ALBIN KURTI: DËSHMORËT – DINJITETI DHE VETËBESIMI YNË

(Prishtinë, 07. 03. 2012) – Nëse dashuria për atdheun, lirinë dhe kombin maten me sakrificën për to, atëherë nuk është e mundur t’i duash atdheun, lirinë dhe kombin më shumë se kaq. 58 veta nuk e dhanë jetën, thjesht, vetëm për lirinë që do të vinte më vonë. Ata ranë edhe për luftën çlirimtare që mori hov pikërisht pas rënies së tyre. UÇK-ja u masivizua dhe u përhap gjithandej nëpër Kosovë si asnjëherë më parë. Epopeja e UÇK-së është momenti i hovit kryesor të saj. Ngritja e saj kishte për themel mu këtë rënie. 
Adem, Hamëz e Shaban Jashari, si dhe familja Jashari në përgjithësi, mundësuan që shqiptarët të hyjnë në shekullin XXI me vetërespekt, dinjitet dhe vetëbesim. 5, 6 dhe 7 Marsi u bënë data të rëndësishme për kombin tonë që ju bashkuan datave të tjera historike siç janë 10 Qershori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 28 Nëntori i Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar. Ajo që e ringjall dinjitetin bëhet pjesë e identitetit. Epopeja e UÇK-së është shndërruar tashmë në pjesë përbërëse të identitetit kombëtar shqiptar. Mu këta njerëz që e kishin mbushur jetën e tyre përplot kuptim (nëpërmjet luftës çlirimtare që bënin) ishin të gatshëm që ta japin atë fare kollaj. Ata e dëshironin tepër shumë lirinë e popullit për ta përfillur jetën e vetes së tyre. Ata po jetonin për atë për të cilën ishin të gatshëm që të mos jetonin më. Ky botëkuptim i tyre mbi jetën konsiston te përjetësia. Ata ishin shpallur e bërë botërisht shpirtëra të lirë duke treguar qëllimin që duhet ta kemi dhe rrugën që duhet ta ndjekim.

14 vjet më parë kombi shqiptar ishte i bashkuar si rrallëherë. E ndjenim të afërt njëri-tjetrin shpirtërisht sado larg të ishim fizikisht. Mirëpo, kjo afërsi nuk ishte afërsi jopolitike apo përtej politikës. Përbashkimi nuk ishte abstrakt dhe as çfarëdolloj. Përkundrazi: ishte bashkim në ballafaqim me Serbinë dhe për ballafaqim drejt fitores. Ishte solidaritet me betejën e betejat për çlirim. Në mars të vitit 1998 i gjithë populli i Kosovës u shndërrua në mbështetje politike, morale dhe logjistike për UÇK-në.
Krimi i Serbisë atëbotë ishte i tmerrshëm dhe tronditi opinionin publik ndërkombëtar. Politikanët e diplomatët e fuqive të mëdha u vunë në lëvizje. Dikush prej asaj çfarë pa vetë e dikush prej trysnisë së qytetarëve të shtetit të vet (që nuk mund të qëndronin indiferent ndaj këtyre krimeve mizore). Gra e fëmijë, pleq e plaka, djem e burra ishin vrarë pa kurrfarë seleksionimi nga forcat speciale të Serbisë së Milosheviqit. Toka e Kosovës sërish po lahej me gjakun e shqiptarëve që donin liri.
Të gjitha qeveritë e pasluftës dhe institucionet e Kosovës në përgjithësi shumë pak i kanë përmendur dhe trajtuar krimet e panumërta të Serbisë në Kosovë. Edhe atëherë kur kanë folur për to, më shumë u janë drejtuar qytetarëve të Kosovës sesa zyrtarëve ndërkombëtarë. As në negociatat e Vjenës në vitet 2006 e 2007 dhe as në dialogun e Brukselit në vitet 2011 e 2012, qeveritarët kosovarë nuk ia kanë përmendur Serbisë krimet e saj se lëre më ta akuzojnë atë ose të kërkojnë zhdëmtim prej saj. Ngjashëm, edhe UÇK-në qeveritarët e Kosovës ia përmendin sot qytetarëve të Kosovës nëpër emisionet televizive tek ne porse jo edhe diplomatëve e politikanëve të ndryshëm ndërkombëtarë. Madje, duket që ka njëfarë pakti të heshtjes: qeveritarët e Kosovës nuk iu flasin zyrtarëve ndërkombëtarë për krimet e Serbisë në Kosovë, por vetëm për dëshirën e zjarrtë për integrime evropiane, dhe, si shpagim, ata nuk ua përmendin këtyre krimet e korrupsionit të pasluftës.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës do të ishte e pamundur pa gjakun e dëshmorëve të kombit që nuk përmenden në Deklaratën e Pavarësisë. Dhe jo vetëm për këtë arsye, nuk mund ta shpallim të mbyllur misionin e dëshmorëve dhe as s’mund të themi se u realizua ideali i tyre që duhet të jenë edhe yni. Parulla “Bac, u kry!” nënkupton që ne s’meritojmë më shumë, që kaq dhe vetëm kaq sa kemi edhe meritojmë. Kjo parullë synon që t’i mbajë sa më të ulta pritjet dhe ambiciet e shqiptarëve. Ajo është një parullë për ta duruar qeverinë e jo për ta lartësuar kombin e shoqërinë. Dhe, është një parullë që aspiron ta mbyllë historinë duke shkuar prej një ekstremi te tjetri: përderisa komunistët dikur thoshin se historia nis me neve, qeveritarët sot thonë se historia përfundon me ta. Të shumta janë takimet dhe vizitat e tyre që këta i shpallin të jenë vizita e takime historike.
Mirëpo, secili nga dëshmorët e veçantë, në të gjallë të tyre, e dinte që historia as s’ka filluar e as s’përfundon me ta sikurse edhe me asnjë njeri të posaçëm. Prandaj, gjersa politikanët merren me historinë, historia merret me dëshmorët.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura