ALBIN KURTI: FAKTORËVE NDËRKOMBËTARË, S’KENI NEVOJË TA PËRKRAHNI VETËVENDOSJEN, POR FLISNI TË VËRTETËN PËR KËTA KRIMINELË, SEPSE JU E DINI SHUMË MIRË KUSH JANË KËTA!

Pashtriku.org, 01. 07. 2013 – (Fjalimi i Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës më 27 qershor 2013, me rastin e ratifikimit të marrëveshjes Thaçi-Daçiq) – Faktorëve ndërkombëtarë që janë lart dhe në fund ju kisha bërë një thirrje: mos e përkrahni VETËVENDOSJE!-n, s’keni nevojë ta përkrahni VETËVENDOSJE!-n, por flisni të vërtetën për këta kriminelë, sepse ju e dini shumë mire se kush janë këta. Ju e dini korrupsionin, krimin e organizuar dhe të gjitha krimet që i kanë bërë këta. Por, ju s’po flisni! Pra, ju fliteni të vërtetën. Ambasadorja amerikane, z. Zhbogar, të gjithë ambasadorët, ju e dini çfarë kriminelë janë këta prapa meje. Por ju duhet të flisni! Flisni të vërtetën, s’ka nevojë ta mbështesni VETËVENDOSJE!-n.
Qytetarë të Republikës së Kosovës,
Arsyeja pse po synohet ratifikimi i marrëveshjes Thaçi-Daçiq është i trefishtë.Të dominohen LDK-ja dhe AAK-ja nga PDK-ja, kjo është pra arsyeja e parë. Thaçi lejon të dominohet nga Ashton dhe Daçiq, sepse kjo ja mundëson t’i dominojë Mustafën dhe Haradinajn. Thaçi është i dominuari në mesin e dominuesve dhe është dominuesi në mesin e të dominuarve. Arsyeja e dytë pse po synohet sot ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është të minohet rezistenca e Gjermanisë ndaj Serbisë. Ju e dini që Bundestagu gjerman ja pat vënë shtatë kushte Serbisë, njëri prej tyre pat qenë që prapa grilave të dërgohen ata që e dogjën ndërtesën e ambasadës gjermane në Beograd, në shkurt të vitit 2008. Pra, neve na i kanë djegur 120 mijë shtëpi e asnjë cent nuk na e kanë paguar asnjëherë, ndërkaq një ndërtesë të Gjermanisë e kanë djegur serbët në Beograd dhe Bundestagu as nuk ua harron, as nuk ua fal. Dhe arsyeja e tretë është që kur të bie Qeveria Thaçi, Qeveria e ardhshme t’i ketë duart të lidhura përmes këtij ratifikimi. Serbisë mbase nuk i intereson pika e parë, mirëpo për pikat dy dhe tre ajo është shumë e interesuar.

Kjo marrëveshje nuk ka ardhur nëpër komisione të Kuvendit dhe kështu është bërë një shkelje shumë e rëndë. Në këtë marrëveshje ka gjithçka: zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia, gjyqësia, policia, planifikimi urban e rural. Në asnjë komision të Kuvendit të Kosovës nuk janë trajtur këto çështje, duke u kufizuar në komisionin për legjislacion.Mbi të gjitha, Komisioni për Punë të Jashtme (KPJ) është anashkaluar dhe kjo sigurisht që paraqet shkeljen më të rëndë. Po i përmend dy nga pikat e detyrave të KPJ-së qëështë e sanksionuar nëShtojcën 2 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës – Fushëveprimii këtij Komisioni, ndër të tjera, përfshin:
1. Ratifikimin në bllok ose ndaras të traktateve ekzistuese, të cilat Kosova dëshiron t’i nënshkruajë;
2. Përcjelljen e negociatave të udhëhequra nga Qeveria për bashkëpjesëmarrje të saj në traktatet e reja dhe e nis debatin për ratifikimin e tyre;
Pika e parë në të cilën theksohet ratifikimi i marrëveshjeve të traktateve ekzistuese të cilat Kosova dëshiron t’i nënshkruajë aludon në shqyrtimin paraprak të Komisionit para se cilido nga organet shtetërore tëndërmerr nismën për lidhjen e ndonjë marrëveshje ndërkombëtare. Pra, gjithmonë duhet të merret një mendim i Komisionit për Punë tëJashtme para se te lidhet një marrëveshje nga ana e Kosovës.Pika e dytë i jep kompetencë Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme që të përcjellë negociatat e udhëhequra nga Qeveria. E kemi ftuar Kryeministrin, si kryenegociator që është, më 11 shkurt të këtij viti që të raportojë në Komisionin për Punë të Jashtme. Jo vetëm që s’ka ardhur, por as qëështë përgjigjur. Provuam që ta kemi para ratifikimit edhe ministrin Hoxhaj, kot. E ftuam me 23 maj, na u përgjigj me 19 qershor përmes asistentes së tij, sërish duke komunikuar me asistenten e tij, të premten, me 21 qershor, u dakorduam që ai të vije të hënën, më 24 qershor, por përsëri e anuloi ardhjen. Pa ardhur kryeministri në raportim në KPJ kurrsesi nuk bën të ratifikohet kjo marrëveshje. Po ashtu, pa ardhur edhe ministri i jashtëm në KPJ, kurrsesi nuk bën të ratifikohet kjo marrëveshje. Janë bërë shkelje të rënda në procedurat për ratifikimin e kësaj marrëveshje që po imponohet sot. Ratifikimi i sotëm pa raportim në KPJ dhe me anashkalim të KPJ është shkelje e rëndë dhe nuk duhet lejuar.
Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë nuk është “marrëveshje ndërkombëtare”. Sipas Konventës së Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve Ndërkombëtare (Neni 11) hyrja në një marrëveshje ndërkombëtare bilaterale mund të bëhet vetëm pasi që të dy palët kontraktuale kanë shprehur dhe dorëzuar njëra-tjetrës instrumentet e pranimit (ratifikimit) të marrëveshjes në fjalë. Konventa e Vjenës është fundamenti i të drejtës ndërkombëtare (ius cogens) që qeveris dhe rregullon hyrjen dhe daljen në detyrime bilaterale dhe multilaterale të shteteve, dhe çështjet e rregullimit dhe interpretimit të traktateve i nënshtrohen asaj në mënyrë të plotë.
Serbia marrëveshjen në fjalë nuk e konsideron “marrëveshje ndërkombëtare”, dhe e ka miratuar thjesht dhe vetëm në Qeverinë e saj. Kjo do të thotë që Serbia marrëveshjen në fjalë e konsideron thjesht dhe vetëm akt nënligjor, as edhe një akt në nivel të ligjit, gjëqë i përgjigjet konceptit të saj që marrëveshja në fjalë është një akt i brendshëm i Serbisë. Mosnjohja e karakterit tëmarrëveshjes ndërkombëtare për këtë marrëveshje e bën të pakuptimtë që pala tjetër njëanshëm t’ia njoh asaj këtë status juridik, meqë një gjë e tillë mund të njihet vetëm pas pajtimit bilateral të palëve. Pse po i ngutet Thaçit ta ratifikojë marrëveshjen? Pse ai s’po thotë: le ta ratifikojë Kuvendi i Serbisë njëherë? Ky kryeministër duhet të përgjigjet: pse nuk po presim deri sa ta ratifikojë Kuvendi i Serbisë njëherë?
Ratifikimi eventual i Kuvendit të Kosovës për një marrëveshje të tillë është thjesht i palogjikshëm dhe unilateral. Serbia në asnjë rrethanë nuk e ka pranuar që një marrëveshje e tillë të konsiderohet si marrëveshje në mes dy shtetesh (sipas Konventës së Gjenevës mbi të Drejtën e Traktateve, Neni 13 dhe 14). Ratifikimi në Kuvendin tonë është i palogjikshëm dhe përbën ratifikim të një akti që Serbia e konsideron të ketë karakter të brendshëm nënligjor.
Marrëveshja 15 pikëshe Thaçi-Daçiç nuk e ka as formën e as formatin e marrëveshjes ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës nuk e dërgoi atë në Gjykatë Kushtetuese për verifikim. Kjo marrëveshje nuk është përnjëmend e nënshkruar por vetëm e parafuar me iniciale në dy dokumente të ndara. Pra, njëri dokument mban inicialet e kryeministrit të Kosovës, Thaçi, e të Baroneshës Ashton, kurse tjetri të Baroneshës Ashton dhe kryeministrit të Serbisë, Daçiq. Në fakt, kjo marrëveshje është edhe më e varfër se kaq: të gjithë kanë vënë inicialet e tyre si persona, si individë, jo si krerë shtetërorë apo përfaqësues politikë.
Dihet që Serbia nuk e njeh Kosovën, nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, prandaj ajo mund ta pranojë Qeverinë e Kosovës por jo Republikën e Kosovës dhe, rrjedhimisht, jo Qeverinë e Kosovës si Qeveri të Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje nuk është ndërkombëtare.Ajo edhe cilësohet, lexohet e quhet ndryshe nga palët. Këtu s’ka marrëveshje as për titullin e emërtimin e marrëveshjes. Qeveria e Kosovës po e quan Marrëveshje e Parë e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, por Serbia dhe Qeveria e saj nuk e quajnë kështu.
Për më tepër e për më keq, ka nisur të zbatohet marrëveshja pa u ratifikuar. Kjo është poashtu një shkelje e rëndë. Është emëruar p.sh. Nenad Gjuriq si komandant i policisë për rajonin e veriut. Milazim Mustafa është një ish i burgosur politik nga Abria e Ultë e Skënderajt. Në burgun e Pozharevcit kemi qenë bashkë disa muaj. Edhe vëllezërit e tij Përparimi dhe Halili kanë qenë në burg. Në burgun e Pozharevcit ne e kemi kaluar pjesën më të rëndë që e kanë pasë shqiptarët në atë periudhë. Por unë dua të them edhe një gjë, që ndërmjet 27 e 30 shtatorit 1998 Milazimi ka qenë në stacionin e policisë në Mitrovicë në 72 orëshin para paraburgimit, aty e ka marrur në pyetje dhe e ka torturuar Dragan Gjuriq, vëllau i Nenad Gjuriq, dhe e keni sot në gazetën Koha Ditore një shkrim për këtë gjë. Nenad Gjuriq ka qenë poashtu polic në atë kohë. Dhe, nëse Milazimin e ka torturuar njëri vëlla, është lehtë e imagjinueshme që një Milazim tjetër e ka torturuar pikërisht Nenadi.
Unë e di që ju deputetët e PDK-së vazhdimisht thirreni se keni kontribuar e keni sakrifikuar. Por po del që ky kontribut ka qenë investim. Meqenëse tash po e kërkoni edhe kthimin edhe fitimin. Angazhimi për çështje kombëtare është obligim, borxh i secilit prej nesh sa të jemi gjallë. Të vetmit që e kanë kryer obligimin janë dëshmorët e kombit. Ne që kemi mbetur gjallë duhet të punojmë tërë jetën e jo tash të kërkojmë fitim dhe kthim të investimit. E kjo është logjikë e biznesit,por për mua nuk është e çuditshme, sepse disa prej jush që jeni zyrtarë të lartë të PDK-së, që thoni se jeni komandantë, keni qenë komandantë 1 vjet e 14 vjet biznismenë. Nuk është se ishit 14 vjet komandant lufte e 1 vit në biznes, por 1 vjet komandant e 14 vjet biznesmenë, prandaj unë kam harruar kur keni qenë ju komandantë.

……………………………………..

Prishtinë, 27. 06. 2013: Fjalimi i Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës

Tjetra që desha të them është se pasojat e kësaj marrëveshje janë afatgjate dhe të gjitha këto pasoja i bartin edhe brezat e ardhshëm. Prandaj nuk është në rregull që ky Kuvend ta ratifikojë këtë marrëveshje. Për datën 3 nëntor, askush nuk është i pëlqimit që të mbahen zgjedhjet lokale. VETËVENDOSJE! ka kërkuar datën 29 shtator ose 6 tetor. Kryeministri duke e thumbuar kryeparlamentarin Krasniqi i tha ne nuk mund t’i bëjmë për bozhiq (krishtlindjet serbe) a shëngjergj zgjedhjet. Me kryeparlamentarin e pat atë fjalë, mirëpo ky po ja bën për vidovdan një dhuratë të shkëlqyeshme Daçiqit, të cilit i është bërë shërbëtor super i dëgjueshëm. 
Faktorëve ndërkombëtarë që janë lart dhe në fund ju kisha bërë një thirrje: mos e përkrahni VETËVENDOSJE!-n, s’keni nevojë ta përkrahni VETËVENDOSJE!-n, por flsni të vërtetën për këta kriminelë, sepse ju e dini shumë mire se kush janë këta. Ju e dini korrupsionin, krimin e organizuar dhe të gjitha krimet që i kanë bërë këta. Por, ju s’po flisni! Pra, ju fliteni të vërtetën. Ambasadorja amerikane, z. Zhbogar, të gjithë ambasadorët, ju e dini çfarë kriminelë janë këta prapa meje. Por ju duhet të flisni! Flisni të vërtetën, s’ka nevojë ta mbështesni VETËVENDOSJE!-n.
Në këto momente, te komuna, ku është hyrja e Kuvendit të Kosovës, po intervenojnë njësitë speciale të policisë së Kosovës kundër demonstruesve. Ashtu qysh në ’89-n është hequr autonomia e Kosovës me dhunë nga Serbia, ashtu sot po instalohet autonomia e Serbisë brenda Kosovës, njësoj me dhunë. Nuk keni të drejtë që gjakun e dëshmorëve ta keqpërdorni për të përfituar për veten tuaj, edhe në pushtet, edhe për biznes.
Prishtinë, 27. 06. 2013 – Albin Kurti

JEHONA E ZËRIT TUAJ

Letër e hapur veprimtarit të çështjes kombëtare
I dashuri veprimtar,

Në ditën e paraparë për ratifikimin e marrëveshjes Thaçi-Daçiq në Kuvendin e Republikës së Kosovës, deputetët dhe populli kurrsesi nuk duhet të heshtin.Nuk duhet të heshtësh as ti që je edhe popull në kuptimin përmbajtësor të fjalës por edhe deputet në kuptimin joformal të fjalës.Përfaqësuesit e vërtetë të popullit nuk janë ata që zënë karriget mbi të por ata që i qëndrojnë pranë atij dhe i dalin zot kur është më së vështiri.
Në fakt, nuk do të duhej të heshtnim asnjë ditë. Sepse, për çdo ditë po dëmtohet rregullimi i brendshëm i Kosovës, për çdo ditë po zvogëlohet territori i Kosovës, për çdo ditë po vidhet Kosova si buxhet esi pasuri publike.
Të gjithë e dimë se Kosova është shpallur e pavarur, porse edhe më mirë se kaq e dimë se kjo pavarësi nuk është as e plotë dhe as plotësisht e vërtetë.Shtetit të dobët të Kosovës i duhen shtuar sovraniteti dhe integriteti territorial, zhvillimi ekonomik e sundimi i ligjit. Mirëpo, të gjitha këto Qeveriae Kosovës po i kërkon aty ku nuk gjenden dot: në dialogun politik me Daçiqin në Bruksel. Nga dialogu e marrëveshjet me Serbinë po fitojmë veçse gjymtim të mëtejmë të vendit tonë.
Nëse ratifikohet marrëveshja Thaçi-Daçiq atëherë i jipet vula vendore normalizimit të Serbisë brenda Kosovës. I këtillë është pra normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi: Serbia brenda Kosovës me miratimin e Prishtinës ndërkohë që Kosova jashtë Serbisë nuk do ta ketë miratimin e Beogradit. Me fjalë të tjera, Kosova nuk po bëhet si Bosnja sepse do të jetë edhe më keq se Bosnja.
I dashuri veprimtar,
Është e domosdoshme që ta shprehësh qëndrimin tënd, ta bësh publike atë që ta thotë mendja e ta do zemra. Kombi e shoqëria, në njërën anë, dhe privatja e privatizimi në anën tjetër, nuk shkojnë bashkë. Qëndrimi privat nuk është qëndrim.Vetëm qëndrimi publik është qëndrim.
Të gjitha të arriturat që i ka populli ynë janë bërë duke ju falenderuar sakrificave e vetëmohimit të bijëve e bijave më të mirë të tij, veprimtarëve të çështjes kombëtare. Ata dolën nga populli, dhe, duke iu rikthyer përherë atij, nuk u ndanë kurrë prej tij. Por, as populli nuk u nda prej veprimtarëve të tij: i strehoi nga armiqtë e u dha bukë, i mbështeti materialisht e u dha kurajo. Në luftën e popullit, vetë populli është logjistika, kurse ju veprimtarët mbanit frontin e betejës. Betejat ishin të armatosura e të paarmatosura, në paqe e në luftë, legale e ilegale, në liri e në burg – çdo kohë e çdo situatë, çdo vend e çdo etapë, i kishte veprimtarët e vet: ju kishte juve.
Të gjitha të arriturat që i ka populli ynë janë bërë me flamurin e kuq e shkabën e zezë dykrenare në mes, në emër të kombit e për hir të bashkimit kombëtar. Prej Sami Frashërit te Fan Noli e te Ukshin Hoti, prej Avdyl Frashërit te Hasan Prishtina e te Adem Jashari, prej Dedë Gjo Lulit te Mulla Idriz Gjilani, prej Gjon Sereçit te Rexhep Mala e Nuhi Berisha, prej Fazli Grajçevcit te Zija Shemsiu, prej Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës te Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, ideja e ideali i bashkimit kombëtar konkretizohej si vullnet dhe frymë, si e drejtë dhe nevojë e popullit tonë.
Secili hap e merrte kuptimin nga hapi që vinte pas tij duke mundësuar kështu ecjen. Edhe shteti i Kosovës që kur u shpall i pavarur ka kuptim e sukses vetëm përderisa është në shërbim e funksion të kombit shqiptar e bashkimit të tij. Lëvizja kombëtare avancon me potencialitetin e jo aktualitetin e saj. Jo rastësisht, njëri brez i veprimtarëve inspirohet nga brezi paraprak dhe ecet tutje në rrugën e gjatë e të vështirë por gjithsesi të drejtë për liri e barazi, për zhvillim e drejtësi.Nxënësit bëheshin mësues dhe bashkoheshin edhe me nxënësit edhe me mësuesit e tyre. Shkolla politike kombëtare përherëishte edhe më e rëndësishme sesa shkolla zyrtare e arsimit dhe edukimit.
I dashuri veprimtar,
Sot jemi në një gjendje shumë të rëndë.Mbase jemi nëgjendjen më të rëndë jo vetëm prej shpalljes së pavarësisë por qëprej çlirimit të Kosovës. Ish veprimtarë janë duke vepruar me nxitim e me zell në kahjen e kundërt me orientimin kombëtar. Qeveria kryesohet nga njeriu i cili mbahet në pushtet duke lëshuar pe për shtetin e duke mos e zënë në gojë kombin e shoqërinë. Ai kontrollon shumicën e medieve dhe humbjet në Bruksel orvatet t’i portretizojë si fitore në Prishtinë, kurse pasurimin e rrethit të tij si zhvillim ekonomik të Kosovës.
Rrënja e fjalës veprimtar është veprimi.Populli duhet t’iu shohë e dëgjojëjuve. Ai është mësuar t’iu shohë e dëgjojë juve.Ai është i brengosur pse nuk po ju dëgjon e nuk po ju sheh. Atë qëështë e vërtetë, e drejtë dhe e mirë, ai është mësuar ta dëgjojë prej jush dhe duhet ta dëgjojë prej jush. Andaj, flisni e veproni. Ju lutem, flisni.
Ne aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kemi mësuar e jemi frymëzuar aq shumë prej jush. Rëndësinë e organizimit politik dhe vlerën e bashkësisë shoqërore që krijon organizimi e kemi mësuar prej jush.Guximin e vendosmërinë, punën e aksionin, seriozitetin e sinqeritetin, besnikërinë e atdhedashurinë, të gjitha këto e shumë të tjera i kemi mësuar prej jush.
Në ditën kur do të sjellet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës marrëveshja me Serbinë ne do ta kundërshtojmë atëbrendasallës me deputetët tanë e jashtëndërtesës me aktivistët tanë. U kemi bërëthirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohemi në këtë demonstratë. Por, në veçanti, u bëjmë thirrje të gjithë juve veprimtarë të çështjes kombëtare dhe të burgosur politikë, të gjithë juve pjesëmarrës në demonstrata e ish anëtarë të organizatave ilegale e gjysëmlegale, të ’64-tës e të ‘68-s, të ’75-tës e të 81-shit, të ‘89/’90-tës e të ‘97/’98-tës, si dhe të gjithë luftëtarëve të lirisë, që ta ngrisin zërin e ta rezistojnë këtë marrëveshje, ratifikimin e saj dhe zbatimin e saj. Kjo marrëveshje me Serbinënuk ka të bëjë me juve, me atë që ju mishëroni e simbolizoni. Kjo marrëveshje me Serbinë shkel dhe fyen kontributin dhe aktivitetin e secilit prej nesh dhe të gjithë neve.
Thirrja jonë sot është veçse jehona e vetë zërit tuaj që ju po e dëgjoni sërish tani.
Prishtinë, 25 qershor 2013 – Albin Kurti

SHESHAZI KUNDËR RATIFIKIMIT

Ratifikimi i marrëveshjes Thaçi-Daçiq është dëm me vulë. Pra, dëmin që po ia shkakton kjo marrëveshje Kosovës synojnë t’ia vënë vulën e Kuvendit të Kosovës. Kësisoj, Thaçi e shpërndan përgjegjësinë e tij edhe tek deputetë të LDK-së e AAK-së si dhe e degradon Kuvendin e Republikës në një Kuvend të Qeverisë pa Republikë. Thaçi po e rrit pushtetin me këtë dialogun politik me Serbinë e po e zvogëlon shtetin e Kosovës. Sepse, pushteti është i tij e shteti është i qytetarëve. Kjo rritje e pushtetit të tij vjen jo vetëm pse faktorët ndërkombëtarë kështu ia tolerojnë korrupsionin por edhe pse opozita (përveç VETËVENDOSJE!-s) po i nënshtrohen atij. Dialogu me Serbinë nuk është vetëm hegjemoni e Serbisë mbi Kosovën, por edhe hegjemoni e Thaçit mbi opozitën.
Në anën tjetër, ngutia e Qeverisë së Kosovës që ta bëjë sa më parë ratifikimin e marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës ka të bëjë me minimin e rezistencës së Bundestagut Gjerman për t’ia dhënë Serbisë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Kështu, Thaçi jo vetëm që nuk po i shërben popullit të Kosovës e kombit shqiptar por ai është vënë në shërbim të apetiteve të Serbisë. Ne njëmend nuk mund ta ndërrojmë gjeografikisht fqinjin (Serbinë), por fqinji ynë (Serbia) duhet të ndryshojë politikisht. Kjo bëhet vetëm duke e kushtëzuar atë. Marrëveshja Thaçi-Daçiq, nuk po mundësohet sepse po ndryshon Serbia ose pse ajo ka ndryshuar, por pse Thaçi është i gatshëm të ndryshojë si ta kërkojë puna e mbetjes së tij me çdo kusht në pushtet.

……………………………..

Albin Kurti: Thaçi është bashkëpunëtor i Serbisë në realizimin e interesave të saj

Jemi dëshmitarë qysh Qeveria e Kosovës është përfshirë në pafund negociata me Serbinë për gjithçka e tërë kohën. Thaçi, Kuçi e Tahiri me shpurat e këshilltarëve, përkthyesve e zyrtarëve shtetërorë tashmë po jetojnë në avionin që e lidh Prishtinën me Brukselin. Asociacioni i komunave me shumicë serbe, policia, gjyqësia, fondi zhvillimor për veriun, energjia, telekomunikacioni etj.etj., janë gjithcka që i përket një shteti dhe rregullimit të tij të brendshëm politiko-institucional e socioekonomik. Të gjitha këto janë vënë në pazar: përmes dialogut politik Thaçi – Daçiq, shtetndërtimi i Kosovës është bartur nga Prishtina në Bruksel, porse aty po ndërtohet një shtet i ri i Kosovës që plotësisht i legjitimon interesat e Serbisë duke i pranuar kërkesat e saj. 
Ndërmjetësuesit ndërkombëtar në dialogun Kosovë-Serbi janë shumë të brengosur nëse do të mund të zbatohet marrëveshja Thaçi-Daçiq. Kjo vetëm sa paraqet një arsye më shumë për të besuar se kjo është marrëveshje e keqe. Natyrisht se marrëveshja e keqe është shumë vështirë të zbatohet. Këtu nuk ka zgjidhje të mirë: ose zbatohet marrëveshja me dhunë dhe Kosova bëhet shtet tërësisht jofunksional drejt dështimit, ose ata dështojnë në zbatim dhe shpërthen gjithçka. Kosova e mbijetoi disi Planin e Ahtisarit si një operacion kirurgjik që iu bë. Mirëpo, Kosova nuk ka se si ta mbijetojë operacionin e dytë në formën e marrëveshjes 15 pikëshe Thaçi-Daçiq dhe planit të zbatimit përkatës. Pacienti i quajtur Kosovë do të vdesë përgjatë këtij operacioni të dytë.
Ne kemi nevojë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe BE-së. Kjo as nuk po ndodh dhe as nuk ka qenë kurrë qëllimi. Me dialogun Thaçi-Daçiq u synua veçse normalizimi i marrëdhënieve Serbi-BE, ku ndryshon Kosova që të ndryshojë qasja e BE-së ndaj Serbisë, ndërkaq vetë Serbia të mos ketë nevojë për ndryshim. Është e qartë që normalizimi i marrëdhënieve (të Kosovës me Serbinë) është normalizim i dialogut (ndërmjet Thaçit e Daçiqit). Paqen dhe stabilitetin në Ballkanin perëndimor, faktorët ndërkombëtarë po e mbajnë përmes kriminelëve të luftës në Beograd dhe kriminelëve të korrupsionit në Prishtinë. Normalizimi i marrëdhënieve po arrihet bukur kollaj sepse është normalizim i marrëdhënieve midis kriminelëve që e mirëkuptojnë njëri-tjetrin përgjatë dialogut të vazhdueshëm.
Serbia është bërë hisedare në Bosnje përmes marrëveshjes së Daytonit në vitin 1995. Tash, 18 vjet më vonë ajo po bëhet hisedare në Kosovë përmes marrëveshjes së Brukselit. Nga faktorët ndërkombëtarë Republika Serbe në Bosnje konsiderohet fakt (ani se kriminal) që duhet të pranohet. Republika e Kosovës konsiderohet ende si opinion (këshillëdhënës i GjND-së) i cili e ka të qullët fakticitetin. Republika Serbe negocion e dialogon, por duke pasur për temë Bosnjën e jo veten e saj. Republika e Kosovës negocion e dialogon veçse për veten e saj dhe mandej aty mundohet të gjejë kuptime shtesë e domethënie të reja: dialogu me Serbinë thuhet se na ndihmon në integrimet evropiane (sic.). Nuk është e rastësishme që nuk ka asnjë trysni ndërkombëtare mbi Republikën Serbe në Bosnje që ajo të lëshojë pe dhe Bosnja ta njohë Kosovën. Ose, nëse ajo trysni paska ekzistuar e ne nuk e dimë, si bëhet që nuk ka dhënë rezultate? Republika e Kosovës si një opinion që s’po bëhet fakt po e shndërron Serbinë brenda Kosovës në një fakt të normalizuar e legalizuar përmes dialogut me të në Bruksel. Ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës së pavarur jashtë Serbisë po ia lëshojnë vendin ndryshimeve ligjore për hir të akomodimit të Serbisë brenda Kosovës. Po të ishte Qeveria e Kosovës e bindur që marrëveshja Thaçi-Daçiq është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, vetë ajo do ta dërgonte këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese. Mirëpo, e dinë shumë mirë se nuk është kështu…
Kur Republika s’është në Qeveri dhe nxjerret nga Kuvendi, ajo duhet të kthehet në shesh e nëpërmjet sheshit.
Prishtinë, 18 qershor 2013 – Albin Kurti

KOMBI DHE FEJA

Shqiptarët nuk kanë tolerancë ndërfetare. Ndërtimi i tolerancës ndërfetare midis tyre bëhet veçse shkatërrim. Shqiptarët përherë kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë bashkëpunim ndërfetar. Nëse për botën toleranca ndërfetare është vetë suksesi, ne gjithmonë ishim përtej kësaj e kishim më shumë se kaq. Për çështjen e religjionit dhe fesë, shqiptarët janë para botës, janë shembull që duhet ndjekur të tjerët.
Toleranca është durim i tjetrit, i qenies e i pranisë së tjetrit. Ajo nënkupton që ekzistojnë arsye për të mos toleruar dikë a diçka, por ja që po ndodh toleranca. Toleranca ngjan përkundër jotolerancës duke e etabluar pikërisht jotolerancën si parësore. Andaj, nga personi i toleruar pritet të jetë mirënjohës e falenderues që po tolerohet. Toleranca është vetëpërmbajtje, është mosveprim në kushtet kur veprimi do të ishte i dëmshëm. Bashkëpunimi është veprim në kushtet kur veprimi është i dobishëm.
Shqiptarët muslimanë, katolikë e ortodoksë nuk e kanë toleruar asnjëherë njëri-tjetrin sepse gjithnjë kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Ose, për të qenë më të saktë, nuk kishin si ta toleronin njëri-tjetrin sepse aty s’kishte tjetër. Të qenit shqiptar, pra kombi, konsiderohej vlerë përbashkësuese shoqërore e historike dhe rëndësi strategjike politike e ushtarake. Para pak ditëve, si në Detroit, po ashtu edhe në Worcester e në Boston e gjetëm flamurin kombëtar shqiptar: te Imam Shaip Gërguri, te Dom Fran Kolaj, si dhe te Imzot Nikon e Atë Liolini.
Në fund të shekullit XIX e përgjatë shekullit XX kështu mbijetuam. Të gjitha ngritjet e kryengritjet, rezistencat e luftërat çlirimtare u zhvilluan në emër të kombit e për hir të kombit. Hoxhallarë, priftërinj e klerikë të tjerë, besimtarë shqiptarë të të gjitha religjioneve e feve, bashkoheshin si shqiptarë. Njëkohësisht, edhe armiqtë e shqiptarëve nuk bënin shumë dallim se kush çfarë feje ishte kur i sulmonin shqiptarët. Armiqtë tonë ishin e janë armiq të kombit tonë. Dëshmorët e kombit i kemi të të gjitha feve në secilën luftë tonën çlirimtare.
Nga pikëpamja fetare, kombi shqiptar njëmend është heterogjen, por ai nuk është edhe aq i vetëdijshëm për atë heterogjenitet. Kjo vetëdije cytet prej jashtë, prej koncepteve, nocioneve e kategorive të importuara (kryesisht perëndimore). Ngjashëm sikurse që shqiptarët as për së afërmi nuk e quajnë e njohin veten e tyre për gegë e toskë sa e bëjnë këtë gjë politikanët e diplomatët, studiuesit e gazetarët e huaj. Ndarjet midis nesh nuk janë tonat.
Tema e fesë dhe e religjionit te shqiptarët nuk është aq e vetë shqiptarëve. Kohëve të fundit këtë temë dhe aspekte të saj po i sjellin në debatin publik gjithnjë e më shpesh qeveritarët kosovarë thua se duan të na e konfirmojnë që Qeveria e Kosovës nuk është e shqiptarëve. Medie të regjimit kohë pas kohë nxjerrin video inçizime të vjetra të klerikëve për të ndezur polemika që i sipërvendosen aktualitetit politik në shtetin e Kosovës që po dështon. Lansoje një temë fetare duke shfaqur video nga arkiva (kush e di edhe sa të tilla i mbajnë për t’i publikuar më vonë?) dhe askush s’do të flasë për një kohë për ratifikimin e marrëveshjes Thaçi – Daçiq, privatizimin e KEK-ut e të PTK-së, varfërinë e papunësinë në rritje. Mbase nuk ka se si të jetë ndryshe: tash kur Thaçi po merret vesh me Serbinë për ridimensionimin e shtetit të Kosovës nevojitet të krijohet përshtypja që armiku kryesor nuk vjen prej jashtë (Serbia) por nga brenda (islami). Dhe, kësisoj të normalizohet Serbia brenda Kosovës e të nxjerret islami jashtë, duke barazuar islamin tradicional që e kemi prej shekujsh me tendencat e pasluftës të bazuara në lexime e interpretime të tjera të Kuranit.
Në anën tjetër, posaçërisht gjatë këtyre dy viteve të fundit, Qeveria e Kosovës dhe analistët e regjimit e kanë humbur debatin me Lëvizjen VETËVENDOSJE! si për çështjet politike e kombëtare po ashtu edhe për ato sociale e ekonomike. Ata nuk kanë shpresë tjetër përveç religjionit. Kjo është karta e fundit që u ka mbetur. Duke e ditur heterogjenitetin brenda shqiptarëve që reflektohet edhe brenda subjekteve politike përfshirë këtu VETËVENDOSJE!-n, ata duan përçarje të alternativës ndaj saj për ta maskuar pafuqinë e vetë asaj. Meqenëse VETËVENDOSJE! doli të jetë kështjellë e pamposhtur në diskutimet për politikën e bashkimit kombëtar, zhvillimin ekonomik të bazuar në prodhim, dhe shtetin e së drejtës e atë social, le ta provojmë me religjionin thonë ata, sepse dihet që njerëzit mbajnë bindje e qëndrime personale të ndryshme. Ana tjetër e së njëjtës medale është që duke nxitur tensione ndërfetare e fetare të kërkojnë buxhet shtesë e vazhdim të kontratës për ShIK-un nga qarqe të caktuara amerikane: pa ShIK-un pa dyshim që PDK-ja jo vetëm se dobësohet, por me gjasë edhe zhduket fare.
Këto debate do të vazhdojnë sepse pushteti i ka mundësitë e fuqinë për nxitjen e përhapjen e tyre. Tash kur antagonizmat themelorë janë ato midis popullit shqiptar dhe Serbisë si dhe midis shumicës së varfër e të shpronësuar kundrejt privatizuesve të pasur, përmes një video sekuence të para tetë muajve por të shfaqur para disa ditëve, po përpiqen të na bindin që antagonizmi themelor e vendimtar na qenka ai midis burrit dhe gruas (sic.).
Morali nuk duhet kufizuar te religjioni e religjionet. Kosova është shtet sekular ku duhet të ketë liri të religjionit e të religjioneve pa dallim dhe ku çështjet e etikës konsistojnë te ndërgjegja e njeriut. Paralelisht me këtë, rrënjët e moralit të qytetarëve mund t’i gjejmë jashtë tyre: te gjendja sociale e materiale, te trajtimi që ua bën pushteti, te lloji i organizimit shtetëror. Në kohëra e në vende të ndryshme, në ekonomi e shtresa të ndryshme të popullsisë, nuk gjejmë morale të njëjta. Kështu, milionerët e skamnorët kanë gjykime etike fort të ndryshme ndërkaq prostitucioni është përgjithësisht skllavëri. Aty ku besojmë që kemi identifikuar shkaqet, më shpesh seç mendojmë, mund të kemi parë veçse pasojat.
Dallimi gjinor nuk bën të na e organizojë shoqërinë. Dhe, sa më shumë barazi, aq më pak dallime. Barazia shoqërore duhet ta përfshijë dhe ta nënkuptojë barazinë gjinore. Pa barazi, nuk ka dinjitet, por dominim e frikë, që do të thotë se nuk ka as liri. Barazia është vlerë: edhe pikënisje, edhe synim. Dinjiteti i grave e i burrave duhet të mbrohet e të respektohet njësoj.
Në vjeshtën e vitit 2008, pas krizës financiare me pasoja globale, në politikën botërore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare kemi një rikthim të rolit të shtetit dhe kombit. Po nuk e kuptuam ne shqiptarët këtë gjë, do ta paguajnë shtrenjtë edhe brezat e ardhshëm. Shqiptarët janë një komb i fuqishëm por me shtete të dobëta (të Kosovës e të Shqipërisë). Bashkimi kombëtar nuk e ka kuptimin e një kombi të ri të bashkuar por e një shteti të ri të bashkuar për kombin.
Përderisa kishte mirëqenie të përgjithshme, lulëzonin organizmat e mekanizmat ndërkombëtarë, mirëpo porsa u cenua ajo mirëqenie secili popull e komb iu kthye shtetit të vet dhe kozmopolitanizmi nisi t’ia lëshojë vendin sërish nacionalizmave. Natyrisht, problemi është që edhe ai kozmopolitanizëm i mëhershëm ishte prej së larti (apo, siç thoshte me një rast një filozof francez: kur ta dëgjosh fjalën kozmopolit dije që një perandori po zgjerohet), por edhe ky nacionalizëm është përgjithësisht reaksionar meqë organizohet rreth dallimit kombëtar e lakmisë e jo çlirimit kombëtar dhe barazisë.
Shqiptarët në Ballkan nuk duhet të lejojnë as të shfrytëzohen si bedem mbrojtës i ‘Evropës së krishterë’ përpara ‘depërtimit të islamit nga lindja’ dhe as të përdoren nga ‘islamistët ekstremistë’ kundër ‘perëndimit të krishterë’. Sepse, pikë së pari, këso figurash që përbëjnë imagjinatën e ndarjes lindje-perëndim të fetarizuar janë ato të doktrinës së mbrapshtë të përplasjes së civilizimeve. Përplasja e civilizimeve është orvatje për kulturalizmin e më pas edhe fetarizimin e kundërthënieve socio-ekonomike e gjeo-politike (duke i depolitizuar ato).
Prishtinë, 11 qershor 2013 – Albin Kurti

PËRKEQËSIMI

Secilën marrëveshje të Kryeministrit të Kosovës me Serbinë, madje edhe ato për zbatim të marrëveshjeve paraprake, i shpallin historike, duke gjetur në to diçka që është për herë të parë – një kapitull të atillë që po mbyllet e një të këtillë që po hapet. Mirëpo, edhe me secilën marrëveshje thonë se përfundimisht u vulos integriteti territorial, rendi kushtetues, kufijtë ndërkombëtarë etj., duke na e sajuar përfytyrimin e një letre të mavijosur nga vulat e pafundme vënë njëra sipër tjetrës, secila përfundimtare (deri te vula e radhës).
Të vetëdijshëm për pasojat të cilat qysh tash nuk fshihen dot, flasin për kompromise në marrëveshje dhe për marrëveshjen si kompromis, mirëpo këto na qenkan marrëveshjet më të mira që kanë mundur të nxirren në këtë kontekst politik. Ka mundësi që këto njëmend ishin marrëveshjet më të mira të mundshme, mirëpo jo për Kosovën por për vetë Kryeministrin e saj. Tashmë është e qartë se nga dialogu politik në Bruksel Kosova vetëm sa humbi shtetësi ndërsa Thaçi fitoi pushtet të metejmë mbi Kosovën gjithnjë e më të dobët. Sigurisht që përfituesja më e madhe doli Serbia, e cila jo vetëm që po avancon në integrimet evropiane që tash do të reflektohen edhe në fonde miliardëshe për të, por edhe veriu i Kosovës po i afrohet asaj, ndërkaq komunat e Ahtisaarit në jug të Ibrit po i afrohen veriut.
Natyrisht, këto marrëveshje nuk po i normalizojnë marrëdhëniet Kosovë-Serbi, por megjithatë po i bëjnë një mori normalizimesh të tjera, të cilat mund të duken normalizime dytësore vetëm për ata që nuk e kuptojnë ose e keqkuptojnë gjithë procesin. Kështu, kemi normalizim të marrëdhënieve Thaçi-Daçiq, normalizim të marëdhënieve Serbi-BE dhe normalizim të marrëdhënieve midis Qeverisë së Kosovës dhe strukturave ilegale shtetërore të Serbisë në Kosovë. Për pasojë, nuk kemi as normalizim të shtetit të Kosovës dhe as të marrëdhënieve të tij me BE-në. Përkundrazi.
Është interesante qysh marrëveshja me Serbinë jo vetëm që ia errëson perspektivën shtetndërtimit dhe zhvillimit në Kosovë, por ajo edhe e deformon të kaluarën – prej trajtimit gjithnjë e më të butë të strukturave armiqësore e kriminale të Serbisë drejt amnistisë për to, e deri te konstatimet se tash u është dhënë ‘shans ideal qytetarëve në veri që të bëhen pjesë e pandarë e shoqërisë sonë demokratike’, thua se më herët nuk kishte shans të tillë dhe fajin për këtë e ka (edhe) Kosova. E të mos flasim për degradimin aktual ku secili edicion lajmesh në mediet e Kosovës nis me Serbinë dhe me emrat e Daçiqit, Nikoliqit e Vuçiqit sikur të ishim ende në vitet e ’90-ta, duke spostuar kështu tërësisht agjendën shtetndërtuese të Kosovës dhe temat socio-ekonomike. Ndërkohë, teksa orvaten të arsyetohen për gjithë këtë proces që po e ngulfat Kosoën, qeveritarët në krye me Thaçin rregullisht e flasin të kundërtën e asaj që bëjnë: po konfirmohet sovraniteti, nuk u cenua kushtetuta, po vendoset kontrolli mbi tërë territorin, po integrohet veriu e gjepura të tjera të ngjashme me këto. Kësisoj, synojnë që gjithçka të duket lojë politike, me ç’rast ndeshen qëndrime të kundërta ku, me gjasë, asnjëra s’është e vërtetë, andaj njerëzit normalë do të duhej të pozicionohen diku kah mesi. Ngjashëm po ngjan edhe me qëndrimet e politikanëve e diplomatëve ndërkombëtarë të cilët, gjersa ndërmjetësojnë midis Kosovës e Serbisë, duke u hequr neutralë, përfundojnë te mesi aritmetikor i egërsisë nacional-shoviniste të Beogradit dhe qullësisë së neveritshme të Prishtinës zyrtare.
Përderisa Serbia kultivon të njëjtin qëndrim e qëllim kundër pavarësisë së Kosovës dhe shqiptarëve, fakti se ajo tash për tash ka hequr dorë nga mjetet e luftës ushtarake kundër nesh mbivlerësohet së tepërmi nga jopak faktorë ndërkombëtarë. Ndërmjetësuesit nuk preferojnë t’i shohin ngjajshmëritë e krerëve shtetërorë në Beograd me Milosheviqin e Sheshelin, por dallimet e vogla me ta, ani se mjetet tjera sot mund të jenë veçse të përkohshme dhe të kushtëzuara nga rrethanat tjera. E gjithë kjo e kombinuar me mënyrën e Thaçit që e keqpërdor pavarësinë e shtetit për pushtet e nuk e avancon atë drejt sovranitetit për shtetin, gjithsesi paralajmëron ditë gjthnjë e më të rënda për Kosovën.
Prishtinë, 4 qershor 2013 – Albin Kurti

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura