ALBIN KURTI: VAZHDIMI I DIALOGUT ME SERBINË ËSHTË VAZHDIM I GODITJEVE PËR KOSOVËN!

(Prishtinë, 26. 07. 2012) – Dialogu njëvjeçar me Serbinë në Bruksel ka bërë që Serbia të duket mirë para bashkësisë ndërkombëtare dhe njëkohësisht të faktorizohet brenda Kosovës e për Kosovën (duke u pyetur për çështje të brendshme të Kosovës dhe duke e bërë emrin e saj pa Republikë e me fusnotë). Këto dy goditje ishin shumë të rënda për shtetin e Kosovës. Vazhdimi i dialogut është vazhdim i goditjeve.
Kosova dhe Serbia. Kosova dhe Serbia dhe Bashkimi Evropian. Kosova dhe Serbia dhe Bashkimi Evropian dhe ‘përfaqësuesit’ e serbëve të veriut. Kosova dhe Serbia dhe Bashkimi Evropian dhe ‘përfaqësuesit’ e serbëve të veriut dhe Kombet e Bashkuara. Po grumbullohen faktorët rreth Kosovës e për Kosovën. Fillimisht u etablua dialogu për çështjet e pazgjidhura të Kosovës. Tash, po shtohen këto çështjet e pazgjidhura, por po shtohen edhe palët që do të bisedojnë për këto çështje.
Palët shtesë nuk janë aso që e njohin pavarësinë e Kosovës: gama e tyre shtrihet prej faktorëve që nuk e pranojnë pavarësinë (sidomos) legalisht e deri tek ata që e luftojnë pavarësinë (edhe) praktikisht. Mirëpo, përfshirja e numrit gjithnjë e më të madh të faktorëve të tjerë në dialog mund të lexohet edhe ndryshe. Dialogu nuk e bën, thjesht, përfshirjen e faktorëve sa vetë faktorizimin e tyre.
Pra, forca të ndryshme nëpërmjet dialogut po bëhen faktorë. Ky kontekst përherë i ndryshueshëm ka një gjë konstante në vete: defaktorizimin e vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës që sa vjen e rrethohet me forca të reja që përgjithësisht janë kundër shtetit të Kosovës. Gjithnjë e më shumë të tjerë po pyeten për Kosovën duke e zbehur kështu gjithnjë e më shumë zërin e Kosovës.

Marrëveshjet nga dialogu teknik i ka marrë “era”, po përgatitet dialogu politik!

…………………………….

Paralelisht me këtë, po shtohen temat e dialogut sepse po shtohen çështjet e pazgjidhura të Kosovës. Edhe një pikë më shumë, edhe një temë më shumë, edhe gjashtë pika më shumë të këtij, edhe katër pika më shumë të atij, edhe shumë tema më shumë. Regjistrat civilë si kopje, librat kadastralë po ashtu si kopje, targat e automjeteve nga koha e UNMIK-ut, vulat doganore pa Republikë, pikat kaluese pa kufi të njohur, fusnota për shtetësi të kontestuar, energjia dhe telekomunikimi të ndara në veri dhe tash vetë veriu por sërish me gjykatat, policinë, administratën, Trepçën e kushedi se çka jo tjetër si temë e nëntemë e mbitemë. Progresion gjeometrik i temave të reja të dialogut përmes trajtimit të çështjeve të reja të pazgjidhura të Kosovës. Mirëpo, edhe përfshirja e numrit gjithnjë e më të madh të temave të reja do të mund të lexohet edhe ndryshe.
Bisedimet në Bruksel me Serbinë, përmes tematizimit të çështjeve të ndryshme të Kosovës, bëjnë problematizimin e tyre. Më pastaj i hedhin ato në arenën e dialogut ku po shtohet numri i faktorëve qysh në fazën përgatitore. Secila çështje që bëhet temë, bëhet çështje e kontestueshme. Rritja e çështjeve të kontestueshme të Kosovës, po e shndërron vetë Kosovën në një çështje të kontestueshme. Nga moria e çështjeve të pazgjidhura të Kosovës, ngadalë por sigurt, po kalohet te Kosova si çështje e pazgjidhur.
Mirëpo, aspak ngadalë e po aq sigurt, nga dialogu teknik po kalohet te dialogu politik. Jo pse u zbatuan marrëveshjet e arritura, por pse ato marrëveshje, thjesht, u arritën. Qeveria e Kosovës shkonte rregullisht në bisedime në Bruksel sa herë që e ftonin. Dhe, sërish rregullisht bënte marrëveshje me Serbinë atje. Edhe pse nuk kishte kurrfarë interesi aty për Kosovën, edhe pse nuk realizoheshin marrëveshjet paraprake. Ky fakt i gatishmërisë së pakushtëzuar të Qeverisë së Kosovës paraqet kushtin e mjaftueshëm për të vazhduar dialogu me Serbinë e për t’u intensifikuar ai.
Serbia do vazhdimisht dialog për Kosovën, sepse asisoj ajo vazhdimisht fiton diçka. Dialogu e përforcon Serbinë si palë për Kosovën, si palë për çështjet e Kosovës që po e bëjnë Kosovën çështje. Aty Serbia menjëherë kërkon kompromis, insiston në kompromis dhe në fundin që nuk është me të vërtetë fund, mbetet përsëri e pakënaqur për t’ia zgjatur jetën dialogut dhe përfitimeve të saj. Serbisë gjithsesi i levërdis zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel, porse ajo e pengon zbatimin e tyre sepse mund ta bëjë këtë gjë dhe kësisoj tregon se kush është përnjëmend sovran ndërkohë që mbase edhe nxjerr ndonjë favor më shumë.
Për të pasur dialog dhe për të bërë marrëveshje, BE-ja bën trysni mbi palët. Mirëpo, BE-ja preferon të bëjë trysni mbi Qeverinë e Kosovës dhe jo mbi Serbinë. Trysnia e BE-së mbi Qeverinë e Kosovës është storie e suksesit prandaj kjo trysni nuk ndalet e madje as nuk zvogëlohet. Qeveria e Kosovës, me qasjen dhe mënyrën e saj, me qëndrimet dhe mosqëndrimin e saj, po i kontribuon kësaj trysnie që po e përjeton.
Qeveria e Kosovës është bashkëpunëtore në trysninë që Bashkimi Evropian e ushtron mbi të. Qeveritarët kosovarë dhe Presidentja Jahjaga me ta, përditë flasin se çka nuk do të jetë veriu (status special, autonomi etj.) por jo edhe se çka do të jetë ai e çka do të bëjnë këta. Në anën tjetër, ata nuk do të duhej të deklaroheshin për fundin e presupozuar të këtyre bisedimeve të reja, për rezultatin e dialogut të paralajmëruar për veriun, por për vetë këtë proces dhe për fillimin e tij. Duket që këta po flasin për fundin e mundshëm të procesit pikërisht që ta lehtësojnë fillimin e tij dhe hyrjen e tyre në të.
Ata që e duan koalicionin PDK-AAK janë po ata që e duan marrëveshjen Beograd-Prishtinë për veriun e Kosovës. Këta burokratë ndërkombëtarë konsiderojnë që një marrëveshje të tillë ‘historike’ mund ta bëjnë radikalët në Serbi me radikalët në Kosovë, pra forcat e kohës së Milosheviqit me njerëzit e dalë nga UÇK-ja.
Fundja, dihet që kjo pikëpamje barazmitare tashmë është mishëruar në disa raste në Tribunalin e Hagës. Duke toleruar pasurimin përmes korrupsionit të disa komandantëve e drejtuesve të luftës në Kosovë, e kanë krijuar përshtypjen se kështu është edhe në përgjithësi: krimet në fakt s’ishin fort politike, se nuk ka palë të moralshme a të pastër këtu dhe se dëmet e shkaktuara prej palëve varen kryesisht prej mundësive dhe kapaciteteve që i kishin palët.
Dialogu njëvjeçar me Serbinë në Bruksel ka bërë që Serbia të duket mirë para bashkësisë ndërkombëtare dhe njëkohësisht të faktorizohet brenda Kosovës e për Kosovën (duke u pyetur për çështje të brendshme të Kosovës dhe duke e bërë emrin e saj pa Republikë e me fusnotë). Këto dy goditje ishin shumë të rënda për shtetin e Kosovës. Vazhdimi i dialogut është vazhdim i goditjeve.

……………………………………….

Shtojcë e pashtriku.org

DIҪKA PO ZIHET!…
Qeveria e Kosovës e ka cilësuar si takim të rregullt atë që u mbajt në ndërtesën e Komisionit Evropian në Bruksel, mes Catherine Ashton dhe kryeministrit kosovar Hashim Thaçi. Mirëpo, BE-ja e ka mbajtur pothuajse në fshehtësi të plotë atë deri pak para shtrëngimit të duarve mes Thaçit dhe baroneshës britanike.

…………………………….

Zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijançiq, dy ditë më parë në një konferencë me gazetarë, ka thënë, se: shefi i qeverisë kosovare mund të vijë gjatë javës, por ende nuk është e konfirmuar. Shërbimi audio-vizuel i BE-së, “Europe by Satellite” të mërkurën, ka postuar vetëm rreth 30 sekonda pamje nga shtrëngimi i duarve mes Ashton dhe kryeministrit Thaçi. Jozyrtarisht merret vesh se me gjithë kërkesat e vazhdueshme të palës kosovare, zyra e Ashton nuk ka pranuar që pas takimit të ketë edhe konferencë me gazetarë. Diçka po zihet! E shohim nga shtatori çfarë është përgatitur për tavolinën Prishtinë – Beograd!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura