhe Moikomi! se këtë zanat po e ushtronte bukur shumë. Mendova se libri do të ishte i mbingarkuar me histori të vjetra dhe shkrova për t’u dalë përpara kritikave: “Historia kombëtare e mbingarkuar me peripeci e ngatërresa të shumta dramatike, me netë të stërzgjatura shekullore dhe ditë të pakta të ndritëruara, me humbje të paharrueshme dhe çaste të shkurtra ngadhënjimi, histori e përcjellë me ca libra e ikona, relike të shenjta, të mbijetuara nëpër shekuj, me ankthe e psherëtimat e Shpirtit shqiptar nëpër rrënoja shenjtorësh që duan të rehabilitohen”.
Po jo në librin e tij më të ri Moikom Zeqo na e drejtonte shikimin drejt kësaj të kaluare të pavdekshme të kombit dhe lëshonte një klithmë të fuqishme për të mos e braktisur këtë vend, për të duruar e mos mërguar sido që ishte e sotmja e jonë e mbushur me shqetësime e halle therëse. Libri i M. Zeqos ishte ftesë nderi për të njohur rrënjët tona e për të ngjallur besim si atë të shenjtorëve të përndjekur të Onufrit, që jetuan ilegalisht shekuj me radhë të strukur në ca kisha të vogla, grykave, luginave e skërkave të thella malore, ku ruanin dritën e mekur por të pashuar të shpirtit të tyre. Libri i M. Zeqos ishte ushqim për të mposhtur lëkundjet e mëdyshjet dhe për t’u lidhur më fort edhe me trashëgiminë kulturore të Botës Shqiptare.
Por në vargun e librave që botohen tani, libri i M. Zeqos kishte qenë krejtësisht i pazakontë, i rrallë, i shkëlqyer, tronditës. Një herë një libër i pazakontë është quajtur “libër me gunga”. Edhe libri i Moikomit është “gunga-gunga”, që ka një strukturë “xanxare”, “të spërdredhur”.” Dhe lexuesi nuk do ta ketë të lehtë ta përvetësojë, se duket i sajuar e i ndërtuar ters e ndryshe, në krahasim me ato mënyra tradicionale të shkruarjes së librit që lexuesi është mësuar t’i lexojë lehtësisht.
Në të vërtetë, Moikomi po dallohet ndër të rrallët e të paktit midis krijuesve të sotëm për njohuri të gjera e erudicion të spikatur, me këtë libër sjell një përvojë krejt të re hartimi të një megaligjërimi, që ende s’e ka fituar e përcaktuar qartë të një gjinie e stili të përveçëm, brenda tekstit letrar të tipit postmodern. Ky tekst që përbën bazën e megaligjërimeve të këtij drejtimi letrar bashkëkohor shquhet për kohezion të brendshëm, të ndërtuar me larushi stilistike, ku kryqëzohen, pa pauza të stërzgjatura, elementet epike me ato lirike, dokumentare me ato fantastike, kritike e romantike, sentimentale, përsiatje të brendshme, intime e sentenca filozofike, përjetime subjektive me përshkrime dokumentare, monologjike e dialogjike, në vetën e parë e vetën e dytë, madje dhe në të tretë, prozë e poezi, mit e shkencë, pohuese e mohuese etj. Në këtë stil është hartuar ky libër.
Besojmë se me këtë libër, M. Zeqo ka hedhur një gur themeli e na dëshmon saktësisht se është një krijues i guximshëm, rebel e novator për afirmimin e trajtave të reja të ligjërimit letrar, që po dëshmon epërsi jo si sistem artificesh, por si orvatje serioze, rezultative për ta pushtuar globalisht jetën, për t’u afruar me gjithë rrjedhat e ndryshme të saj, me të sotmen e të kaluarën, me nostalgjinë e shpresat drejt së ardhmes, me përralla, mite të pavdekshme, paradokse, vetëironi, dyshim pozitiv, por edhe me futurologji, mesianizëm të ndritur, gjuhë të re dhe mendim të ri, një hap cilësor të postmodernizmit që e kapërcen cakun kombëtar të mbyllur.
Duke dashur të theksojmë thyerjet e mëdha në historinë e tekstit, të ligjërimit letrar, u kujtova se një studiues ka thënë një herë se ka dy epoka të historisë – “epoka e rrëfimit letrar para Borgesit dhe e rrëfimit letrar pas Borgesit”.
Me këtë mendim ai ka dashur të thotë se Borgesi e zhvendosi në drejtime të reja shkrimin, rrëfimin, tekstin letrar, duke i kapërcyer fortifikimet e tipit klasik të rrëfimit (me kronologjitë me shpërndarje strikte të roleve të protagonistëve e antagonistëve, me biografi e me karaktere e detaje, me heronj dhe mjedise social-historike ose familjare etj., etj.), ai e nxori drejt rrëfimit me natyrë enciklopedike, ku stilet përzihen dhe përmes kësaj përzierje lind kohezioni e uniteti i brendshëm i një ligjërimi të ri letrar. Kjo gjë e ka vendosur Borgesin në vijën e parë të nismëtarëve të tipologjisë së ligjërimit letrar postmodern, ndër më të papërsëritshmit në histori, me një kapërcim kopernikan të ndritur.
Pasi e shpreha disi me guxim atëherë, duke e quajtur Moikomin përfaqësues të vërtetë të estetikës së postmodernizmit, kam ndjekur me kujdes hapat e mëtejshme të Zeqos në letërsi dhe nuk u zhgënjeva, sepse këtë dekadën e fundit ka botuar, pa ekzagjerim, një bibliotekë të tërë librash, që konfirmojnë jo vetëm vullnetin e angazhimin e tij të jashtëzakonshëm, por edhe afirmimin e mëtejshëm të tij si përfaqësues origjinal e i shquar i postmodernizmit shqiptar.
Në këtë periudhë nuk kam konstatuar ndonjë shkrimtar tjetër që të ketë krijuar një vepër polidimensionale e estetikisht polifonike si vepra e Moikom Zeqos: seria 7 vëllimesh madhorë
– “Miscellanea”,
– “Grishja e Florimontit”,
– “Njeriu jeshil”,
– “Ekuinoks”,
– “Himara pa eklips”,
– “Tre libra në një”,
– “Nostradami në 3 qershor”,
– “Kështu foli Mona Liza”,
– “Tregime mistike” etj.
Në këtë bibliotekë mund të shikosh paradigmën postmoderniste, të përthithur intuitivisht dhe estetikisht në prirjen e M. Zeqos në poezi, në prozë dhe publicistikë për të braktisur shumë rregulla strikte të estetikës e të letërsisë anakronike, për të qenë më i lirë në krijimtari pa u bërë ekscentrik, për t’iu dorëzuar materialit jetësor, polifonisë së zërave të jetës, për ta rrokur këtë me gjithë dimensionet e kohës e të hapësirës.
Për hir të këtij synimi ambicioz e të vështirë Zeqo nuk ngurron të pranojë çdo stil e çdo mënyrë shprehjeje letrare, që ta lëshojë krijimin, d.m.th. veten e tij të shkojë jo pas ndonjë rregulli të ngurtë, por pas logjistikës së materialit jetësor. Vetë jeta nuk është e sheshtë, por gunga-gunga, e sertë, xanxare e prandaj edhe struktura mozaikore e librave të Zeqos s’është akt ekscentrik, por “çark” për ta zënë pre jetën, realitetin, ëndrrat, imagjinatën, përsiatjet filozofike, shkencore, morale, fetare.
Përvojat jetësore e letrare që e frymëzojnë shkrimtarin janë asimetrike, sepse janë lindur nga përplasjet e jetës, që janë të panumërta, që e kanë degdisur frymëzimin t’i kalojë gjithë dimensionet e kohës dhe të tërheqë në magjen e tij krijuese mitet-embrione e arketipat, antiken e modernen, netët mesjetare dhe errësirat e totalitarizmit, shpresat, zhgënjimet e reja e të vjetra dhe misteret e jetës. Në këto lëndina të gjerbërtha, të afërta e të largëta është ushqyer kërshëria për ta njohur historinë e kulturën, për të gjetur fijet që i afrojnë të largëtat e të afërtat, për të rrokur botën jo vetëm siç duket, por edhe si është, në prerje jo vetëm fenomenale, por edhe të nëndheshme, jo vetëm reale, por edhe imagjinare.
M. Zeqo është si edhe ndonjë tjetër, ndër të paktët shkrimtarë bashkëkohorë, që megadija enciklopedike, erudite e tij s’resht së frymëzuari krijimin letrar poetik e prozator, artistik e publicistik të tij, duke i kthyer edhe të vjetrat, të ftohtat në gjelbërime të sotme, të rilindura ndryshe e pafundësisht. Ai e rikujton ikonografinë bizantine si fiksim rënkimi i qenieve të shtypura e të munduara, si zemra e një bote të pashpirt, kurse figurën e Krishtit-Njeri që vuajti si gjithë të varfërit dhe të Marisë, gruas që lindi dhe e rriti me vuajtje krijesën e vet.
M. Zeqo të habit me aftësinë e tij magjistare për t’i tërhequr në aliazhe estetike dukuri, të cilat shekuj e shekuj me radhë janë quajtur forca të kundërta e të papajtueshme, kurse në kudrën estetike mjeshtërore ç’nuk rri pa i afruar, lidhur, krahasuar artistikisht të mirën e të keqen, mistiken me shkencoren, etiken me filozofiken, historiken me modernen.
Për Moikomin fillesa teologjike dhe fillesa estetike janë të pandara në ikonografinë bizantine e pasbizantine në përgjithësi dhe po kështu edhe te Onufrit, duke zbërthyer frymën e humanizmit të krishterë të saj, që ishte një klithmë e fortë epokale kundër rreziqeve që e ndjekin shpirtin e dëlirë njerëzor.
“Duke rrëmihur në lëndë dokumentare shkencore M. Zeqo parashtron rreth jetës e vlerës së veprës së Onufrit, M. Zeqo parashtron plot hipoteza, prej të cilave disa syresh koha i ka vërtetuar, por lëshon edhe asish, që i lindin më fort nga forca e imagjinatës dhe nga dëshira e madhe e tij për të arritur në zgjidhje përfundimtare të enigmash të jetës.
Edhe hamendësitë e shumta të Moikomit vijnë në letërsinë artistike jo vetëm si produkt i hulumtimeve të tij arkeologjike, por edhe të shkencave bashkëkohore dhe me to si estetikisht, ashtu edhe kulturalisht e intrigon lexuesin të bashkohet me pasionin e tij për të mos reshtur të kërkojë njohjen e mistereve të natyrës dhe të jetës njerëzore.
Në këtë mënyrë e kuptojmë edhe atë vrull të rrëmbimthtë për t’i thënë të gjitha dijet e ndjenjat, që i kanë pushtuar ndërgjegjen hulumtuese, që dëshmon se hera-herës nuk është ai që sajon tekstin, por është ligjërimi, janë vrullet e rrjedhës së shkrimit të vet, që e bëjnë Zeqon gati “vegël” të tij, duke qenë njëkohësisht “mjeshtri”, “zotëruesi” i tij”.
Veprat e shumta letrare të M. Zeqos po sjellin një substancë shqiptare në thesaret e kulturës artistike e shkencore të postmodernizmit, duke iu shmangur eksperimentimeve ekscentrike shterpë e formaliste, që janë mish i huaj në synimet fisnike e humane të këtij drejtimi madhor të kulturës bashkëkohore.
Botimet e reja të M. Zeqos janë një vepër shembullore zhbirimesh të mëdha paradoksale dhe një mesazh e sfidë fisnike për të bashkëjetuar me vrullet e prirjet bashkëkohore të qytetërimit e të kulturës moderne. Ajo spikat me një stil befasues dhe me fuqi dëlirësie, katarsisi, besimi iluminist, qëndrese dhe mbijetese artistike estetike. Këtë tekst stilikisht me gunga-gunga e kombinova me përshtypje të hershme e të reja për ca gjëra të mbara që ndodhin në letërsinë shqipe të kohës sonë.