ALBIN KURTI: FJALIME NË KUVENDIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Prishtinë, 8.11. 2016: (Fjalimi i mbajtur në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas dënimit të pjesëtarëve të UÇK-së, në grupet Drenica 1 dhe Drenica 2, më 27 tetor 2016) – Së pari, unë po shoh këtu një vullnet të madh që të diskutohet për Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Nuk ka kurrfarë problemi, nëse dëshironi të diskutohet për Lëvizjen VETËVENDOSJE! atëherë edhe ne i japim nënshkrimet për një seancë tjetër të jashtëzakonshme në të cilën le ta diskutojmë edhe konceptin, edhe qëllimet edhe mënyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Pra, nuk kemi aspak vërejtje që të ketë një seancë tjetër të jashtëzakonshme ku diskutohet për neve, mirëpo jemi kundër keqpërdorimit të kësaj seance që ka të bëjë me dy gjykime e dënime të padrejta ndaj grupeve që njihen si “Drenica I” dhe “Drenica II” për të sulmuar VETËVENDOSJE!-n. Pra, mund t’i mbledhim së bashku kur të doni nënshkrimet në një debat për Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Nuk kemi problem me këtë gjë. Mirëpo ne jemi ftuar në një seancë tjetër sot dhe besoj që duhet t’i qëndrojmë besnik kësaj teme.
Unë dua t’i ngris disa çështje që u diskutuan sot këtu e besoj se janë shumë të rëndësishme. E para është që nuk mund të mbrohen vlerat e UÇK-së, në Kuvend të Kosovës, në një debat që vjen pas vendimeve gjyqësore, përderisa ky Kuvend as në deklaratën e Pavarësisë, as në Kushtetutën e Republikës nuk e përmend UÇK-në. Pra, Republika e Kosovës, Republika – që unë po i them e dyta – e Kosovës, e shpallur me 17 shkurt të vitit 2008, e ka një defekt fundamental në themelet e saj. E ka përjashtuar UÇK-në nga themeli, nga Deklarata e Pavarësisë dhe nga Kushtetuta. Tash mund të flasësh gjithë ditën e gjithë natën, mirëpo në themelet e kësaj Republike të II-të është mohuar e është përjashtuar UÇK-ja. Ai që e ka shkruar Deklaratën e Pavarësisë, ai që e ka përpiluar Kushtetutën nuk mund të thotë që e harrova UÇK-në. UÇK-ja nuk është një gjë që mund ta harrosh rastësisht. UÇK-në mund ta përjashtosh! UÇK-në mund ta mohosh! Por, nuk mund ta harrosh! Pra, ka ndodhë mohimi dhe përjashtimi me qëllim nga dokumenetet themeltare. Në Republikën e II-të të Kosovës, kemi përjashtim nominal e juridik dhe politik e ideologjik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në momentin kur ti e përjashton nga ngrehina jote shtetërore UÇK-në, natyrisht që i hapë rrugën gjykimeve e dënimeve të mëpastajme. E, për të qenë më keq se kaq: a e dini me cilin dokument është themeluar EULEX-i? Është Dokumenti i Veprimit të Përbashkët i datës 4 shkurt të vitit 2008. Ky dokument i veprimit të përbashkët i Bashkimit Evropian, hyri në gazetën zyrtare dhe bëhet zyrtar me datën 16 shkurt të vitit 2008. Pra një ditë para se të shpallet Pavarësia. Juridikisht, EULEX-i është një ditë më i vjetër se Pavarësia e Kosovës. A e dini çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë që, në fakt, shpallja e Pavarësisë është shtyer për një ditë. Ka pasur të shpallet të shtunen është shpallur të diellen në mënyrë që EULEX-i, për ata që besojnë se legjitimiteti vjen nga origjina, të jetë për një ditë, për 24 orë më i moshuar se Republika e jonë. Dhe, VETËVENDOSJE! edhe sot e kësaj dite persekutohet për ata 25 xhipa të EULEX-it që i patëm rrokullisur, atëherë kur e nënshkroi protokollin e bashkëpunimit EULEX-i me Policinë e Serbisë. Atë kohë na gjykonin, na shanin e na akuzonin. Mirëpo, po të ishin në atë kohë edhe shumë politikanë këtu, me neve, nuk do të vinim në këtë pikë. Është tepër vonë ndërhyrja sot në kohën kur është pranuar EULEX-i dhe gjykatat e tij.

Cili është problemi me qenien e EULEX-it dhe funksionimin e tij? Nuk na e pranojnë Pavarësinë e Kosovës. Nuk e pranojnë luftën çlirimtare të UÇK-së. Nuk i jep llogari institucioneve të Kosovës. Nuk është përgjegjës ndaj popullit të Kosovës. Dhe, kanë imunitet ndaj çfarëdo ndjekje penale e kriminale të gjithë zyrtarët e EULEX-it me familjet e tyre. Pra, nga pikëpamja liberal-demokratike ne kemi qenë kundër EULEX-it. Jo vetëm nga aspekti politik, por edhe liberal-demokratik. Mirëpo, ai është pranuar dhe gjykatat e EULEX-it tash të sjellin në këtë rezultat. Mos harroni, EULEX-in e pranon Serbia. Serbia nuk e pranon Kosovën, Pavarësinë e Kosovës, Republikën e Kosovës, por EULEX-in e pranon. Edhe Prokuroria në Serbi edhe Gjykata në Serbi e pranon EULEX-in. Dhe, te të gjitha gjykimet të cilat janë bërë ndaj pjesëtarëve të UÇK-së në vitet e pasluftës, ose në mënyrë direkte ose në mënyrë indirekte, e gjeni gjithmonë Serbinë prapa. Në çdo luftë kundër UÇK-së e gjeni Serbinë. E këtu dëm na kanë bërë politikanët që kanë thënë: “në vitin 1999 e kemi kryer punën me Serbinë!”, “Nuk kemi pse merremi më me Serbinë.”
Kur e panë që nuk ka përfunduar në ’99 thanë: “ Në 2008 është kry!” Këta që kanë thënë se e kemi kryer punën me Serbinë, këta e kanë demobilizuar popullin, e kanë demobilizuar shoqërinë, ndërkohë që Serbia e ka vazhduar luftën kundër neve. Ti mund ta pushosh luftën kundër Serbisë, por Serbia nuk e ka pushuar luftën kundër teje. Ta arreston Nehat Thaçin, t’i kontrollon edhe veriun e Kosovës edhe Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, të lufton në çdo hap në arenën ndërkombëtare, financon strukturat paralele që kanë për qëllim ta sabotojnë funksionimin e shtetit e ti thua: “Bac u kry!”. Ky është problemi, problemi i kësaj parulle. E baci dihet se kush është. Është Adem Jashari. E nuk mund të thuhet “Bac u kry!” se dihet çfarë është betimi i UÇK-së.
VETËVENDOSJE! nuk i mohon të arriturat, por VETËVENDOSJE! e vë theksin tek ajo që nuk është realizuar ende. Ne nuk vetëkënaqemi me çlirimin e Prishtinës, por ne vëmë theksin tek ndarja e Mitrovicës. Sepse politika ka të bëjë me synime. Nuk ka të bëjë me vetëkënaqësinë për të kaluarën. Por, në këtë aspekt unë jam i bindur që këto arrestime dhe këto dënime, këto gjykime të padrejta ndaj luftëtarëve të UÇK-së, nuk kanë të bëjnë thjesht me të kaluarën siç mund të mendoni shumica prej jush. Kanë të bëjnë me të ardhmen. Këto nuk janë dënime, këto janë izolime. Kush ka përvojë ushtarake në Kosovë? Po, Sylejman Selimi ka. Sami Lushtaku ka. Krejt këta që po mbahen në burgje. Qe 17 vite në Kosovë kemi breza e breza të rinisë sonë që janë të paaftë ushtarakisht, pa asnjë dije ushtarake, pa asnjë përvojë ushtarake dhe kur stuhitë e reja në Ballkan po na kërcënojnë, neve na lënë pa ushtri dhe ata të cilët kanë përvojën dhe diturinë ushtarake dhe nuk janë të disiplinuar politikisht, sikur ta zëmë i ashtuquajturi President, këta njerëz përfundojnë burgjeve. Pra burgu, nuk ka të bëjë thjesht me të kaluarën, ka të bëjë me të ardhmen. Nuk është dënim për të kaluarën, është izolim për të ardhmen. Kështu mund të kuptohet kjo. Burgu është mekanizëm disiplinues.
Dhe, shumë prej juve e di që keni qenë në burg, por unë besoj që njeriu që del prej burgut nuk mundet të dal njësoj sikur ka hyrë. Ose del më i zbutur, ose del më radikal. Njësoj si ka hyrë nuk del. Ose del më i mençur, ose më i paditur. Ose del më radikal e i fuqishëm, ose del më i zbutur. Burgjet ekzistojnë për t’i zbutur njerëzit. Edhe burgjet e pasluftës në Kosovë ekzistojnë për t’i zbutur luftëtarët. Ata që konsiderohet se nuk janë zbutur ende ua vazhdojnë burgun. Ata që konsiderojnë që tashmë i kanë bërë të pafuqishëm, i kanë zbutur, nuk ka radikalizëm më tek këta, u thonë: “Mirësevini në shoqëri sërish!” Ata që konsiderohen se janë të pakontrollushëm, ata i mbajnë të izoluar. Dikë e disiplinojnë me tendera, dikë e disiplinojnë me burgje. Dikë me të mirë, dikë me të keq. Por synimi është e ardhmja, jo e kaluara. Këta njerëz nuk janë në burg për shkak të së kaluarës. Unë e pash që shumë prej juve e përmendni: personin e vrarë që nuk dihet ku është, nuk dihet as kufoma; po, kjo është një dëshmi që ai nuk është në burg për të kaluarën. Është për të ardhmen. Dikush ka konstatuar se ai është i pakontrollueshëm. Ndërkaq këta të kontrollueshmit janë në rregull. Këta janë në rresht për një. Ta votojnë Protektoratin Ndërkombëtar, ta votojnë Gjykatën Speciale, ta votojnë “Zajednicën”, ta votojnë Demarkacionin, ta votojnë amnistinë e kriminelëve serb. Pra, a je i disiplinuar a jo? Ata që janë jashtë kontrollit, ata i pret burgu. Ata që janë të kontrolluar, ata i presin favoret, postet, privilegjet, avancimet në karrierë e kështu me rradhë.
Pra, kjo ka nisë shumë më herët. Çarmatosja e UÇK-së e para, shurja e TMK-së e dyta dhe dështimi i FSK-së që të bëhet ushtri e treta. Kjo është për të ia humbur vetëbesimin popullit tonë. Se, në fund të fundit, UÇK-ja është prodhim i popullit. Ky popull e ka nxjerrë UÇK-në. Mirëpo, qëllimi është që popullit t’i humbet vetëbesimi. Kosova ka inflacion të diplomacisë. Diplomacia nuk ka kurrëfarë kuptimi pa ekonomi dhe ushtri. E tek ne përdoret si zëvendësim për ato. Është botëkuptim krejtësisht i mbrapshtë. Shtetet që e kanë ekonominë dhe ushtrinë siç duhet e kanë si vazhdimësi të tyre edhe diplomacinë. Ne kemi aq shumë politikë të jashtme dhe diplomaci pikërisht si zëvendësim për ekonomi e ushtri. Dhe unë besoj që ajo çka duhet të ndryshoj tek ne është qëndrimi ynë karshi Serbisë. Vlerat e UÇK-së nuk mund të mbrohen pa ndryshuar qëndrimi ndaj Serbisë i elitës politike në Kosovë dhe jo vetëm politike, por edhe shoqërore, kulturore e kështu me rradhë. Sepse vlera e UÇK-së është konsiderimi i Serbisë si armik. Pa u kthyer tek ky pozicion politik nuk ka vlerë të UÇK-së. Nuk po them të kthehemi tek qëndrimi ushtarak, por tek qëndrimi politik i UÇK-së. Se UÇK-ja ka lindur në kontrast me diçka. Ka lindur në kontrast me okupimin e Serbisë. Vetëm kur kthehemi tek qëndrimi politik i UÇK-së karshi Serbisë, ti mund t’i restaurosh vlerat e UÇK-së. A nëse bën pazare me Serbinë dhe merresh vesh me ta e mandej thua se po i mbroj vlerat e UÇK-së, kjo nuk është vetëm hipokrizi po kjo është e palogjikshme. Është e pamundshme.
Tjetra, këtu u tha qe ne duhet ta paguajmë çmimin. Kemi paguar çmim. Edhe Veseli tha që duhet të paguajmë çmim. Po unë e kam një pyetje të thjeshtë: Pse duhet të paguajmë ne çmim? Pse nuk duhet Serbia të paguajë çmim? Serbia e ka bërë edhe agresionin, edhe okupimin, edhe apartheidin, edhe shtypjen, edhe shfrytëzimin edhe diskriminimin, pse të mos i paguajë ajo dëmet e luftës? Pra këtu ka njëfarë lloj përbrendësimi të fajit të paqenë. Kjo është tejet e gabueshme. Dhe unë këtu po e kuptoj sot pse Serbia nuk na i paguan dëmet e luftes. Sepse në këtë Kuvend, ne kemi njerëz që mendojnë që arrestimet që po na ndodhin prej EULEX-it qenkan një çmim që ne duhet ta paguajmë. Po le të paguan Serbia pak çmim! Deri kur ne me pagu çmime!? Pra është komplet qasje e gabueshme. Ne duhet të jemi në ofanzivë. Dhe u tha edhe më herët në seancat tjera se duhet ta ndjekim shembullin e Kroacisë. Ka nevojë edhe për një aleancë të re ballkanike. Nuk mjafton vetëm aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikes, me Gjermaninë, Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe. Kemi nevojë për aleancë ballkanike. E aleanca ballkanike duhet të bëhet me Kroacinë, pra me Zagrebin, me Sarajevën, me Slloveninë, me Shqipërinë mbi të gjitha e para të gjithave, po edhe me Bullgarinë. Kemi nevojë për aleanca ballkanike, në këtë kohë kur stuhitë ballkanike të kërcënojnë. Dhe unë jam i bindur që një ndër arsyet përse nuk ndodhë Ushtria e Kosovës është që ne të jemi sa më të dobët. Dhe kur ti je i dobët bën marrëveshje të tilla. Marrëveshje të tilla që janë herë dorëzim, herë kapitullim, herë nënshtrim e kështu me rradhë.
U tha edhe që nuk duhet të ndërhyjmë në sistemin e drejtësisë. Unë besoj që kjo është gabim. Nëse ne themi që tash nuk duhet të ndërhyjmë në sistemin gjyqësor, në sistemin e drejtësisë sepse ai duhet të jetë i pavarur ne duhet ta kemi parasysh që mosndërhyrja jonë do të jetë mosndërhyrje në ndërhyrjen që tashmë është kryer. EULEX-i ty të ka ndërhy rënë sistem të drejtësisë. Nëse themi që Kosova është shtet i kapur, e është, nëse themi që Kosova nuk është shtet demokratik, e nuk është, nëse themi që në Kosovë nuk ka drejtësi, e nuk ka, atëherë tashmë paska ndërhyrje. Ne mund të ndërhyjmë në ndërhyrje. Nuk je duke ndërhyrë në sistemin e pavarur dhe të paanshëm të drejtësisë. Ti mund ta krijosh drejtësinë pikërisht duke ndërhyrë në ndërhyrje. Dhe unë nuk jam fare kundër këtij debati. Mendoj që shumë mirë që po bëhet ky debat. Por nuk duhet ta kemi njëfar vetëcenzure që po ndërhyjmë në gjyqësor. Se gjyqësorin nuk e kemi as të pavarur e as të paanshëm. Pra është gabim të mendohet që po ndërhyjmë në gjyqësor. Nuk je duke ndërhyrë në gjyqësor. Ti je duke ndërhyrë në ndërhyrje. EULEX-i ty të ka ndërhyrë.
Dhe u tha më herët që këto po bëhen në emër të ligjit. Gabim është! Tash ju që keni qenë në gjyq, kam qenë edhe unë shumëherë e shpeshherë e nuk kanë përfunduar ende ato, aty në fund kur të jepet dënimi nuk thuhet: “në emër të ligjit!” Është më keq se kaq. Thuhet: “në emër të popullit!” Shtrohet pyetja në emër të cilit popull? E këtu është tjetërsimi që edhe nocionit popull ja ka bërë kjo Republika e II-të e Kosovës. Merreni me mend, EULEX-i vjen e thotë në emër të popullit. Nuk mund të thotë ai në emër të popullit. Këtu duhet të ketë ndodhur diçka tmerrësisht gabimisht. Tmerrësisht mbrapsht, që EULEX-i të mund të thotë në aktgjykim, që është forma standarde: “në emër të popullit!” Në emër të cilit popull flet EULEX-i? Po këtu kemi disa politikanë që me nënshkrimet e pajtimet e tyre, herë të zëshme e herë të heshtura, herë të shkruara e herë të pashkruara na kanë sjellë në këtë situatë që EULEX-i mund të thotë: “në emër të popullit!”
Edhe krejtësisht në fund, kur ka qenë LDK-ja në opozitë, PDK-ja e ka akuzuar LDK-në që po çon dosje. Tash që jemi ne në opozitë, neve na thotë po çoni dosje. A e kuptoni që kjo nuk ka të bëjë me dosje? Kjo ka të bëjë me kush është në opozitë e kush në pozitë.
Nesër, pasnesër kur të vjen VETËVENDOSJE! në qeverisje nuk do të thonë më që VETËVENDOSJE! ka çuar dosje. Por a dini edhe diçka? Kur VETËVENDOSJE! do të jetë në qeverisje, VETËVENDOSJE! është subjekti në Qeveri që juve nuk ju dorëzon në Gjykatë Speciale. Se ne nuk e njohim Gjykatën Speciale. Edhe qeverisja e PDK-së, juve ka për t’ju dorëzuar në Gjykatë Speciale. A qeverisja jonë nuk ju dorëzon juve në Gjykatë Speciale. Veçse për krimet e zhvatjes e të plaçkitjes së pasluftës ne as nuk ju mbrojmë e as nuk ju ndihmojmë. Po sa për Gjykatën Speciale të cilën ne nuk e njohim, pikërisht qeveria jonë nuk do të bënte dorëzime të tilla. Kështu që edhe ju keni interes që ne me ardhë në pushtet. E keni vështirë që ta kuptoni e ta pranoni, por do të vijë dita. Do të vije dita edhe për këtë gjë.
Edhe një gjë në fund për çështjen e David Phillips-it që u përmend këtu. Unë e kam me veti raportin e David Phillips-it, 1 maj 2010. Lartë shkruan kështu (e download-ova në pauzë prej internetit): “The National Committee on American Foreign Policy…” David Phillips-i është një profesor në Universitetin Columbia, me prejardhje është hebre, është mik i shqiptarëve i cili e ka shkruar një raport të vërtetë për Kosovën, ku në faqen tetë shkruan kundër ShIK-ut, kundër PDK-së, kundër krimit të organizuar e kështu me rradhë, por nuk përmend askund trafikim të organeve. Askund nuk e përmend UÇK-në. Por PDK-në e ShIK-un. Pra është dallim shumë i madh. David Phillips-i e ka organizuar konferencën “Albanian Neighborhood” në Tiranë. Ai është për bashkimin e shqiptarëve edhe është për Kurdistanin. Të gjitha shkrimet që i ka sot, i ka për bashkimin e kurdëve. Është një ndër profesorët më së shumti kundër Rusisë. Është vështirë të gjeni një profesor më anti-rus se David Phillips-i. Edhe më besoni se është mik i shqiptarëve. Por nuk është mik i krimit. Edhe nuk ka të bëjë kjo me Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Me asnjë deputet të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Pra duhet ta kuptoni edhe njëherë, që mbrojtja e vlerave të UÇK-së kalon nëpërmjet cilësimit të Serbisë si armik. Pa u bërë bashkë ne shqiptarët menjëherë, në qoftëse jemi deputet e s’jemi, qofshim politikanë e s’jemi, kundër Serbisë, as nuk do të kemi rehati në këtë Kuvend e as jashtë këtij Kuvendi. Pyka që na ka hyrë mes nesh është pykë e Serbisë. Nuk është pykë sekrete. Është pykë publike. Është pykë e qëndrimeve publike sa i përket Serbisë. Vendimtare sot është: a e konsideron Serbinë armike a jo? Besomni me secilin prej juve, që e konsideroni Serbinë armik shumë kollaj mund të mirremi vesh. Mirëpo me të gjithë ju, që bëni lakesa e nuk e konsideroni Serbinë armik e votoni për “Zajednica” e Demarkacione e për aministi ndaj kriminelëve serb, kurrë nuk do të mund të mirremi vesh.
Faleminderit!
***
Fjalimi për Miratimin e Rezolutës për arrestimin e Nehat Thaçit, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, mbajtur më 11 tetor 2016

Qytetarë të Republikës e deputetë të Kuvendit,
Do të përpiqem që të theksoj gjërat të cilat nuk janë thënë sot këtu, por edhe mos t’i përsëris ato që i kam thënë më herët.
Pasnesër, siç e dimë, bëhen dy javë prej se zotri Nehat Thaçi, Drejtor i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, u rrëmbye nga Serbia dhe ai tash atje po mbahet porsi një rob lufte, apo si një peng i luftës i akuzuar padrejtësisht për krime ndaj serbëve lokal.
Ne e kemi thënë shumë herë, e kemi thënë panumër herë, që qëndrimet tona dhe veprimet tona ndaj Serbisë nuk mund të përkthehen në qëndrime dhe veprime ndaj serbëve, për shkak se e bëjmë dallimin fundamental midis Serbisë si shtet dhe serbëve si popullsi. Ky debat mund të jetë i vonuar, dhe, sigurisht që është debat i vonuar, mirëpo nuk është edhe saktësisht kështu kur kemi parasysh që debati i këtillë i Kuvendit është edhe reagim ndaj Qeverisë së Kosovës përveçse ndaj Serbisë. Në fakt, Kuvendi i Republikës ka pritur për Qeverinë dymbëdhjetë ditë që të thotë diçka përmbajtjesore, të vendosur, serioze e të sinqertë në mënyrë që Kuvendi mbase edhe të mos ketë nevojë të organizojë këso debati. Debati që po ngjan sot në Kuvend nuk është vetëm rezultat i pranisë kriminale të Serbisë kundër Kosovës, por edhe rezultat i mungesës së veprimeve të Qeverisë së Kosovës.
Të thuash se Kosova duhet bisedojë me Serbinë, me Qeverinë aktuale të saj, pa asnjë kusht për Serbinë, është e mundshme vetëm nëse beson se gjithmonë duhet biseduar edhe me terroristët edhe me kriminelët. Jo vetëm politikanë, po edhe studiues të politikës ka të tillë që besojnë se çdo herë, çdo kund duhet biseduar me gjithkënd. Përfshirë këtu, edhe terroristët edhe kriminelët. Pra, ka të tillë që besojnë edhe ashtu. Pra, pasiqë i ke cilësuar si të tillë, si terroristë e si kriminelë, dhe përkundër që i ke cilësuar si të tillë, negocion e angazhohesh në dialog me ta. Veçse edhe atëherë, pra edhe për ata politikanë e studiues që besojnë që gjithmonë duhet të negociohet me gjithkënd, tërë kohën, kudo, edhe atëherë kjo nuk mund të jetë bisedë, e negociatë e dialog për temat të cilat i përcakton vetëm terroristi e krimineli, në rastin tonë Beogradi. Edhe nëse beson që çdoherë duhet biseduar me gjithkënd, kjo nuk mund të jetë sipas temave, çështjeve, agjendës së terroristit dhe kriminelit, në këtë rast të Qeverisë së Serbisë, e cila siç dihet është përplot me kriminelë të luftës e qe besa edhe Kuvendi i tyre me 85% deputetë ose çetnikë ose rrotull çetnikëve, se vetëm 15% të Kuvendit janë opozitë atje. Dhe, çfarëdo bisedimi, apo negociate, apo dialogu edhe me terroristë dhe me kriminelë sipas temave e çështjeve të tyre nuk paraqet dialog e negociata me ta, por paraqet nënshtrim ndaj tyre. E kuptoni pra, që nuk është e mundshme edhe për ata që besojnë se çdo herë duhet negociuar që në këtë rast të negociojnë sepse kjo po bëhet sipas temave e agjendës së Serbisë.
Asnjë temë e Kosovës nuk është duke u negociuar në Bruksel në mes zonjës Tahiri dhe qeveritarëve të tjerë me Serbinë. Të gjitha temat i ka përcaktuar Serbia. Cili është konkluzioni? Konkluzioni është se nëse bisedimet nuk janë sipas kushteve të Kosovës atëherë bisedimet janë sipas kushteve të Serbisë. Këtu nuk ka neutralitet. Nëse kushtet nuk janë tonat, atëherë janë të Serbisë, dhe kushtet e bisedimeve në Bruksel kanë qenë kushtet e Serbisë. Duke qenë kushtet e Serbisë nuk kanë mundur të sjellin rezultat tjetër. Mirëpo, si u quajt ky rezultat. Ky rezultat u quajt normalizim. Normalizim i marrëdhënieve. Mbase i kanë normalizuar marrëdhëniet ata që kanë negociuar mirëpo jo edhe qytetarët me popullsitë që ata i përfaqësojnë. Dhe, teksa nuk ka ndodhur as normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë krerët e Kosovës flasin për stadin e ardhshëm, për etapën e ardhshme, për fazën në vijim që ata e quajnë pajtim. Në fakt, ata mund të jenë tashmë të pajtuar me krerët e Serbisë, por te populli nuk ka as normalizim dhe këtu duhet ta bëjmë një vërejtje thelbësore.
Dihet që dija në përgjithësi është e dy llojeve, është dija si çështje e fakteve të përvojës dhe dija si çështje e vlerave normative. Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Serbisë mund të mos jenë pajtuar sa i përket fakteve të përvojës. Nëse e pyetni Qeverinë e Serbisë, nuk ka pasur gjenocid në Kosovë, nuk ka pasur krime ndaj shqiptarëve, nuk ka pasur luftë çlirimtare. Dhe, nëse na pyetni neve edhe Qeverinë besoj ka pasur edhe luftë çlirimtare edhe gjenocid të Serbisë, edhe krime të Serbisë edhe agresion e okupim, edhe shtypje politike edhe shfrytëzim ekonomik edhe diskriminim kulturor. Pra, ne me Serbinë nuk pajtohemi për faktet. Mirëpo, a e dini çfarë është paradoksi? Qeveria e Kosovës pajtohet me Serbinë për vlerat, ky është problemi. Se për faktet me Serbinë nuk pajtohen as këta, sepse Serbia nuk pranon asgjë për Kosovën, mirëpo këta pajtohen për vlerat. Cila është vlera? Normalizimi. Cila është vlera? Pajtimi. Cila është vlera? Dialogu me kriminelë e me terroristë, paçka se kush janë, çka kanë bërë e çka duan në të ardhmen. Ky pra është problemi. Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Serbisë, edhepse nuk pajtohen për faktet pajtohen për vlerat. Bile bile më ju thënë të drejtën, më keq është të pajtohesh për vlera sesa për fakte me Serbinë. Këta po pajtohen për vlera, prandaj e kemi të ardhmen e rrezikuar. Kur pajtohesh për vlera e ke të ardhmen e rrezikuar kurse kur s’pajtohesh për fakte e ke historinë të kontestuar.
Dua të dalë tek ajo që duket që polici Nehat Thaçi i ka besuar kësaj qeverie. Këta kanë thënë se po i normalizojmë marrëdhëniet. E, nëse normale janë marrëdhëniet me Serbinë ky ka mundur për t’u nisur drejt Austrisë e Zvicrës duke ia mësyrë nëpër Serbi. Se vetë Qeveria i të cilës ai është vartës i ka thënë që i kemi normalizuar marrëdhëniet, mos ke gajle, lirisht ti shko nëpër Serbi. Pra, Nehat Thaçi është viktimë e besimit të tij në Qeverinë e Kosovës, e posaçërisht në zonjën Tahiri. Por këtu ka edhe një tjetër gjë shtesë. Unë besoj që njëmend Serbia mund të jetë hakmarrur taktikisht sepse në kohë ka ndodhur asisoj: ndalimi i Gjuriqit, që është përmendur edhe më herët, mirëpo politikisht është më thellë se kaq. Janë lulet e të ashtuquajturit president Thaçi, në Grackë të Lipjanit, te pllaka ku shkruan “Viktima të agresionit të NATO-s” dhe “Viktima të terrorit shqiptar”. E, pra, kur të shkosh në Grackë të Lipjanit e të vendosësh lule, në Grackë të Lipjanit, është e njëjta komunë prej nga vjen Nehat Thaçi, e të vendosësh lule te pllakata ku shkruan “Viktima të terrorit shqiptar”, atëherë normalisht që ti shtron rrugën politikisht për atë çka të bën vaki ma vonë. Bile, kush e di, tash, Prokuroria e Serbisë mund ta thërrasë si dëshmitar të ashtuquajturin president të Kosovës sepse ky ka shkuar dhe ka vendosur lule te “Viktimat e terrorit shqiptar”, pra paska pasur terror shqiptar këtu.
Për mua kishte qenë në rregull ky të shkojë në familjet e serbëve të vrarë, në familje të shkojë, edhe t’ju shpreh ngushëllime, edhe t’ju shpreh zotim për luftimin e krimit që ka ndodhur në ato familje. Por, jo të pllaka e Serbisë, se pllaka nuk është e serbëve. Pllaka është e Serbisë. Serbia e ka vendosur atë pllakë. Duhet të kesh kujdes a po i vendos lulet te serbi i vrarë lokal a te pllaka e Serbisë që të akuzon ty si komb. E ky ka shkuar i ka vendosur te pllaka e Serbisë lulet. Bash në Grackë të Lipjanit. Po kjo ka qenë grackë taman qysh e ka fshati emrin! E po them që ky është problemi i madh që e kemi ne. E kemi në krye. Me shtrimin e këtij asfalti politik për mësymjet e Serbisë. Edhe është mirë që si Kuvend po debatojmë edhe le të miratojmë rezoluta që obligojnë qeverinë porse ky është reagim sa ndaj Serbisë kriminale e terroriste, po ashtu edhe ndaj papërgjegjësisë dhe moskokëçarjes qeveritare tek ne.
Faleminderit!
…………………………………………..
Fjalimi për Miratimin e Rezolutës për arrestimin e Nehat Thaçit, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, më 12 tetor 2016
Qytetarë të Republikës e deputetë të Kuvendit,

Ne në masë të konsiderueshme jemi bashkë sa i përket kësaj rezolute e cila do të dilte në mënyrë të logjikshme nga diskutime e mbrëmshme, prandaj në këtë aspekt ne pajtohemi me deputetët Daut Haradinaj, me deputetin Haxhi Shala, me deputeten Flora Brovina, po ashtu edhe deputeti Shaip Muja e kishte kërkesë ndërprerjen e bisedimeve si një mekanizëm për rritjen e kostos së Serbisë. Dallimi ishte se ai në mënyrë interesante preferonte që drejtorin e policisë, Nehat Thaçin ta konsiderojmë disi si të pagjetur, disi si të rrëmbyer e të pagjetur me që rast duhet të zbardhet fati i tij, ndërkohë që ne më tepër e kemi konsideruar si peng apo rob lufte që nuk është dallim substancial.
Pra çështja është se a duhet përfshihet ndërprerja e bisedimeve apo jo? Ne jemi të bindur që për të pasur kosto Serbia është e domosdoshme që të përfshihet kjo edhe si një rrjedhë logjike e diskutimeve të mbrëmshme.
Le të mos harrojmë që Bashkimi Evropian ndërhynë kur ne jemi serioz. Nëse ne i lutemi Bashkimit Evropian, Bashkimi Evropian neve na katekorizon në joseriozitetin tonë. Ata duhet të shohin që ne jemi sovran dhe të pavarur, që ne jemi serioz e të sinqertë, që ne jemi këmbëngulës në mënyrë që të përfshihen. Përderi sa ne e lusim Brukselin dhe e kufizojmë angazhimin tonë në lutjet tona, ata konstatojnë joseriozitetin tonë. Dhe askush nuk po thotë që ta anashkalojmë Bashkimin Evropian. Çështja është se si Bashkimi Evropian të mos na anashkaloj neve. Nuk është duke e anashkaluar askush Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian është duke na anashkaluar neve dhe që të mos na neglizhoj neve, që të mos na anashkaloj neve, ne duhet të tregohemi serioz si Kuvend i Republikës së Kosovës. Pra, edhe Kuvend, edhe i Republikës edhe i Kosovës. Dhe reciprociteti, ndërprerja e bisedimeve, kushtëzimet ndaj Serbisë, rritja e kostos për Serbinë është seriozitet.
Më tutje unë po ashtu pajtohem edhe me deputetin Deda, i cili tha që duhet ta ndjekim shembullin e Kroacisë. Pajtohem plotësisht! Kroacia po e kushtëzon Serbinë dhe duke e kushtëzuar Serbinë ajo ka arrituar aty ku është. Edhe anëtare në NATO edhe anëtare në Bashkimin Evropian. Pra, kjo është rruga e duhur. Nuk kalon rruga për në Bruksel, kah Beogradi. Ata që mendojnë, që rruga për në Bruksel kalon nëpër Beograd nuk po e kuptojnë që është rrugë qorre. Nuk na dërgon në Bruksel ajo rrugë. Të tillë e ka rrugën Sarajeva dhe ju po e shihni se në çfarë gjendje është Bosnja. Aty kurthon për çdo gjë të rëndësishme Republika Serbe me të drejtën e vetos. Le të mos e ndjekim atë rrugë. Le ta ndjekim rrugën e Kroacisë, e jo rrugën e Bosnjes. Rrugën e kushtëzimit, e jo rrugën e koncensioneve drejt të drejtës së vetos të etniteteve brenda nesh. Pra Serbia duhet të ketë kosto. Çfarë kosto mund t’i shkaktojmë ne Serbisë? Është tregu 400 milion euro që e ka në Kosovë, zyrtarisht, jo zyrtarisht është dyfishi i kësaj. Kjo është një kosto që e kemi në raport me Serbinë dhe kostoja tjetër është ndërprerja e bisedimeve. Ne leva tjera nuk kemi. Në këtë aspekt po e përdorim këtë levë. Ndërprerjen e bisedimeve. Është minimumi që mund ta bëjmë që ta dëshmojmë vetën sado pak të dinjitetshëm me integritet e serioz.
Dhe, krejt në fund, në Serbi në kohëve të fundit ka ndodhë homogjenizimi i brendshëm. Kjo është shumë e ngjashme sikur në vitet e ’80-ta. Homogjenizimi i brendshëm në Serbi, historikisht ka prodhu hegjemoni të jashtme. Këto janë të lidhura. Sa më shumë që hegjemonizohet Serbia brenda, aq më hegjemone bëhet jasht. Dhe kjo po shihet në Bosnje, po shihet në Mal të Zi, po shihet në Maqedoni e qe besa po shihet edhe në Kosovë. Vitet e ’80-ta ka pasur proces të hegjemonizimit të brendshëm në Serbi dhe pasuan luftërat në Jugosllavi. Se hegjemonia e jashtme. Në një aso faze jemi sërish. Serbia për brenda po hegjemonizohet. Para dhjetë viteve nuk ta kish arrestu drejtorin e Policisë. Sot ta arreston, sepse është rritë hegjemonizimi i brendshëm. Edhe mbrëmë e kam thënë: 85% e parlamentit në Serbi ose janë çetnik ose rrotull çetnikëve. Kështu nuk ka qenë as në kohën e Millosheviqit. Dhe është një frymë e këtillë në Serbi, ajo që ta bën të natyrshme për Serbinë arrestimin e zotit Thaçit. Prandaj, unë po e lexoj edhe njëherë propozimin tonë për Rezolutën e Kuvendit.
Pika e parë: Kuvendi i Republikës së Kosovës, kërkon lirimin e menjëhershëm të Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, zotri Nehat Thaçi.
Pika e dytë: Të ndërpritet dialogu me Serbinë deri në lirimin e Drejtorit Nehat Thaçi dhe deri në zhvlerësimin e të gjitha akuzave e aktakuzave ndaj ushtarëve të UÇK-së në Prokurorinë e Serbisë.
Dy pika më se të mjaftueshme. Nëse dëshironi të shtojmë, lirisht shtojmë. Por nuk mund të mungojmë. Sepse gjithçka më pak se kaq është aspak. Më shumë se kaq është e pranueshme. Por më pak se kaq është e papranueshme. Deputeti Zemaj, mbrëmë e tha se rezolutat nuk janë të obliguara. Pse kaq shumë ne po i frikësohemi fjalës ndërprerje ose pezullim? Ç’është kjo frikë në Parlamentin e Republikës? Pse? Kujt po i përpiqemi t’i pëlqejmë ne kështu? Kujt po i frikësohemi? A dëshirojmë ta shpëtojmë zotri Nehat Thaçin apo duam të shpëtojmë diçka tjetër? Vetën tonë, ndonjë ministër, ndonjë kryeministër. A jemi mbledhë për zotri Nehat Thaçin apo jemi mbledhë për diçka tjetër? Nëse jemi mbledhur për diçka tjetër mbajmë seancë tjetër me pika tjera të rendit të ditës. Po këtu jemi mbledhur për zotri Nehat Thaçin. Shënjestra jonë, objektivi jonë prej natës së mbrëmshme deri më sot ka ndryshuar. Tjetër objektiv kemi sot, tjetër objektiv kemi pasur mbrëmë. Mbrëmë e kemi pasur në epiqendër zotrin Nehat Thaçi. Sot nuk e kemi. Ky është problemi. Le ta kthejmë në epiqendër zotri Nehat Thaçin.
Faleminderit!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura