AKILE DEDINCA-ZHEGROVA: FEMRA SHQIPTARE U DHA FRYMË TË GJITHA PROCESEVE TË RËNDËSISHME KOMBËTARE

Pashtriku.org, 19. 03. 2013 – Nuk do të doja të bëja vija ndarëse të kontributit dhe sakrificës të atdhetarëve të lirisë, por është e arsyeshme të themë se femra shqiptare në këto demonstrata ka dhënë një ndihmesë të çmueshme. Ajo nuk është ndarë për asnjë çast nga domosdoshmëria e arsyses, e mendjes dhe gatishmërisë së saj për t`u dhënë frymë të gjitha proceseve të rëndësishme kombëtare, me pjesëmarrjen e pandalshme në të gjitha këto lëvizje historike, në demonstratat e 81’tës, në veprimtaritë ilegale dhe në luftën e armatosur. Ajo ishte krenare dhe e ndjeu për nderë të jetë edhe në ballë të këtyre betejave.
Pranvera 1981 Frymëzim dhe Udhërrëfyes për të ardhmen

Demonstratat e vitit 1981 janë histori në vete, që bënë hapin e duhur në zhvillimet e mëvonshme të proceseve politike në funksion të lirisë së Kosovës. Në frymën e këtij funksioni të lirisë, forcohen përpjekjet e shqiptarëve për ta bërë bazë sakrificën e tyre kundër shtypjes serbe dhe mbi këtë represion të vazhdueshëm shqiptarët po krijonin vizionin e vërtetë të lirisë. Vizioni që po krijohej nga burimi i këtyre ngjarjeve, simbolizonte ecjen e sigurtë të popullit shqiptar drejt lirisë, dhe mu këto ngjarje u dhanë hov përpjekjeve të kahmotshme, të gjeneratave të tëra që u flijuan për mëvetësinë shqiptare.
Pranvera e vitit 1981 ishte burim frymëzimi për të gjithë ata që ishin dëshmitarë të drejtëpërdrejtë në ditët e orët e vona të natës, dhe në rrjedhën e këtyre ngjarjeve jam përpjekur të kap elementet e para frymezuese që morëm nga entuziazmi i thirrjeve, nga përjetimi i tyre, në reflektimin tek vazhdimi i mëvonshem i këtyre ngjarjeve.

Heidelberg, 21. 05. 2011: Abdullah Zhegrova, Adem Demaçi,

Akile Dedinca-Zhegrova dhe Prof.Dr.Zymer Neziri.

*  *  *

Përpjekjet për të vazhduar lëvizjet e grupimeve të njerëzve ishin shumë të përafërta me ndjenjat spontane që shprehnin gatishmërinë për t’u bërë më të bashkuar, në përmbajtje dhe për të formësuar zerin e idesë që përcillte mesazhin e natyrshëm me kërkesën:
“Kosova Republikë”, si dhe parullat tjera
“Duam Bashkim”,
“Stop Shfrytëzimit të Trepçës “,
“Lironi të Burgosurit Politikë” etj.

Dhe pikërisht këtu në vlugun e këtyre ngjarjeve, në mesin e demonstruesve që protestonin me dinjitet, kuptuam se ky mesazh lexohej drejtë, dhe unë besoj se ky ishte Efekti me Pozitiv i Demonstratave të Vitit 1981. Në këtë vazhdim reflektimi pozitiv të guximit shqiptar për t´u çliruar nga një politikë e dhunës, ishte përkrah edhe një gjeneratë e tërë shkollarësh të cilët ende nuk kishin kaluar moshën e adoleshencës. Dhe mu kjo gjeneratë u shërbeu dhe udhëhoqi me proceset në vazhdimësi me dinjitet në periudha e forma të ndryshme.
Nuk do të doja të bëja vija ndarëse të kontributit dhe sakrificës të atdhetarëve të lirisë, por është e arsyeshme të themë se femra shqiptare në këto demonstrata ka dhënë një ndihmesë të çmueshme. Ajo nuk është ndarë për asnjë çast nga domosdoshmëria e arsyses, e mendjes dhe gatishmërisë së saj për t`u dhënë frymë të gjitha proceseve të rëndësishme kombëtare, me pjesëmarrjen e pandalshme në të gjitha këto lëvizje historike, në demonstratat e 81’tës, në veprimtaritë ilegale dhe në luftën e armatosur. Ajo ishte krenare dhe e ndjeu për nderë të jetë edhe në ballë të këtyre betejave.
Pavarësisht se regjimet e kohës u përpoqën me çdo kusht e mjet të preknin edhe në ndjenjën e sajë më të fortë – moralin, duke e sharë, fyer e torturuar ajo nuk u përkulë, por ishte e bindur se rrugën drejtë lirisë nuk do të mund t´ia shembte askush, se ajo kishte besim në vizionin e saj, që ishte vizion për jetën, familjen shoqërinë dhe shtetin.
Të dashur bashkëatdhetar,
Është një ndjenjë e mirë kur ne takohemi në këto përvjetore për të kujtuar së bashku veprimtarinë e atyre që punuan, vepruan e mbi të gjitha të atyre që u flijuan për lirinë e atdheut. Në vazhdën e këtyre ngjarjeve sot jemi këtu me realitetet e kohes: nga realiteti i sakrificës në realitetin e integritetit kombëtar. Interpretimi i dytë mendoj se është ende vazhdimësi e cila na sfidon për punë, dije, besim dhe mirëkuptim më të sinqertë, dhe për forma më të lehta dialogimi ne mes vete. Jo gjithmonë, politika tek ne shqiptarët ka bartë mesazhe admiruese, organizative, të cilat do të kulmonin me zgjidhjen një herë e mirë të çeshtjes shqiptare. Por, besoj se sot shqiptarët kanë kapital intelektual, moral e materialë që t’i fusin në funksion të çështjes, për të mos e tjetërsuar të kaluarën, por, investimi më i madh duhet të bëhet për të tashmen dhe të ardhmen e tyre.

– Autorja është veprimtare dhe ish e burgosur politike.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura