FATOS ALIU: LIDHUR ME PROCESIN E PRIVATIZIMIT TË KEK’ut

Prishtinë, 17 korrik 2012 – (Letër e hapur – Institucioneve, mediave të Kosovës dhe opinionit publik të Kosovës) – Pas reagimeve dhe shkrimeve edhe në të kaluarën, lidhur me zhvillimet në KEK, që nga periudha e UNMIK-ut, ajo e Institucioneve të Përkohshme të Kosovës, si dhe nga ajo e pas shpalljes së pavarësisë (pavarësisë së mbikëqyrur pa pavarësi), unë si kryetar i parë i Korporatës Energjetike të Kosovës në periudhën gati dyvjeçare 1999-2000, e cila deri në themelim si korporatë në vitin 1999 nga Bordi i KEKut (të emëruar nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës), më pastaj të konfirmuar edhe nga UNMIK-u, përmes kësaj letre të hapur shpreh mospajtimin lidhur me trajtimin që i është bërë e i bëhet në vazhdimësi këtij gjigandi të vetëm jetik energjetik dhe ekonomik të Kosovës, që tani po kulmon me procesin e privatizimit të pabazuar si ligjërisht edhe ekonomikisht.
Për më shumë se një dekadë Sektori Energjetik i Kosovës ka qenë nën firmën dhe mëshirën e Elektroprivreda Serbije, e cila si dorë e pushtetit të Millosheviqit ka ushtruar dhunë e shfrytëzim të këtij sektori, siç e ka bërë edhe vet pushteti i Beogradit ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar në Kosovë.

…………………………………………….

Pas më shumë se një dekade të pas luftës, kjo Korporatë jetike për zhvillimin ekonomik të Kosovës, me gjithë vullnetin e madh të punëtorëve të saj për ta rimëkëmbur dhe shndërruar në korporatë moderne dhe fitimprurëse me interes ekonomik për Kosovën dhe qytetarët e saj, kaloi periudhën e dhunës së re, nga vetë politikat e gabuara dhe menaxhmentet kukulla të misioneve e misionarëve të korrupsionit, të vendit e të huaj, që e shndërruan atë në çerdhe shfrytëzimi dhe pasurimi të individëve.
Tani, së fundi edhe pas shpalljes së pavarësisë, na doli sheshit se ky lloj shteti nuk ishte dizajnuar për të mirën e popullit të Kosovës, por për interesat e individëve në tërë zinxhirin e pushtetit të korruptuar, që nga majat e qeverisjes me Kosovën. Tashmë këtë e kanë mësuar edhe fëmijët, se në cilin shtet po jetojnë, me ndjenjën e hidhur të pasigurisë për të ardhmen e tyre.
Pas procesit kusar dhe shkatërrues të privatizimit të zhvilluar deri më sot, si ndodhi me shumicën e ndërmarrjeve shoqërore e publike (si Ferronikeli, Aeroporti, SharCem), i erdhi radha edhe Distribucionit të KEK-ut, me motivet dhe qëllimet e njëjta – në emër të gjoja reformave ekonomike për një treg të hapur, për investime dhe zhvillim ekonomik, vetëm sa shiten pasuritë e Kosovës, pa i bërë llogaritë në interes të Kosovës, pa asnjë analizë dhe pa asnjë debat të hapur me shoqërinë e gjerë, siç veprohet në vendet e zhvilluara, me të cilat aspirojmë integrimin dhe arritjen e standardeve. Kjo erdhi sepse qeverisjet e deritashme nuk panë më larg se interesat e tyre të pasurisë dhe pushtetit, prandaj përdorën pushtetin e arritur përmes votës së manipuluar e të vjedhur, përmes korrupsionit dhe nepotizmit që ka ngulfatur shoqërinë dhe zhvillimin e vendit.
Pothuaj të gjitha arsyetimet dhe veprimet rreth privatizimit në Kosovë, janë në kundërshtim me vet kriteret, parimet dhe standardet e zhvillimit kapitalist, me rregullat e tregut të hapur, me kushtet për integrime evropiane, të përcaktuara nga Bashkimi Europian. Janë vetëm qarqet e caktuara të interesit që, në vend të investitorëve seriozë sjellin piratë dhe vrasës ekonomikë në Kosovë.
Sa i përket privatizimit të Distribucionit janë shumë argumente që e dëshmojnë këtë veprim si të pabazuar në interesa të Kosovës, që do t’i shtroj këtu në formë pyetjesh:
1. Pse Qeveria nuk punon as sipas vendimit të miratuar nga ana e Kuvendit (të nënshkruar nga kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi), nr. 03-V-074, të datës 12 dhjetor 2008, i cili, lidhur me propozim vendimin e qeverisë për fillimin e procedurave për privatizimin e distribucionit dhe furnizimit obligon Qeverinë që të ndiqet procedura sipas prioriteteve, pikat 1 deri në 4, dhe për këto Qeveria duhet të raportojë në Kuvend për procesin e deritanishëm duke dhënë hollësi për zbatueshmërinë dhe ligjshmërinë e procedurave dhe aktiviteteve të zhvilluara që nga dita e vendimeve e deri më sot. Në bazë të këtij raporti do të zhvillohej debati për ligjshmërin, zbatueshmërinë, për alternativat dhe transparencën e këtij procesi?

…………………………………………..

Lexoni vendimin: nr. 03-V-074, datë 12 dhjetor 2008, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës – të nënshkruar nga kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi

…………………………………………..

2. Pse dhe si i lejon vetes qeveria të punojë me vendimet e datës së mëhershme:
– 02 tetor 2008, nr. 01/2007,
– 08 tetor 2008, nr. 08/39 (sklandaloz, pa presedan në botë për themelimin e grupit punues ndërqeveritar (i shndërruar i njejti në Komitet pushteti!!!),
– 17 shtator 2008, nr. 04/36 (i cili ende thirret në strategjinë 2005-2015) që janë në kundërshtim me Vendimin e mëvonshëm të Kuvendit, nr. 03-V-074, të datës 12 dhjetor 2008, pika.
Për të kupuar më mirë kontradiktat nga pikat 1 dhe 2, shihni vendimet që kanë të bëjnë me privatizimin e distr&furniz., të cilat gjenden në faqen e http://www.keds-piu.org/ – klikoni te dokumentet/.
Pse Qeveria nuk ka nxjerrë vendime të reja në përputhje me Vendmin e Kuvendit, të disa muajve më vonë, saktësisht të datës 12 dhjetor 2008, por ende zhvillon procesin sipas propozim vendimeve të tij, të pa miratuara duke shpallë tender për privatizimin e Distribucionit dhe furnizimit, sipas vendimeve të vjetra të saj dhe në kundërshtim me vendimin e Kuvendit? A nuk është ky kontrabandim i propozim vendimeve në mënyrë pirateske në emër të vendimeve të pamiratuara nga Kuvendi? A nuk është ky sui generis-i i veprimeve të qeverisë?
A ka bërë raport qeveria për këto në Kuvend?
Pse nuk hapet debat parlamentar për këto zhvillime, pse nuk lejohen, nuk analizohen e nuk propozohen alternativa nga ministritë përgjegjëse, dhe pse nuk organizohen workshope nga vetë qeveria apo komiteti qeveritar për privatizim /që është sui generis i monopolit qeveritar të procesit në fjalë/, për t’i shkyçur shoqërinë civile, ekspertët e fushës, institutet, universitetin etj., për analizën e opinioneve dhe alternativave (?).
– Sa janë përfillë rekomandimet e ekspertëve nga tryezat dhe iniciativat e ndryshme jo qeveritare deri sot?
– Pse nuk përfundohet procesi, procedura e ristrukturimit dhe korporatizimit të KEK-ut, transformimi dhe ndarja e llogarive, definimi ligjërisht i qymyrit si resurs kombëtar, themelimi paraprak i korporatës së qymyrit, analiza e plotë e planifikimit strategjik, e refektimeve të kostove më të ulëta dhe përfitimeve, sipas programeve dhe analizave moderne softuerike, praktikave bashkëkohore dhe rutinore në shtetet e zhvilluara, si dhe standardeve të përcaktuara me direktivat europiane të impianteve dhe sistemeve bashkëkohore të energji mjedisit, të sigurimit të furnizimit me energji, të konkurrencës dhe të reformave, zhvillimit dhe hapjes së tregut?
– Pse ndarja dhe korporatizimi nuk ka përfundim juridik dhe pse veprimet aktuale janë kundër vendimit të Kuvendit, edhe kundër gjetjes së modaliteteve dhe reformave për zhvillimin e sektorit, për sigurimin me energji të konsumatorëve dhe krijimit të mundësive për zhvillimin ekonomik të Kosovës?
3. Pse sipas ligjit për energji, neni 3, paragrafi 4, akoma nuk bëhet dhe nuk hidhet për miratim në Kuvend, rishikimi i Strategjisë së energjisë 2008-2018
4. Pse nuk hartohet/vonohet Strategjia 2012 – 2015, gjegjësisht Plani i Zbatimit, pasi që ai ekzistues ka skaduar.
Pse nuk ka transparencë për detajet e tenderit të shpallur, dhe si bëhet kjo pa kaluar nëpër procesin sipas vendimit të Kuvendit?
Pasi të sqarohet kjo, shtrohen PSE-?-të e tjera, si:
– Pse nuk raportohet për gjendjen dhe strukturën e tregut, niveli i sistemit dhe reformave, për modelet e tij në Kosovë, ku është arritur në zbatim të ligjit për energji lidhur me obligimet për hartimin e këtij modeli, cili është modeli aktual dhe ai që parashihet, cilat janë afatet dhe mundësitë e ndryshimit të këtij modeli dhe ndryshimet e mundshme të tij në strukturën e integrimeve regjionale evropiane?
– Cila është përvoja e shteteve në regjion në këtë proces?
– Cila është mënyra e zotërimit të aseteve dhe alternativat e modeleve të privatizimit?
– A është bërë analiza dhe diskutimi i skenarëve, avantazheve dhe disavantazheve, të varianteve të ndryshëm të privatizimit, pritshmërisë së menaxhimit, zhvillimet e sistemit…?
– Sa janë zhvilluar dhe cilat janë konkluzat e rekomandimet nga debatet dhe analizat e avantazheve dhe disavantazheve, sipas modeleve të ndryshëm të privatizimit dhe përvojave nga shtetet e tjera ?
– Çka do të përmbajë kontrata, cilat janë elementet garantuese në rast dështimi?
– Pse është marrë varianti ekstrem i shitjes totale të aseteve, sa do të jetë dora e qeverisë, dhe vlerësimet faktike të argumentuara të performancës teknike dhe financiare?
– Cili është niveli i reformës rregullatore dhe angazhimit qeveritar që kërkohen sipas modelit të miratuar të privatizimit, a është miratuar ky model që pasqyron angazhimin qeveritar dhe nivelin e këtij angazhimi?
– Sa janë konsideruar përvojat e vendeve tjera në zhvillim, si psh Rumania, e cila ka rishikuar 265 transaksione të kryera për privatizim të sektorit energjetik, në 41 shtete të tregjeve në zhvillim në të gjithë botën?
– A janë analizuar metodat e përdorura dhe krahasimet e tyre sipas kategorive: me koncesion (Brazili), kontrata BOT (Turqia), Kapitalizimi & Ofertimi Publik (Tajlanda, Republika Çeke), etj.?
– Sa janë analizuar mundësitë vendore, potencialet vendore të rimëkëmbjes dhe performancës fitimprurëse të kompanisë?
Pse duhet shkuar a priori në variantin ekstrem të shitjes me minimum të analizës, ose hiç fare të analizës financiare dhe ligjore?
5. Pse nuk ka ligj të privatizimit? Apo ekziston frika se me këtë ligj privatizimi në përgjithësi do të zhvillohej në interes të Kosovës dhe qytetarëve më shumë se të pushtetarëve, se do të shfaqej transparenca e procesit?
Pse edhe marrëveshjet në baza të PPP të mos ketë nevojë të mbështeten në këtë ligj?
Sa për dijeni, u them spekulatorëve të integrimit, se BE-së nuk i intereson a bëhet apo jo privatizimi i ndërmarrjeve publike të një vendi, as që ky është ndonjë detyrim, dhe as që i intereson BE-së se cila është forma dhe modeli i privatizimit që aplikohet në një shtet, por vetëm reforma dhe liberalizimi i tregut, ristrukturimi i sektorit, për ta realizuar dhe zbatuar këtë reformë – hapje (graduale të sigurtë) të tregut dhe liberalizim të bazuar në siguri të furnizimit dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Për të gjitha këto çështje duhet hapur debat i veçantë publik e medial, për ballafaqim publik të niveleve me përgjegjësi institucionale e profesionale, sepse KEK-u dhe resurset energjetike të Kosovës nuk janë pronë e pushtetit, por e popullit të Kosovës. Pushteti që nuk menaxhon me pronën e shtetit për të mirën e qytetarëve të Kosovës, nuk ka legjitimitet për të drejtuar shtetin.
Fatos Aliu
Prishtinë, 17 korrik 2012

…………………………………..

Fjala e Albin Kurtit (më 05 .07.2012) gjatë interpelancës për privatizimin e KEDS.

………………………………………………..

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura