ALBULENË HALILI: NJË BREZË, NJË RRUGË

Tetovë, 11 shkurt 2019: Miqësia tradicionale shqiptaro-kineze dhe rruga e re e mëndafshtë e Kinës janë mbivendosur njëra mbi tjetrën duke krijuar edhe një hallkë tjetër të fuqishme të ekspansionit kinez në gadishull.
***
“Një brez, një rrugë” është strategji zhvillimore dhe fokusi kryesor i diplomacisë kineze. E propozuar nga Kina në fund të vitit 2013, ajo ka për qëllim lidhjen dhe bashkëpunimin mes shteteve të Evropës dhe Azisë.
Strategjia “Një brez, një rrugë”, përbëhet nga dy komponentë: Brezi ekonomik i rrugës së mëndafshtë dhe Rruga detare e mëndafshtë e shekullit XXI. E projektuar për investim të njëqind e katërdhjetë miliardë dollarëve, kjo strategji pasqyron synimin e Kinës për të rikthyer pozitën e saj në hierarkinë universale “Gjithçka nën parajsë”, e cila për Kinën përfaqësonte rendin botëror. Në këtë rend botëror ajo vetëperceptohej si pjesa qendrore dhe e qytetëruar e hierarkisë apo “Mbretëria e mesme”.
Një nga historianët më të mirë bashkëkohorë, Niall Ferguson, në librin e tij “Kur Kina sundon botën: Fundi i botës perëndimore dhe lindja rendit të ri global” shkruan se shekulli XXI do t’i përkasë Kinës. Por a do të jetë vërtet kështu?!
Kina, për nga territori, zë vendin e dytë në botë pas Rusisë, ndërkaq zë vendin e parë në botë me numrin më të madh të popullsisë me 1,38 miliardë banorë. Ajo mban po ashtu edhe një rekord në garën e madhe të fuqive, atë të ushtrisë më të madhe në botë dhe pothuajse dyqind e pesëdhjetë armë bërthamore.
Ajo që brengos të gjithë është rimëkëmbja e saj. Përdorimi i togfjalëshit “rritja e Kinës” në terminologjinë e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk është i saktë. Kina përfaqëson një nga qytetërimet e para në botë dhe s’do mend se përpara se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të merrnin primatin e ekonomive më të mëdha në botë, atë vend e zinte Kina. Me gjithë mitin e krijuar për cilësorin e ekonomisë më të madhe në botë, Kina nuk është ajo. Ajo radhitet e treta pas Unionit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si ekonomia e tretë në botë me Bruto Prodhim Vendor prej 10,3 milionë dollarë.

Përkundër asaj që shumë studiues referojnë se qendra e gravitetit të politikës globale do të zhvendoset nga Atlantiku në Paqësor, kjo nuk i garanton Kinës perspektivën e të qenit një lidere globale. Faktorët që e kushtëzojnë Kinën që ta ketë një rol të tillë, janë si vijon:
Së pari, faktori demografik për Kinën është një sfidë jashtëzakonisht e madhe. Problemet demografike të Kinës do të vijnë si rezultat i efekteve të vonuara të politikës kineze të shekullit të kaluar – atë të lindjes së vetëm një fëmije. Kjo bën që Kina të plaket shumë shpejt. Ndaj është bërë e njohur shprehja kineze që thotë: “Vendi i ynë po plaket përpara se të bëhet i pasur”.
Sikur Kina të ishte një komb homogjen, sigurisht që ajo do të ishte njëri nga polet globale. Mirëpo, që Kina të krijojë një ekuilibër të fuqisë në kuadër të sistemit global, asaj i duhet të rregullojë balancën e minoriteteve brenda saj, e cila është një sfidë mjaft e vështirë. Në qoftë se çështja e të drejtave të njeriut nuk zgjidhet, destabiliteti mund të jetë shumë afër.
Së dyti, faktori ekonomik ka bërë që shumë studiues të besojnë se rritja ekonomike e Kinës do t’i japë fund shekullit amerikan, duke i hapur rrugë atij kinez. Përkundër që Kina për shumë dekada ka pasur një rritje ekonomike 9%, ajo nuk do arrijë as gjysmën e Shteteve të Bashkuara për gjatë gjithë shekullit XXI. Sot ekonomia e euroatlantike është e bazuar gjithnjë e më shumë në njohuritë shkencore të cilat po shndërrohen në ekonomi shërbimi e jo në aktivitete fizike. Po të kundrohet në perspektivën e burimeve energjetike, Kina varet në një masë të madhe nga resurset e jashtme natyrore. Për më tepër, Kina përbën 20% të popullsisë së tërë globit, ndërsa disponon vetëm 1.8% të rezervave botërore të naftës, gjë që e bën këtë vend tejet të varur në zhvillimin ekonomik.
I treti me radhë, radhitet faktori gjeopolitik. Azia është kontinenti me sipërfaqe më të madhe rajonale, ndaj dallimet në kultura dhe histori kanë prodhuar dy ekuilibra strategjikë. Në Azinë verilindore bëjnë pjesë: Japonia, Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara, ndërkaq aktorët kryesorë në Azinë Juglindore janë: Kina, Japonia, SHBA dhe India. Brenda këtij konfiguracioni, çdo lëvizje gjepolitike që bëhet nga secili aktor, qoftë edhe për të ruajtur status quo-në, prodhon reaksion kundërshtues nga vendet e tjera të rajonit. Në këtë kuadër të kësaj tabloje, më e shumta që Kina mund të jetë, është një fuqi rajonale, por jo edhe globale.
Së katërti, por jo më pak i rëndësishmi, është faktori teknologjik. Sado të shpejta të jenë ritmet e zhvillimit, duket se ka pak gjasa që të zvogëlohet hendeku që e ndan Kinën nga vendet e Perëndimit. Ky hendek edhe sikur mos të thellohet më tej, edhe për shumë do të mbetet mjaft i theksuar.
Ballkani dhe Rruga e re e mëndafshtë kineze
Rruga e mëndafshtë qe një rrjet i lashtë rrugësh tregtare, thelbësore për ndërveprimin kulturor e që kalonin përmes rajoneve të Azisë duke lidhur Perëndimin me Lindjen, që nga Kina e deri në Detin Mesdhe. Emri i saj – Rruga e mëndafshtë vjen nga tregtia fitimprurëse kineze e mëndafshit gjatë sundimit dinastisë Han, nga viti 207 p.e.s. deri në vitin 220 e.r.. Kjo rrugë pati ndikim të madh në mirëqenien e popujve që jetonin pranë saj si dhe në marrëdhëniet kulturore, politike e ekonomike mes qytetërimeve. Rigjallërimi i kësaj rruge të lashtë, rigjallëron dhe Kinën si një nga shtetet që po përpiqet të fitojë rolin e një fuqie udhëheqëse globale.
Ajo ka filluar të shtrihet përgjatë tërë Evropës Qendrore e Lindore, duke mos anashkaluar as Ballkanin, përmes një numri të madh projektesh që fokusohen kryesisht tek infrastruktura dhe energjetika. Të gjitha shtetet e Ballkanit pa përjashtim janë partnere me qeverinë apo kompanitë kineze në projekte të ndryshme që kanë filluar apo do të fillojnë së shpejti.
Investimin e saj të parë në Evropë, jo rastësisht e ka filluar në Serbi. Ajo ka shfrytëzuar pozicionimin gjeopolitik të Serbisë për të thelluar bashkëpunimin mes tyre, sidomos atë ekonomik. Serbia pra, është kështu për Kinën një copë toke e volitshme përmes së cilës mund të kalojë rruga e re e mëndafshit. Edhe në marrëdhëniet diplomatike, Kina e konsideron Serbinë si aleatin më të fortë në Ballkan. Ato që të dyja ndajnë mendime të njëjta për parimet e sovranitetit, sipas tyre, lidhur me çështjet e Kosovës dhe Tibetit. Kina, sikur edhe Rusia janë shprehur haptas kundër pavarësisë së Kosovës, madje ato kanë akuzuar NATO-n për shkelje të rëndë të së drejtës dhe institucioneve të së drejtës ndërkombëtare gjatë bombardimeve të caqeve serbe gjatë luftës në Kosovë.
Marrëveshje për projekte të ngjashme infrastrukturore si ndërtim rrugësh, urash e hekurudhash si dhe projekte energjetike janë lidhur me shtetet e tjera të Ballkanit e Evropës Lindor: me Malin e Zi, Maqedoninë, Bosnjë e Hercegovinën, Hungarinë, Rumaninë e Bullgarinë. Investimet kineze në Greqi janë konsideruar si infuzioni kryesor për rimëkëmbjen e ekonomisë greke, si dhe nga New York Times dhe Wall Street Journal janë cilësuar si iniciativat e huaja tregtare më të suksesshme. Porti i Pireut ka një rëndësi kruciale strategjike për Kinën. Gjashtëdhjetë përqind të eksporteve të saj nëpër botë, menaxhohen nga ky port.
Në kuadër të ritrasimit të kësaj rruge, ajo që s’befason mbetet bashkëpunimi shqiptaro-kinez, duke njohur aleancën atipike të tyre në kohën e komunizmit. Përveç projekteve infrastrukturore dhe energjetike me të gjitha shtetet tjera, këtu bën përshtypje partneriteti edhe në sferën e kulturës bujqësisë dhe importin e xeheve. Miqësia tradicionale shqiptaro-kineze dhe rruga e re e mëndafshtë e Kinës janë mbivendosur njëra mbi tjetrën duke krijuar edhe një hallkë tjetër të fuqishme të ekspansionit kinez në gadishull.
Kina nuk ka marrë pjesë ndonjëherë në farkëtimin e sistemit ndërkombëtar, ndaj shpesh ndjehet e veçuar dhe pa detyrime ndaj rregullave të rendit ndërkombëtar. Insistimi i Rusisë dhe Kinës për prani në Ballkan është pjesë e strategjisë së tyre për një rol më të madh të udhëheqësit global apo edhe ndërtuesit të rendit botëror bashkë me SHBA-të. Nga ana tjetër synimet për prani në Ballkan janë rezultat i zbrazëtirës së lënë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë rajon me rëndësi të madhe strategjike.(Panaalbanica,net)
______________
Albulenë Halili:
Është doktorante për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës. Fusha e saj hulumtuese është e përqëndruar në marrëdhëniet transatlantike. Ka magjistruar për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare me temën “Sistemi i Versajës – një rend ndërkombëtar i paqëndrueshëm”. Punon si udhëheqëse e Zyrës për kërkime shkencore në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura